Kontrollin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore e ka Ministria e Arsimit

Në përgjigje të akuzave se projektligji për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore është një nismë që synon t’i japë më shumë kontroll në arsim Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, qeveria shqiptare sqaron opinionin publik se kontrolluesi i vetëm i sistemit është dhe do të jetë Ministria e Arsimit.

Në projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore nuk bëhet fjalë për t’i dhënë kontrollin askujt, por bëhet fjalë, sipas ligjit për agjencitë autonome, për një bord i cili është një ndër instrumentet me të cilët administrohen agjencitë autonome, ku për sa kohë ka donatorë dhe donatorë mund të jetë një fondacion apo organizatë, ky donator është pjesë e bordit, por kontrollin dhe shumicën e vendimeve e ka Ministria e Arsimit.

Bordi do të drejtohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe të gjitha vendimet e bordit, ato më të rëndësishme, që kanë të bëjnë me buxhetin apo pagat, do të kalojnë dhe në një filtër tjetër që është Këshilli i Ministrave.

AADF është një partner i hershëm i qeverisë dhe institucioneve publike në shumë projekte në sektorë të ndryshëm. Në sistemin arsimor, asistenca e fondacionit daton prej vitesh, me projekte si Tumo apo Shkolla e Drejtorëve. Ndërkohë që me marrëveshjen për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, Ministria e Arsimit do të jetë përfituesi i ekspertizës teknike dhe financiare të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.