Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Forumin Europian Alpbach, Austri - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama merr pjesë në Forumin Europian Alpbach, Austri

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Forumin Europian  Alpbach, i cili po zhvillohet në qytetin Alpbach të Austrisë.

Forumi Evropian Alpbach (EFA) është një platformë që bashkërendon idetë për një Evropë të fuqizuar dhe demokratike. Ai bashkon gjeneratën e ardhshme të liderëve në Evropë me mendjet, vendimmarrësit dhe ekspertët më novatorë nga politika, biznesi, shkenca, kultura dhe shoqëria civile. Këtë vit, në Forumin Evropian Alpbach (EFA) po shqyrtohen dhe diskutohen katër temat të cilat janë qendrore për Evropën: klima, siguria, financat dhe demokracia e sundimi i ligjit.

Dita e sotme e forumit u çel me seancën plenare me temë “Zgjimi Gjeopolitik i BE-së”, e cila u zhvillua në Qendrën e Kongreseve në  Alpbach.

Kryeministri Edi Rama iu bashkua diskutimeve në panel mbi temën, e cila këndvështroi mes të tjerash agresionin rus mbi Ukrainë, si një thirrje zgjimi për BE, me fokus në qëndrueshmërinë që do të ketë ky zgjim gjeopolitik, si dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes në planin afatgjatë.

* * *

Matthew Helmut Karnitsching, kryekorrespondent i Politiko për Europën: Kryeministër Rama, ju keni një pozicion interesant se jeni anëtar i NATO-s por nuk jeni anëtarë të BE-së, ende. Dua të diskutoj reagimet e BE-së ndaj kësaj krize në veçanti dhe nëse ka pasur këtë zgjim për të cilin po flasin të gjithë? Si i perceptoni ju veprimet e BE-së gjatë këtij gjysmë viti të shkuar të kësaj krize?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, sinqerisht nuk është pozicion interesant se ne duam të jemi edhe në BE, por sigurisht është një mënyrë për ta parë si interesante.

Mënyra sesi unë i kuptoj gjërat është se kjo luftë po sfidon vetë themelet e shoqërive tona në anën perëndimore dhe në fund, mendoj se çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me se sa të zgjon lufta sepse bombat të zgjojnë zakonisht, nuk mund të flesh, por sesa rezistent mund të jetë perëndimi duke ditur që kufiri i dhimbjes së rusëve është shumë më i lartë dhe duke e ditur se t’i heqësh nga tryeza shampanjën, dikujt që është mësuar të pijë shampanjë, duket më e dhimbshme sesa t’i marrësh nga tryeza bukë dikujt që është mësuar të mos hajë shumë bukë. Pra, çështja e vërtetë këtu është rezistenca.

Ju cekët paksa në hyrjen tuaj se si disa gjëra kanë nisur të ndryshojnë, se si emocionet, solidariteti i fortë i muajve të parë, duket sikur është më pak entuziast pasi jeta e përditshme nuk është e lehtë dhe kështu me radhë. Kjo do të sfidojë jo vetëm Bashkimin Europian apo Europën por vetë themelet.

Nëse do të shtoja një pikë këtu, ajo është se nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Në rregull, më shumë solidaritet, më shumë ndjesi përbashkësie, më shumë takime, por Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket sikur po ndryshon në asnjë farë mënyrë. Është më së tepërmi një lloj inercie midis një lufte ku nga njëra anë janë ruset, nga ana tjetër është Ukraina dhe amerikanët që po japin një mbështetje shumë të madhe dhe Europa që po bashkohet me këtë mbështetje aq sa mundet çdo vend, por nuk është diçka e tillë si Europa, këtu ka vende të ndryshme me një qëndrim të përbashkët, që në rregull, është një qëndrim në parim, por në fund të fundit nuk duket sikur janë të gjitha premisat për të qenë tejet optimist.

-Ivan Korcok, Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë: Ashtu siç kryeministri Rama sapo theksoi, ka shumë retorikë, ka shumë takime të vendeve individuale, disa prej tyre po bëjnë më shumë se të tjera. A shihni vërtetë një qasje afatgjatë të përbashkët nga BE-ja kundrejt kësaj krize apo do mbetet ky mozaik copëzash ku kemi Holandën, Republikën Çeke, disa vende në rajonin baltik e kështu ne radhë, që po bëjnë më shumë se disa vende në Europën Perëndimore që mbeten anonime?

Po të shohim rajonet e tjera më të afërta, Ballkani Perëndimor, për shembull, a ka qenë qasja jonë ndaj Ballkanit Perëndimor një qasje strategjike, a kemi marrë parasysh kontekstin gjeo-politik kur i lamë kaq gjatë të presin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?

Nëse ne do kishim qenë gjeopolitikë dhe strategjikë, ata duhet të kishin nisur negociatat shume vite më parë, shumë shumë vite më parë. Kjo qasje ndaj Ballkanit Perëndimor bie në kundërshtim me atë çka duhet të ishte, po të flisnim për natyrën gjeopolitike të saj.

Matthew Helmut Karnitsching, kryekorrespondent i Politiko për Europën: Edi Rama, vendit tuaj i janë bërë shumë premtime lidhur me anëtarësimin, ashtu siç dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, qysh përpara luftës. A e ndjeni që tashmë ka një stimul të ri për ta çuar përpara anëtarësimin apo vazhdoni të dëgjoni po të njëjtat gjëra? Sepse edhe Korçok përmendi se si Europa nuk mund të pretendojë të jetë aktor gjeopolitik pa ndrequr, së pari, oborrin e vet, pa e vënë në rregull. Çfarë mendoni?

Kryeministri Edi Rama: Më duhet ta falenderoj Ivanin sepse ai, në mënyrë të përsosur, shtjelloi, si diplomat i aftë, atë çka unë po përpiqesha të përmendja si artist. Ideja është si vijon.

Në qoftë se do ta shohim në një pamje të përgjithshme do të ndjeheshim mirë, por po të hynim në disa detaje, do të kuptojmë që ajo çka shohim në panoramën e përgjithshme, për shembull, vullnetin për të vendosur sanksione, Paketën e Parë, Paketën e Dytë, Paketën e Tretë, është reagues, që është një mënyrë mjaft e mirë për të reaguar, por ndërkohë nuk është një veprim pro aktiv për të ndryshuar disa gjëra që ekzistojnë dhe që thërrasin për drejtësi.

Më lini t’iu jap një shembull, Kosova. Kosova u çlirua nga fuqitë e mëdha, fuqitë demokratike nga një regjim barbar. Por pa gjejeni? Nën regjimin barbar, ata mund të lëviznin lirisht nëpër Europë. Me çlirimtarët ata janë peng, nuk mund të lëvizin lirisht. Kështu që, gjyshërit e fëmijëve që kanë lindur në Kosovën e lirë dhe që tashmë janë në moshë madhore mund të shkonin në Gjermani, të vinin në Austri, edhe të punonin. Fëmijët nuk mund të lëvizin sepse nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën.

Pra, ç’është ky zgjim gjeopolitik kur ke Ballkanin Perëndimor aty në zemër të Europës dhe ke Bashkimin Europian, me aq sa di unë, realitetin e vetëm gjeografik në historinë e hartave me një kufi të jashtëm dhe me një kufi të brendshëm sepse për të hyrë në Ballkanin Perëndimor duhet të hysh së pari, në Bashkimin Europian; nuk mund të hysh në asnjë prej vendeve të Ballkanit pa kaluar së pari në Bashkimin Europian.

Ky realitet gjeografik nuk trajtohet në mënyrën e duhur politikisht. Ndërkohë që ka pasur liberalizim të vizave për dhjetëra e miliona njerëz, – për shembull, Ukrainën, Gjeorgjinë, -më pak se 2 milionë njerëz mbahen peng aty në zemër të Europës, pse?

Nga ana tjetër, ka tensione Mitrovica e jo Mitrovica. Kur vjen fjala për të mbështetur suksesin e dialogut, askush nuk mendon, “Jepini këtyre njerëzve lirinë të lëvizin” dhe thojuni, “Jeni të lirë tashmë të lëvizni”, por në të njëjtën kohë, le të ketë më shumë dialog konstruktiv.

Së dyti, shihni çfarë ndodh me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk doja t’i kthehesha kësaj gjëje sepse mendova që ka përfunduar, por le t’i kthehemi për hir të diskutimit. Një vend i NATO-s, Bullgaria, në mes të një lufte, që merr peng dy vende të tjera të NATO-s. Për çfarë?

Për disa çështje historike dhe Bashkimi Europian shndërrohet në një katedër e pafuqishme shtetesh përballë një shteti që ka disa pretendime historike. Nuk kam  kurrfarë gjëje ndaj pretendimeve historike, por kur këto çështje historike pretendohen nga politikanët, nuk ka shanse për të zgjidhur të vjetrën, por ka shanse për të krijuar probleme të reja historike.

Së dyti, si mund të jetë Bashkimi Europian një vend ku t’i sjell çështjet historike mes njëri-tjetrit? Imagjinoni nëse Sllovakia, Republika Çeke apo Austria apo Gjermania apo anëtarët këtu, të fillonin të mendonin në këto terma?

Së treti, mendoj se nëse përpara luftës kjo ide franceze e një komuniteti të ri politik europian ishte më tepër si një shmangie nga çështja e vërtetë, anëtarësimi, sot ka një potencial të madh për t’u trajtuar, shtjelluar e për t’u përdorur si një element suksesi për të krijuar diçka tjetër të re dhe për të sjellë gjithkënd rreth tryezës sepse ne nuk jemi BE-ja por ne jemi E, Europa, nuk kemi B-në dhe nuk e dimë se kur do ta kemi por E-në e kemi. Kjo B që na mungon është njësoj si të jesh europian i kategorisë së dytë.

 

–      A ndjeni se ka një stimul?

Mos më pyetni se çfarë ndjej sepse do zhgënjehesh. Thjesht po përpiqen t’iu them se çfarë mendoj. Ajo çka ndjej? Nuk është kohë e mirë për ndjenjat. Ajo çfarë po përpiqesha t’ju thoja është se kemi një pandemi dhe gjithkush po kërkon vaksina. Jemi në mes të Europës, me shumë lidhje, me të gjithë televizionet gjithkund, çdo familje që ka njerëz në Itali, në Greqi, Gjermani e të tjera, këta njerëz mblidhen në Bruksel, shpërndajnë vaksina dhe nuk e vrasin mendjen, për ta thënë butë, për këto 6 vende në mes të Europës që kanë së paku nevojë për një shenjë solidariteti duke i thënë që kemi disa vaksina për infermierët, për mjekët tuaj. Jo. E pa gjejeni pastaj. Na duhet të vrapojmë drejt Kinës, Rusisë dhe Turqisë.

Kur diskutojmë gjeostrategjinë flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, por kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia. Pa Presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat.

Mendoj që ka ardhur koha të krijojmë këtë komunitet, ku pavarësisht nëse e ke apo jo B-në, të ulesh së bashku e të diskutosh së bashku për çështje të mëdha si ndryshimi o klimës, si lufta, si sanksionet, një gjë apo një tjetër, sepse në të kundërt si do ta mbash unitetin, si do të mbash përbashkësinë e qëllimeve. Po dëgjoja me shumë kujdes, çështja është që mendoni për qytetarët në Gjermani që kanë pasur këtë udhëtim me kosto të lirë, me 9 euro për tre muaj në transportin publik. Nuk e kanë më. Tashmë janë të zemëruar sepse duan ta kenë sërish këtë udhëtim 9 eurosh dhe kur flasim për Gjermaninë, imagjinoni Ballkanin Perëndimor dhe vendet latine që kanë nevojë të mbështeten.

Pika e fundit që kam është që ndërkohë kjo luftë ka ardhur edhe me një shans jashtë mase, jashtë mase interesant po të mund ta përdorja këtë fjalë, për të bërë një tranzicion më të shpejtë, të gjelbër, jo më për shkak të dëshirës, por për shkak të nevojës. Ne mund të ecim shumë më shpejt për të ndryshuar tërë natyrën e prodhimit tonë të energjisë. Por për këtë kemi nevojë për Arabinë Saudite për shembull. Kemi nevojë të shohim nga Lindja e Mesme. E po përmend Arabinë Saudite sepse ka një potencial të stërmadh për të krijuar bashkëpunim bazuar në vizionin e 2030 që po kështu ka të bëjë me eksportimin, pra për ta bërë Arabinë Saudite, imagjinojeni, ata janë të ulur mbi naftë e duan të bëhen të vetëmjaftueshëm në energjinë e gjelbër dhe eksportues neto të energjisë së gjelbër.

Pra, bëhen shumë çështje bashkë. Kësisoj kjo rrugë vjen me shumë rreziqe, por dhe me potencial të madh. Në fund të fundit, sa më të pasura të jenë vendet, aq më të mëdha janë problemet për të pasur rezistencë, kjo është çështja. Ata kanë para, por aftësia për të sakrifikuar është shumë më e ulët.

Problemi është se ajo çfarë tha Ivani, është absolutisht diçka që hedh dritë mbi faktin se pse disa gjëra nuk janë menduar më parë. Jo sepse njerëzit nuk dinë, por sepse kujtesa po zbehet, është një brez që kurrë nuk ka parë një luftë, që kurrë nuk ka menduar se pse ekziston pikë së pari Bashkimi Europian, si vendi i duhur për të parandaluar luftërat e për të forcuar sigurinë e tashmë kjo është sfida.

Kam dhe një pikë të fundit, ka një gjë për të cilën mendoj shumë. Për shkak të natyrës demokratike të shoqërive, por jo vetëm për shkak të kësaj, por dhe për shkak të yryshit pa frena të lajmeve të rreme në të gjitha mjediset tona, kemi një disavantazh të madh sepse ndërkohë që nuk mund të krijojmë plasa në murin e propagandës së Putinit, Putini mund të tej çajë çdo ditë perden e informacionit në vendet tona. Është po kështu një mundësi e madhe për të menduar seriozisht se si të luftojmë lajmet e rreme. Liria e shtrirjes nuk është liri e fjalës e ndërkohë që liria e shtrirjes është bërë tërësisht e paprekshme, liria e fjalës gjithnjë e më pak, e më pak po bëhet e fuqishme.

Previous Nis funksionimin “Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë” (AKFAL), Ministrja Kushi prezanton drejtuesin

Leave Your Comment