Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron iu adresuan sot Forumit Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative), platforma globale që mbledh liderë politikë, drejtues të korporatave më të mëdha në botë për diskutimin e inovacionit, investimeve dhe të ardhmes së ekonomisë botërore, i cili për herë të parë në Europë, mblidhet në Shqipëri.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Së pari ju uroj shumë mirëseardhjen në Tiranë! Më lini ta nis duke falenderuar nga zemra Richardin dhe Sesilian që mbajtën premtimin për t’u kthyer me shumë njerëz me vete dhe ja ku jemi, ndërkohë që kam të shtrenjtë Presidentin e Francës, i cili vjen në Tiranë për herë të dytë brenda 18 muajsh pas një periudhe 110-vjeçare, ku nuk na kishte ardhur asnjë president, kështu që faleminderit, zoti President.
Dhe po, kam kënaqësi po jam dhe i tmerruar sepse të flasësh menjëherë përpara Emmanuelit, nuk është më e mira që mund të të vijë apo që mund të kesh në jetë sepse ai e di si të flasë dhe vjen nga një jetë e mëparshme, ku i është dashur të merret me investues, me njerëz të biznesit, me kapitale, ndërkohë që unë vij nga një jetë e mëparshme, ku më është dashur të merrem me ngjyrat dhe me ekspozitat.
Kështu që, Richard na ke vënë në një konkurrencë, në një garë krejt të padrejtë. Por mendoj që është një mënyrë për të filluar e për të folur edhe për tarifat e padrejta. Përpara se të vazhdojmë më tej, dua të shpreh mirënjohjen dhe po kështu kënaqësinë e madhe që kam për një njeri e admiroj dhe ai është kaq i admiruar nga të gjithë sa që është ulur midis Presidentit të Francës dhe Kryeministrit të Shipërisë. Imagjinoni se sa i rëndësishëm është.
Jasir, faleminderit shumë që erdhe dhe që në mënyrë bujare sollët bashkë me Richardin këtë platformë të mrekullueshme dhe më lini t’ju them që në një farë mënyre, u ndjeva i fuqizuar, kur e dëgjova Emmanuelin të thoshte që pse në Tiranë duhet të vijë në Francë fillimisht, kështu që më së fundi bëmë një gjë përpara Francës që është një fillim i mirë.
Dua të flas shumë shkurtimisht që nuk është pika ime e fortë meqë ra fjala sepse përgjithësisht udhëheqësit në Ballkan i kanë fjalimet e gjata dhe pas 4 zgjedhjeve, rreziku për të folur edhe më gjatë është shumë i pranishëm, por do të përpiqem të flas shkurt dhe dua të them që jemi shumë krenarë për atë çfarë kemi arritur deri tani.
Më besoni, askush nuk do ta kishte imagjinuar atë çfarë po ndodh sot, atë çfarë ndodhi dje dhe nuk po flas për imagjinatën e 100 viteve më parë, po flas për imagjinatën e 10 viteve më parë, e 5 viteve më parë. Kështu që, kemi bërë një rrugë të gjatë.
Tanimë jemi dëshmitarë të rezultateve të ndryshimeve që po realizojmë dhe kjo është një gjë që ashtu siç na jep kënaqësi, edhe na tmerron sepse përgjegjësia është shumë më e madhe dhe kërkesa për të patur rezultate në nivele të larta po rritet dita-ditës.
Dje zhvilluam një Samit fantastik të Komunitetit Politik Europian dhe kuptuam se sa e ndërlikuar është që të organizohet një eveniment kaq i madh, por mendoj që ia dolëm mirë, kështu që edhe në pjesën perëndimore të Europës, kanë bërë kaq shumë të tilla, në fund mendojmë që të ftuarit meritojnë ushqime të shpejta, ndërkohë që ne iu ofruam majën e gastronomisë që t’i bënim të ndiheshin sa më mirë dhe mendoj që ia dolëm me sukses.
Ne jemi sot këtu, që të përpiqemi e të përcjellim mesazhin që ky vend do më shumë dhe që ky vend ka nevojë për më shumë njerëz që të na besojnë dhe e mira e Shqipërisë, është që siç e shihni, ne jemi miq të mirë me shumë njerëz.
Ne duam që miqtë e të ftuarit, të thonë që jemi partnerë strategjikë të BE-së, të SHBA-së, por jemi edhe mjaft të bekuar të themi që ne kemi partneritete të ngushta me Emiratet e Bashkuara, me Arabinë Saudite, me vendet e Gjirit dhe meqë ra fjala, e kemi ndjekur me admirim, atë që po ndodh në këto vende; vizionin, shtysën, ambicien, e Madhërisë së tij Mohammed bin Salman e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed e kështu me radhë.
Pra po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme, nga pjesë të ndryshme të jetës dhe të bëjmë maksimumin që të nxjerrim më të mirën prej tyre. Jemi mjaft të vetëdijshëm që kohët që jetojmë janë të ndërlikuara. Kontrollova fjalorin Webster, ku fjala më e përdorur është ‘’polarizim’’. Përkufizimi i polarizimit daton qysh në fillimet viteve 1800. Në zanafillë përshkruante valët e lehta, ndërkohë që për fjalorin Collins fjala numër një, ishte “epokë”, një periudhë e veçantë në jetën e dikujt apo në karrierën specifike me karakter unik. Epokë si në mbylljen e një epoke apo në çeljen e një epoke të re po përtej analogjive, besoj dhe vazhdoj të besoj me të gjithë fuqinë time se kur Donald Trump thotë se “Zoti e shpëtoi se ka një plan për Amerikën”, ai thotë në fakt vetëm gysmën e së vërtetës. Unë besoj se gjysma tjetër e së vërtetës është që Zoti e shpëtoi sepse ka një plan edhe për Europën.
Dua ta ndaj me ju këtë bindje që kur dëgjova presidentin e SHBA të fliste për një epokë të artë që po afronte, ndjesia ime ishte që në fakt duke i uruar më të mirën sigurisht SHBA-së, që një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës, sa do të veprojmë dhe do të kuptojmë që në këtë botë, ku çdokush tjetër po bën të pamendueshmen, Europa ka vazhduar të mendojë,njësoj siç mendonte përpara këtij momenti të shfaqur në jetën tonë.
Evropa mund dhe duhet të bëjë të pamendueshmen dhe unë besoj se nuk është shumë e vështirë të kuptosh sesi mund të duket kjo gjë e pamendueshme, përvoja, kultura e ndryshimit duhet të ndryshojë dhe ne mund të çelim një epokë vërtete të pabesueshme për Evropën.
I dashur Emanuel, të dashur miq!
Isha shumë i lumtur kur mendova që ky forum do të vinte këtu edhe për një arsye tjetër.
Pasi bëra disa kërkime për të ditur më shumë për formimin, ajo çfarë kuptova është që ky është etaloni i përpjekjes për të menduar ndryshe. Jam plotësisht i përkushtuar ndaj gjithcckaje që do të dalë prej këtej dhe për gjithkënd që mund të ketë ndjesinë se duhet të kthehet në Shqipëri për të investuar, për të qëndruar.
Dhe për ta përmbyllur dua të them diçka që ndoshta Emanuel nuk duhet të jetë shumë i lumtur ta dëgjojë por më duhet ta ndaj me ju. Falë ndihmës së tij dhe ndihmës së disa udhëheqësve të tjerë kemi çelur degën e re të kolegjit të Europës në Tiranë. Ishte një vendim i jashtëzakonshëm që vijoi vendimin e mëparshëm të çeljes së degës apo kampusit të dytë, duke qenë se i pari ishte në Bruges dhe i dyti ishte në Natolin në vitet ‘90 për të ndihmuar vendet që ishin përtej murit, të bëheshin pjesë e Europës.
Por ajo çfarë ndodh është që kemi studentë nga e gjithë Europa dhe ata që vijnë si studentë nga Europa duan të vijnë të studiojnë dhe të punojnë në Tiranë. Nuk duan të shkojnë më në Francë Emmanuel. Dhe shpresoj fort që opozita nuk do t’ju fajësojë që në fakt, ju jeni shkaku që ata duan të rrinë në Tiranë, duke qenë se keni ardhur kaq shpesh në Tiranë.
Faleminderit shumë edhe një here! Dua që të iki nga ky podium dhe të mos hyj në thelb të të gjitha krye temave të prezantimeve sepse është dikush tjetër që di saktësisht çfarë të thotë dhe çfarë të bëjë për këto tema të thella. Dhe e vetmja gjë që mendoj e bëj shumë mirë është t’i qëndroj pranë këtij njeriu, të mësoj prej tij sa më shumë të mundem dhe të përfitoj nga miqësia e tij sa më shumë të mundem për Shqipërinë, jo për veten sigurisht. Dhe të ndihem vërtete mirë që drejtoj këtë vend në një moment në kohë kur Emmanuel Macron drejton vendin e tij. Faleminderit shumë!
–Faleminderit kryeministër. Nuk mund të lesh skenën pa iu përgjigjur disa pyetjeve. Faleminderit që na keni mikpritur në Tiranë sepse është dita pas një samiti të jashtëzakonshëm të KPE. Çfarë ndodhi, mund të na thoni cila ishte përmbajtja kryesore. Çfarë diskutuam?
Kryeministri Edi Rama: Së pari, për pjesën e mikpritjes, profesioni i parë që kemi ne si shqiptarë është mikpritja. Pra,nëqoftëse nuk do të pyesni mikpritësin, atëherë do të ishe pa punë. Mikpritja në Shqipëri është feja që na bashkon, myslimanë, të krishterë që bashkëjetojnë në harmoni të plotë.
Papa Francesku, qoftë bekuar, kur erdhi këtu tha që kjo është nuk është e zakonshme, kjo është vëllazëri fetare. Secili ka mënyrën e vet sesi e sheh Zotin, por të gjithë ne kemi një bindje që na për bashkon e që është e vulosur në kanunin tonë të parë të Mesjetës, ku thuhet se “shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut”.
Kështu që, duke qenë se Zoti nuk shfaqet, miqtë vijnë e shfaqen për të, pra ju jeni të trajtuar si perëndi.
Nëqoftëse do të ishte, ideja është që duke qene se është Emmanueli këtu, duhet ta ndani këtë vendin e perëndive, megjithatë kështu ne i shohim miqtë, kështu e shpjegonte Kanuni.
Kur troket në derë është vullneti i Zotit dhe duhet ta hapësh atë derë dhe kushdo që është pas asaj dere duhet mikpritur brenda, qoftë edhe armik dhe nuk mund ta prekesh, për aq kohë sa qëndron në shtëpinë tënde, nuk mund ta prekesh.
Mund ta urresh sa të duash, por nuk mund të bësh dot asgjë.
Kështu që, kjo është diçka që unë e besoj vërtetë. Që është nder mjaft i madh që ju mikpresim, të mikëpresim këtë forum, të mikëpresim të gjithë të ftuarit që janë këtu dhe do bëjmë maksimumin që t’ju bëjmë të ktheheni.
Diçka e ngjashme në fakt ndodhi dhe dje. Këta “perëndi” erdhën nga e gjithë Europa dhe organizuan Samitin e KPE që në zanafillë nisi si një ide e Emmanuelit. Unë besoj se duke qenë një ide e vjetër franceze që daton pas deri tek abati i Shën Pjetrit, që i ofroi botës traktatin e jashtëzakonshëm të paqes së përhershme.
Pra nese do të uleshe dhe do të thoje çfarë është diçka e pamendueshme, mendojmë të pamendueshmen për Evropën, mendoj që traktati i abatit të Shën Pjetrit është fillimi më i mirë si të garantohet paqja e përhershme.
Kur e mbështeta idenë e KPE shumë njerëz, shumë vende që në fakt nuk ishin dakord me të në fillim dhe menduan që ishte ajo “hileja” tipike franceze për të ofruar një djathë tjetër pa të dhënë atë djathin që kërkon, menduan se në një farë mënyre pas kaq shumë vitesh, po dilja si një aset i rekrutuar nga francezet dhe që punoja në emër të Presidentit për të sabotuar zgjerimin dhe për të nxitur këtë idenë e KPE. Ky në fakt ishte samiti i 6 e gjithçka ndryshoi. Mendoj se agresioni kundër Ukrainës ka bërë gjithkënd të kuptojë që ky format është mjaft dobiprurës për të gjithë sepse mbledh së bashku të gjithë Europën e madhe demokratike nga Turqia, Zvicra në Azerbajxhan, në Armeni dhe meqë ra fjala patëm shumë kënaqësi të shihnim që Azerbajxhani dhe Armenia janë vetëm një hap shumë të vogël larg finalizimit të një marrëveshje historike të paqes. Kështu që, të shohësh gjithë këto gjëra që ndodhin në Tiranë, është absolutisht e jashtëzakonshme. Ka vetëm një gjë që nuk ja dolëm dot të bënim, sepse mëngjesin e një dite më parë, patëm Keir Starmer që erdhi nga Britania për një vizitë dy palëshe, vizita e parë dypalëshe në histori e një kryeministri britanik dhe solli me vete kaq shumë shi, saqë e gjithë dita e djeshme ishte nën retë e politikës britanike. E shihni sot? Kemi diell me mbretin diell këtu, pra mbreti i dytë diell.
Presidenti francez Emmanuel Macron: Zoti kryeministër, i dashur Edi! Faleminderit shumë për mikpritjen tuaj vërtet!
E dashur Sesilia, faleminderit shumë që e bëtë të mundur këtu, jam vërtet xheloz që për herë të parë në Europë, ky forum zhvillohet këtu në Shqipëri. Edi përcolli mesazhe shumë të rëndësishme dhe nuk dua që t’i përsëris, por dua të them pak fjalë për Europën dhe për pyetjet që ju keni, sepse është një moment në të cilin po jetojmë që ka pasiguri dhe është shumë e rëndësishme që të kemi një strategji të qartë për Francën, për Europën e për këtë Europë më të madhe që është pjesë e këtij komuniteti politik dhe po kështu, edhe marrëdhëniet përtej Europës, me Kinën e kështu me radhë.
Ideja ime për Europën, është që duhet të përfitojmë nga mundësia për të përshpejtuar dhe për të pasur një strategji të qartë konkurrueshmërie duke vendosur investimet si përparësi kryesore, dhe t’i bëjmë më të fuqishme. Na duhet përshpejtim e konkurrueshmëri dhe kjo është thelbësore. Natyrisht që ka raporte të mrekullueshme që bëjnë shumë të qartë atë çfarë duhet të bëjmë, por kjo konkurrueshmëri duhet të mbështetet në thjeshtim. Duhet të harmonizojmë rregulloret tona dhe t’i sinkronizojmë me pjesën tjetër të botës. Kjo është një nga përparësitë kyçe që kemi. Komisioni ka nisur të hedhë disa hapa, por janë mjaft të vegjël. Ndërkohë, presidentja von der Leyen, kancelari Merz, ne kemi nxjerrë një deklaratë që angazhohemi për të thjeshtuar rregulloren, për tu sinkronizuar, për të thënë që janë jashtë tryeze. Në fakt pjesa tjetër, është thellimi i tregut të përbashkët. Kemi të bëjmë me shumë rregullore dhe është ende shumë e ndërlikuar për shumë aktorë të tregut që të merren me tregun europian dhe në fakt pika jonë e fortë është që ka natyrisht, miliona, miliona pjesëmarrës dhe nuk trajtohet ashtu nga sipërmarrësit. Tregu i përbashkët po përfiton nga taksat që ne i vendosim vetes, pra ne e minojmë rregulloret që kemi për tregun e përbashkët.
Natyrisht ne duhet ta trajtojmë këtë treg të përbashkët në 3 sektorë kritikë, telekom, energji dhe financë sepse nuk janë pjesë e tregut të përbashkët, por na duhet që të krijojmë një treg të përbashkët për këta sektorë sepse është shumë e rëndësishme që të kemi më shumë kapacitete që të investojmë. Pjesë e kësaj agjende është gjithashtu edhe përparësitë e ndryshme që duhet të kemi, sepse besojmë që përveç faktit që ne nënshfrytëzojmë tregun e përbashkët, ne nënpërdorim apo përdorim më pak burimet e tjera. Edhe në qoftë se krahasoni Kinën e të tjerë, ne kemi shumë më tepër kursime. Kursimet janë në institucione, mbirregullohen, por nuk investohen në kapital dhe inovacion. Në fakt kjo do të thoja, është diçka që vazhdon prej 50 vitesh në kontinent sepse nga kriza e tregut, ne u bëmë bashkë kolektivisht për të mbirregulluar institucionet financiare të Europës. Ky është rezultati i 15 viteve të fundit dhe i vendosëm kaq shumë shtresa rregullimesh dhe këta aktorë kyç që janë thelbësorë për financimin e ekonomisë europiane, janë mbirregulluar. 75% janë financime nga bankat dhe institucionet financare dhe kjo natyrisht ka frenuar novacionin dhe kapitalin e biznesit dhe ky hendek, është shpjegimi i hendekut të zhvillimit të Europës dhe SHBA-së. Pra, përtej thjeshtimit dhe përfshirjes së këtij tregu të përgjithshëm, na duhet që të sinkronizojmë rregulloret për bankat dhe sigurimet dhe na duhet t’i ndërkombëtarizojmë dhe kursimet që ato të shkojnë në vendin e duhur, në sektorin e duhur. Për mua këto janë përparësitë kyçe të Bashkimit Europian dhe duhet ta bëjmë këtë gjë në magnitudën e duhur, në shkallën e duhur dhe me shpejtësinë e duhur.
Po kështu, Europa duhet të investojë në 3 përparësi kyçe. Mbrojtje, siguri, teknologjie e gjelbër dhe inteligjencë artificiale dhe këto 3 fusha do të kërkojnë shumë më tepër investime publike dhe private. Ja pse na duhet të riformësojmë buxhetin e përbashkët sepse na duhen më shumë financime të përbashkëta, po kështu na duhet të dislokojmë kapacitete më të mëdha të sektorit privat që duhet të hyjnë në këta sektorë kritikë.
Dhe pika e tretë, kur thashë se duhet të bëhemi një fuqi, i referohet këtyre që thashë, jemi në momentin e së vërtetës, duke iu referuar asaj çfarë tha Edi për historinë e Trumpit që nuk është lajm i mirë vetëm për SHBA-në, por edhe për Europën. Europa mund të arrijë pavarësi. Na duhet të zgjedhim partneritetet tona dhe do të shohim varësitë tona. Me krizën në Ukrainë, u ekspozuan dhe kostot. Pyetja për ne është a do të bëhemi një fuqi globale e gjelbër e aftë për të mbrojtur veten? Kjo është pyetja që ngrihet për europianët. Përgjigjja duhet të jetë po sigurisht, por kjo është një fazë e re e rrugëtimit europian. Pra, kjo është diçka e cila do të duhet të shmangte luftën e brendshme në Europë, gjithashtu dhe të orientonte tregjet për ta shndërruar Europën në një fuqi gjeo-politike, kjo është agjenda jonë.
Pak fjalë për KPE dhe rëndësinë për agjendën e anëtarësimit të Shqipërisë. Besoj fort se përtej Bashkimit Europian, kemi këtë Europë më të madhe që janë Ballkani Perëndimor, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe kjo Europë më e madhe është vend me 650 a mbi milionë banorë, që nuk merren në konsideratë as nga pikëpamja gjeopolitike, as nga ajo financiare apo ekonomike.
Le t’i integrojmë më mirë këto vende, le të punojmë së bashku për ekonominë, për emigracionin, për mbrojtjen, për tregtinë, në qoftë se ne këtë e bëjmë, integrojmë vende shumë të qëndrueshme pa luftë, pa destabilizim, në qoftë se arrijmë një hapësirë më të mirë-integruar përtej Bashkimit Europian dhe natyrisht që jam një avokat i anëtarësimit dhe i mbylljes në 2027, por kemi ndërkohë një mundësi të jashtëzakonshme të 700 milionë banorëve për ta bërë këtë vend, këtë hapësirë të respektuar nga të gjithë, është një mundësi unike e prandaj KPE është kaq e rëndësishme.
Më lini t’ju them vetëm me pak fjalë. Është jashtëzakonisht mirë t’ju kesh në Europë. E di që vini nga anë të ndryshme te botës, ky është vend stabël dhe i besueshëm dhe në këtë botë mos i nënvlerësoni fuqitë e cilësive të tilla dhe jam shumë i lumtur që jeni këtu, përtej shakave që bëj me kryeministrin Edi Rama sepse këtu në Shqipëri qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në Ballkanin Perëndimor, por edhe më gjerë por është një pikë kyçe në Mesdhe dhe në Europë, ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri sepse keni një udhëheqje të fortë dhe nuk flas vetëm sepse është miku im, por sepse ka sjellë rezultate dhe në 2 vitet që vijnë, duke qenë se ka një mandat të qartë, do të jetë pjesë e BE-së dhe dua që ta dini, të jeni të sigurt që ne si europianë do të japim rezultate tashmë që kemi një linjëzim të fortë midis Francës dhe Gjermanisë do të bëjmë maksimumin që të realizojmë agjendën që folëm.
Ju lutem investoni në Europë, ju lutem besojini Europës sepse kemi nevojë për besimin tuaj, për investimet tuaja, në mënyrë që të realizojmë këtë agjendë kaq ambicioze sepse mendoj që është agjenda e duhur, jo vetëm për europianët, por edhe për rajonet e tjera për të krijuar sa më shumë stabilitet.
Faleminderit shumë!