Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët të 5 liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Ballkanit të Hapur të mbajtur në Ohër - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët të 5 liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Ballkanit të Hapur të mbajtur në Ohër

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për mikpritjen dhe për gjithë këtë atmosferë pozitive të krijuar këtu. Faleminderit të gjithë atyre që morën mundimin të jenë këtu bashkë me ne. Nuk dua të zgjatem.

Ballkani i Hapur lindi si një ide e tre njerëzve, sot nuk është më ideja e tre njerëzve dhe nuk është më një punë e tre njerëzve. Sot, Ballkani i Hapur është i të gjithë njerëzve dhe do të jetë gjithmonë e më shumë i gjithnjë e më shumë njerëzve sepse mjafton të vish me makinë këtu në Ohër dhe të kalosh doganën për të parë ndryshimin ku një tabelë e thjeshtë shkruan “Korridori i Gjelbër i Ballkanit të Hapur”, që për të gjithë ata, të cilët transportojnë produktet e punës dhe të djersës së tyre do të thotë një çlirim i madh, një çlirim i madh nga muret e rrëzuar dhe falë rrugëve të hapura për të ardhur, për të lëvizur më shpejt dhe për të mos humbur kohë të pafundme për të çuar një prodhim apo mall nga një pikë në një tjetër.

Ne do të ngremë, siç e tha dhe Presidenti, një grup të përbashkët për krizën dhe zgjidhjet konkrete sepse kriza e thellë, që dhe sipas gjasave mund të thellohet më shumë, e cila ka pushtuar, jo vetëm kontinentin tonë, por mbarë botën, kërkon patjetër qëndrueshmëri dhe përpjekjen e çdo vendi ,por çdo gjë që ne mund të bëjmë për të lehtësuar barrën e secilit prej vendeve tona, falë bashkëpunimit mes vendeve tona, është diçka jashtëzakonisht e vyer në këtë moment kur edhe kokrra e fundit e grurit do të ketë një peshë të madhe sa një thes me grurë dhe kur edhe kilovati i fundit i energjisë do ketë një peshë sa një megavat.

Për këtë arsye, grupi ynë i përbashkët do të fillojë menjëherë nga puna ndërkohë që ne do ta adresojmë nëpërmjet stacioneve të tjera të Ballkanit të Hapur, duke filluar nga stacioni i parë në korrik, në një takim të ngushtë ballafaqimi të propozimeve të grupit të punës. Pastaj, në shtator në Beograd ku do jetë edicioni i parë i panairit të verërave dhe ushqimit të Ballkanit të Hapur, por ku do jenë të ftuar të gjithë sipërmarrësit dhe të gjithë qytetarët e të gjithë rajonit sepse politikanët mund të zgjedhin të rrinë këtu apo të mos vijnë këtu ndërkohë që ajo që ne duam është që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të përfshihen dhe të gjithë sipërmarrjet të kenë mundësi të përfshihen.

Natyrisht, ndërkohë që do zhvillohet Edicioni i parë i Panairit, ne do kemi dhe sesionin e sigurisë ushqimore së bashku. Pastaj, sesioni tjetër, Samiti i ardhshëm për sigurinë energjetike që do ta bëjmë në Shqipëri. Dihet që Shqipëria sot është qartësisht një pikë shumë e rëndësishme për rajonin nga pikëpamja e furnizimit me energji dhe nga ana tjetër, kemi shumë mundësi të jemi komplementarë për shkak të burimeve të ndryshme të energjisë e pastaj për konektivitetin, transportin. Këtu, edhe për turizmin dhe mjedisin me Malin e Zi, në mënyrë që ne të kemi sa më shumë sinergji.

E fundit që kam, më vjen shumë mirë që sot ne këtu jemi pesë, pavarësisht hezitimeve të mëparshme apo statuseve, është një tryezë e cila është, siç e tha Dritani sot paradite, një mundësi për të komunikuar dhe dialoguar dhe për të marrë më të mirën e mundshme në funksion të të mirës së përbashkët.

Do dëshiroja të ishim gjashtë dhe dëshiroj të jemi gjashtë, por një gjë është e sigurte. Pikërisht sepse është i njerëzve, i vendeve dhe i të ardhmes, Ballkani i hapur as nuk ndalet as nuk mbyllet. Kjo mbase është pak por e sigurt dhe kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton, thjeshtë është i destinuar të humbasë kohë të çmuar për të përfituar nga kjo nismë.

Ne jemi këtu dhe do vazhdojmë të jemi këtu sepse asnjë nga vendet tona nuk do shkojë diku tjetër. Nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin, e kemi parë se si ka ecur një histori dhjetëra e qindra vjeçare, duke qëndruar me kurriz nga njëri-tjetri e duke luftuar me njëri-tjetrin dhe fëmijët tanë meritojnë të kenë një hapësirë ku bekimi që i ka dhënë Zoti kësaj zone, me të gjitha pasuritë, me të gjitha bukuritë, me të gjithë diversitetin, të jetë baza e mirëqenies së tyre e ngritur mbi paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Faleminderit!

* * *

– Z. Rama, sa e komprometon deklarata e ministrit të Jashtëm rus që e mbështet “Open Balkan”, këtë nismë dhe në të vërtetë kjo nismë kë favorizon, Serbinë siç thotë ai, apo të gjitha vendet që janë pjese e saj  dhe a ka patur një reagim nga BE dhe SHBA që u bënë pjesë sot e këtij formati? Faleminderit!

 Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Bëra një xhiro falënderimesh në fillim dhe dua ta filloj përgjigjen e pyetjes së fundit me një falënderim të fundit, por jo për nga rëndësia. Dua të falënderoj Ali Ahmetin për praninë e tij këtu dhe dua të them që Ali Ahmeti është një nga pionierët e Ballkanit të Hapur edhe kur ne nuk ishim akoma këtu ku jemi, jo më të ishim në Ballkanin e Hapur dhe për këtë mjafton të shikohet çfarë është sot gjithë sistemi institucional i Maqedonisë së Veriut dhe çfarë ishte në kohën kur Ali Ahmetit i thoshin “po ulesh me armiqtë”. Me armiqtë që ishin në të njëjtën rrugicë dhe që ndajnë së bashku qiellin dhe tokën e këtij shteti, i cili është një shtet i ndërtuar nga dy popullsi shtet formuese, maqedonasit dhe shqiptarët.

Ishte një kohë kur as nuk mund të imagjinohej që gjuha shqipe do të ishte një gjuhë zyrtare, lërë pastaj të imagjinoje që kryetari i Parlamentit do ishte shqiptar, që dy zëvendës kryeministra do ishin shqiptarë, që ku di unë sa ministra do ishin shqiptarë dhe kështu me radhë. Pse i them këto? I them këto sepse kush do të dijë se çfarë është Ballkani i Hapur dhe ku duam të shkojmë ne, ka shumë mënyra për ta mësuar dhe një nga mënyrat është të shikojë rrugëtimin e Ali Ahmetit.

Është sot më mirë Maqedonia e Veriut nga pikëpamja e bashkëjetesës dhe e harmonisë mes shqiptarëve dhe maqedonasve apo është më keq? Është sot më mirë Maqedonia e Veriut në çdo pikëpamje falë kësaj bashkëjetese e apo është më keq? Ja ky është Ballkani i Hapur. Ti nuk e zgjedh se me kë të ka rënë, nga Zoti, të ndash qiellin dhe të ndash tokën, por ama ti zgjedh sesi të bashkëjetosh më të.

Nga ana tjetër dua të them diçka për ata që bëjnë pyetje lidhur me futjen apo daljen apo anëtarësimin në Ballkanin e Hapur. Fatmirësisht Ballkani i Hapur nuk është as OKB-ja as BE-ja. Në Ballkanin e Hapur nuk ka një proces anëtarësimi, nuk anëtarësohesh, integrohesh sipas dëshirës tënde. Se kështu siç bëhen pyetjet, i bie që ne tani bashkë me presidentin e Serbisë e me kryeministrin e Maqedonisë fillojmë t’i vëmë standarde e kushte të tjerëve, t’i japim mendimet,  të nxjerrim një raport-progresi, si keni ecur në këtë periudhë, hapen apo nuk hapen negociatat, anëtarësohuni në Ballkanin e Hapur dhe pastaj të fillojmë me veto. Duam dy po nuk do Serbia, do Serbia, po s’do Shqipëria. Fatmirësisht ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë Bashkimin Europian, po sesi e bëjmë punën në Ballkan, ne e kemi në dorë, se kemi parë si ka funksionuar puna me atë tregun e përbashkët për të cilin të gjithë flasin se është ajo gjëja e duhur. Është gjëja e duhur po, po ne Ballkanin e Hapur e kemi krijuar për të zbatuar ato që janë aty, tek parimet e tregut të përbashkët dhe ndryshimi cili është? Se aty tek tregu i përbashkët mund të vihet veto dhe njëri i vë veto dhe të gjithë rrinë pa kanale të gjelbra të operatorëve ekonomikë. Njëri tjetër vë veto, s’ka diploma të njehsuara. Del një tjetër vë veto, nuk ka shumë nga gjërat që ne po i bëjmë kështu që në këtë rast, kjo është.

Tani sa për ministrin e Jashtëm rus, tani bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë në oqeanin e diplomacisë botërore i cili është i mirënjohur për sarkazmat e tij dhe shumë peshq kanë rënë në atë rrjedhën e trukeve të tij sepse nëse ai do ishte mbështes i Ballkanit të Hapur, do ishte këtu. Si mund të jetë ai mbështetës i Ballkanit të Hapur? Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian nuk e duan Ballkanin e Hapur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë këtu sot, ai nuk është. Tani këtë lloj fabule ose këtë lloj narrative, ose këtë lloj ushqimi e hanë vetëm peshqit e Ballkanit të “mbyllur”. Dakord?

Peshqve të Ballkanit të “mbyllur” ne nuk kemi çfarë i bëjmë. I kemi në ujërat tona. Edhe ne lloje peshqish jemi, po të rrimë tek kjo fauna e detit por Ballkani i Hapur është për njerëzit dhe kaq.

E fundit që kam para se të flasë njeriu që e di ekzakt nëse është Rusia që e ka krijuar këtë, dua të them këtë, që të peshkosh në këtë ujin e historisë së marrëdhënieve ballkanike për të dëmtuar procese që janë në thyerje me të shkuarën dhe në ngjitje me të ardhmen, është shumë e kollajshme por nuk ka për të funksionuar. Ne nuk kemi pritur që Rusia të sulmojë Ukrainën për ta marrë vesh që Serbia ka një marrëdhënie të veçantë me Rusinë. As kemi pritur Ballkanin e Hapur apo nuk na ka penguar Ballkani i “mbyllur” për ta mësuar që ka një histori. Dhe as na ka penguar dhe as na pengon kjo histori, përkundrazi ne duhet të vazhdojmë këtë rrugë që të ndërtojmë një histori të re si të gjithë popujt dhe si të gjithë vendet që kanë ditur të ikin nga kthetrat e së shkuarës dhe ja ku janë sot.

Po e mbyll me fjalët e ambasadorit amerikan në Beograd që i tha mbrëmë në tavolinë. Dy bomba atomike ka hedhur Amerika mbi Japoninë dhe Amerika dhe Japonia janë aleatë shumë të ngushtë prej shumë kohësh. Nëse Japonia do kishte qëndruar me kurriz, nuk do ishte kjo që është. E kaluara ka shumë gjëra që na pengojnë, ka dhe shumë gjëra që na kërkojnë që t’i adresojmë, por sa më shumë që të jemi bashkë për të ardhmen aq më e mundur bëhet që edhe problemet e së kaluarës t’i shikojmë me të njëjtin sy. Nëse nuk kuptojmë këtë dhe nëse nuk kuptojmë se ne vijmë nga shumë histori të ndryshme dhe po i hyjmë çdo takimi me syrin se nga vjen ti e nga vij unë, ne nuk bëhemi kurrë bashkë. Për mua e rëndësishme është që sot eksportet e fermerit shqiptar falë Ballkanit të Hapur në Serbi dhe në Maqedoni ku ata eksportonin dhe më para, janë dyfishuar, kjo është e rëndësishme. Një shembull, ka edhe të tjerë.

Faleminderit!

Previous Krijohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, Manastirliu: Nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo private t’i shmanget akreditimit

Leave Your Comment