Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës nisi sot punimet në Tiranë me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke mundësuar një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit tonë.
Kryeministri Edi Rama mikpriti liderët dhe pjesëmarrësit në Samit, si dhe Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë se erdhët sërish në Tiranë, ku sot mblidhemi për të thelluar bashkëpunimin tonë si kombe me mendësi të ngjashme që kërkojnë të bashkohen me bashkimin e shteteve evropiane. Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE, duke trefishuar përpjekjet tona për të arritur këtë objektiv të lartë strategjik.
Së pari, po ndërmarrin intensivisht me një shpejtësi të re detyrat e nevojshme të shtëpisë që janë kaq të shumta, duke miratuar korpusin ligjor të BE, duke thelluar reformat në të gjitha drejtimet dhe duke rritur luftën tonë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të reja.
Së dyti, mbetemi të vendosur për të nxitur përmirësimin e marrëdhënieve tona me të gjithë partnerët tanë rajonalë, duke nxitur paqen, dialogun dhe bashkëpunimin midis vendeve të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor.
Së treti, po bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë të BE-së duke shkëmbyer pikëpamje për mënyrë edhe se si të mund të rrisim e intensifikojmë këtë përpjekje të përbashkët e të përmirësojmë shanset për sukses.
Plani i ri i rritjes së BE në vetvete është një rezultat vërtetë inkurajues i një shkëmbimi të sinqertë dhe të hapur pikëpamjesh. Nuk mund të isha më falënderues se kaq ndaj Presidentes së Komisionit Ursula Von der Leyen, komisionerit tonë Varheley dhe shefit Gerd Koopman për gatishmërinë e tyre për të dëgjuar shqetësimet tona, argumentet dhe idetë lidhur me arsyen se pse BE duhet të gjejë rrugë të reja për të na ndihmuar në rrugëtimin e anëtarësimit tonë të plotë.
Për mua është shumë e qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan që është jashtë kornize, është jo vetëm njohje nga ana e BE-së e përpjekjeve tona prej një dekade për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët kundër erërave të egra të së shkuarës, por për kështu edhe na sfidon për të dëshmuar gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët europian. Mundësitë mund të merren ose mund të humben, ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim, pa kufizime, pa shtrëngime dhe po, të përfitojmë nga kjo mundësi.
Unë e pranoj se ndryshe nga Shqipëria disa nga vendet e rajonit përballen me çështje komplekse midis tyre, megjithatë bëj thirrje që t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona.
Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh. Pikërisht 10 vjet më parë, udhëheqësit e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor u takuan në zyrën e kancelarit në Berlin, për herë të parë në historinë tonë. Objektivi nuk ishte për t’u marrë me plagët e së shkuarës po për të kapur të ardhmen që kërkon bashkëpunimin tonë si një kusht themelor për anëtarësimin ne BE. Sot ky kusht nuk është vetëm një parim i sjelljes së mirë, por një kriter për të vlerësuar pjekurinë tonë të shteteve përmes planit të ri të rritjes.
Përgjatë këtyre 10 viteve Procesi i Berlinit na ka dëshmuar se sa më e lehtë të thuash se sa të bësh është sigurimi aktual i lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut ndërmorën nismën e Ballkanit të Hapur për të përshpejtuar procesin bazuar në parimet e Procesit të Berlinit.
Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës e as mund të sigurohet mirëqenie për njerëzit tanë pa instrumentet e paqes e të bashkëpunimit përtej kufijve, përtej gjuhëve e përtej varianteve të ndryshme të historisë.
Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë ose mungesa e kësaj begatie do të na bëjë të humbasim paqen. Kështu funksionon Bashkimi Europian, kështu duhet të funksionojë Ballkani Perëndimor. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie.
Më vete, jemi të gjithë të vegjël dhe rëndësia jonë për kontinentin më të pasur të botës është gati e papërfillshme, por së bashku ne mbartim rëndësi e potencial të madh për mundësi pozitive. Si mund të bëhemi më të lirë e më të mëdhenj nëqoftëse kamionët tanë të eksport-importit duhet të presin ende 26 milionë orë në vit në kufijtë tanë rajonalë? Si mund të mos heqim barrierat jo tarifore tanimë dhe të humbasim vit pas viti një rritje potenciale me 3%, çdo vit, vetëm duke e bërë këtë? A mos jemi të çmendur? A mos jemi dembelë? A mos jemi budallenj? Apo çfarë jemi?
A nuk është ende e qartë për gjithsecilin prej nesh se nuk ka një rrugë të shkurtër në këtë rrugëtim e nuk ka drekë falas në BE. Respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht i padiskutueshëm për të marrë fonde të reja e për të përfituar nga mundësitë brenda tregut të brendshëm të BE. Së paku kjo është ajo çfarë përcakton plani i ri i rritjes. Moria e njerëzve nga ana jonë që janë ftuar të marrin pjesë në këtë samit, janë gjithsecili të rëndësishëm për rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE. Ata përfaqësojnë jo vetëm degën ekzekutive të Shqipërisë, por gjithashtu atë legjislative, gjyqësore edhe të institucioneve të tjera të pavarura.
Shumica e tyre janë anëtarë të ekipit tonë kombëtar të negociatorëve, por sot janë këtu për të dëshmuar nga shumë afër se ata kanë rëndësi edhe për suksesin apo dështimin e Shqipërisë që ajo të marrë më të mirën e planit të ri të rritjes. Për të shfrytëzuar planin e ri të rritjes përgjatë viteve në vijim, na duhet të ofrojmë rezultate të prekshme, jo vetëm së jashtmi me partnerë të tjerë në rajon që është një domosdoshmëri, por po kështu edhe së brendshmi me degë të tjera të pushtetit dhe institucione të cilat nuk varen nga dega e ekzekutivit.
Ka një sërë kushtesh që duhen përmbushur nëqoftëse duam të marrim për vendet tona fondet shtesë që kanë të bëjnë me planin e ri të rritjes. Më lini të ndaj diçka me ju. Mbështetur në gjetjet nga procesi i kontrollit analitik të legjislacionit në Shqipëri. Në Tiranë ne kemi nevojë për një valë të re reformash të përqëndruar në mirëqeverisje, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionit. Duhet të ketë përpjekje të përbashkëta të përtërira nga degët e ekzekutivit, legjislativit e gjyqësorit dhe kjo është thelbësore. Përfshirja e aktorëve të tjerë është kritike për të shndërruar objektivat ambiciozë të këtij procesi në një bilanc të konsoliduar. Edhe pse Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformimin e sistemit të drejtësisë, shumë mbetet për t’u bërë për të arritur standardet e një shteti të BE-së. Dhe mbështetur në gjetjet e procesit të radiografimit të legjislacionit më shumë sesa gjysma e asaj çfarë duhet të bëjmë, lidhet me shtetin e së drejtës dhe me gjyqësorin.
Jam i sigurt që komisioneri Várhelyi dhe Drejtori i Përgjithshëm Koopman do ta shtjellojnë më tej ato çfarë për vendet tona e për qytetarët tanë janë në Planin e ri të Rritjes dhe çfarë duhet të bëjmë që t’i marrim. Ajo që mund të them është se Shqipëria është e gatshme për këtë ushtrim mjaft sfidues e do të punojmë pareshtur me gjithë të tjerët për të ecur shpejt përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro, drejt lehtësimit të tregtisë dhe transportit dhe tregut digjital.
Vetëm pak shembuj. Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve.
Ambicia jonë si Shqipëri është të jemi gati në qershor për aplikimin tonë. Nëqoftëse ulim vetëm me 3 orë, vetëm 3, kohën e pritjes së kamionëve tanë në kufijtë tanë rajonal dhe në kufijtë me Bashkimin Europian, mund të marrim një rritje të përgjithshme prej 25 miliardë eurosh, 3 përqind. Po për të shkuar aty na duhet që të gjithë së bashku të kryejmë një proces mjaft kompleks dhe mund të ndaj këtu se mbështetur në përvojën nga Ballkani i Hapur, ku Shqipëria Serbia, dhe Maqedonia e Veriut bënë përpjekje për ta përshpejtuar këtë proces ky ushtrim nuk është i lehtë. Nëse ia dalim që 500 bashkitë tona t’i përfshijmë në programin e internetit, Wifi për Ballkanin Perëndimor në hapësirat publike që në fakt është një binjake e re programit të BE-së për internetin falas në zonat publike, ne mund ta çojmë të gjithë shoqërinë e rajonit në një nivel krejt tjetër sa u takon shërbimeve të shpejta me cilësi të lartë.
Nga ana tjetër, nëqoftëse integrohemi në rrjetin digjital europian mund t’iu japim në NBM-ve tona një nxitje modernizimi me një ndikim mjaft të rëndësishëm mbi kostot dhe përfitimet e tyre.
Thënë e gjithë kjo nuk mund ta theksoj dot më shumë se kaq nevojën për ta lënë politikën ballkanike jashtë kësaj sfide të përbashkët dhe të përqendrohemi të gjithë tek suksesi i këtij ushtrimi të jashtëzakonshëm, por po kështu me mjaft përfitime.
Faleminderit shumë që po merrni pjesë dhe me kënaqësi të madhe dua t’ia jap fjalën Komisionerit Várhelyi.
* * *
Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi: Jam vërtet shumë i kënaqur që rikthehem në Tiranë dhe besoj që tashmë Tiranë është kthyer në një qytet, në një pikë takimi për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë më tej përpjekjet e të gjithë Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së.
Atëherë edhe pse ne po afrohemi në fundin e mandatit tonë, gjithsesi unë dëshiroj që të lëmë diçka pas. Diçka serioze, diçka që të jetë e prekshme, diçka që të jetë e ndjeshme për aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm për procesin e zgjerimit, që procesi i zgjerimit nuk ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit apo me mënyra të ndryshme administrative që ne i kemi apo me agjenci të ndryshme, po është proces integrimi.
Ky proces integrimi do të thotë që ekonomia e Ballkanit Perëndimor, shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Europian që do të thotë në vetvete gjithashtu që edhe Bashkimi Europian duhet që të ofrojë të gjithë përfitimet që sjell anëtarësimi përpara se vendet tuaja të bëhen shtete anëtare të BE-së. Pra kjo është ideja që kemi ne dhe që sjellim me këtë plan, me Planin e Rritjes.
Në fakt si plan është plan ambicioz, ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme. Pra dyshimin e ekonomive tuaja të Ballkanit Perëndimor, do të thotë që boshllëku i zhvillimit që tashmë është i konsiderueshëm, sepse po flasim për vende që kanë 50 % apo 30 % të zhvillimit përsa i përket për shembulll mesatares së Bashkimit Europian, krahasuar me të do të thotë që disa vende do të kenë arritur 100 % të këtij zhvillimi dhe ato vende që ndoshta mund të jenë më pas tashmë, do të arrijnë 60 % të këtij zhvillimi në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian.
Pra ajo që ju po shihni tani përpara, ajo që keni përpara është shumë më shumë se ajo që do të kemi mundësi të shikojmë dhe besoj që është shumë e qartë edhe nga fjalët që tha kryeministri, që tashmë për planin e rritjes të gjitha vendet e rajonit e kanë marrë në dorë, duan pronësinë e këtij plani, por që të ecim përpara na duhet që rajoni të ecë përpara vetë me shpejtësi dhe kjo do të thotë që të arrihen rezultate për ato reforma që në fakt e bëjnë këtë plan funksional dhe ky plan do të funksionojë në rast se ju aplikoni rregullat e Bashkimit Europian. Në rast se ju i prani të gjithë këto rregulla dhe pastaj mund të bëheni pjesë e tregut të vetëm edhe përpara se të bëheni shtet anëtar apo shtete anëtare.
Kërkesa ime e tertë ose dëshira në fakt që dëshiroj të shpreh këtu përpara jush sot është një dëshirë që e shpreh për partnerët tanë të institucioneve financiare, që përveç 30 miliardë eurove ne kërkojmë që ju të na jepni dhe një 6 miliardë tjetër euro që e sjell në fakt të gjithë këtë në nivelin e fondeve strukturore të BE për shtetet anëtare. Pra 19% e atyre që do të ofrohen në rajon do të merren deri në vitin 2027, por ama këto do të bëhen pjesë e ekonomisë sepse bazohet tek ekonomitë e këtyre vendeve sigurisht dhe jo thjesht për trashëgiminë kulturore, por e kam fjalën për shembull për vendet e punës, për rritjen ekonomike dhe këto para do të arrijnë në rast se ju si institucione financiare tregoheni të shpejtë, që do të thotë Banka Europiane e Investimeve, BERZH, FMN, të gjithë tani duhet që të përshpejtoni punën, përpjekjet tuaja dhe duhet të tregoni shumë më të shpejtë se sa jeni treguar më parë. Dhe me këto fjalë më lejoni që ta mbyll fjalën time dhe besoj që jemi në fillimet e një ndryshimi rrënjësor, por edhe shumë të shpejtë në Ballkanin Perëndimor, faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Nuk mund të bie dot më shumë dakord se kaq me Komisionerin për BEI, për BERZH e gjithë këto B që ata të jenë të shpejtë. Dua t’ia kaloj tashmë fjalën Gert Jan Koopman.
Gert Jan Koopman: I nderuar kryeministër, të dashur udhëheqës,
Thjesht për të plotësuar atë që u tha, së pari udhëheqësit që kemi të pranishëm sot dhe në fakt vetëm përpara pak javësh në Shkup kjo tregon në vetvete, është dëshmi për angazhimin tuaj dhe kështu tregohet dhe ritmi i shpejtë për të cilën foli dhe komisioneri, pra për të ecur përpara duhet që ky ritëm të jetë i qëndrueshëm, duhet të udhëhiqet nga lart që zbatimi të ndiqet.
Së dyti, nuk bëhet fjalë këtu vetëm për udhëheqësit vet, por siç e tha dhe kryeministri Rama kjo është një përpjekje e të gjithë shoqërisë, edhe e institucionet e pavarura duhet të bëjnë punën e tyre për këto ndryshime, përndryshe nuk do t’ia dalim mbanë që të arrihet gjithçka për këtë rritje që ne kërkojmë
Së treti, vënia në zbatim është e vështirë, nuk është diçka e lehtë, është e vështirë për vendet e rajonit sepse ato vende do të duhet që të bëjnë disa ndryshime ambicioze në legjislacion për ta përafruar atë me standardet e BE. Është gjithashtu e vështirë sepse disa nga nismat duhet të jenë tërësisht funksionale si për shembull CEFTA. Edhe për ne nga ana jonë duhet të jemi gjithë kohën aty për ju, përkrah jush dhe pika e katërt që dëshiroj të them është që ritmi është i lartë, por na ka mbetur vetëm një muaj për të përfunduar agjendën e reformave sepse e di që ligjvënësit do të miratojnë ligjet e duhura deri në fund të prillit, cilësia do duhet të jenë shumë e lartë. Ne na keni krah jush, por ora po ecën dhe në 4 javët në vijim ne do të na duhet të kemi një produkt të një cilësie shumë të lartë në mënyrë që paratë, fondet të fillojnë të hyjnë në maj dhe përpara pushimit të verës. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe siç është rënë dakord këtu përfundon pjesa publike me median dhe ne do të vazhdojmë me deklaratat e udhëheqësve.