Qeveria shqiptare ka ndërmarrë politikat e duhura për nxitjen e zhvillimit të sektorit të turizmit në Shqipëri. Kështu u shpreh Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit, bashkëorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit. Ministrja ishte pjesë e panelit me temë “BE dhe donatorët në zhvillimin e strategjisë së Turizmit”, së bashku me ambasadorët e Gjermanisë, Spanjës, Italisë dhe Suedisë në Tiranë, Drejtuesen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu dhe Zv.Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Besart Kadia. Ky panel u drejtua nga Ilir Beqaj, drejtuesi i SASPAC, Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se turizmi është një ndër sektorët prioritarë të ekonomisë dhe vitet e fundit, falë edhe mbështetjes së qeverisë përmes incentivave fiskale dhe zhvillimeve infrastrukturore, ka rritur peshën e tij në GDP-në e vendit.
Ministrja theksoi faktin se synimi i politikës fiskale të zbatuar nga qeveria ka qenë nxitja dhe tërheqja e investimeve vendase dhe të huaja në sektorin e turizmit. Në këtë drejtim, Ministrja përmendi disa nga incentivat fiskale të zbatuara, si: përjashtimi nga tatim fitimi për të gjithë hotelet me 4-5 yje; reduktimi i TVSH në 6 % për të gjitha shërbimet e kryera në hotelet me 5 yje; reduktimin e TVSH në 6 % për të gjithë sektorin e akomodimit; apo përjashitmi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 4 dhe 5 yje, mbajtës të një marke tregtare të njohur ndërkombëtarisht.
Kjo politikë, vijoi Ibrahimaj, ka dhënë frytet e veta, gjë që dëshmohet edhe nga shifrat e sektorit të turizmit. Kështu, vlera e përafërt e investimeve në fushën e turizmit në vitin 2022 është rritur me 44.6 % në krahasim me vitin 2021, ndërkohë që qarkullimi i subjekteve që lidhen dhe operojnë me këtë sektor rezulton në rritje me 39.9 %, ose 9.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me vitin 2021. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri në vitin 2022 është 7.5 milionë, ndërkohë që të ardhurat nga udhëtimet e turizmit kanë qenë 2.8 miliardë euro ose 48.5 % më shumë krahasuar me vitin 2021 dhe 1.9 miliardë euro më shumë krahasuar me vitin 2019.
Ministrja tha se synimi i qeverisë është që Shqipëria të jetë një destinacion lider për turizmin dhe që zhvillimi i sektorit të jetë i qëndrueshëm.
“Qeveria ka ndërmarrë politikat e duhura me qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit. Ne kemi për detyrë të krijojmë një ambient dhe klimë biznesi të përshtatshme me qëllim që ky sektor të zhvillohet, kemi për detyrë të nxisim infrastrukturën, të aftësojmë njerëzit për të rritur cilësinë e turizmit, dhe kemi për detyrë të mbështesim biznesin në këtë sektor pasi pa iniciativën private nuk do të ishim aty ku jemi sot”, u shpreh Ibrahimaj.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
Përshëndetje të gjithëve,
Jam e nderuar që jam pjesë e këtij paneli dhe pjesë e një organizimi për herë të parë në vend që i dedikohet tërësisht fushës së turizmit, një sektor shumë i rëndësishëm dhe që vitet e fundit ka rritur rëndësinë e vet qoftë në ekonominë shqiptare, por edhe në dinjitetin e Shqipërisë, pasi ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një pasaportë e mirë e zhvillimit të Shqipërisë dhe e pozicionimit të saj në një vend aty ku duhet të jetë, në një vend që synon të jetë anëtar i BE.
Ashtu siç u theksua dhe nga z. Beqaj, në strategjinë e re për zhvillim, ne kemi përcaktuar turizmin si një nga sektorët prioritarë, dhe jo vetëm në këtë strategji. Që prej nisjes së qeverisjes në vitin 2013, ne e kemi përcaktuar dhe mbështetur sektorin e turizmit, qoftë nëpërmjet incentivace fiskale, qoftë nëpërmjet zhvillimeve infrastrukturore që kanë filluar të bëhen, pa të cilat rritja e numrit të turistëve do të ishte e pamundur.
Në fakt kjo strategji po i jep frytet në ditët e sotme dhe rëndësia e sektorit të turizmit u vu re më shumë se kurrë direkt pas krizave të njëpasnjëshme që ekonomia jonë kaloi, ashtu si dhe ekonomia botërore. Pra, pas tërmetit, pas pandemisë, por edhe gjatë krizës që jemi duke kaluar, turizmi ka qenë ndër të vetmit sektorë që ka vijuar të ketë një kontribut pozitiv në rritje, që ka vijuar të shohë rritje të performancës së tij, e cila duket në numra. Në radhë të parë në numrat e shtetasve të huaj që hyjnë në Shqipëri, në numrat e të ardhurave që gjeneron ky sektor, në numrat e strukturave akomoduese që vazhdojnë të ndërtohen në vend, në numrat e të gjithë sektorëve të ndërlidhur me sektorin e turizmit, pasi turizmi nuk është vetëm hotele dhe restorante, por e jep kontributin e vet në ekonominë shqiptare dhe nëpërmjet shitjeve së njësive tregtare dhe shërbimeve të lidhura me turizmin. Pra ne gjatë viteve të fundit po shohim frytet e politikës që kemi nisur të bëjmë që prej vitit 2013. Këtë kemi dashur ta bëjmë duke nxitur investimet vendase dhe të huaja, duke u munduar të tërheqim investimet e huaja.
Ne kemi një legjislacion prej vitesh në fuqi, si ai për investimet strategjike dhe nga 39 investime strategjike të cilat janë miratuar që prej vitit 2015, 30 prej tyre lidhen me sektorin e turizmit.
Ndërkohë, kemi përcaktuar disa incentiva fiskalë me qëllim rritjen e investimeve në turizëm. Unë doja të përmendja përjashtimin nga tatim fitimi për të gjithë hotelet me 4-5 yje; reduktimin e TVSH në 6 % për të gjitha shërbimet e kryera në hotelet me 5 yje; reduktimin e TVSH në 6 % për të gjithë sektorin e akomodimit; përjashitmi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 4 dhe 5 yje, mbajtës të një marke tregtare të njohur ndërkombëtarisht. Pra, synimi i politikës sonë fiskale ka qenë nxitja e investimeve në këtë sektor dhe sidomos nxitja e investimeve cilësore. Siç e thashë, kjo politikë ka sjellë frytet e veta.
Unë doja t’ju përmendja vetëm disa shifra të cilat lidhen me vitin 2022 dhe në përgjithësi ne e krahasojmë këtë vit jo me vitin 2021 dhe 2020, por me vitin 2019 që historikisht është cilësuar si viti kur turizmi ka pasur peformancën më të mirë që prej fillimit të zhvillimit të tij.
Në vitin 2019 kemi pasur më pak se 6.5 milionë shtetas të huaj të hyrë në Shqipëri, ndërkohë që në vitin 2022 ky numër u rrit me 1 milionë.
Gjatë vitit 2022, sipas bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat nga udhëtimet e turizmit kanë qenë 2.8 miliardë euro ose 48.5 % më shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe 1.9 miliardë euro më shumë krahasuar me vitin 2019.
Për strukturat e akomodimit ne kemi pasur një rritje të numrit të vizitorëve me 32.6 %. Sipas Eurostat, ne kemi pasur 3.8 milionë netë qëndrime në akomodimet turistike në vitin 2022, një rritje me 20 % në krahasim me vitin 2021. Ndërkohë, siç përmenda edhe më sipër, numri i strukturave akomoduese është rritur dhe ka arritur 1600.
Vlera e përfarët e investimeve në fushën e turizmit në vitin 2022 është rritur me 44.6 % në krahasim me vitin 2021.
Ndërkohë aktiviteti tregtar, pra qarkullimi i subjekteve që lidhen me këtë sektor dhe operojnë në këtë sektor, rezulton në rritje me 39.9 %, pra 9.3 miliardë lekë më shumë në krahasim me vitin 2021.
Sektori i turizmit ka disa prioritete. Ne si gjithë vendet e BE, por edhe sipas strategjisë së BE për zhvillimin e sektorit të turizmit, duam që Shqipëria të bëhet një destinacion lider për turizmin dhe në fakt oferta turistike e vendit tonë është rritur, gama e produkteve që ne ofrojmë është rritur duke u zgjeruar në sektorin malor, në turizmin e lumenjve, duke u zgjeruar dhe në turizmin bregdetar, që historikisht ka qenë një turizëm i targetuar për Shqipërinë.
Ndërkohë kemi filluar edhe zhvillimin e turizmit historik, i cili ka shumë për të dhënë dhe potencial për tu rritur në vendin tonë.
Pra, ne duam që Shqipëria të jetë një destinacion lider për turizmin. Ne gjithashtua duam që Shqipëria të ketë një turizëm të qëndrueshëm, i cili respekton të gjithë rregullat ambientalë dhe kjo është dhe arsyeja pse ministria e Turizmit është dhe ajo e Mjedisit, pasi janë dy elementë që duhet të ecin me njëri-tjerin dhe të ndikojnë në ecurinë e njëri-tjetrit.
Të gjitha këto politika që kemi ndërmarrë deri tani synojnë që të rrisin pikërisht kontributin e turizmit në GDP e vendit dhe numrin e të punësuarve në këtë sektor.
Kur flas për numrin e të punësuarve nuk e kam fjalën vetëm në sasi, por edhe në cilësi. Më vjen mirë që këtu me ne në panel janë disa nga mbështetësit dhe donatorët kryesorë të qeverisë shqiptare përsa i përket rritjes së cilësisë së turizmit në drejtim të dhënies së shërbimit, pra në drejtim të aftësimit të të punësuarve në turizëm.
Ne kemi rritur gjatë viteve të fundit numrin e shkollave profesionale, kemi rritur numrin e personave që regjistrohen në shkollat profesionale dhe sigurisht që pagat mesatare në sektorin e turizmit janë rritur ndjeshëm nga viti në vit dhe ky është synimi që ne do të vijojmë të kemi pasi pa punonjës cilësorë e të mirëpaguar sektorët e shërbimeve, ku futet dhe turizmi, nuk mund të ecim përpara dhe sado infrastrukturë të ngrihet dhe sado struktura të të mira të ketë, akomodimi si biznes është i lidhur me cilësinë e shërbimit që jepet nga punonjësit e sektorit.
Nga ana tjetër, edhe z. Beqaj e përmendi, ne kemi investuar shumë gjatë viteve të fundit në infrstrukturë, janë të shumta rrugët që janë ndërtuar për të ndërlidhur gjithë destinacionet turistike, edhe ato më të thella. Gjithashtu kemi punuar shumë duke mbështetur me financime nga buxheti jo vetëm për rrugët, por për përmirësimin e cilësisë së aeroporteve, por edhe së fundmi me një sektor që gjithashtu është ngushtësisht i lidhur me turizmin siç është sektori i marinave.
Edhe në Programin e Reformave Ekonomike që kemi me BE, ne kemi një seksion të dedikuar për marinat pasi potenciali i Shqipërisë për zhvillimin e turizmit detar dhe nëpërmjet marinave, të cilat tashmë po ndërtohen në vend, është mjaft i lartë.
Besoj që për këtë sektor qeveria ka ndërmarrë politikat e duhura me qëllim nxitjen e zhvillimit. Është një sektor që ka pasur iniciativën private nuk mund të ecë përpara. Pra, ne kemi për detyrë të krijojmë një ambient dhe klimë biznesi të përshtatshme me qëllim që ky sektor të zhvillohet, kemi për detyrë të nxisim infrastrukturën me qëllim që destinacionet turistike të jenë sa më afër pikave hyrëse të vendit tonë, kemi për detyrë të aftësojmë njerëzit për të rritur cilësinë e turizmit, dhe kemi për detyrë të mbështesim biznesin në këtë sektor pasi pa iniciativën private nuk do të ishim aty ku jemi sot.
Faleminderit.