Krenaria e komunitetit, imazhi i bukur i qytetarëve përmetarë që bëjnë emër me punën dhe talentin e tyre në shërbim të njerëzve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Krenaria e komunitetit, imazhi i bukur i qytetarëve përmetarë që bëjnë emër me punën dhe talentin e tyre në shërbim të njerëzve

Përmetarë të urtë e të mençur, të fushave dhe profesioneve të ndryshme, që me punën plot përkushtim dhe vizionin e qartë për të ardhmen i kanë dhënë zë dhe vlerë qytetit të tyre, ishin sot qytetarë të vlerësuar si krenaria e komunitetit, të cilëve iu dedikua një mbrëmje festive në shenjë mirënjohje dhe respekti për historitë e tyre të suksesit.

Kryeministri Edi Rama i cili ishte i ftuari i mbrëmjes, përcolli me përshëndetjen e tij, mesazhe falenderimi dhe inkurajimi për punën dhe shembullin e tyre në komunitet.

* * *

Mirëmbrëma të gjithëve dhe shumë faleminderit.

Jam shumë i nderuar realisht që të jem këtu në këtë mbrëmje, e cila është organizuar për të vlerësuar me një shenjë respekti ata që janë krenaria e komunitetit.

Natyrisht në Përmet, një vend me një traditë të mirënjohr urtësie dhe pune, krenaritë e komunitetit janë shumë, por unë kam bindjen që Alma dhe Mirela kanë ditur të përzgjedhin, jo për veçuar një grup njerëzish nga të tjerët, por përmes tyre për t’iu dhënë një mesazh të gjithë të tjerëve sipas fushave dhe kategorive që ju përfaqësoni, një mesazh vlerësimi, një mesazh mirënjohjeje, një mesazh respekti sepse jetojmë në një kohë gjithmonë e më të çuditshme, ku gjithmonë e më shumë vendin kryesor të vëmendjes e zënë kotësirat edhe gjërat gjithmonë e më sipërfaqësore, në një kohë, kur ka gjithmonë e më pak përqëndrim dhe gjithmonë e më pak vëmendje për të lexuar më shumë sesa tituj, më shumë sesa ikona të ndryshme nëpër pasqyrat e telefonave, dhe për të shkuar përtej fotografive, përtej imazheve, përtej përshtypjeve të shpejta.

Por edhe në këtë kohë, edhe në të gjitha kohët, ata që bëjnë ndryshimin, ata që realisht i japin jetë gjërave të mira, janë edhe më shumë se kaq. Janë më shumë sesa imazh, janë më shumë sesa tituj, janë më shumë sesa vendi kryesor në një botë sipërfaqësore. Sot kam kaluar një ditë shumë të mirë dhe me një kënaqësi të veçantë për hir të së vërtetës sepse u ndjeva sikur isha në një qytet tjetër nga ai që kam njohur dhe kam parë këtu e jo shumë vite më parë. Dhe e thashë edhe në një takim më përpara, 200 metra apo 300 metra rrugë aty tek pedonalja, kam dëgjuar disa gjuhë të huaja.

Kam takuar disa turq që më njohën dhe erdhën, kam takuar amerikanë, dhe kam parë edhe disa miq gjermanë. E paimagjinueshme në një vend nga ku deri para ca vitesh të gjithë donin të iknin, kur deri para ca vitesh nuk bëje dot 100 metra pa shmangur një grope në rrugë, ku të gjitha godinat që shikoje qoftë më të vjetra, qoftë më të reja kishin shëmbëlltyrën e një rrënimi të vazhdueshëm dhe ku gjithë ajo fama e Përmetit të qytetit të trëndafilave, ngjante si një  legjendë e antikitetit.

Pastaj pata kënaqësinë të takoja një legjendë të gjallë, jo të Pëmetit po të Shqipërisë, por edhe të Përmetit sepse natyrisht vjen nga kjo zonë, Gaz Çaçin që ju e njihni shumë mirë i cili ka luajtur një rol në jetën time të mëparshme kur unë isha sportist, edhe më ka nxitur me shembullin e tij, pavarësisht se nuk luanim në një skuadër, më ka ushtruar presion me atë hijen e vet te tmerrshme që të arrij edhe unë pak më lart e pak më lart, dhe të cilin kam privilegjin ta kem shok edhe pse takohemi rrallë. Edhe e sjell këtu në këtë bisedë, sepse Gazi që vjen shpesh në këtë qytet, më tha: “Po nuk prenotove përpara, dhe vjen në Përmet me idenë që do qëndrosh 1 apo 2 ditë, atëherë i vetmi shpëtim është që ose të kesh kushërinj ose të kesh të njohur që të të hapin derën.

Sepse hotele, bujtina, guest house nuk gjen absolutisht asnjë dhomë bosh. Apo jo, Gaz?  Dhe e mar me mend se çfarë mund të jetë ndonjëherë për ndonjë të njohur të Gazit kur i vjen te dera gjithë ai Gaz dhe u duhet me e zgjat krevatin me dy stola. Por  e vërteta e këtij rrëfimi shumë të thjeshtë është ajo që në fakt thonë edhe të dhënat e zhvillimit të turizmit këtu në Përmet.

Një qytet dhe një zonë që këtë vit ka arritur një numër rekord, 60 000 vizitorësh shqiptarë, nga Tirana, nga qytete të tjera të vendit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut , Mali i Zi, por edhe shumë nga Europa dhe nga SHBA.

Dhe vijnë sepse këtu gjërat ndryshojnë me muaj e jo më me vite. Vijnë sepse këtu ka njerëz që bëjnë sukses. Vijnë sepse këtu ka njerëz që kthehen, hapin dyert e kalbura të godinave të stërvjetra të stërgjyshërve të tyre apo godina të cilat i marin me qera. Dikur i blinin, sot nuk i blejnë dot më sepse nuk shiten më, dhe pastaj i kthejnë në bujtina të bukura, i kthejnë në hotele fantastike dhe vënë në dispozicion gjithë traditën e mikpritjes përmetare që si e gjithë mikpritja shqiptare, është e famshme po ka karakteristikat e veta.

Dhe kështu zhvillohen agroturizmat, kështu zhvillohet hoteleria, kështu zhvillohen pastaj edhe të gjitha programet përreth. Por unë nuk dua të zgjatem sepse kjo është mbrëmja e të ftuarve të Almës edhe të Mirelës. Unë kam thjesht nderin të jem njëri prej tyre. Dua vetëm të shtoj këtë; Përmeti këtë vit ka qenë një nga vendet me intensitetin më të madh të aktiviteteve kuturore, muzikore, argëtuese dhe janë mbresëlënëse pamjet e atyre aktiviteteve, me sa shumë njerëz të ardhur nga të katër anët për të festuar këtu në Përmet. Është një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm, por njëkohësisht është edhe një shenjë  tjetër, shumë shumë domethënëse e asaj që po ndodh hap pas hapi. Natyrisht ka akoma plot gjëra pë të bërë. Ne sot pamë qendrën historike, krejt e transformuar, por tani që është transformuar e gjithë infrastruktura, nevoja për t’i parë të transformuara të gjithë ato shtëpi të vjetra, është shumë më e fortë seç ishte sepse tani ato realisht të vrasin sytë, por kudo shikohen shenja të një jete që rritet, zgjerohet, shtrihet në territor dhe respekte dhe nderim për të gjithë ata që po e bëjnë këtë gjë të ndodhi, qoftë për ata që kanë ardhur nga Tirana këtu, siç ishte rasti i një përmetari shembullor që ka ëndërr të eksportojë rakinë dhe konjakun e Përmetit dhe do ta arrijë dhe është në proces, ose që vijnë nga emigracioni këtu siç është rasti i atij djalit, Arbrit. Këta ishin pionierët e parë. Tani ka plot të tjerë që po i ndjekin dhe uroj dhe shpresoj që kjo mbrëmje të shërbejë dhe për të tjerë që mbase na dëgjojnë për të kuptuar që ka shumë arsye për të ardhur në Përmet.

E fundit fare edhe kujdesi që tregohet këtu për fëmijët. Është vërtetë një shembull siç është një shembull edhe ajo palestra e Përmetit ku një tjetër legjendë profesor Et’hemi 83 vjeçar që qëndron aty i pa lëvizur që në kohën e Gaz Cacit, më tregonte sot Gazi sesi ai atëherë e fshinte vetë, e lante vetë me duart e tij gjithë parketin. Më Tha Gazi, i thoja: “po mirë ku janë pastrueset”? “Po ça të bëj unë, të pres pastrueset, po e bëj vetë”. Dhe aty sot ai po ndihmon për të ngritur skuadrat e shkollave që do të jenë pjesë e hapjes së madhe që do të bëjmë të kampionateve të shkollave në të gjithë Shqipërinë.

Shumë faleminderit!

Previous Përmet, investime të rëndësishme në zemër të lagjes historike për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm