Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtojnë Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtojnë Samitin “Ukrainë – Europa Juglindore”

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy bashkëdrejtuan sot punimet e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”. Në nisje të seancës, Kryeministri Rama dhe më pas Presidenti i Ukrainës Zelenskyy u adresuan me një fjalë:

* * *

Kryeministri Edi Rama: Më lini së pari t’ju them se sa mirënjohës ju jam të gjithëve për praninë tuaj dhe sa veçanërisht i përulur ndihem që t’i uroj mirëseardhjen e veçantë në Tiranë mikut tonë nderit, Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Volodymyr Zelenskyy të Republikës së Ukrainës.

I nderuar President, shumë i dashur mik!

Jemi thellësisht të nderuar që bëtë këtë udhëtim në Tiranë mes përgjegjësive të jashtëzakonshme të udhëheqjes, jo vetëm të kombit e popullit tuaj, por të gjithë botës sonë demokratike në qëndresën ndaj luftës që kaq mizorisht i është imponuar vendit tuaj, por që ndërkohë ka sfiduar në mënyrë kaq brutale botën tonë demokratike.

Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia jonë e kombeve me të njëjtën qëndrim nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga zgjedhja e vendimi i vetëm një njeriu, i drejtuar nga një ëndërr e vjetër e një të shkuare perandorake.

Prania juaj këtu është po kështu një kujtesë që ai nuk ia ka dalë dhe që pavarësisht fuqisë së saj ushtarake dhe propagandës toksike, Rusia neoimperialiste nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit të Ukrainës, të jetojë në një atdhe të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Nuk ia ka dalë të shtypë të vërtetën!

Kontrasti nuk mund të jetë më i fortë sesa kaq!

Vladimir Putin donte ta fshinte Ukrainën nga harta për çështje ditësh, por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Europë e besoj edhe më besim plotë se kurrë për fatin e vet europian.

Hedh sytë rreth kësaj tryeze, shoh fytyra të njohura, miqësore, pas një historie të gjatë luftërash, konfliktesh marrëdhëniesh të ngrita. Të gjithë ne këtu në Ballkanin Perëndimor jemi bërë bashkë për të paktën një dekadë, për t’u takuar. Për të folur për sfidat tona, për të planifikuar të ardhmet tona. Pavarësisht asaj për të cilën ende s’mund të mos biem dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas historinë brutale të ndasive të përgjakshme që na kanë mbajtur peng për kaq shumë brezni. E ardhmja që ne në Shqipëri shohim është e ardhmja e përbashkët ku jetojmë në paqe me fqinjët, ku punojmë në bashkëveprim me partnerët tanë e qëndrojmë në miqësi me botën.

Prania juaj këtu zoti President na bën thirrje që të pranojmë diçka me një rëndësi të jashtëzakonshme që e njëjta shpresë që na ka bërë bashkë ne përgjatë viteve, na bashkon tanimë me popullin e Ukrainës. Sapo kemi shënuar përvjetorin e dytë të zymtë, të sulmit në shkallë masive të Rusisë kundër Ukrainës dhe kryeqytetit të saj Kievit dhe jemi këtu të përtërijmë solidaritetin dhe mbështetjen për Ukrainën dhe popullin e saj dhe juve zoti President e të gjithë atyre që vuajnë sot në Ukrainë. Duam po kështu të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë. Duam të përtërijmë angazhimin tonë ndaj paqes, një paqeje të drejtë e mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të së drejtës ndërkombëtare e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj.

Mblidhemi këtu për të rikonfirmuar se mbetemi të bashkuar në përgjigjen tonë, mbetemi të vendosur krah Ukrainës përballë kërcënimit, një kërcënimi mjaft real ndaj sigurisë së Europës dhe rendit global. Jemi po kështu të vetëdijshëm për kufizimet tona. E them herë pas herë, ia them mikut tim të dashur, presidentit ukrainas sa të vetëdijshëm jemi. Ne vetë nuk kemi kapacitetin për të ofruar nivelet e mbështetjes financiare dhe ushtarake për të cilën ka nevojë Ukraina për të mbrojtur si duhet veten dhe popullin e vet. Kështu që më lini t’i kërkoj gjithkujt këtu të bashkohen me thirrjen time për anëtarët më të mëdhenj e më të pasur të bashkësisë sonë demokratike për të njohur rolin e tyre. Jetesa e Ukrainës si një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik e si bastion i lirisë së Europës në tërësi varet nga mbështetja financiare dhe ushtarake që ata së pari mbi të gjitha ofrojnë. Kjo mbështetje nuk duhet të jetë peng i politikave të brendshme ditëshkurtra, apo i vonesave demokratike. Mos u gaboni! Ukraina nuk po lufton veç për veten, por për gjithçka në ne cilën besojmë, qëndrojmë dhe punojnë. Ka atje tej disa oportunist cinik se të ndihmosh Ukrainën në qëndresën e saj ndaj ushtrisë pushtuese, pengon kauzën e paqes, por atyre do t’u them sot se mënyra për t’i dhënë fund luftës nuk është të çarmatosim viktimën, por të ndalim agresorin në agresionin e tij.

Të shpërblesh një agresor, i cili anekson territoret e një vendi sovran duke çarmatosur viktimën e agresionit nuk sjell paqe, por shtron terrenin për më shumë luftë. Të ndalosh Ukrainën në vend që të ndalosh Vladimir Putinin e shndërron paqen mbështetur në shpërblim për agresion një bazë legjitimimi të një agresioni të mëtejshëm dhe e shndërron botën tonën tonë në një vend të sunduar nga fuqia, jo nga të drejtat.

Kolegë dhe miq, e dimë më shumë se mirë se rajoni ynë dhe kontinenti ynë nuk janë të panjohur me luftërat dhe pasojat e tyre shkatërrimtare.

Europa siç e njohim, doli pas dy luftërash të tmerrshme botërore vetëm shekullin e shkuar. Në këtë rajon, në rajonin tonë pas më shumë se një çerek shekulli plagët e thella të lëna nga shpërbërja e dhunshme e ish Jugosllavisë diktatura e fundit e Europës sonë të përbashkët ende duhen shëruar, por kemi parë dhe ndërtim të paqes pasqyruar mbi të gjitha në vizionin e urtinë e pashembullt dhe kurajën e punën e madhe që çoi në krijimin dhe zhvillimin e BE.

Vizioni që çoi në krijimin e BE-së udhëzon sot në Ballkanin Perëndimor në rrugëtimin tonë drejt së ardhmes, një të ardhme që mund të arrijmë vetëm në paqe duke qëndruar dhe duke punuar së bashku dhe duke zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore, konstruktive në emër të brezave të ardhshëm. Për fat të keq e gjitha kjo është tashmë në rrezik sepse rendin ndërkombëtar i bazuar në rregulla po sfidohet sepse marrëdhëniet e pushtetit janë shndërruar në përplasje për pushtet, sepse orekset e vjetra për dominim po hapen më tej. E gjitha kjo mbjell frikë dhe një ndjenjë të mprehtë paqëndrueshmërie. Nuk mundemi e nuk duhet të biem pre e kësaj. ‎E vetmja zgjedhje që kemi është të rezistojmë në mënyrë të përbashkët forcave që kërkojnë të zhbëjnë atë çfarë me mundim kemi ndërtuar së bashku. Nuk mund të jemi naivë e të pakujdesshëm e të lëmë të ardhmen tonë peng të dëshirave të shfrenuara. Duhet të vazhdojmë të gjithë në Ballkanin Perëndimor të qëndrojmë së bashku, të mobilizojmë të gjitha kapacitetet e burimet tona, të përforcojmë lidhjet tona, atë çka na bën bashkë, institucionet tona, organizatat tona, që forcon demokracitë tona e të bëjmë gjithçka që mundemi për të mos e lënë agresionin të shpërblehet. Ne nuk mundemi  e nuk duhet ta lëmë Rusinë të fitojë e Ukrainën të humbasë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm. Gjithë projekti evopian, përshirë edhe ekzistenca e BE do të ishte në rrezik. Ëndrra jonë e përbashkët për një të ardhme  me paqe e prosperitet, do të çohej në buzën e një të ardhmeje shumë, shumë më të errët. Një e ardhme që është shumë e dhimbshme për t’u parafytyruar. Ja pse duhet të mbështesim mbështetjen për luftën e lirisë e dinjitetin e Ukrainës. Kjo luftë është edhe për dinjitetin tonë dhe duhet të vazhdojmë ta avokatojmë për paqe, një paqe të drejtë për Ukrainën dhe popullin e saj.

Shqipëria ka bërë atë çka mundet e do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. Deklarata e përbashkët që nënshkruam sot në mbështetje të integrimit euroatlantik të  Ukrainës, do të forcojë më tej marrëdheniet tona dhe vendosmërinë për të vazhdur e qëndruar krah Ukraiëns.

 

Së fundmi, për shumë ato kombe të vogla si ne që nuk duan të kthehen ushqim për oreksin imperialist të Rusisë, kemi nevojë për qartësi absolute rreth Ukrainës, kemi nevojë për solidaritet të palëkundur me Ukrainën e kemi nevojë për një vendosmëri të përbashkët për të mbështetur Ukrainën.

 

Slava Ukraina! Fjala është për ju zoti President

* * *

Presidenti Volodymyr Zelenskyy: Faleminderit, i nderuar Kryeministri Rama!

Të dashur kolegë!

Të dashur miq!

Së pari dëshiroj të falenderoj Kryeministrin Rama për të gjithë që keni bërë, pra mbështetjen tuaj personale dhe atë të Shqipërisë për Ukrainën, si ushtarake ashtu edhe atë humanitare dhe atë politike.

Faleminderit shumë që keni organizuar këtë Samit dhe na keni mirëpritur këtu. Është hera e dytë që ne takohemi në një format të tillë. Së pari jemi takuar në Athinë dhe tani këtu në Tiranën mikpritëse.

Edi, Kryeministër, e vlerësoj së tepërmi mikpritjen tuaj dhe këtë mundësi që po na jepni për të diskutuar të gjithë së bashku se si ne mund të fuqizojmë më tej vendet tona, rajonet tona dhe të gjithë Europën sepse të gjithë e kuptojnë që tani po përcaktohet rrugëtimi që do të ndjekë Europa për breza të ardhshëm dhe ne të gjithë duam që Europa të jetë ajo hapësirë në të cilën çdo komb, çdo vend përcakton fatin e vet dhe ne kemi parë se si në të shkuarën ka patur njerëz që janë përpjekur për të përcaktuar fatin e kombeve të tjera. Kjo ka ndodhur në Ballkan, kjo ka ndodhur në Europën Lindore dhe në të gjitha pjesët e tjera të Europës. Tani Putini dëshiron të bëjë pikërisht këtë gjë. E gjithë armiqësia e tij, gjithçka që ai bën dhe gjithçka që ai dëshiron duke detyruar kombet e tjera që dhe ato të bëjnë ashtu siç thotë ai, pra është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se ç’duhet të bëjnë kombet, pra me çfarë bien apo jo dakord ato. Pra kjo gjëja, normalja e re, prandaj është shumë e rëndësishme për të gjitha kombet tona, për shtetet tona të lira, që Putini, regjimi i tij të humbasë sepse dështimet e tij janë siguria jonë.

Të dashur kolegë, vizioni ynë për Europën dhe jetën në të gjitha rajonet e saj bazohet në parimin e dinjitetit, dinjitetit të njëjtë e të barabartë për çdo vend. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të, në të cilën për shembull dikush meriton më shumë siguri apo paqe, ndërkohë që dikush tjetër vuan për paqe dhe injorohet për faqen që nuk e ka. Apo kur dikush meriton për shembull integrimin në bashkime të ndryshme apo aleanca të ndryshme dhe dikush tjetër mbetet pas.

Ne besojmë që respekti për çdo komb dhe e drejta e barabartë e kombeve për të patur siguri si edhe zgjedhjen e pavarur për fatin e tyre, duhet të jenë parime universale dhe të gjitha këto nëpërmjet bashkëpunimit tonë dhe ne duhet ta bëjmë këtë të qartë.

Së pari, ne besojmë që çdo shtet, çdo komb në Europë që i ruan parimet e komunitetit europian dhe atij euroatlantik dhe dëshiron të bëhet anëtar i këtyre komuniteteve, meriton integrimin e plotë.

Ukraina mbështet vendet tuaja në rrugëtimin tuaj për integrimin europian dhe ju është shumë mirënjohëse për mbështetjen që ju po na jepni për integrimin tonë. BE dhe NATO i kanë ofruar Europës epokën më jetëgjatë dhe më të fortë të sigurisë, paqes dhe zhvillimit ekonomik dhe ne të gjithë meritojmë në formë të barabartë, të jemi pjesë e komunitetit europian dhe komunitetit euroatlantik.

Së dyti, u jam mirënjohës të gjithë udhëheqësve dhe kombeve të cilat kanë mbështetur formulën tonë të paqes dhe janë bashkuar përpjekjeve globale për të vënë atë në zbatim. Avantazhi i dukshëm i formulës së paqes është e plotë, gjithëpërfshirëse që do të thotë që çdo aspekt i luftës ruse mund të zgjidhet me anën e pikave që janë përcaktuar në këtë formulë dhe gjithashtu që natyra e kësaj formule është gjithëpërfshirëse, që do të thotë, çdo udhëheqës, çdo shtet mund ta tregojë veten në këtë proces paqeje, jo vetëm ato që ndryshe njihen si fuqi të mëdha apo ato që janë aktive në formë tradicionale në diplomacinë e Europës apo gjetkë. Ne duam që e drejta ndërkombëtare dhe stabiliteti global të bazohet në procese vërtetë shumëpalëshe dhe transparente, pra tek barazia e kombeve, ashtu si çdokush meriton dhe dëshiron paqen, ashtu edhe të gjithë mund të kontribuojnë në restaurimin e paqes, prandaj ju ftoj të gjithëve që të merrni pjesë në Samitin e Parë Global të Paqes në nivel udhëheqësish që do të mbahet në Zvicër.

Së treti, mbrojtja. Gjatë gjithë kësaj lufte, një luftë në të gjitha frontet ne kemi treguar, kemi vërtetuar që është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket sikur është një nga më të fuqishmit në botë, më të fortët në botë. Pra çdo komb mund t’ia dalë mbanë me mbrojtjen dhe të fitojë kur kombet të ndryshme bashkëpunojnë dhe njerëzit e tyre janë të motivuar për rezistencë dhe ne propozojmë pikërisht që t’i gërshetojmë këto lloj përpjekjesh tonat dhe t’i fuqizojmë ato. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes, që operojnë, që funksionojnë në Ukrainë në fusha të ndryshme dhe secila prej tyre shton fuqinë tonë, por nuk mjafton kjo për të fituar ne mbi Putinin. Në shikojmë probleme edhe në ofertën përsa i përket municioneve të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë. Ekipi ynë, i qeverisë sonë do të prezantojë të gjitha detajet dhe ne propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit qoftë në Kiev apo në ndonjë nga kryeqytetet tuaja.

Ju jam shumë mirënjohës për punën e përbashkët që është bërë me vendet tuaja për sa i përket rrugëve, porteve, hekurudhave, por edhe në det dhe së bashku me paketën e mbrojtjes dhe mbështetjen politike makro-financiare, ky ndërveprim ndërmjet nesh, ndërmjet fqinjëve, ndërmjet rajoneve fqinje, ndërmjet të gjithëve është kthyer tashmë në një faktor i cili së bashku me rezistencën e popullit tonë në Ukrainë, nuk e lejon Putinin të fitojë dhe dëshiroj gjithashtu të theksoj edhe punën tonë të përbashkët në Detin e Zi, por edhe në rajonin e Danubit.

Për sa i përket sigurisë së ushqimit, kjo e ndihmon gjithë botën. Ne duhet të vazhdojmë të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tona të fqinjësisë së mirë në fushën e logjistikës, në infrastrukturë, në tregti, por edhe në marrëdhëniet që kemi me njëri-tjetrin për energjinë, në politikë, në rezistencën që duhet t’i bëjmë keqinformimit që vjen nga Rusia dhe përpjekjeve ruse për të destabilizuar sistemet tona politike.

Gjithçka që na bën ne partnerë të mirë, e bën Putinin më të dobët, e dobëson atë, prandaj ai investon aq shumë në ndarje dhe në kriza. Në përça e sundo, ai e di fare mirë se çfarë i bën interesave të tij, por ne duhet të shikojmë se çfarë u bën mirë interesave tona, sepse vetëm në këtë formë ne do të mbrojmë njëri-tjetrin.

Faleminderit për vëmendjen, faleminderit për ftesën. I nderuar, Kryeministër!

Slava Ukraini!

Previous Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky mikpresin liderët pjesëmarrës në Samitin “Ukrainë-Europa Juglindore”