-Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me qytetarët në rrjetin social Facebook:
Përshëndetje!
Nuk e di a e dëgjoni edhe ju një protestë që po zhvillohet këtu poshtë. Dëgjoj thirrje “poshtë komunizmi”, “Rama ik”, të shara me megafon nga individë që flasin në emër të popullit, por sinqerisht nuk kam asnjë problem me këto sepse komunizmi ka rënë poshtë ka 30 vjet e kusur e nuk ka gjasë të ngrihet më.
Unë kam vite që dëgjoj “Rama ik”, nga ata që shajnë në emër të popullit, por në fund këtë e vendos gjithnjë populli, i cili edhe para pak ditësh kur foli në gjashtë bashki, tha pesë herë Rama rri, ndërsa kur më shajnë “hajdut”, thjeshtë shoh një hajdut më shumë që shan, sepse më ka mësuar Kanti, që “kush të shan pa prova, ose e ka bërë vetë, ose është gati ta bëjë vetë po të ketë gjë në dorë, atë për të cilën të akuzon ty”.
Në jetën time nuk jam përkulur kurrë për të futur dorën në xhepin e askujt e qysh i vogël e kam mësuar se në varr, leku nuk bën punë as sa dheu, por siç thashë, nuk janë problem as ulërimat, as sharjet, as mallkimet apo përqeshjet, në situata të tilla. Problemi themelor është bashkimi. Bashkimi tek e vërteta e tek faktet!
I kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e komentet tuaja këtu në këtë faqe qysh pas konferencës së pardjeshme për shtyp, kur folëm me shifra, me fakte, me të vërteta për thellimin e krizës energjitike e masat tona për mos rritjen e çmimit.
Ndërkohë që çmimi i naftës vazhdoi të ngrihet, duke e rritur valën e natyrshme të shqetësimit. Problemi është tek rëndësia e madhe që ka bashkimi në një situatë të tillë. Disa kanë bërë ironi dhe përqeshje me këtë, “për çfarë bashkimi flet, ku do bashkohemi, ti je në rehatinë tënde, jemi ne që e hamë goditjen, kjo e bashkimit është një tallje”.
Jo aspak!
E para, nëse unë do të isha në rehatinë time nuk do të isha në këtë detyrë ku jam njeriu i fundit fare në Shqipëri që i pres me qetësi rritjet e çmimeve dhe të gjitha problemet e tjera që krijohen apo që nuk do të rriten më shumë të ardhurat e kështu me radhë, por mbase është e nevojshme të shpjegohet mirë se çfarë dua të them me bashkimin tek e vërteta dhe tek fakti.
Ne mund të jemi të ndarë për opinionet që mund të kemi mbi si ta zgjidhim këtë apo atë, por ne nuk mund të jemi të ndarë për faktet. Nuk mund të kemi fakte alternative, si për shembull problemi me energjinë dhe me naftën, thonë disa, është se ne i kemi mjaftueshëm, se Shqipëria është e pasur, por fajin e ka qeveria që i shet jashtë.
Por jo, nëse nisemi nga kjo premisë krejt e gabuar, atëherë dalim në konkluzione krejt të gabuara. Ne nuk e kemi mjaftueshëm energjinë, as kur jemi në kulmin e prodhimit në një vit me reshje të larta, jo më në një vit me reshje të ulta, siç është për të tretin vit radhazi ky vit. Edhe naftën jo e jo, sepse ne nuk kemi naftë për diesel apo për benzinë. Nafta jonë është naftë e rëndë, e cila shitet kryesisht për bitum. Nëse nafta jonë do të futej në pompa e nga pompat do të hynte në serbatorët e makinave, atëherë për një javë do t’i çonte për skrap makinat tona.
Disa këmbëngulin mbi një tjetër fakt alternativ që është i pavërtetë. “Ne e shesim lirë dhe e blejmë shtrenjtë energjinë sepse e vjedhin politikanët”, është një logjikë që shpjegon çdo gjë me vjedhjet dhe është një logjikë hajdutësh. Kush i shpjegon çdo gjë me vjedhjet, pa dashur as të dëgjojë, as të lexojë, as të kuptojë, as të informohet, thjesht në potencë është një hajdut, sepse si mund të akuzosh të tjerët, si mund të akuzosh tjetrin për hajdut pa asnjë provë dhe mbi të gjitha mbi fakte komplet të stisura, jo mbi fakte reale.
Fakti është se ne e shesim energjinë në kohërat me shi. Po, e shesim dhe kur ne e shesim në kohërat me shi duhet ose ta shesim, ose ta hedhim sepse energjia nuk mbahet dot as në dollap, as në frigorifer e natyrisht e shesim lirë sepse në vjeshtë dhe në dimër çmimi i saj bie. Kërkesa është më e ulët. Ndërkohë që e blejmë shtrenjtë, po e blejmë shtrenjtë sepse në verë ne nuk kemi reshje, niveli i hidrocentraleve tona bie nën nivelin teknik dhe patjetër, ne udhët të dalim në treg dhe e blejmë shumë më shtrenjtë sepse në kohë thatësire kërkesa është shumë më e lartë dhe patjetër çmimi është shumë më i lartë. Prandaj po ndërtojmë Skavicën, pikërisht për të pasur një mundësi depozitimi të ujit të tepërt dhe për ta ruajtur për kohën e thatësirës, ndërkohë që vazhdojmë të investojmë për burime të tjera, por të gjitha duan kohë. Patjetër duan kohë!
Ne nuk mund të ndahemi tek faktet. Ndarja tek faktet na bën të çorientohemi, të hyjmë në një kacafytje përçartëse dhe përçarëse. Nuk mund të ndahemi tek faktet kur flasim për çmimet e energjisë sot në treg. Nuk kemi si ndahemi sepse ato nuk janë as të fshehta, nuk janë as të vështira për t’u gjetur dhe fakti është se 1 megavat për orë që vjet kushtonte 52 euro, sot blihet me 550 euro. Ndërkohë që, ne jemi zotuar ta mbrojmë me se s’bën konsumatorin familjar dhe biznesin e vogël nga rritja e çmimit, që disa muaj më parë kur unë dola dhe paralajmërova krizë në horizont që po vinte drejt nesh dhe filloi menjëherë një gjullurdi e një bolori, që kjo na qenka një sajesë.
Se çfarë arsye në botë ka një kryeministër, edhe më i keqi i botës, që të dalë e të sajojë kriza e të sajojë lajme që shqetësojnë njerëzit, unë nuk e di se ku e gjejnë këtë arsye ,ata të cilët flasin për lojëra por fakti e tregoi që kjo nuk ishte një lojë. Se nuk kishte si të ishte një lojë dhe kriza u përshkallëzua dhe kur unë fola për krizë, as nuk dinte njeri, as nuk kishte njeri idenë se së shpejti Europa do të hynte në luftë. E kemi marrë këtë zotim, që të mos preket çmimi i energjisë dhe pavarësisht se lufta, e do flas më poshtë për këtë luftë, e impaktoi fort edhe më shumë çmimin e energjisë dhe e thelloi rëndë krizën energjitike dhe natyrisht edhe çmimin e gazit e të naftës nuk diskutohet e impaktoi fortë, ne vazhdojmë të themi që do ta mbrojmë këtë çmim.
Tani, çohen disa e thonë, “pse na i përmend këtë”? E përmend këtë sepse është shumë e rëndësishme që të kuptohet se kjo qeveri, jo që nuk i ka kthyer kurrizin njerëzve, por rri e tëra e përqendruar se si të adresojë sa më mirë problemet e këtij vendi e si të lehtësojë sa më shumë hallet e njerëzve të këtij vendi, prandaj e përmend, sepse është një fakt. E kur thashë që ka nisur kjo krizë, të tjerë thanë që “kriza është imagjinare, lojë për të rritur çmimin e energjisë”, u kuturisën dolën edhe nëpër protesta që me demek të mos rritej çmimi i energjisë, ndërkohë që në krye të herës, ditën e parë, unë thashë që nuk do ta rrisim çmimin e energjisë, ja ku jemi sot. Jemi sot në një situatë kur njëri prej prodhuesve më të mëdhenj të gazit e të naftës në botë, Rusia, ka hyrë në luftë dhe çmimet po kërcejnë marramendshëm.
Fakti është, e këtu nuk mund të ndahemi prapë tek faktet sepse ky është fakt, që sot qeveria financon – dhe qeveria financon nga të ardhurat e të ardhurat e qeverisë krijohen nga mbledhja e taksave dhe e detyrimeve, – 80% të faturës së energjisë të çdo konsumatori familjar apo biznesi të vogël, ndërkohë që çmimi në faturë është po ai që ishte kur nuk kishte fare krizë, prandaj për më tepër, atyre që thonë, “pse na e thua këtë, boll se detyrën po bën, shiko naftën ku ka vajtur atë bëj”, u them detyrën bëjnë të gjitha qeveritë e të gjithë kryeministrat dhe detyrën kanë bërë edhe kryeministrat e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Italisë e me radhë, ku çmimi i energjisë është rritur ndjeshëm në faturën e energjisë të konsumatorit. Patjetër që detyrën bëjmë dhe ne dhe duke bërë detyrën ne kemi gjykuar se është detyra jonë që të mbrojmë të gjithë familjarët e të gjithë biznesin e vogël nga rritja e çmimit të energjisë në faturën e tyre.
Ndërkohë që komunikimi nga ana ime e këtij fakti, do të thotë vetëm diçka shumë të thjeshtë. Që kjo qeveri, si asnjë qeveri tjetër më parë, e ka treguar edhe herë të tjera në momente shumë të vështira, mund të akuzohet për shumëçka, mund të kritikohet për shumëçka, por kurrën e kurrës për mospasjen e vëmendjes ndaj njerëzve të këtij vendi, e sidomos ndaj atyre më në nevojë. Kurrën e kurrës, me fakte, jo me fjalë e nuk besoj se ka njeri të arsyeshëm – e ma dëgjoni mirë këtë me vëmendje, – që thotë, “po mirë le të rritet energjia, por duhet ulur nafta”.
E para, jo sepse energjia i prek të gjithë. Energjia i prek edhe pensionistët që nuk konsumojnë naftë, nuk kanë veturë. Edhe fermerët që naftën e marrin pa asnjë taksë sot, ndërkohë që flitet për fermerët nga ata, të cilët u dalin në mbrojtje pa u thënë një herë punës mirëmëngjesi, e nuk përmendet, përkundrazi, fshihet fakti se fermerët e marrin naftën pa taksa. Edhe për të gjithë qytetarët e tjerë që nuk përdorin makinë personale, energjia shkon dhe prek. Pra këtu, në radhë të parë, është mirë të shikojmë që duke mbrojtur çmimin e energjisë, ne mbrojmë të gjithë.
Tani, e dyta, energjia është një mall që në një farë mënyrë sot ende e shet shteti. Nuk është një mall në një treg të liberalizuar, siç është në Gjermani apo siç është në Angli, kur furnizuesit janë privat e sot me energjinë do të kishim të njëjtën situatë siç e kemi me naftën, ku shteti nuk do kishte asnjë gjë në dorë dhe prandaj dhe ndërhyrja për të mbajtur çmimin në një nivel të caktuar është e mundur teknikisht, pavarësisht se sa e rëndë është kjo për arkën e shtetit, kjo është një temë tjetër.
E treta, nafta është një mall në tregun e lirë ku shteti nuk ka asnjë lidhje e në mënyrë të përsëritur e kam nënvizuar, që kur kemi zgjedhur lirinë e tregut kemi hequr dorë nga kontrolli i shtetit mbi çmimet në treg, në vitin 1990, që kur kemi shkruar në Kushtetutën tonë se Shqipëria është një vend demokratik me ekonominë e lirë të tregut, ne kemi vendosur që shteti nuk cakton çmimet e mallrave e këtu nuk kemi një pengesë ideologjike për të ndërhyrë në treg si shtet. Nuk është fare ideologji, por eksperienca botërore, si dhe raste konkrete në të shkuarën këtu, tregojnë qartë që shteti nuk imponon dot çmime, nuk vendos dot çmime, nuk kontrollon dot çmime në një ekonomi të lirë të tregut.
Megjithatë, që të vijmë më në thelb të problemit, pardje thashë që brenda javës, pra brenda kësaj jave, ne do të kemi skenarët e përballimit të kësaj situate të provokuar në treg nga një luftë, të cilën as nuk e ka nisur Shqipëria, as nuk e ndalon dot Shqipëria, as nuk e di askush as në Shqipëri e asgjëkund tjetër se sa mund të zgjasë. Tani, ne nuk mund të jemi të ndarë edhe për këtë fakt, se të thuash lufta në Ukrainë nuk ka lidhje me këtë rritje çmimesh në Shqipëri, do të thotë të mos shpjegosh dot pastaj pse kërcyen çmimet kështu zgupthi pikërisht me fillimin e luftës? Ndërkohë që prej muajsh, kudo në botë kishte nisur një valë rritëse inflacioni, një valë rritëse çmimesh si pasojë e kërkesës së rritur eksponencialisht pas pandemisë dhe ofertës së pamjaftueshme të prodhimeve dhe të materialeve bazë.
Tani, disa këtu thonë që nuk duhet ta çoje, unë domethënë, Shqipërinë në luftë sepse ajo atje nuk është lufta e shqiptarëve prandaj tani duhet t’i dalësh ti, domethënë unë, për zot çmimeve të rritura.
Tani, nuk dua të hapem këtu se nuk është ky momenti e nuk është kjo tema me pse ajo atje është lufta e shqiptarëve po ashtu, por dua të kërkoj që të mos jemi të ndarë tek fakti që rritja e çmimit të energjisë, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të gazit apo edhe rritja e çmimit të miellit, nuk vjen si pasojë e faktit që Shqipëria u bashkua me plot të drejtë sanksioneve ndaj Rusisë, por vjen për të tërë njësoj, kudo, si për ne që iu bashkuam sanksioneve, si për vende që nuk i janë bashkuar sanksioneve dhe shembullin e kemi afër, një nga shembujt, Serbinë, për të mos shkuar më larg. Njësoj po rriten çmimet edhe atje, pavarësisht mos bashkimin me bllokun e sanksioneve. Pra le të bashkohemi fillimisht tek fakti që kjo çmendje e çmimit të naftës dhe rritja e pazakonshme e çmimeve në tërësi është pasojë e kësaj lufte.
E tani, të vazhdojmë me çfarë duhet e çfarë mund të bëjmë.
I kam dëgjuar me shumë vëmendje të gjitha recetat. Tani, si mendoni ju, që nëse do të ishte kaq e thjeshtë e nëse gjërat do të shikoheshin kështu në mënyrë të pjesshme, do kishim pritur që të na e tregonin nëpër facebook e nëpër mitingje se si zgjidhen këto probleme? Nëse do të ishte receta hiq TVSH-në, hiq taksën dhe gjërat do zgjidheshin, do prisnim që të na e sugjeronin nga facebook apo nga tribunat njerëz që nuk i bien lapsit kurrë e nisen me fakte komplet të stisura, jo mbi bazën e të vërtetës dhe të realitetit? Patjetër që jo, nuk do kishim pritur, do e kishim bërë, do e kishim vënë në zbatim me kohë, por nuk funksionon kështu dhe po ju jap një shembull.
Ne hoqëm para shumë kohësh TVSH-në mbi bukën. Rezultati? Asnjë ulje çmimi! Pse? Sepse si rregull dora e tregut të lirë nuk i lëviz çmimet sipas urdhërave apo vendimeve të qeverisë!
Atëherë, mos duhet të rrimë duarkryq? Në asnjë mënyrë jo, e këtu dua t’ju kthej pak në ditën e tërmetit, pas tërmetit apo në javët më të rënda të pandemisë e duhet t’ju kujtohen me siguri.
E pra, siç i dolëm në mbrojtje atëherë këtij vendi, njerëzve të këtij vendi, familjeve të këtij vendi që kishin nevojë për mbështetje, do t’i dalim përsëri në mbrojtje njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje në këtë situatë të jashtëzakonshme sepse sigurisht që kur them është një situatë e provokuar nga lufta, atëherë ne nuk do të rrimë duarkryq e të vazhdojmë ta trajtojmë këtë çështje si të ishim në një kohë paqeje, patjetër.
Por ama, duhen disa orë për t’i vënë gjërat bashkë e duhen planifikuar disa hapa që nesër të mos themi që dolëm komplet zbuluar se i harxhuam të gjithë fishekët menjëherë. E kam thënë këtë dhe në kohën e pandemisë. Kështu që brenda javës, domethënë brenda 48 orësh ne do t’ju themi konkretisht se çfarë do të bëjmë e si do ta bëjmë për të adresuar këtë problematikë të nxehtë që e kuptoj shumë mirë, e kuptojmë shumë mirë dhe kush thotë që këta janë në një botë tjetër, flet përçart sepse për hir të detyrës e për mënyrën se si e kuptoj unë detyrën, si nderin më të madh që mund t’i bëhet një njeriu të një vendi, nga populli i vet, për të udhëhequr vendin, unë nuk fle edhe kur të gjithë ata që na japin këto recetat e gatshme flenë.
E po për shkak të detyrës e për hir të mënyrës se si e kuptoj detyrën, unë njoh aq shumë shqiptarë, aq shumë familje, aq shumë në detaje realitetin e njerëzve që çdo ditë përballen me vështirësitë sa askujt nuk i është dhënë dot mundësia që t’i njohë e askush nuk mund të më japi mua leksione për se si jetojnë njerëzit, sepse unë jetoj me njerëzit, unë jetoj me problemet e njerëzve. Nëse nuk do të isha ky e nëse nuk do ta jetoja kështu detyrën, për çfarë arsye do isha këtu e do dëgjoja këta që flasin e nuk dinë çfarë flasin? Për cilën arsye në botë? E pra i dëgjoj edhe këta, i dëgjoj edhe të gjithë të tjerët me shumë respekt, por në fund të ditës përgjegjësia për të udhëhequr është një përgjegjësi që ngrihet mbi fakte, që ngrihet mbi të vërteta, që ngrihet mbi domosdoshmërinë që çdo hap të hidhet në mënyrë të sigurt, jo hidh kuturu një hap e pastaj shko në greminë siç kemi shkuar në greminë kur kemi pasur njerëz të papërgjegjshëm në krye që thonin, “u bë deti kos”.
Tani, përtej faktit se nafta është mall në tregun elirë dhe se qeveria, si rregull, nuk ka punë me çmimet në treg, sot përderisa themi dhe unë e besoj këtë gjë, që ky vend është në luftë, domethënë nuk është në luftë vendi në sensin që ka marrë armët dhe ka shkuar në luftë, por ka ardhur lufta në këtë vend dhe lufta ka ardhur me faturën e çmimit të naftës në radhë të parë dhe me faturat e tjera.
Ndaj, ne do ta trajtojmë këtë situatë si në luftë dhe do ndërhyjmë në çdo tendencë spekulative me cmimin e naftës, duke krijuar brenda 48 orësh, pjesë e planit që do shpaloset në 48 orë, në një akt normativ me fuqinë e ligjit, një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme, një Bord Kombëtar të Administrimit të Karburantit, ku furnizuesit e vendit do jenë në një tavolinë me qeverinë për të bërë gjithë transparencën e cmimeve në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë dhe nuk do mund të përcktohet sipas qejfit dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet, që nga grumbullimi, rezervimi, shfrytëzimi i depozitave, deri tek pika fundore e shitjes, deri në një moment të dytë, sipas dinamikës së kësaj lufte.
Ne nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit X apo Y me naftë të shfaqen çmime të pamiratuara në parë në Bordin Kombëtar të Administrimit të Karburanteve dhe do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që do shkelë vendimet e këtij bordi super special, i cili do jetë tryezë e përbashkët vendimmarrëse e furnitorëve dhe qeverisë, për njerëzit, në këtë kohë të jashtëzakonshme lufte, ku nuk është dita për të fituar. Është dita për të rezistuar.
Nuk është dita për t’u ndarë por është dita për t’u bashkuar.
Nuk është dita për t’u thënë atyre që vijnë tek pika e karburantit se “Unë nuk kam çfarë bëj, do nxjerr fitimin tim” por është dita për t’u thënë atyre që vijnë tek pika e karburantit “Unë timen e bëra, do bësh dhe ti tënden”.
Tani të vijmë pak edhe tek një pikë tjetër.
Thonë të gjithë se kemi taksën më të lartë të karburantit. Është “Po”, por është edhe “Jo”. Pse “po” edhe “j”? Sepse ne nuk kemi një taksë qarkullimi dhe taksë karboni të vecantë, të ndarë, siç e kanë vendet e tjera, ne e kemi në çmim. Këtë duhet ta mbajnë mirë parasysh të gjithë ata që thonë “Ul, hiq”.
Ne kemi taksat më të ulëta në rajon për individët dhe për biznesin e vogël, më të ulëtat. Zero taksë për biznesin e vogël dhe zero TVSH deri në 100 milionë. xhiro dhe zero taksë deri në 140 milionë xhiro, nuk e ka askush në rajon që do të thotë që të gjitha këto të ardhura, që i kemi lënë në xhepin e sipërmarrësve të vegjël, ashtu sikundër të ardhurat që i kemi lënë në xhepin e individëve duke ulur më shumë se kudo tjetër në rajon taksat mbi pagën, gjë që do do vazhdojë edhe me uljen, me zerimin e taksës për pagën deri në 400 mijë lekë dhe me përgjysmimin e taksës për pagën mbi 500 mijë lekë, duan të thonë që janë diku të ardhurat për të financuar të tjera gjëra, për të financuar paga, rritje pagash që do bëjmë në vijim, siç jemi zotuar e me radhë, nga diku do vijnë apo jo?
Nuk mund të jetë historia “hiq këtu dhe hiq atje” dhe në fund fare me çfarë do t’i financojmë ne të gjitha këto të tjerat?
E rëndësishme është që ne jemi shumë të vetëdijshëm, jemi shumë të vendosur dhe të qartë për hapat që do të hedhim dhe nuk kemi nevojë fare që të ndahemi tek faktet. Për zgjidhjet gjithmonë çdo gjë hap diskutim, zgjidhje ideale nuk ka, por recetat çudibërëse të atyre që e shkatërruan Shqipërinë dhe që duan të shfrytëzojnë si hiena edhe vetë luftën dhe të bëjnë si në askund tjetër në botë sot, gjullurdi për të nxjerrë përfitimet e tyre, kjo është e pamoralshme, është e paudhë dhe nuk ka për të kaluar në këtë vend.
Tani unë i thashë të miat mbi bazë të atyre që kam lexuar dhe dëgjuar gjatë gjithë këtyre ditëve.
Ernaldo Ballo thotë “ Hajde dëgjoje para Kryeminstrisë”.
Nuk kemi se si të dëgjohemi këtu përpara sepse unë jam shumë i gatshëm të dëgjoj dhe të dëgjohem por të shahem dhe të akuzohem dhe të përballem me ulërima mbi bazë faktesh të sajuara, kjo është humbje kohe për mua dhe është e pavlefshme për ata për të cilët unë jam këtu.
-Koment nga FB “Dil bëj fjalim sa je në kohë”
Kryeministri Edi Rama: Për fjalim dal me qejfin më të madh, por sigurisht që për të mbajtur një fjalim ku të dëgjohem, jo një fjalim ku të mos lejohem të flas kështu që, ju vazhdoni me rrëzimin e komunizmit sepse ne do vazhdojmë me përpjekjen tonë siç kemi bërë gjithmonë, në krah të njerëzve të zakonshëm dhe të arsyeshëm të këtij vendi, në krah të atyre që nuk kanë X5 për të bllokuar rrugët, në krah të atyre që nuk kanë iPhonë të modelit të fundit, që kushton mbi 1mijë euro për të ndezur dritat e pseudo protestave, në krah të atyre që na kanë pasur në krahë dhe do na kenë në krah gjithmonë dhe për këtë arsye edhe na mbështesin.
-Koment nga FB “Cmimet e naftës në bursa ndërkombëtare kanë filluar të bien, në Shqipëri vetëm rriten”.
Kryeministri Edi Rama: Jo, edhe në Shqipëri çmimet po bien dhe po e them përsëri, kjo është një temë të cilën do ta adresojmë në atë mënyrë që thashë dhe do bëjmë transparencë të plotë për çmimin që do vendoset çdo ditë. Do të marrim në dorë bordin, do hyjë qeveria në Bordin Kombëtar për emergjencën e Karburantit për furnizimin me karburant në këtë fazë lufte dhe askush nuk do mund të bëjë asnjë spekulim dhe të nxjerrë asnjë qindarkë më shumë, por do duhet të kemi parasysh një gjë tjetër. Do duhet të kemi parasysh që sot jemi në fillimet e një gjëje që nuk e dimë se si do zhvillohet.
Do Zoti do mbyllet shpejt, por ne nuk e dimë dhe gjëja më e rëndë që kemi përpara, potencialisht, dhe jua them sepse unë di që e vërteta është ilaç, i hidhur, por i domosdoshëm. Nuk i them as për panik, as për frikë, as për humbje shprese, por ama kur je përballë një vështirësie të kësaj natyre, nëse nuk bazohesh tek e vërteta, nëse gënjen veten me gënjeshtra, je i destinuar të dështosh dhe të pësosh disfatë.
E vërteta është ilaç. Kush është gjëja më e rëndë që mund të ndodhë përpara? Mungesa e plotë e naftës, mungesa e plotë e energjisë elektrike. E dini ju që sot problem kryesor që kanë vendet, edhe ne, kur dalin në treg për të blerë energji me 550 euro për megavat/orë, një çmenduri, nga 52 që ishte vjet, është se nuk e gjen dot sasinë e nevojshme të energjisë. Mblidh këtu e mblidh atje.
Bota është në një krizë energjetike, kjo është fakt dhe lufta këtë krizë e ka thelluar maksimalisht. Ndaj, duhet të jemi shumë realistë dhe shumë më të vetëdijshëm se këtu të ardhurat, arka e shtetit është në dispozicion të vendit, është në dispozicion të njerëzve. Ato teoritë me hajduta që gllabërojnë miliona janë si ai baloni 430 milionë euro që ishin gllabëruar nga të ashtëquajtur inceneratorë dhe që e patë që ishte i gjithi balon turpi. E po, kishte molepsur mendjen e shumë njerëzve, kishte molepsur mendjen e njerëzve.
Koment nga FB: “Po mirë, pse vetëm për Shqipërinë është luftë, po vendet fqinje apo ato nuk i kap lufta”.
Kryeministri Edi Rama: Jo more, lufta i kap të gjithë dhe e shpjegova dhe po e rishpjegoj, në vendet fqinje është rritur energjia. Ne kemi zgjedhur të mos e rrisim energjinë. Ju do thoni “Cfarë lidhje kanë të dyja”? Sepse duke mos e rritur këtu energjinë, ne subvencionojmë 80% të çmimit të energjisë që familja jote paguan, 80% e paguan shteti dhe janë miliona e miliona. Nga dalin këto? Mirë do ishte t’i hiqnim të gjitha, por me çfarë i financojmë pastaj të gjitha operacionet?
Koment nga FB – “Meqë është krizë, hiqi taksat”.
Kryeministri Edi Rama: Po pastaj rrogat me çfarë do t’i paguajmë? Po kopshtet, çerdhet, po spitalet, me çfarë do t’i paguajmë? Disa thonë ndërpre investimet. Ndërprerja e investimeve do të thotë të gjithë punëtorët në shtëpi, pa punë. Me se do jetojnë? Po marr vetëm një nga elementët.
Koment nga FB – “Vërtetë jemi në një linjë me NATO dhe BE për luftën, por sanksionet ndaj Rusisë për grurë dhe vaj, Europa duhet t’ rimbursojë”.
Kryeministri Edi Rama: Zotëri, nuk ka lidhje kjo, e para. E dyta, nuk rimbursohen luftëtarët sepse po të mos ishim ne në NATO, do ishim pre e lehtë fare për këdo tjetër, por ne nuk na bën dot asgjë askush pikërisht se jemi në NATO. Kështu që, historia nuk mund të trajtohet kështu. Unë nuk do iu them që kujtoni sakrificën e atyre që dhanë jetën në luftë, dhanë jetën.
Unë po them që nuk bën njeriu kështu, të shkojë deri në pikën që thotë “Ç’na duhet ne të jemi në NATO, të jemi në Europë, t’ia heqim sanskionet Rusisë”. Për çfarë? Çfarë të ka ndodhur kaq e rëndë, kaq e tmerrshme, ndërkohë që të tjerët po ndahen nëpër rrugë me familjet, të tjerët po vriten rrugëve, të tjerët nuk dinë në do kenë më atdhe e janë më pak se dy orë vijë ajrore?
Edhe njëherë tjetër, shifrat e shifrave. Po morë zotëri është e vërtetë. Ne kemi tek nafta dy taksa, karbonin dhe qarkulllimin, të cilët të tjerët e kanë veç dhe unë nuk mendoj që nëse ne e nxjerrim veç taksën ose të dyja bëjmë ndonjë gjë të mirë. Absolutisht jo. Ka një qëllim, ka një qëllim pse është vendosur dhe ka një arsye pse ndërkohë e kemi 0 taksat për biznesin e vogël. E di ti që në Kosovë dhe Maqedoni, meqë po mi përmend këtu, paguajnë 10% taksë, ndërkohë që këtu paguhet 0? E di ti këtu paguajnë 0 TVSH, ndërkohë që atje paguajnë 20% TVSH?
Ky është realiteti, këto janë faktet dhe tek faktet duhet të jemi të bashkuar që pastaj të kuptojmë si mund të bëjmë. Nuk po them se zgjidhja jonë është më e përsosura sepse mbase ka dhe një akoma më të mire, por ama nuk mund të bien e të hyjmë në luftë për fakte sepse fakte janë fakte.
Cilat taksa qenkan në Shqipëri që janë më të larta se në vendet e tjera? Pikërisht se kemi rroga më të ulëta, dhe lëreni atë rroga 300 mijë lekë në Shqipëri. Rroga 300 mijë lekë në Shqipëri është minimalja dhe ka një pjesë të njerëze që janë me rrogë minimale 300 mijë lekë, por ndërkohë , qeveria e Shqipërisë subvencionon energjinë me 45 milionë dollarë çdo vit për familjet që kanë të ardhura të ulëta dhe jo sot por çdo vit, qëkur jemi ne këtu në këtë detyrë.
Nuk është rroga mesatare 300 mijë lekë në Shqipëri. Kështu që pikërisht se rrogat sidoqoftë nuk janë të larta por të ulëta, taksa mbi rrogat dhe mbi biznesin e vogël janë fare minimale. Ndërkohë, në ato vende që përmendni ju, janë të rritura.
Ta kthejnë në invers, ta heqim taksën nga nafta dhë ta vëmë taksën mbi pagën siç e ka Maqedonia e Veriut dhe Kosova, se nuk po flas për Gjermaninë e Francën që e kanë gjysmën e pagës taksë, se llogaritë e të tjerëve bëhen kollaj. Pyetini të afërmit, miqtë, fqinjët që keni në Itali e Greqi se si po ndjehen në këto moment? Po ndjehen më mirë se po ndjehemi ne këtu, se sa ju ketu? Si po ndjehen me të ardhurat? Si ndjehen kur po i vjen ajo fatura aty?
Koment nga FB – “Mjeshtër, na shpjego pak, nafta që nxirret nga tokat tona”
Kryeministri Edi Rama: Kur ndërkohë që nafta që nxirret nga tokat tona është naftë e rëndë, e cila nuk shkon për diesel dhe benzene, por eksportohet për bitum sepse nëse naftën që nxirret nga tokat tona do e fusnim në makinë tënde, makina jote do shkonte për skrap brenda 1 jave.
Koment nga FB – “Nga Dubai apo Abu Dhabi me qilim flutures besoj shkuat sepse ne na këshilluat të ecim në këmbë”.
Kryeministri Edi Rama: Dëgjo, nuk duhet t’i marrim për të mëdha gjërat. Ideja e kursimit nuk është apsak një ide e gabuar. Në planin tonë do vendosim kursime shumë të forta për qeverinë, për administratën, të energjisë, të naftës patjetër, nuk diskutohet që do ta bëjmë dhe atë dhe nuk duhet të kapemi pas një fjalë. Ndërkohë, në Dubai është hera e parë që unë shkoj për të qëndruar. Kam qëndruar vetëm një orë njëherë. Nuk jam natyra e njeriut që shkoj për qejf, për turizëm nëpër vende sepse nuk kam qenë kurrë, por shkova në Dubai për të nderuar himnin e Shqipërisë dhe flamurin kombëtar të vendit tënd që u ngrit në mes të EXPO 2020,e cila mbyllet në fund të marsit dhe shkova njësoj siç kanë shkuar të gjithë kryetarët e shteteve kur është ngritur flamuri i tyre, kur është kënduar himni i vendit të tyre dhe kur ka qenë dita e vendit të tyre në atë EXPO, ku marrin pjesë 192 vende.
Në Abu Dhabi shkova për të folur për këto probleme po, sepse e kam mik Princin e Kurorës, është një mik i rifituar i Shqipërisë, pas një pengu që kishte me Shqipërinë, me plot të drejtë dhe është miku im personal. Siç na ndihmoi për atë lagjen në Spitallë që po ndërtohet tani për ato apartamente ku do të hyjnë njerëzit e prekur nga tërmeti do na ndihmojë dhe për këtë situatë. Për këtë shkova.
Të këshillova të ecësh në këmbë mos e merr shabllon gjënë, por sigurisht që duhet të kursejmë. Patjetër duhet të kursejmë sepse jua thashë, nuk është vetëm çështja e çmimeve, por e sasive të disponueshme. Kështu si po shkon puna, mund të vijë dita të mos ketë naftë, të mos ketë sasi, të mos ketë energji fare. Mund të mos ketë sasi fare. Duhet të pregatitemi për të gjitha sepse lufta nuk vjen për të bërë të mira, lufta vjen pë të sjellë dhimbje. Duam apo jo ne, kjo që ndodh këtu sot, dhe nuk ndodh vetëm këtu, por në të gjitha vendet, është pasojë e asaj lufte. Duam apo jo ne, ne mund ta mohojmë sa të duam, ne mund të dalim dhe të bëjmë protesta, ne mund të vazhdojmë dhe të themi “Rama ik” siç ka vite e vite që përsëritet, por kjo nuk adreson faktin dhe nuk zgjidh problemin.
Koment nga FB – “Ku është prodhimi i naftës sonë apo eksportohet jashtë vendit? Ku janë prodhimet e vendit”? “Çfarë kryeministri jeni”?
Kryeministri Edi Rama: O zotëri, prodhimi i naftës sonë është një prodhim që eksportohet për shkak se nafta jonë është naftë e rëndë, mësojeni këtë, nuk është naftë për benzinë dhe diesel. Nuk ka qenë kurrë. Përdorej dikur në kohë të komunizmit për ato Zis-ët që ndosnin dynjanë dhe që ecnin duke rënkuar. Prandaj nafta jonë shkon për eksport, për bitum kryesisht. Prodhimet e vendit tonë janë aty. Vendi ynë, meqë flasin këtu për falimentime, sot eksporton thuajse gjysëm miliardi prodhime bujqësore nga 130 milionë dollarë që eksportonte para 8 vjetësh, por nuk mund të themi “Hajde mobilizojmë popullin që të mbjellë grurë” se nuk jemi në komunizëm. Nuk funksionon kështu askund, se mirë ne jemi qeveri e poshtër, po pse nuk i bëjnë qeveritë e tjera këto?
Koment nga FB – “Problemi është që këto tregtarët spekulojnë shumë”, “Rritja e naftës është në proporcion me rritjen e cdo produkti që eksportohet. Ku është shteti për të ndërhyrë.
Kryeministri Edi Rama: Shiko, ne do hyjnë në administrim. Do marrim administrimin e gjithë zinxhirit të shpërndarjes dhe shitjes së naftës sepse do e trajtojmë këtë si në luftë dhe në luftë nuk mund të bëjmë dot asnjë lloj tolerance, por kini parasysh që nuk është kështu. Nuk janë spekulime të një natyre cmendurake sepse po të ishte kështu, do ishte kështu edhe përpara se të fillonte lufta. Megjtihatë, do bëhet transparenca e çmimit, të gjithë do ta shohin në mënyrë transparente dhe do bëhet ngrirja e marzhit të fitimit, nuk do lejohen kompanitë të fitojnë më shumë se një marzh minimal fitimi, minimal fare, më minimalin e mundshëm.
Koment nga FB – “Ky është problemi se nuk po dëgjojmë njëri-tjetrin. Po dëgjojmë një minister që thotë mos shkoni të merrni cigare me makinë”.
Kryeministri Edi Rama: Tani, edhe njëherë, mund të merret një fjali, por po ju them dhe njëherë, po mo po, duhet të shohim një aspekt tjetër të kursimit sepse është një e vërtetë, dreqi e mori, që një pjesë e shpenzimeve mund të evitohen, një pjesë dhe duhen evituar sepse është një kohë shumë e vështirë dhe edhe në qeveri, edhe në administratë do të vendosim shkurtime drastike për përdorim dhe çdo përdorim mbi atë sasi do të paguhet nga vetë, të gjithë funksionarët e administratës dhe e njëjta gjë me energjinë, duhet të kursejmë energji. Ne nuk jemi mësuar ta kursejmë energjinë. Ne duhet ta kursejmë energjinë, duhet të vendosim regjim kursimi, jo këputje të energjisë, por regjim kursimi. Të mos i lëmë dritat ndezur e të tjera e të tjera.
Pyetje nga FB – Çfarë nevoje ka për diskutim fakti që të gjithë karburantet e ndryshojnë çmimin sipas dëshirës? Çfarë nevoje për diskutim ka fakti që njeriu që merret me industrinë e naftës është personi më i pasur në Shqipëri dhe gjithë shqiptarët vuajnë çmimin më të lartë nga të gjitha vendet?
Kryeministri Edi Rama: Nuk janë kështu gjërat sepse faktet janë të tjera. Dakord? Është e vërtetë që ne kemi, e përsëri dhe nuk i fshihem, e kam thënë gjithmonë, kemi preferuar të vendosim më mirë një taksë tek nafta, tek çmimi, tek litri, se sa më vete dhe më mirë një taksë kundër ndotjes dhe për një pjesë të njerëzve që sidoqoftë janë pjesa që kanë më shumë mundësi se të tjerët, se sa për të gjithë. Pra kemi ulur taksat për të gjithë, ky është fakt. Le të çohen e le të më thonë me fakte të kundërtën. Le të çohet dikush e të thotë “jo, biznesi i vogël nuk e ka zero taksën”. Zero! Le të çohet dikush e të thotë “jo, biznesi i vogël nuk e ka zero TVSH-në”. Zero! Si askund, në asnjë vend të rajonit se të Europës as nuk bëhet fjalë fare. Le të çohet dikush e të thotë që “taksat mbi pagat në Shqipëri nuk janë më të ulëtat në rajon” se në Europë as nuk bëhet fjalë fare. Dakord? E do të vazhdojnë të ulen.
Pra të gjitha këto duan të thonë që nga ana tjetër diku edhe do paguajnë, apo jo? Nuk mund të jetë kështu. I kemi rritur ne taksat, po. I kemi rritur taksat për më të pasurit, këta “oligarkët” paguanin vetëm 10%. Paguajnë 15% taksë sot që flasim. Atyre ua kemi rritur, po. Të gjithë të tjerave ia kemi ulur.
Koment në FB – Nuk kemi çfarë diskutojmë, blegtorët në falimentim. Kemi katër vite që protestojmë, katër pika janë plotësuar, përgjysmimi i naftës për fermerët.
Kryeministri Edi Rama: Për fermerët ne japim naftën pa taksa, ti thua përgjysmimi. Është pa taksa more zotëri. Duhet të regjistrohesh me NIPT e të marrësh naftën pa taksa fare. Çfarë domethënë kjo përgjysmimi i naftës për fermerët se nuk e kuptoj. Nuk ka taksa fare.
Ndërkohë që për sa i përket TVSH-së, e thashë dhe e përsëris. Nuk funksionon. Nuk na ka funksionuar e nuk i funksionon askujt. Çmimet i vendos tregu dhe ti mund t’ia heqësh e në momentin që ti ia heq thjesht fiton më shumë ai që shet. Është logjika e një ekonomie tregu. Se është çudi e madhe. Nga njëra anë duam ekonominë e tregut, nga ana tjetër bërtasim poshtë komunizmi, nga ana tjetër kërkojmë si në komunizëm që qeveria të vendosë çmimet. Nuk i vendos dot qeveria çmimet.
Koment në FB – Duhet të ulni çmimet aty ku ishin!
Kryeministri Edi Rama: Si t’i ulim aty ku ishin? Si bëhet kjo? Në çfarë forme? Kush e bën njëherë në cilin vend bëhet ulja e çmimeve aty ku ishin?
Mbase nuk ka nevojë për tu zgjatur më shumë sot, nesër paradite në mëngjes kemi thirrur të gjithë furnizuesit e naftës, do të ulemi në tryezë me ta, do t’i komunikojmë vendimin tonë dhe do të vazhdojmë siç thashë, me një akt normativ që hyn në fuqi menjëherë me forcën e ligjit, që qeveria do të hyjë drejtpërdrejtë në bordin kombëtar të furnizimit me karburant të shqiptarëve. Faleminderit!