Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Tiny Kox: Koha na ka mbaruar, por do doja t’i jepja fjalën përfaqësuesve të grupeve politike për të bërë pyetje e do t’i kërkoja Kryeministrit të flasë sa më shkurt të jetë e mundur sepse kemi shpenzuar kohën që kishim në dispozicion.
-I nderuar Kryeministër, në emër të grupit të PPE-së, jam e tronditur. Kjo ishte mungesë respekti ndaj kësaj organizate. Raporti që ju përmendet, ishte një raport jo nga delegacioni serb ose rus, është një raport nga kjo organizate dhe ju treguat një mungesë të mirëfilltë respekti. Është miratuar nga shumica dërrmuese. Ndjesë kolegë, e dimë që ramë dakord në grupin e PPE-së se do t’ju pyesja për nismën e Ballkanit të Hapur, por është e pamundur pas fjalës suaj prej një ore duke mos folur për Shqipërinë dhe vlerat e Këshillit të Evropës, por për diçka tjetër. Kam këtu 15 vjet dhe kurrë nuk e kam përjetuar diçka të tillë!
– Mirë se erdhët në Këshillin e Europës, zoti Kryeministër Rama. Pyetja ime lidhet me çështjet e sigurisë. Vetëm së fundmi ju morët pjesë në një ceremoni përuruese për ndërlidhjen e tubacioneve të gazit midis Greqisë dhe Bullgarisë. A e ndryshon kjo sigurinë energjetike në Europën juglindore dhe cili është opinioni juaj për të? Së dyti doja një informacion rreth sulmit kibernetik kundër Shqipërisë dhe gjithashtu edhe aktivitete të cilat mund të jenë bërë nga grupe islamike. A keni marrë mbështetjen e aleatëve tuaj të NATO-s për këtë situatë të rrezikshme?
– Mirë se vini zoti kryeministër. Pse po synohet për një mini shengen, që është nisma e Ballkanit të Hapur, sepse ne mund t’ju ndihmojmë të gjithëve që të synoni për një shengen më të madh? Dhe tjetër, cili është roli që mund të luajë Shqipëria si model në integrimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor duke patur parasysh stabilitetin tuaj, stabilitetin e vendit tuaj dhe jam natyrisht mjaft i mbresuar sa shumë keni marrë anën e Kosovës në këtë asamble, që ka një lloj legjitimiteti. Por nga ana tjetër, zoti kryeministër i minoni në shtëpi duke mbështetur nismën e Ballkanit të hapur që kritikohet shumë nga Kosova dhe që e izolon atë? Dua një përgjigje të sinqertë.
– Mirëserdhët në asamblenë tonë. Edhe pse në këtë mënyrë të pataktë, jeni mjaft i vetëdijshëm se ne jemi tejet të vendosur që të ndihmojmë Shqipërinë dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor që të përmbushin kushtet për anëtarësimin në BE, a mendoni se aderimi i Shqipërisë me vlerat europiane që kërkon ky proces janë të pajtueshme me politikën e sinergjisë me aktorë si Turqia që në fakt minon të drejtat e njeriut dhe në fakt ngjall retorikën inflamatore në këtë rajon dhe që ndikon në bashkëpunim?
Kryeministri Edi Rama: Zoti President,
Të nderuar anëtarë,
Nuk jam i sigurt së paku për ata që shprehën parehatinë e tyre në raport me fjalën time, nëse e kuptuan vërtet atë për të cilën po flisja kështu që ju sugjeroj të gjithë atyre dhe të gjithë atyre që ndihen si ata, ta lexojnë dhe ta lexojnë sërish e sërish sepse do të gjejnë aty shumë qartësisht se pse jam këtu dhe se sa shumë e respektoj këtë institucion.
Megjithatë, besoj fort se një prej virtyteve të institucioneve demokratike është te jetë i përulur kur sheh nga vetja dhe për të pasur pjesën e duhur të autokritikës. Nuk i akuzova për asgjë paraardhësit tuaj, unë i kuptoj ata. Nëqoftëse do të isha një prej tyre dhe do të më ishte thënë nga një apo disa anëtarë këtu se ekziston dyshimi për trafikim të organeve njerëzore sigurisht që do të votoja siç bënë ata dhe do të bëja të njëjtin gabim që bënë ata, por jemi 11 vjet më pas, ku janë organet që u trafikuan? Nuk ka! Pra nuk është e patakt zonjë të thërrasësh këtu e tu kërkosh të gjithëve ju të ndihmojnë institucionet ndërkombëtare dhe politikën ndërkombëtare të vërë në vend besueshmërinë e vetë e të vërë në vend besimin e njerëzve tek ta. Nuk është e patakt që të ndash me ju thjesht fakte dhe mund ta imagjinoj dhe mund ta kuptoj, por në fakt i vetmi person që do të kuptoja nga ajo çfarë dëgjova është kolegia serbe. Është e tronditur, natyrisht, për Serbinë do të duhet kohë, do të duhet më shumë kohë se këdo tjetër që ta përthithë e të jetojë me të dhe së fundi të bëjë njohjen e Kosovës dhe të ndërtojë sëbashku me Kosovën një të ardhme të përbashkët në paqe. Më lini t’ju them, nuk erdha këtu për t’i munguar respekt Serbisë. Ka shumë njerëz në Shqipëri dhe në Kosovë që mendojnë se unë jam agjent serb, kështu që jam krenar, jam krenar që i shërbej së vërtetës, kur e vërteta ime është e mirë për Serbinë, në rregull, kur nuk është mirë është prapë mirë.
Unë pretendoj se jap të vërtetën e kombit tim që e përfaqësoj me krenari dhe vendoseni veten tuaj në vendin e çdo parlamentari shqiptar, në vendin e çdo të zgjedhuri shqiptar, në vendin e çdo studenti të ri jashtë që haset me këtë paragjykim të ngritur mbi lajme të rreme, që shqiptarët edhe kur luftojnë për tu çliruar nga armiqtë e tyre, trafikojnë organe njerëzore. Më lini t’ju them, një koleg i juaji, jo anëtar, ambasador këtu, ishte i shqetësuar sepse një person i zhdukur nga vendi i tij në malet shqiptare mund t’i ishin hequr organet, pse? Sepse ka dëgjuar të gjithë këtë. Kështu e vrasin besimin në të vërteten dhe institucionet, stereotipet. Kështu që më vjen keq, unë nuk tërheq asnjë fjalë nga ajo çfarë thashë. Nëse doni të zhvilloni një debat do jem i lumtur të kthehem për një debat dhe ju duhet të zhvilloni një debat për këtë dhe është përmes debatit që mund të gjeni të vërtetën. Faleminderit shumë!
Më duhet tu përgjigjem pyetjeve tani sepse kishte disa njerëz, ju lutem nuk duhet t’ju vijë keq për mua. Jo më duhet tu përgjigjem pyetjeve sepse nëqoftëse ngrihen falsin për procedurë dhe pastaj e bëjnë si në parlamentin shqiptar ku flasin dhe japin opinione, unë duhet të jap opinionet e mia.
-Unë mund t’ju shpjegoj procedurën. Unë dua që të përgjigjeni shkurtimisht këtyre pyetjeve sepse dua t’ja jap fjalën dhe të djathtës hapësirë për të bërë pyetje sepse na ka mbaruar koha, po na mbaron koha. Kështu që vazhdoni përgjigjet, por bëjini sa më të shkurta të jetë e mundur në mënyrë që ti jap fjalën dhe disa anëtarëve të tjerë dhe në mënyrë që të përfundojmë debatin. Keni fjalën tashmë zoti kryeministër.
Kryeministri Edi Rama: E përmbylla me përgjigjen ndaj të gjitha zonjave dhe zotërinjve dhe doja të vijoja me pyetjet dhe do ti kthehem zonjës. Nuk e di nga vjen sepse nuk u prezantua. Ah, nga Greqia? Tani është kuptueshme pse është e shqetësuar. Tashmë është e kuptueshme pse ishit e shqetësuar për marrëdhënien tonë me Turqinë, por Turqia ashtu siç Greqia, ashtu siç Italia, të trija janë njësoj dhe në politikën tonë të jashtme përcaktohen si partnerë strategjikë kështu që nuk e kuptova në të vërtetë pyetjen tuaj kur vjen fjala për Shqipërinë. E kuptoj kur vjen fjala për Greqinë, ju keni problemet tuaja me Turqinë, shpresoj që t’i zgjidhni përmes dialogut e përmes drejtësisë ndërkombëtare, por kur bëhet fjalë për ne, ne nuk krahasojmë dhe nuk zgjedhim midis partnerëve tanë strategjikë e miqve sepse kemi mësuar nga e shkuara jonë, se fqinjët janë aty për të qëndruar përgjithmonë, nuk do të shkojnë askund tjetër. Edhe gjyshja ime që ishte një grua tejet e mençur, si të gjitha gjyshet më thoshte: “fqinji i lumtur është shtëpi e lumtur” dhe e kundërta është e qartë. Kështu që ne nuk kemi frikë për asgjë të keqe që mund të vijë nga Turqia, në të kundërt do të shtoja që Turqia është shumë e rëndësishme për sigurinë dhe stabilitetin e Europës. Pa Turqinë kriza e refugjateve e 2015 do të ishte kthyer në një krizë apokaliptike, apokaliptike për vendet më të forta, më të fuqishme të Europës. Ishte Turqia që në fakt qëndroi në portat e Europës dhe bëri atë çfarë bëri.
Për ta përmbyllur me këtë dua të shtoj se unë kam nderin të njoh me privilegjin, të konsideroj veten si mik të të dyve, presidentit Erdoğan dhe kryeministrit Mitsotakis. Mendoj se janë njerëzit më të mirë në vendin e duhur për ta zgjidhur këtë gjë, ashtu siç do të thoshte Charles de Gaulle: “Burri me burrin”, dhe këtë dëshiroj unë për më të mirën e Turqisë dhe më të mirën e Greqisë sepse as Greqia nuk do të ikë, as Turqia nuk do të ikë.
Kryeministri Edi Rama: Çfarë është kjo? Unë mendova që vetëm parlamenti shqiptar i ka këto lloj problemesh që kështu më duket vetja si në shtëpi.
Presidenti i Asamblesë: Ndjesë zotëri por do t’iu kërkoja të flisnit sa më shkurtimisht sepse anëtarët tanë kanë vetëm 30 sekonda.
Kryeministri Edi Rama: Po bëj më të mirën për të respektuar dhe për të nderuar këtë Asamble dhe për t’iu përgjigjur gjithkujt. Nëse doni, mund të ndalem këtu sepse unë e përfundova punën time këtu. erdha, bëra atë për të cilën erdha të bëj. Në momentin kur më pyetën, dua t’u përgjigjem, dikujt tjetër, nuk e di se nga ishte, që pyeti “Pse na duhet Ballkani i Hapur” ndërkohë që kemi Procesin e Berlinit, i them që ato nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ballkani i Hapur nuk do të ekzistonte pa Procesin e Berlinit dhe Procesi i Berlinit nuk mund të zbatohet pa Ballkanin e Hapur.
Sa për ta ditur, në këtë pikë kam të njëjtën mendim me Presidentin serb Alexander Vuçiç dhe nuk kam të njëjtin mendim me kryeministrin kosovar, zotin Albin Kurti.
Kështu funksionon. Ka të bëjë me bindjen dhe me të vërtetën, nuk ka të bëjë me ngjyrat apo skuadrat.
Sa i përket të qenit model, nuk e kuptova ku e kishit fjalën. Cili është modeli i Shqipërisë? Modeli i Shqipërisë janë mendjet e ndritura shqiptare të rilindjes sonë, e të gjithë shqiptarët që punojnë fort në Shqipëri dhe mbarë Europën, të cilët nuk e meritojnë stigmën dhe stereotipin që përsëritet kaq lehtësisht kur vjen fjala për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shkak të një 0,0 diçka prej tyre që merren me gjëra të tjera. Nuk duan të bëhemi dikush tjetër, nuk duam të jemi dikush tjetër. Jemi shumë krenarë që jemi shqiptarë dhe jemi shumë të prirur të bëjmë gjithçka mundemi, në mënyrë që fëmijët tanë të jenë krenarë për ne.
Sa i takon pyetjes të sulmit kibernetik. Po, ishte një sulm kibernetik i organizuar dhe i sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, mbështetur, jo në atë çka ne mendojmë, por mbështetur në ekspertizë dhe në një hetim të thelluar e tërësor nga agjencitë më të mira, nga ekipi i inteligjencës kundër kërcënimeve i Microsoft dhe agjenci të tjera amerikane dhe europiane.
Ky konkluzion është bërë mbështetur në fakte dhe për ta përmbyllur dua t’iu them se kurrë e në asnjë mënyrë nuk do guxoja të vija këtu apo të shkoja kudo tjetër e të flisja me hamendësimeve apo me fantazi. Ju fola nga podiumi bazuar në fakte dhe do dëshiroja shumë që ju ta ndreqnit, që ky gabim tragjik që u bë në atë kohë, në mirëbesim, pa asnjë dyshim në mirëbesim, nuk akuzova askënd për konspiracion, por që u bë në mirëbesim, të mos shndërrohet në mëkatin e gjithëhershëm e të pafalshëm të Këshillit të Europës.
Presidenti i Asamblesë: Faleminderit zoti kryeministër. Do të marr edhe tre pyetje të tjera dhe më pas do të keni edhe pak minuta për t’u përgjigjur dhe pastaj do ta përmbyll debatin sepse po na mbaron koha. Kemi pyetjet që do të bëhen tashmë nga kolegët. Ata mund të prezantohen, emër, mbiemër dhe vendi nga vijnë, siç u bë dhe me pyetjet e mëparshme.
Ukraina: Kryeministër, së pari shoh shumë emocione në këtë sallë tani. Dua që të gjithë të qetësohemi. Mendoj se është shumë e rëndësishme për ne si botë e lirë që të jemi të bashkuar e të mos argumentojmë me njëri-tjetrin. Dua, po ashtu, të falenderoj Shqipërinë për mbështetjen për Ukrainën edhe në Kombet e Bashkuara. Në fakt, vuajmë nga i njëjti kërcënim. Ne vuajmë nga i njëjti kërcënim në Odesa nga sulmi kibernetik iranian. Çfarë duhet bërë me sistemin e sigurisë botëror? Kombet e Bashkuara nuk funksionojnë dhe a duhet të përjashtohet Rusia nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara?
Rumania: Kryeministër, asnjë ndryshim nga qëndrimi mbështetës i vendit tim për anëtarësimin nw BE të Shqipërisë mbështetur në kritere. Diskutimet dypalëshe që ne kemi patur përgjatë viteve për një çështje specifike dhe së dyti, kjo është hera parë që unë e përmend, kriteri i sundimit të ligjit për anëtarësimin në BE, pra përkthimi historik të një simboli histori për marrëveshjen tonë, që është Casa Iorga nga Saranda, që vërteton që Mbreti Zog i Shqipërisë, në shenjë mirënjohjeje ia ofroi një rumuni të shkëlqyer që hartoi historinë shqiptare, që u përdor nga delegacioni shqiptar në Konferencën për Paqe në Londër, ku u sigurua pavarësia. A keni ndonjë informacion për këtë kthim prone?
France: Zoti kryeministër, edhe në qoftë se është e vërtetë që sa i përket aspektit tregtar, Shqipëria nuk varet nga Rusia si dhe kur vjen fjala për energji, ju thatë që lufta në Ukrainë duhet të kihet kujdes të mos transferohet në Ballkan sepse, sic e thatë, është hallka më e dobët e zinxhirit. Duke patur parasysh perspektivën europiane në Ballkan, a mund të na thoni se si e analizoni faktorët destabilizues sot në rajon?
Zvicër: Të gjithë ne duam të kemi bashkëpunimin më të mirë midis vendeve këtu në Këshillin e Europës, por mendoj për Komitetin e çështjeve ligjore dhe në fakt, më vjen shumë keq që ju keni vënë në diskutim të gjithë punën që është bërë asokohe nga Dick Marty që ka qenë raportuesi, i cili ka pasur reputacionin më të lartë dhe gjithashtu edhe reputacionin e kësaj salle. Mendoni që kjo është mënyra më e mirë për të vepruar dhe punuar me këtë institucion? Mbi të gjitha, ju folët për ngritjen e dhomave të specializuara të Kosovës, të cilat janë organizëm i pavarur. Ju thatë rrëzoni akuzat. Pse e bëtë këtë, zoti kryeministër, pasi ju e dini që këto janë procedura të pavarura? Ne thjesht kemi përgatitur një raport, nuk kemi bërë hetim penal. Tashmë po zhvillohen procedura juridike të pavarura. Pse doni që një asamble si e jona të ndërhyjë në procedura ligjore, ndërkohë që ju e dini që jemi këtu në tempullin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut? Nuk mund të jetë roli ynë për të shkuar përtej kësaj.
Presidenti i Asamblesë: Zoti kryeministër, na kanë mbetur edhe 5 minuta duke qenë se kemi një orar mjaft të ngjeshur për pjesën tjetër të ditës. Ndaj, dua të kombinoj përgjigjet në këto 5 minuta dhe më pas më duhet ta përmbyll këtë debat kaq interesant.
Kryeministri Edi Rama: Do ta nis në këtë rast duke iu përgjigjur zotërisë. Do të doja t’iu thoja se me shumë mirësjellje, presidenti më kërkoi të mos i referohesha zotit Dick Marty me emër në fjalën time. Unë nuk e përmenda. Pas diskutimin që patëm në drekë ku mu kërkua të mos i referohesh zotit Dick Marty. Në qoftë se ju vazhdoni të më thoni se ajo çfarë thashë këtu është një kërkesë që ua paraqes ju, nuk mund të më thoni që po ju kërkoj të pengoni drejtësinë apo të ndërhyni në një proces gjyqësor. Ose nuk e keni kuptuar atë që po them ose qëllimisht nuk doni ta kuptoni atë çfarë thashë.
Në deklaratën time isha shumë i qartë. Thashë se ka një problem serioz. Çështja serioze e trafikimit të organeve njerëzore. Ky është një problem vërtetë serioz, por kjo nuk ka aspak të bëjë me procedurën gjyqësore të cilës ju i referoheni. Pse e them këtë? Sepse në akt-akuzë nuk ka asnjë fjalë, aspak të trafikimit të organeve dhe në fakt, dhomat të cilave iu referua po trajtojnë një çështje krejt të ndryshme.
Pra, kjo akuzë shumë shumë e rëndë, kjo akuzë e turpshme, akuza për trafikim të organeve njerëzore është një akuzë që i ka bërë të gjithë këtu bashkë në solidaritet. Është shumë e kuptueshme sepse kur dëgjon diçka kaq të tmerrshme, kur dëgjon një krim kaq mizor natyrisht që duhet të hetosh dhe kjo është ajo që çoi në ngritjen e dhomave për të cilat fola. Por tashmë dhomat nuk po merren me çështjen e trafikimit të organeve njerëzore sepse është diçka që nuk ekziston, nuk ka asgjë për të hetuar aty dhe kjo është arsyeja pse po ju kthehem ju, që dhomat në fakt, po bëjnë diçka ndryshe, nuk po hetojnë trafikimin e organeve njerëzore. Unë nuk thashë asgjë për këto dhoma, nuk thashë që duhet të shpërbëhen. Nuk është ajo për të cilën erdha të flas këtu, nuk po flas për ndërhyrje në asnjë lloj procesi gjyqësor. Edhe shqiptarët e kuptojnë këtë gjë, që nuk mund të ndërhysh në procedura gjyqësore.
Tashmë dua të jem kristal i qartë për këtë gjë, në qoftë se e shihni objektivisht këtë gjë, nëse ju vetë do ktheheshit të lexonit objektivisht raportin, atëherë do kuptonit pse jam këtu. Unë kuptoj, sigurisht, që njerëzit ndjejnë solidaritet me anëtarët e Asamblesë Parlamentare, e kuptoj ndjesinë, por më lini të jem i qartë; kurrë nuk thashë as nuk e kam menduar, qoftë edhe për një sekondë se ka ndonjë lloj konspiracioni. Ka qenë një gabim tragjik i bërë në mirëbesim, por në demokraci gabimet tragjike ndreqen. Na duhet të jemi të përulur mjaftueshëm për të pranuar që është bërë një gabim. Jo për t’u përgjigjur, për ta parë objektivisht që është një gabim dhe për ta pranuar me modesti, me përulësi.
Duke iu përgjigjur zotërinjve të tjerë, e di që nuk kemi shumë kohë, por ajo që dua të them është kjo; kur flas për Ballkanin, në qoftë se shikon stabilitetin e solidaritetin në mbarë Europën, shikoni se Ballkani është zona më e brishtë. Gjithashtu, ky është rasti edhe kur sheh qëndrimin që kanë ndërmarrë agresorët ndaj Ukrainës sot sepse brenda Ballkanit ka hapësira ku Vladimirovic ka një ndikim të caktuar; Republika Serbske, Serbia në një shkallë të caktuar gjithashtu dhe pjesë të tjera në vende të tjera. I vetmi përjashtim këtu është Shqipëria dhe Kosova. Pse? Sepse në Shqipëri dhe Kosovë, Rusia nuk ka asnjë ndikim.
Kjo është situata. Ne e dimë që ka mosdakordësi të thella me Serbinë dhe natyrisht edhe pse them se Presidenti i Serbisë, është miku im, do të vazhdoj ta them këtu ashtu si e kam thënë edhe në organizma të tjera, të skenës ndërkombëtare, që fakti është që nuk duhet të ushtrojmë trysni të Skajshme mbi Serbinë kur vjen fjala për sanksionet. Së pari, Serbia nuk u mbijeton dot sanksioneve dhe së dyti, na duhet të tregohemi të kujdesshëm sepse nuk duam të përfundojmë në një situatë ku ta hedhim Serbinë në krahët e Vladimir Putin, se ka njerëz në Serbi që e admirojnë atë. Nuk duam që ta hedhim tutje Serbinë duke ekzagjeruar me trysninë e sanksioneve.
Së fundi, t’i përgjigjem pak përfaqësuesit ukrainas. E lashë në fund, si ëmbëlsira për në fund. Miku im, jam shumë i lumtur që kam sjellë disa emocione këtu. Keni nevojë për to. Jo ju si ukrainas, por ju si Këshill i Europës dhe në të njëjtën kohë, unë jam Kryeministri i Shqipërisë, jam një metër e 98 cm, por jam i qartë për madhësinë e vendit tim.
Nuk mendoj se Shqipëria mund të ketë kapacitetin e as pretendimin për t’i thënë botës atë çka bota duhet të bëjë. Një tjetër gjë mjaft e mirë të qenit Kryeministër i një vendi të vogël është që nuk merr dot vendime të rëndësishme për botën, thjesht i ndjek. Ne jemi mjaft të angazhuar ndaj rrugëtimit tonë drejt Bashkimit Europian, ndaj Aleancës perëndimore, NATO-s, jemi vendi më pro-europian në Europë, mbështetur në anketat e Bashkimit Europian, jemi më pro-amerikanë sesa teksanët, kështu që jemi në rregull me gjithçka që bëjnë këta të mëdhenjtë kur bëhet fjalë për këtë panoramën e madhe.
Nuk i takon Shqipërisë të thotë nëse Rusia duhet të përjashtohet apo të përfshihet. Por nëse doni ta përjashtoni Rusinë, ne jemi të lumtur ta përjashtojmë. Nëse doni ta mbani, ne e mbajmë. Nuk na takon ne. Nuk jemi ne që e sundojmë botën. Ne duam që Shqipëria të respektohet plotësisht. Që shqiptarët të respektohen plotësisht dhe duam që rajoni ynë të begatohet duke punuar krah për krah me Serbinë dhe duke u siguruar që mosmarrëveshjet, mosdakordësitë tona të mos jenë arsye për të çelur konflikte të reja, por në të njëjtën kohë, duke i lënë të gjithë të kuptojnë se cilësia e demokracisë nuk ka të bëjë me sa bie dakord me tjetrin, po sesa në mënyrë të hijshme, nuk bie dakord. Nëse nuk bie dakord në mënyrë të hijshme, atëherë gjithçka shkon mirë dhe duhet ta dini të gjithë besoj se shumica prej jush janë të martuar.