Teknologjia e informacionit, inovacioni dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik të vendit, ishin tema e takimit të zhvilluar sot me përfaqësues të sektorit të ndërtimit në Qendrën për Inovacion dhe Teknologji “NEST”, një strukturë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit që u shërben edhe universiteteve dhe sipërmarrjes, – ku i pranishëm ishte Kryeministri Rama, si dhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e biznesit Delina Ibrahimaj.
Gjatë takimit, u zhvillua gjithashtu prezantimi i një start-up-i të rinjsh shqiptarë për financimin e sektorit të ndërtimit.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e biznesit Delina Ibrahimaj tha në fjalën e saj hyrëse se “qeveria ka një vizion të qartë që vetëm nëpërmjet inovacionit dhe digjitalizimit, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet.” – teksa theksoi se tashmë teknologjia e informacionit është brenda çdo procesi të punës së qeverisë në dhënien e shërbimeve apo edhe në punët e përditshme.
“Kemi menduar të organizojmë një takim të përbashkët me ndërtuesit, me qëllim që të diskutojmë për teknologjinë e informacionit, për inovacionin, për se si sektorë kryesorë dhe thelbësorë në zhvillimin ekonomik të vendit mund të përfitojnë nga zhvillimet teknologjike, qoftë në drejtim të përmirësimit dhe në ndjekjen e proceseve të punës tuaj, qoftë në zhvillimet teknologjike dhe platformat e reja të financimit, të cilat janë të dy elementë thelbësorë në zhvillimin tuaj.
Ne si qeveri kemi një vizion të qartë, që vetëm nëpërmjet inovacionit dhe digjitalizimit, ekonomia shqiptare do të vazhdojë të zhvillohet. Sa i përket zhvillimeve dhe përdorimit të inovacionit në qeveri, ne kemi treguar tashmë shumë qartë që teknologjia e informacionit është brenda çdo procesi të punës tonë në dhënien e shërbimeve apo edhe në punët tona të përditshme.” – u shpreh Ministrja Ibrahimaj, – ndërsa theksoi se është mëse e nevojshme që sektori privat të ketë një përdorim më te gjerë të inovacionit në shërbimet e tij.
Me gjithë zhvillimet dhe benefitet që ky sektor i inovacionit, ka sjellë në shërbimet qeveritare shohim që në fakt në sektorin privat është më pak i përdorur. Ne shohim që ka, mendojmë që ka një potencial shumë të lartë të rritjes së produktivitetit, të rritjes së efikasitetit, të reduktimit të kostove.” – u shpreh ajo.
Më tej, Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se ka ardhur koha, ku financimi mos të jetë thjesht i bazuar në kreditim, por të përdoren instrumente të reja të financimit.
“Ne besojmë fort që tashmë ka ardhur koha, ku financimi mos të jetë thjesht i bazuar në kreditim, pra sektori bankar mos të jetë instrumenti i vetëm i përdorur nga sektori i ndërtimit për financimin, Bota ka filluar të përdorë instrumente të rinj nëpërmjet teknologjive të avancuara blockchain dhe nëpërmjet ndërlidhjes që asetet tuaja ose projekte tuaja në real estate, qoftë në turizëm apo në qendrat komerciale mund të përdoren me qëllim që të tërheqin financimet e investitorëve institucionalë botërorë, të cilët gjithmonë e më shumë kanë interes për të investuar në Shqipëri, jo gjithmonë të përqendruar në projekte të tëra dhe të plota, por edhe në copëza projektesh.” – u shpreh Ministrja Ibrahimaj.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Të them unë nja dy gjëra sepse faktikisht është me rëndësi të shpjegohet besoj pse u mblodhëm sot këtu me përfaqësuesit e këtij startup-i. Pasi u njohëm me punën e tyre dhe me potencialin e madh që ka puna e tyre për gjithë sektorin e ndërtimit në një takim të mëparshëm që ne bëmë me komunistin e inovacionit dhe menduam që të ndihmonim për të bërë këtë prezantim në mënyrë që të gjithë ju të njiheni me faktin që edhe këtu në Tiranë keni një derë ku mund të trokisni dhe një grup me të cilin mund të diskutoni për të bashkëpunuar në funksionin të financimit të projekteve.
Në ndërkohë, ne kemi pasur në periudhën e fundit disa fonde të interesuara, nuk është i pari, por ajo që e bën specifik këtë ekip është që është një ekip këtu në Shqipëri dhe që e bën këtë punë nga Shqipëria. Natyrisht, siç e prezantuan dhe vetë, bazuar në një marrëveshje dhe një bashkëpunim që kanw me një nga kompanitë më të mëdha të botës në këtë fushë.
Ndërkohë që, fonde të tjera nga Shtetet e Bashkuara apo nga Britania e Madhe apo nga Gjermania kanë ardhur më parë dhe kanë shprehur interes për të investuar shuma të mëdha në fushën e ndërtimit edhe në funksion të interesit shumë të lartë që ka Shqipëria sot edhe të shumë lëvizjeve që po ndodhin në tërësi në aspektin e nevojave të kategorive të ndryshme profesionale kudo në Europë apo rreth Europës për të spostuar në vende të sigurta me stabilitet etj.
Ajo që është e padiskutueshme është që ky moment do vinte, sepse siç e tha zonja, nuk është një gjë që po ndodh për herë të parë, po na ndodh ne për herë të parë, por edhe ato projektet që u demonstruan aty me imazhe faktikisht, janë projektet tw financuara nga institucione dhe nga fonde investimesh që nuk janw banka drejtpërdrejtw dhe që përfaqësojnë investitorë të interesuar, që nga investitorë të mëdhenj, deri te investitorë fare të vegjël, që janë investitorë që duan të blejnë një apartament apo duan të blejnë një shtëpi në plazh.
Tani çfarë duhet të ndajmw bashkarisht nga pikëpamja e funksionimit të këtij kanali? Që ky kanal të funksionojë, duhet të garantohen disa gjëra, që unë mendoj se janë të garantueshme, por që kërkojnë një kapërcim të rëndësishëm nga komuniteti i investitorëve dhe komuniteti i ndërtuesve në Shqipëri, që është besueshmëria e projekteve.
Projektet me arkitektët e huaj kanë ngjallur një interesim shumë të madh botërisht, i cili tani ka filluar të shtrihet edhe në fushën e investitorëve. Nuk është më një interesim kulturor ose një interesim thjesht i komunitetit të arkitektëve bashkëkohorë në botë, por është një interesim i investitorëve.
Mirëpo, nga një anë është besueshmëria e arkitektëve, por nga ana tjetër është besueshmëria e vetë projektit për t’u realizuar, ashtu siç e ka paraparë arkitekti dhe jo për t’u marrë leja me projektin e arkitektit dhe pastaj për të përfunduar në fund një projekt që as arkitekti vetë nuk e njeh më si projektin e vet dhe ky është një problem që ne e kemi sot, po e kemi sot të shtruar në tryezë. Si do të arrijmë që projektet t’i realizojmë besnikërisht? Sepse bëhet gjithë ajo punë e madhe nga arkitektët, bashkë me natyrisht bashkë me investitorët dhe me ndërtuesit. Bëhet gjithë ajo punë për t’i filtruar dhe për t’i kaluar në procesin e aprovimit, jepet leja dhe pastaj gjëja shkon në një drejtim të paditur, në një pjesë shumë të madhe të rasteve. Në një drejtim të paditur, ku unë nuk po diskutoj këtu detaje të vogla, po diskutoj deri në volumet që ndryshojnë.
Këtu natyrisht, që nga një anë është detyra jonë që të adresojmë këtë problematikë përmes masave të reja ligjore, që patjetër do të përfshijnë arkitektin si personi garant i projektit, që mban përgjegjësi morale dhe ligjore për realizimin e projektit. Por, nga ana tjetër, kjo nuk është çështje thjesht masash ligjore, por çështje vetëdijeje nga ana e investitorëve dhe ndërtuesve për të aksesuar këtë treg komplet të ri financiar, që mund të bëhet një burim shumë i shpejtë, shumë i thjeshtë, shumë i konsiderueshëm të ardhurash në mënyrë që ndërtimi të mos bazohet tek parashitja dhe të mos bazohet tek kleringu, sepse janë dy forma që ishin të kuptueshme dhe të pranueshme për një periudhë të caktuar kohe, por nuk mund të jenë më as të kuptueshme, as të pranueshme sot, kur mundësitë janë për të pasur akses në forma të tjera financimi.
Në një farë mënyre edhe kjo formulë investimi që u shpjegua këtu, është një parashitje, por është një parashitje e bazuar tek garancia e investimit, që ta jep fakti se ke menjëherë në dispozicion likuiditet për të ecur pa u angazhuar dhe pa angazhuar njerëz që në gropë, por duke angazhuar financim, pra faktikisht duke pasur krahët të mbuluar me financim dhe duke arritur që të shtosh vlerën e produktit tënd final, që tjetër është kur e shet në gropë, tjetër është kur e shet në fund. Se ne kemi parë se si ka ndodhur që apartamentet blera në gropë rishiten nga ata që i kanë blerë në gropë, kur ka mbaruar puna dhe rishiten me një çmim shumë më të lartë që e fiton ai që ka blerë në gropë, nuk e fiton ai që ka ndërtuar dhe kjo në aspektin tonë, flas në aspektin e interesit publik ka të bëjë me cilësinë dhe kohën në cilën realizohen projektet, sepse një gjë që unë e dëgjova në prezantimin e mëparshëm, por nuk e thanë sot se kishin emocione përpara gjithë këtyre peshkaqenëve, ata peshqit e vegjël që folën, është koha.
Ata investitorët institucionalë duan kohën, duan të dinë kohën. Pra, nuk mund t’i japësh një projekt për një godinë në Tiranë dhe pastaj projekti të marri dhjetë vjet për t’u realizuar, nuk funksionon. Ata duan të dinë kur fillon, kur mbaron dhe çfarë kapacitetesh ka për ta filluar dhe mbaruar në kohë. Është shumë e rëndësishme koha.
Natyrisht, këtu pastaj përfshihen faktorë të tjerë që kanë të bëjnë me kapacitetet ndërtimore të kompanive me krahun e kualifikuar të punës që ju e dini, është bërë shumë i çmuar dhe nevojat shtohen. Dhe për këtë duhet parë mundësia e krijimit të sinergjive me kompani ndërkombëtare edhe ndërtimi për të fituar përmes kohës atë që faktikisht nuk e humbet në dukje, por e humbet nga kohëzgjatja e paarsyeshme e një projekti.
Për ne, nga ana jonë është shumë e rëndësishme që kjo bazë e re që kemi krijuar me këtë rrjet arkitektësh ndërkombëtarë që kështu të koncentruar në një vend nuk e ka asnjë vend, kjo është e vërteta, të jetë baza e një zhvillimi të ri në të gjitha aspektet, sepse siç kush ka punuar dhe punon me ta e ka parë, nuk është çështja thjeshtë e marrjes së një arkitekti, e jo të një tjetri, por është çështja e sjelljes së një kulture komplet tjetër të të parit të gjërave, e një kulture pune komplet tjetër nga ajo që mësohet pa praninë e tyre, e një shkollë të jashtëzakonshme për të gjitha qytetet tona lokalë, që duke punuar me këta mjeshtra marrin zanatin, jo më nga bankat e shkollës dhe as e ushtrojnë zanatin me photoshop-et që bëjnë çdonjërin t’i duket vetja se është arkitekt i madh, por nga ata që punojnë në kohë reale me projektin. Për të shkuar dhe për të bërë një stazh në studiot e atyre arkitektëve është e pamundur faktikisht. Është ëndrra e çdo studenti në Europë dhe në Amerikë që të mund të bëjë një stazh në studion e tyre.
Ndërkohë që ne kemi krijuar kushtet që të gjitha studiot e arkitektëve tanë lokalë të zhvillojnë një stazh real, në kohë reale dhe unë jam i bindur që nga kjo që po ndodh sot në 5 – 10 vitet e ardhshme, Shqipëria pa diskutim do të ketë një, dy të paktën emra të mëdhenj në arkitekturën botërore, sepse Shqipëria ka talente, por shkolla jonë e arkitekturës nuk është për ta thënë me fjalë të buta, ndër më të mirat në Europë dhe, edhe sikur të ishte atë që e mëson në praktikën e përditshme, duke punuar me investitorë, duke punuar me ndërtues, duke punuar me projekte të këtyre përmasave, të këtyre ambicieve, nuk e mëson kurrë në bankat e shkollës dhe nuk e mëson kurrë në jetë pa pasur këtë shans të madh që të punosh me njerëz që kanë këto lloj cilësish edhe që kanë këto lloj skuadrash.
Ju e keni parë vetë.
Ama, nga ana tjetër, është detyra jonë e përbashkët që këta njerëz t’i mbajmë lidhur me vendin tonë, sepse është një kapacitet i jashtëzakonshëm, një kapital i jashtëzakonshëm njerëzor që është akumuluar dhe do t’i mbajmë të lidhur, duke punuar besnikërisht me ta. Duke mos e tradhtuar atë dëshirë, edhe gjithë atë energji dhe atë punë që ata bëjnë për projektet këtu, duke devijuar nga projektet që përtej faktit që është një shkelje e ligjit, është edhe një shqelm që i jepet një krijese që ka potencial të jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
Nëse ne do të arrijmë t’i realizojmë ato projekte besnikërisht, Shqipëria do të bëhet destinacion nga më të rëndësishmit në Europë për turizmin arkitektonik. Një godinë bëri Bilbao dhe ndryshoi ekonomia e atij qyteti. Nëse ne arrijmë që projektet që kemi futur në proces t’i realizojmë, po ju them, që do të jetë një gjë e jashtëzakonshme për kulturën, për trashëgiminë, po edhe për ekonominë tonë.
Dhe për t’u kthyer tek objekti i takimit, unë mendoj që gjëja më e udhës është që ju të merrni kontakte të veçanta me grupin e këtyre arkitektëve financiarë po i quaj, që ka vërtetë një potencial të madh për të zhvilluar dhe për të ndihmuar në zhvillimin e projektit tuaja, që të merrni kontakt konkret, tu tregoni projektet, të dëgjoni konkretisht se çfarë ata bëjnë dhe se si ata realizojnë këtë gjë, sepse po ju them që fondet sot në dispozicion për të investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri janë pa limit.
Ne e kemi parë, janë disa fonde që na kanë ardhur këtu dhe flasin në shifra nga 100, nga 500 në 1 miliardw, në 2 miliardw, në 3 miliardw, të gatshëm që të investojnë me forma të ndryshme me bashkëfinancim dhe në bashkëpunim me investitorët dhe me ndërtuesit tanë, por ajo që ne na ka penguar që t’i nxisim që ta bëjnë këtë gjë menjëherë është frika e madhe se mos gjendemi në kushtet kur dy kushtet themelore për këto fonde, që janë koha dhe cilësia, nuk përmbushen dhe në qoftë se nuk përmbushen, mjafton një dështim i madh që këto fonde mos afrohen më në Shqipëri për 20 vjet.
Kështu kemi dashur të jemi të ngadaltë dhe ndërkohë dua t’ju informoj po ashtu që tani kemi filluar dhe këtë vit do ta çojmë më tutje, po në dy-tre vjet në vijim, do ta bëjmë shumë intensive pjesëmarrjen tonë në panairet dhe në ekspozitat e mëdha, Real Estate, të pasurive imobiliare për të prezantuar projektet, për të prezantuar investimet potenciale, për të prezantuar investitorët, ju domethënë, me palë të tjera të interesuar, por nga ana tjetër, e gjitha kjo kërkon garanci. Garancia është realizimi i projekteve në një mënyrë shumë besnike dhe prandaj ne do të bëjmë çmos që nga ana jonë të ndërtojmë një plan masash të reja, represive që do duhet të balancojnë pjesën e gjithë mbështetjes dhe të gjithë kanaleve të reja që do përpiqemi të hapim për ju dhe për industrinë e ndërtimit. Pra “karrota nga një anë, shkopi nga ana tjetër”, sepse në të kundërt e kemi të pamundur.
E kemi të pamundur dhe mund të humbasim një shans historik dhe nuk do të afrohet më njeri për të financuar dhe nuk mundet dot këto projekte të mëdha të realizohen ashtu siç duhet, duke u mbështetur tek shitja në gropë, duke u mbështetur tek kleringu dhe duke u mbështetur thjesht tek blerësit që sjell rasti brenda për brenda vendit.
Kështu qëm, gjithë ato hapa që faktikisht u prezantuan këtu, janë hapa që do të duhet që ne t’i parashohim edhe ligjërisht duke përfshirë garancitë për lejet, duke përfshirë “listën e zezë” të ndërtuesve që nuk respektojnë rregullat dhe pamundësinë për të marrë më leje dhe shumë gjëra të tjera që bota i ka dhe që ka ardhur koha t’i vëmë edhe ne. Ndërkohë që, patjetër do shikojmë edhe çdo gjë që e lehtëson punën dhe kjo që po bëjmë sot, është pikërisht një gjërat që mund të ndihmojë në lehtësinë e punës.
Në mbyllje do ju sugjeroja që mbas takimit ti hedhim një sy godinës këtu për të parë disa gjëra që mbase iu vlejnë. Ne do ta vendosim si kusht që kantieret e ndërtimit do të kenë kamera dhe do të monitorohen 24 orë në 24. Kjo gjë pa diskutim do t’ju vlejë edhe juve në ndjekjen e punëve dhe në praktikën tuaj, por është shumë e vlefshme për të gjitha aspektet që lidhen me sigurinë dhe me garantimin e projektit. Dhe diku në një nga mjediset këtu do shikoni që përmes një programi monitorimi me Inteligjencë Artificiale mund të ndiqet kantieri nga larg dhe mund të shikohet edhe korrektësia e punës në raport me projektin, jo thjesht perimetrin.
Po përfundojmë në ndërkohë edhe qendrën e monitorimit me dronët të integruar së bashku me satelitët dhe edhe kjo do të na japë mundësi që të ndjekim në kohë reale të gjitha zhvillimet në territor, por do ju sugjeroja që të shikoni disa gjëra që bëhen në këtë godinë për të pasur një sens të nevojës që kompanitë tuaja, se përgjithësisht këtu besoj janë kompani të mëdha të angazhojnë edhe një ekip për kërkimin dhe për inovacionin, është i domosdoshëm. Duket sikur është një para e hedhur kot, po është para e hedhur më plotë se çdo gjë tjetër. Dhe ne do ta vendosim për të gjitha kompanitë që kanë mbi 100 punonjës, si fillim, do të vendosim që do të jetë e detyrueshme të kenë një departament të inovacionit që të merret me gjithë pjesën e teknologjisë dhe do t’i bëj shërbim më të mirë çdo kompanie pa diskutim dhe do të na përgatisë për atë që na pret në aspektin e biznesit privat në momentin që anëtarësohemi në Bashkimin Europian. Ku do t’ju sugjeroja që të informoheni sa më shumë se ç’a do ndodhi. Do jetë një sfidë jashtëzakonisht e madhe për kompanitë tona që t’i mbijetojnë atij tregu dhe jo e pamundur se përderisa e kanë bërë të tjerët, s’kemi pse nuk e bëjmë ne, por e vështirë dhe sa më shumë përgatitemi sot, aq më të lehtë do ta kemi në momentin kur do bëhemi pjesë e Komunitetit Europian dhe në aspektin e biznesit.
Ju falënderoj shumë për takimin dhe për vëmendjen!