Kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët

Mirëdita dhe mirë se erdhët në këtë konferencë tradicionale të fundvitit, ku zakoni e do që të bëjmë një pasqyrë të këtij viti e natyrisht pastaj ju të bëni të gjitha pyetjet e të ngrini të gjitha çështjet që dëshironi.

Për hir të vërtetës, në këtë konferencë unë mund të them me plot gojën se ndjehem më mirë se në asnjë vit të mëparshëm, si rezultat i gjithë ecurisë së vitit që po mbyllim, i cili ka qenë pa diskutim viti më i mirë për Shqipërinë në çdo aspekt. Viti më i mirë në aspektin ekonomik, gjithmonë këtu duhet pasur parasysh paranteza, në raport me vitet e shkuara dhe jo në raport me sa shumë ende duhet bërë në çdo drejtim e në radhë të parë për rritjen e mëtejshme të ekonomisë kombëtare dhe të ekonomisë të familjeve shqiptare.

Viti më i mirë në aspektin e sigurisë.

Viti më i mirë në aspektin e shërbimeve publike të investimeve publike e të investimeve të huaja, të drejtpërdrejta.

Viti më i mirë në aspektin e pozicionit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Faktikisht ky vit do të mbyllet me një rritje ekonomike që e tejkalon ndjeshëm çdo parashikimi të bërë qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ne besojmë se shifra përfundimtare do të jetë afër 4%. 3.7% apo 3.8%.

Të ardhurat kanë qenë më të larta se asnjë vit më parë dhe me një rritje të ndjeshme mbi ato të parashikuara.

Në 9 mujorin e parë vetëm nga turizmi Shqipëria ka përfituar 3.2 miliard euro të hyra, që është një shifër shumë e lartë dhe pa asnjë krahasim me vitet e mëparshme. E këtu dua të bëj një parantezë për të gjithë ata që gabimisht e shohin rritjen e numrit të turistëve të palidhur me ekonominë e tyre dhe rëndom komentojnë se nuk na duhen turistët, na duhet ekonomia. Në fakt, turistët janë një nga kanalet më të rëndësishme të rritjes e të zhvillimit ekonomik dhe turizmi konsiderohet pjesë e të gjithë zërave të eksportit.

Po ashtu ky vit ka pasur rënie të mëtejshme të papunësisë reale dhe sot jemi me një papunësi që është më e ulta e të gjitha viteve deri tani. 10.5% dhe synimi është që vitin e ardhshëm të fillojmë të zbresim hap pas hapi nën 10%.

Investimet e huaja direkte kanë arritur një vlerë mbi 1 miliard euro ose afro 60 milionë euro mbi vitin e shkuar.

Paga minimale këtë vit u rrit në vlerën e 40 mijë lekëve, që praktikisht përkon falë forcimit të monedhës vendase si asnjëherë më parë, me 400 euro.

Po ashtu kanë filluar të gjitha programet e mbështetjeve dhe të kompensimeve qoftë për efektet e rritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për çdo të punësuar me pagë minimale, qoftë edhe për pensionet që falë indeksimeve të një pas njëshme të bëra gjatë këtij viti, kanë arritur në vlerën rreth 9%.

Paga në sektorin publik ka vazhduar të rriten ndjeshëm e vitin e ardhshëm, në qershor ato do të kenë një tjetër rritje të konsiderueshme të parashikuar tanimë në buxhetin e vitit 2024 ku arsimtarët, ushtarakët, punonjësit e policisë, mjekët dhe të gjithë punonjësit e administratës do të kenë një rritje që do ta çojë faktikisht pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro.

Filloi programi i mbështetjes me kreditë e garantuara nga qeveria për punonjësit e policisë, ushtarakët dhe mjekët, për çiftet e reja, për familjet e reja, deri në moshën 40 vjeç dhe ky program është i mbështetur financiarisht për të arritur fillimisht një shifër prej 1000 shtëpish për këto 3 kategori që janë edhe shërbëtorë 24 orë në 7 ditë të javës të shtetit e të qytetarëve të republikës së Shqipërisë.

Këtë vit kemi pasur një rritje të ndjeshme të prodhimit të energjisë me rreth 30% krahasuar me 1 vit më parë.  Janë mbështetur 2000 familje me instalimin e paneleve fotovoltaike me një  program që do të vazhdojë më tutje e do të rritet me mbështetje financiare për familjet që do të instalojnë panelet fotovoltaike. 2000 familje kanë qenë pjesë e hapit të parë të këtij programi.

Aeroporti i Tiranës është ngjitur tanimë në krye, krah për krah me aeroportin e Beogradit si aeroporti me numrin më të madh të pasagjerëve në rajon, diçka që ishte e paimagjinueshme disa vite më parë e ndërkohë është aeroporti me rritjen më të lartë të pasagjerëve në të gjithë klasifikimin e bërë nga Agjencia Europiane e Aviacionit Civil për të gjithë europën.

Mbi gjysmë milion udhëtarë kanë zbritur në portin e Sarandës. E nxora veç këtë shifër sepse më duket shumë domethënëse për jo vetëm çfarë ka ndodhur këtë vit por dhe për potencialin e jashtëzakonshëm që ka dhe për këtë arsye ne e kemi hapur rrugën për një investim të rëndësishëm në Sarandës për portin e ri turistik dhe njëkohësisht jemi në procesin e vlerësimit të një transformimi dhe të portit ekzistues të Sarandës.

Janë mbyllur këtë vit 37 projekte për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm në 29 bashki dhe numrit të banorëve të furnizuar 24 orë me ujë i janë shtuar 223 mijë banorë të tjerë.

Nuk dua t’ju marr shumë kohë dhe t’ju lodh me shifra, por besoj që në një konferencë si kjo është e pamundur që të shmangen të paktën një sërë shifrash që janë domethënëse dhe që nuk është rasti gjatë vitit që të thuhen e të ri thuhen.

Eksportet bujqësore kanë vazhduar të rriten. Vlera e 11 mujorit plus është 64.4 milionë euro. Ndërkohë kanë vazhduar investimet në infrastrukturën e ujitjes e të kullimit  dhe janë afro 20 mijë hektarë të tjera që kanë tanimë një infrastrukturë tërësisht të ripërtërirë të ujitjes e të kullimit, që i shtohen qindra e mijëra hektarëve të siguruara me ujitje dhe me kullim deri në vitin e shkuar. Ka vazhduar rehabilitimi i argjinaturave e janë pastruar përsëri qindra kilometra kanale kryesore kullues.

Më tej besoj është e rëndësishme që të vlerësohet me këtë rast puna realisht e lavdërueshme e bashkive të Përrenjasit, Roskovecit, Belshit, Skraparit dhe të Cërrikut. Cërriku i pari si pionier i një ndryshimi të ri të cilin ne kemi bërë përpjekje ta motivojmë këtë vit e do vazhdojmë shumë më fort vitin e ardhshëm në vazhdim, për qendrat e kompostimit të mbetjeve bujqësore, të cilat i rikthehen fermerëve duke rritur cilësinë e prodhimit, por njëkohësisht dhe duke garantuar një cikël të plotë të përpunimit të tyre dhe jo vetëm duke garantuar pastërti në të gjitha këto territore por edhe duke kthyer mbrapsht në formën e imputit të drejtpërdrejtë bujqësore, mbetjet e kompostuara e të ripërpunuara.

Programi i mbështetjes financiare të nënave e 3 fëmijë ka ecur shumë mirë.  Ashtu sikundër edhe programi i mbështetjes për rreth 60 mijë të moshuar mbi moshën 65 vjeç për fishat e diabetit. Në sistemin shëndetësor kanë vazhduar të bëhen investime të konsiderueshme, por një shifër që besoj vlen të sillet këtu është se janë punësuar 391 mjekw të rinj dhe 1079 infermierë.

Nuk po rendis numrin e spitaleve dhe të qendrave mjekësore që janë ndërtuar nga e para apo janë rindërtuar, por po ndalem tek suksesi spektakolar i Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, që sot, e them me plot gojën, është një ndër spitalet më të mira të rajonit dhe në Shqipëri është spitali që ofron shërbimin më të shkëlqyer, duke përfshirë edhe të gjitha strukturat private.

 

Kemi vazhduar me programin e laboratorëve smart në shkolla, janë instaluar në ndërkohë 12 laboratorët e parw të Inteligjencës Artificiale në shkollat publike dhe pas 100 laboratorëve smart që janë vënë në punë këtë vit do të vazhdojmë me 216 laboratorë të tjerë vitin e ardhshëm.

 

Këtë vit është rritur ndjeshëm paga e personelit akademik dhe është rritur me 40% financimi i arsimit të lartë.

 

Dua të mbyll këtë pasqyrë pa bërë inventarin e kantiereve të mëdha të punëve publike sepse i keni ndjekur, i keni para syve dhe viti që po mbyllim ka qenë viti me intensitetin më të madh të punës në kantierë të mëdha të infrastrukturës, të rrugëve kombëtare, janë një sërë aksesh të reja ndërkohë që janë vënë, më në fund, në vijë edhe punët në tunelin e Murrizit, i cili, së bashku me tunelin e Llogarasë, do të hapen vitin e ardhshëm, ndërkohë që janë duke u finalizuar edhe kontratat për të filluar punën me segmente të tjera të Korridorit Blu, që është edhe vepra më madhore e infrastrukturës, ashtu sikundër kemi marrë edhe përgjigjen pozitive për segmentin hekurudhor Durrës- Han i Hotit, si edhe presim përgjigje pozitive për një tjetër pjesë të segmentit hekurudhor Durrës- Pogradec, që është pjesë e Korridorit të Tetë, ku ndërkohë po zhvillohen intensivisht punimet për korridorin rrugor.

 

Përsa i përket dy pikave që thashë, e para, jemi shumë të lumtur, kjo është fjala, të lumtur, me programin e sportit në shkolla, ka qenë një sukses i shumëpritur. Kemi mbi 10 mijë fëmijë që janë angazhuar falë lidershipit dhe punës së shkëlqyer organizative të Komitetit Olimpik Shqiptar në lëvizjen sportive me skuadrat e volejbollit, basketbollit në djem dhe vajza dhe jemi përgatitur me Komitetin Olimpik Shqiptar për të zgjeruar aktivitetin sportiv në shkolla edhe me disiplina të tjera, ndërkohë që është rritur zinxhiri i skuadrave të moshave, duke ulur dyshemenë deri tek fëmijët e moshës 6-8vjecc.

 

Kjo është e jashtëzakonshme për të sotmen dhe për të ardhmen dhe është një burim i sigurt shëndeti, një burim i sigurt edukimi, por edhe një burim i sigurt i rritjes së cilësisë edhe të sporteve profesioniste, të skuadrave profesioniste kur gjithë kjo bazë fëmijësh do fillojë të ngjitet në moshat e mësipërme.

 

Unë kam marrë një përgëzim shumë të mirëpritur nga Komiteti Olimpik Botëror, nga Komiteti Olimpik Europian dhe ajo çka është qershia mbi tortë e këtij programi që tanimë është në rrugë të mbarë dhe vitin e ardhshëm hyn në edicionin e dytë është se Shqipëria do të mikpresë vitin e ardhshëm Festivalin e Parë të Sportit për nxënësit e shkollave për Europën Juglindore, një nisëm e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, e mbështetur me dy duar nga qeveria shqiptare dhe besoj që verën e ardhshme do kemi një aktivitet të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, me një numër mbresëlënës të rinjsh nga i gjithë rajoni ynë.

 

Tjetra, e fundit, e sjell këtu në vëmendje sepse nuk ka rënë rasti për të folur për këtë, por sot, duke parë të gjitha të dhënat dhe duke përgatitur këtë konferencë, pashë ecurinë e procesit të konfiskimeve të pallateve, të shtesave të paligjshme të pallateve, për të cilat u bë një zhurmë e shoqëruar edhe me shumë hamendësime dhe me shumë shpifje dhe më vjen mirë t’ju them se ka filluar arkëtimi i parave në arkën e shtetit nga procesi i ndëshkimit të ndërtuesve që kanë kapërcyer  kufijtë e lejeve të ndërtimit. Janë arkëtuar 3,5 milionë euro deri tani nga 5 objekte dhe janë 4 objekte të tjera që pritet të vazhdojnë pagesat dhe presim vetëm nga 9 objektet e para 10,5milionë euro në arkën e shtetit. Pra, për çdo metër katror të bërë pa leje, aty ku është konsideruar parablerja nga subjektet, subjektet po paguajnë dhe do paguajnë deri në fund si frëngu pulën çdo metër katror që kanë bërë pa leje.

Ndërkohë që janë 15 objekte të tjera të konfiskuara që janë në proces, nuk kanë shprehur interes për procesin e parablerjes kështu që do të vazhdohet me masat e tjera që parashikon ligji për konfiskimin, si dhe më vjen shumë mirë të them që falë këtij veprimi agresiv ekstrem, të cilit i kishte ardhur koha për t’i dhënë fund këtyre historive, shikojmë një disiplinim jashtëzakonisht të mirëpritur të punimeve të ndërtimit dhe institucionet përkatëse nuk konstatojnë shkelje të kësaj natyre, por të gjithë duhet ta kenë të qartë që kush bën një metër katror shtesë, do të paguajë si frëngu pulën dhe do i dalë nga hundët çdo përpjekje për të përfituar atë që si takon.

Me këtë të fundit unë jam në dispozicion për pyetjet tuaja.

* * *

– Në fakt, zoti Kryeministër kam shumë pyetje. Do të ishin mjaftueshëm edhe për një intervistë po ky nuk ishte një vit i mirë për mua. Shpresoj të jetë ndryshe 2024, por po përmblidhen në 3 pyetje. Pyetja e parë: Nëse gjatë 2024 do t’i kishit votat e nevojshme, a do të bënte PS ndyshime kushtetuese për të ndryshuar sitemin zgjedhor apo për të rritur mbase kompentenct e presidentit që iu morën në 2008 falë bashkimit të  votave me Sali Berishën? Dmth t’i rrisni, të kishte kompetenca më shumë, të kishte më shumë fuqi presidenti. Mbase duke shkuar në një republikë presidenciale dhe a mendoni që në 2024 të çoni vendin në zgjedhje të parakohshme? Kjo është pyetja e parë. Pyetja e dytë: Ju thoni shpesh, Zoti Kryeministër që ëndrrat me sy hapur janë ato ëndrra që për ju janë shumë të mundshme që të realizoheni. A e keni parë gjatë gjihë kësaj kohe që keni qenë në politikë, një ëndërr më sy hapur që Sali Berisha të përfundonte kështu siç është duke përfunduar tani, falë edhe reformës në drejtësi që ju e kërkuat dhe e shtytë aq fort për t’u zbatuar? Dhe pyetja e fundit. Në 2013 kur erdhët në pushtet, ju përsërisnit që, nuk ju citoj dot tamam, por në mënyrë të përmbledhur, që përgjegjësia ishte e juaja dhe jo e anëtarëve tuaj të kabinetit. Në 2017 kjo qasje ndryshoi; çdo individ kishte përgjegjësi personale. Pse ndryshoi nga 2013 kjo qasje? Faleminderit!

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk besoj se ka ndryshuar gjë sepse këtu nuk është fjala për qasje, këtu është fjala për një koncept shumë të thjeshtë, që pëgjegjësia qeverisëse patjetër që është e kryeministrit ndërsa përgjegjësia penale është individuale e secilit dhe nuk ka përgjegjësi të ndarë kur është fjala për individë që abuzojnë me detyrën prapa kurrizit të të tjerëve dhe përpiqen që të përfitojnë duke shfrytëzuar mundësinë dhe fuqinë që iu jep detyra. Përgjegjësia e Kryeministrit është përgjegjësi e padiskutueshme për të gjitha qëllimet e shpallura dhe për të gjitha objektiva e shpallura. Qëllimet e pashpallura individuale janë qëllime të fshehta, janë qëllime të ulëta, janë qëllime për të cilat gjithësekush ka pëgjegjësi strikt individuale dhe nëse mund të përpiqemi ta shohim ndryshe, besoj se bëhet më e qartë, në sensin që qeveria, kryeministri, forca që udhëheq mbajnë pëgjegjësi për mënyrën se si reagojnë ndaj shfaqjeve të shkeljes së ligjit dhe të shkeljes së parimit të punës së përbashkët. Pra ne do të mbanim përgjegjësi, unë do të mbaja përgjegjësi  në rast se do të isha dhe do të ishim të pavendosur në rastin më të mirë dhe të kundërvendosur në rastin më të keq ndaj shfaqjeve të shkeljes së ligjit nga ana e cilitdo brenda rrethit të kësaj force qeverisëse që është e përbërë nga njerëzit që drejtojnë vendin. Atëherë po. Ndërkohë që, unë jam njeriu më i interesuar dhe këtë ua them me bindje, që asgjë që përbën një shkelje të ligjit dhe një dëm të interesit të publikut të mos kalojë e pandëshkuar, kështu që përgjegjësia ime morale është që ta çoj deri në fund dhe pa asnjë ngurim në çdo hap këtë përpjekje për të ndarë rrugët me të gjithë ata që tadhëtojnë qëllimet e përbashkëta. Unë kështu e shikoj dhe për këtë arsye mendoj që kjo është një bisedë e kotë sepse ne e kemi hapur këtë rrugë. Unë e kam thënë këtë qysh në krye të herës, që na duhet një drejtësi që të godasë ata që janë të veshur me pushtet, pa dallim, që do  të thotë që na duhet një drejtësi që të godasë edhe brenda për brenda qererisë dhe të godasë fenomene, fakte, mbifakte që tregojnë se një individ X apo Y ka shkelur pikërisht ligjin dhe të gjjthë parimin e punëve të përbashkëta. Kështu që nuk e shoh fare se çfarë ju mundon pafundësisht në këtë pike, kur kjo pikë është shumë, shumë e qartë.  Ideja se njerëzit që ngarkohen me detyra janë të tërë të paprekshëm nga virusi i korrupsionit apo se paprekshmërinë e tyre nga virusi i korrupsionit duhet ta garantojë ai që i ngarkon me detyra, është një ide që nuk rri as në qiell, as në tokë. Njerëzit kanë natyra të ndryshme, kanë karaktere të ndryshme, kanë  fuqi të ndryshme për t’i rezistuar tundimeve që krijon pushteti dhe këto janë gjëra që provohen në detyrë, këto nuk janë gjëra që provohen në rrugë kur nuk je në detyrë. Prandaj është ajo shprehja “jepi njeriut një karrige dhe shikoje sa i vlen lëkura”. Kështu që mendoj që kjo është shumë e qartë.

Nga ana tjetër, pa diskutim që ne na duhet të bëjmë ende shumë punë për të garantuar që sistemet e bendshme të qeverisjes të jenë më të forta dhe të jenë më të sigurta dhe të jenë më të paprekshme nga subjektitiviteti i njërit apo i tjetrit apo nga dëshira ose ushtrimi abuziv i detyrës nga njëri apo tjetri. Për shembull, ne tani kemi hyrë në një sistem transformimi të të gjithë sistemit tonë të prokurimeve publike, i cili do të fillojë sapo të kalojë në parlament ligji i ri, ne do të bëjmë marrëveshje me agjenci ndërkombëtare për prokurimet publike, do të kemi një operator të prokurimeve që do të jetë një agjenci e përqëndruar, do të heqim prokurimet nga ministritë, do të heqim prokurimet nga agjenci të caktuara sipas rastit dhe nga ana tjetër do krijojmë kushtet që agjencitë që bëjnë prokurime, të punojnë me agjenci të specializuara ndërkombëtare, por paralelisht me këtë po punojmë për modelin e ri të inteligjencës artificiale për prokurimet që do të sjellë një transformim akoma më rrënjësor sepse faktikisht do të eliminojë 95% të punës së njeriut në prokurime publike. Pra duke ndërtuar dhe forcuar sistemet e bën më të pamundur për individët që të ushtrojnë subjektivitetin e tyre në shkelje të ligjit, por këto janë të gjithë hapa që kërkojnë kohën e tyre.

Nga ana tjetër asnjëherë nuk do të vijë dita, se s’ka ardhur në asnjë vend që të vijë në Shqipëri që individë të caktuar nuk do të përpiqen që ta anashkalojnë sistemin dhe të shkelin ligjin. Prandaj asnjëherë nuk do vijë dita që të mos na duhen organet e drejtësisë se nuk i ka ardhur askujt dita, kështu që këto të dyja shkojnë paralelisht. Modernizimi nga njëra anë është detyra jonë dhe pastaj ndëshkimi nga ana tjetër është detyra e drejtësisë

Përsa i përket pyetjes lidhur me votat e nevojshme për sistemin zgjedhor, nuk e kuptova pyetjen. Ne kemi një proces të reformës zgjedhore në Parlament bazuar mbi idenë e komisionit bipartizan. Problemi që sot kemi është që nuk kemi një parlament bipartizan, kemi një parlament me shumë partizanë dhe shumë ballistë kështu që mbase nuk kemi dhe pse e kërkojmë tek bi-partizanizmi për sa kohë bi-partizanizmin e kemi humbur, zgjidhjen. Do të shohim në proces dhe do të mundohemi që nëse duhen bërë dhe duhen bërë disa ndryshime për të siguruar procesin e zgjedhjeve dhe fjala vjen ndryshimi që kërkohet si pasojë e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mënyrën sesi funksionon lista, atëherë do të kërkojmë të gjejmë konsensusin aritmetik edhe kaq. Se nuk shoh ku është shtegu për të ndërtuar një komision bipartizan ku aty siç thashë në atë Parlament nuk ka më bipartizanizëm, por ka shumë partizanë dhe shumë ballistw, në kuptimin metaforik të fjalës kuptohet.

Atë të kompetencave të Presidentit nuk e kuptova fare, s’di të kemi ndërhyrë në kompetencat e Presidentit të paktën nuk më rezulton që kemi bërë ndonjë gjë për kompetencat e presidentit. Ashtu sikundër nuk kuptova pyetjen për republikën presidenciale se nuk më rezulton që është ngritur ndonjëherë si temë.

Kurse përsa i përket pyetjes lidhur me non gratën, nuk kam asnjë koment se nuk merrem me dikë që është shpallur non grata nga SHBA, e kam thënë qysh në krye të herës, por ju siguroj që ëndrrat e mia janë shumë më të mëdha sesa të lidhura me persona të caktuar. Nuk kam ëndrra të tilla as me sy hapur, madje as me sy mbyllur nuk shoh në ëndërr sesi dënohen njerëz. S’kemi asnjë arsye që të mendojmë për këtë.

Ne kemi shumë punë për të bërë dhe Shqipëria nuk ka kohë për të humbur, thjeshtë dhe vetëm për të konfirmuar të njëjtën mazhorancë. Ne jemi mazhoranca, ne do të jemi mazhoranca sepse jemi e vetmja forcë që mund ta çojë këtë vend përpara dhe këtë e di shumica e shqiptarëve. Ju bëni sondazhe, e shikoni se çfarë thonë sondazhet dhe për 1001 arsye zgjedhjet e ardhshme do të konfirmojnë këtë mazhorancë.

-Zoti kryeministër, viti 2023 mbyllet me një lajm jo të mirë për Shqipërinë dhe në fakt jo për faj të Shqipërisë.  Nuk mund të hapi dot grup kapitullin e parë në procesin anëtarësues me BE. GJKKO ka dhënë një vendim ku ka një sugjerim të saj kur thotë që kjo çështje mund të zgjidhet me vendosjen e një administratori. Është në planin tuaj që bashkia Himarë të drejtohet nga një administrator i cili duhet të ketë pëlqimin tuaj por edhe pëlqimin e palës greke? Pyetja e dytë, duke qenë se jemi në mbyllje të 2023, kush është për ju njeriu i vitit në anën pozitive dhe njeriu i vitit përsëri, në anën negative?

Kryeministri Edi Rama: Atëherë për sa i përket njërit të vitit mendoj se kjo s’ka asnjë diskutim besoj, me konsensus mbarëkombëtar. Njeriu i vitit është Sylvio Sylvinho Mendes Campos për mua. Nga ana tjetër besoj që është fat edhe është privilegj që të jesh në këtë detyrë dhe ta kesh parë dy herë kombëtaren të shkojë në Europian. Ka shkuar dy herë kombëtarja në Europian gjatë kësaj periudhe që unë jam në detyrë. Sigurisht që unë nuk e fus tek sukseset apo tek arritjet e qeverisë se përndryshe do ta kisha thënë, por besoj që pa asnjë diskutim ajo që ka bërë trajneri i ekipit tonë kombëtar me stafin e tij, ajo që ka bërë ekipi ynë kombëtar është diçka që merr konsensus të plotë si gjëja më e bukur që ka ndodhur këtë vit pasi është një gëzim i të gjithëve që i bashkon të gjithë. Kështu që nuk besoj se ka diskutim për këtë. Kurse njeriu më i keq i vitit nuk e njoh, nuk e njoh!

Për sa i përket konferencës ndërqeveritare, ne jemi në proces dhe është çështje thjeshtë e formalizmit të një date për mbledhjen e konferencës. Sigurisht që nga ana tjetër ka një proces që dihet lidhur me një çështje për të cilën unë kam folur dhe skam asgjë për të shtuar. Gjykata ka dhënë një vendim. Vendimi ka konfirmuar katërcipërisht atë që ne kemi thënë qysh ditën e parë, që ne s’kemi pasur asnjë të drejtë, asnjë kompetencë, asnjë mundësi që të mundësojmë betimin si krye bashkiak të njeriut të kapur në flagrancë dhe të akuzuar për blerje votash, që është në paraburgim, por vendimi i Gjykatës është i shkallës së parë kështu që ne duhet të presim vendimin e formës së prerë dhe pastaj do të shikojmë për të kuptuar ekzaktësisht se si do operojmë në kuptimin e atij vendimi. Sepse është hera e parë, nuk ka një precedent dhe natyrisht që qeveria ka sipas ligjit atributin për të vendosur një komisar në krye të një bashkie, por në ligj nuk është i përcaktuar ky rast. Dhe prandaj do të na duhet të lexojmë vendimin e formës së prerë e pastaj të vazhdojmë mbi bazën e këtij koncepti ose si do të na orientojë vendimi i formës së prerë. Nuk kemi ne asnjë ngut për këtë, presim dhe ndërkohë jua kam thënë dhe jua përsëris, mua nuk më emocionojnë fare këto datat e  konferencave  dhe proceset formale burokratike në procesin e integrimit sepse thelbi i procesit të integrimit  është çfarë bëjmë ne dhe ne vazhdojmë punën.

E patë çfarë kemi bërë në procesin e skanimit në hapjen e negociatave. Kështu që, arsyeja që ne arritëm të shkëlqejmë në atë proces, gjë që e thanë ata, nuk po e them unë, është se ishim shumë të përgatitur, se nuk e kishim pritur që të fillonte procesi që ne të përgatiteshim, por ishim përgatitur. Dhe gjithë ai ekip e dinte ekzaktësisht çfarë duhet të bënte. Tani gjithë ai ekip e di ekzaktësisht çfarë duhet bërë dhe po e bën.  Kështu që, në momentin kur ne do të fillojmë formalisht me grup kapitullin do të jemi shumë më përpara se do të jemi gati. Ashtu sikundër, me modelin e inteligjencës artificiale që tani po përgatitet për të filluar punën, pas testimit të suksesshëm, ne brenda dy vjetësh do të bëjmë atë që Kroacia, që ka shkëlqyer në atë proces e ka bërë për 7 vjet, falë teknologjisë, jo ndonjë gjëje tjetër  dhe kështu do e kemi komplet në kontroll procesin dhe do e drejtojmë ne, nuk do të na drejtojë dot  era që do të fryjë në një mënyrë ose tjetër për arsye politike të caktuara.

-Zoti kryeministër natyrshëm ne do ta respektojmë vendimin tuaj për të mos komentuar rreth personave non grata. Megjithatë teksa ne jemi bashkë në këtë konferencë për shtyp, vetëm pak momente më parë gjykata ka vendosur arrest shtëpie për paraardhësin tuaj. A është kjo një fitore politike e Partisë Socialiste pasi nëse kthehemi pas në kohë kanë qenë dy prej eksponentët më të rëndësishëm të partisë tuaj, Erion Barce dhe taulant balla, të cilët nuk kanë hequr asnjëherë dorë nga çuarja përpara drejtësisë të aferës së Kompleksit Partizani për të cilën është nën hetim zoti Berisha. Faleminderit

 

Kryeministri Edi Rama: Kurrë nuk është fitore e një partie arrestimi i dikujt të cilësdo parti. Kurrë. Kjo është në parim. Partitë fitojnë zgjedhje për të çuar përpara vendin dhe partitë nuk janë organizata luftarake që funksionojnë për të eliminuar kundërshtarët, në një mënyrë apo tjetër.

 

Kështu që, nuk e shoh absolutisht këtë në asnjë formë si një fitore të Partisë Socialiste apo edhe si një fitore të Erioni apo Taulantit që kanë bërë me këmbëngulje themi me një pasion që uroj ta kishin të gjithë detyrën e tyre, ashtu siç e kanë parë ata të arsyeshme. Kjo është diçka që nuk ka lidhje fare me dëshirën, objektivin, nevojën për të parë si fitore faktin që cilido qoftë vihet nën trysninë dhe pastaj në masat e drejtësisë, kështu që nuk ka lidhje kjo.

 

Ashtu sikundër këtë nuk rri dot pa e thënë. Nuk do ketë drejtësi në Shqipëri deri kur të gjykohet 21 janari. Këtë di të them unë. Pa u gjykuar 21 janari dhe pa u vënë para drejtësisë vrasësit dhe urdhëruesit e tyre, që janë në fakt vrasësit e vërtetë të 21 janarit, drejtësia do jetë e gjymtuar moralisht dhe patjetër do të jetë dhe e pamjaftueshme për sa i përket fuqisë së saj.

 

21 janari dhe gjykimi i 21 janarit do të vendosin një gur të palëvizshëm për deri ku mund të shkojë, apo ku nuk mund të shkojë ushtrimi i forcës represive të shtetit, si rezultat i abuzimit me të nga persona të veshur me pushtet. Po këtë e kam në parim për rastin konkret nuk kam asnjë koment.

 

-Kam dy pyetje zoti kryeministër. Së pari viti 2023 është shoqëruar me përplasje, tensione dhe një klimë aspak të qetë në parlament mes pozitës dhe opozitës. A do të jetë 2024 një vit me një jetë parlamentare më më normale dhe një bashkëpunim mes palëve dhe së dyti gjatë verës së këtij viti ju keni vizituar tokën e Shpiragut dhe jeni shprehur se në fund të këtij viti do të ketë një test përfundimtarë për të nxjerrë rezultate, a i keni këto rezultate dhe nëse po, si kanë dalë ato.

 

Kryeministri Edi Rama: Testi është në proces. Testi ka filluar në 8 dhjetor dhe është ne proces. Presim rezultatin. E kam shpjeguar me fjalët e mia sepse as unë nuk jam një teknik që ta shpjegoj me të gjithë detajet teknike, por rezerva nuk diskutohet më. Ajo që pritet nga testi është fluksi dhe qëndrueshmëria e fluksit të gazit dhe të naftës del mbi sipërfaqe, për shkak të thellësisë së madhe u ndodhet, 6 km nën tokë. Dhe testi bëhet për këtë për të parë qëndrueshmërinë e fluksit, sepse kjo varet pastaj edhe vlera e investimit që do të thotë: – Nëse fluksi është i qëndrueshëm dhe në parametrat  e kërkuara, atëherë edhe investimi është absolutisht i arsyeshëm edhe mund të vazhdohet më tutje. Në rast se jo, atëherë kostoja bëhet e papërballueshme dhe përfitimi i pamjaftueshëm. Kjo është dilema. Ne kemi besim që testi do të jetë pozitiv, por deri sa të dali nuk varet çfarë duam dhe çfarë besojmë ne.

 

Përsa i përket jetës parlamentare, unë nuk di t’iu them sepse në këtë rast, si të thuash pala jonë që kërkon ndonjë gjë, apo ka në dorë ndonjë gjë. Është pala tjetër që është në konfuzion total edhe që është në një betejë kundër drejtësisë. Një betejë e verbër kundër drejtësisë. Në rast se palës tjetër do t’i hapen sytë, atëherë mund të presim të kemi edhe më shumë hapësirë për të pasur një komunikim më normal. Për më tepër kur them pala tjetër, aty është një federatë palësh që bashkohet ndahet, bashkohet ndahet, që nuk e merr vesh i pari të dytin. Është pjesë e konfuzionit. Nuk e di si do të zhvillohet më tutje ngjarja në atë anë, por për mua s’ka asnjë surprizë. Për mua është një proces shpërbërje! Një proces shpërbërje që nuk kthehet mbrapa duke bërë ngjitje artificiale copash të cilat nuk i lidh absolutisht asgjë tjetër përveç interesit për karrige të individëve që i përbëjnë ato copa. Nuk ka asnjë vizion, nuk ka asnjë qëllim afatmesëm, lëre më afatgjatë, nuk ka asnjë lloj lidershipi. Është komplet një shpartallim që do të vazhdojë, sipas meje dhe më vjen keq për këtë.

– Zoti kryeministër, një vit më parë ju keni deklaruar se nëse i bllokonit sikur vetëm tre ditë pagesat për inceneratorin e Tiranës, gjithë qyteti do të mbytej nga mbetjet. Ndërkohë që në vitin 2023, qeveria sipas asaj që deklaron krye bashkiaku Erion Veliaj edhe në të gjitha komunikimet shkresore që ka pasur, i ka bllokuar pagesat dhe për vitin 2024 nuk keni planifikuar në buxhet asnjë fond në transfertën e pakushtëzuar që i jepni bashkisë për këtë projekt. Pyetja e parë është pse ka ndodhur, le të themi ky bllokim i fondeve nga ana e qeverisë për Bashkinë e Tiranës për inceneratorin? Pyetja e dytë është, disa ditë më parë ju keni dhënë diku tek 400 mijë euro të tjera për programin e Këshillimit Kombëtar 2, nëse mund ta quajmë kështu. Pse harxhoni para për të pyetur shqiptarët, kur në fund ju vendosni vetë? I referohem këtu çështjes së Ballkanit të Hapur, kur 59% e qytetarëve sipas rezultateve kishin kërkuar vijimin e kësaj nisme, por ju e mbyllët. Pyetja e tretë është, në vitin 2021 ju keni emëruar në krye të Agjencisë së Donacioneve, Ilir Beqaj i cili në atë kohë ka qenë nën hetim për çështjen e sterilizimit. I pyetur për këtë çështje ju shpreheshit në atë kohë, po citoj: “Ai nuk është i akuzuar sot që flasim. Ka një hetim për të. E dyta, ai është një njeri që e vlerësoj për aftësinë e tij dhe është në gjendje ta drejtojë këtë agjenci që ne kemi krijuar”. Së fundmi, Prokuroria e Posaçme po heton ish-ministrin, përveç se ka një masë ndaj tij tashmë për çështjen e sterilizimit, po e heton ish-ministrin për korrupsion, fshehje pasurish, përmes një rrjeti kompanish në bashkëpunim me një prej vartësve të tij në këtë institucion. Në këtë rast, a keni ju përgjegjësinë që i keni besuar një post të rëndësishëm një njeriu që ishte nën hetim dhe kishte hesape të hapura me drejtësinë? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Duke filluar nga fundi, Ilir Beqja në sekondën që u vu nën një akuzë, iku nga detyra. Që të jemi të qartë. Ilir Beqja në sekondën që u vu nën akuzë, dha dorëheqjen. Që të jemi shumë të qartë dhe u hap menjëherë procesi për zëvendësimin. Ka një proces për zëvendësimin dhe nuk është krye negociator. Ishte koordinator i ndihmës në një institucion që për ta bërë të qartë për publikun nuk menaxhon fonde të Bashkimit Europian, nuk menaxhon fonde të asnjë donatori që të jemi shumë të qartë për këtë. Është një zyrë koordinimi në funksion të qeverisë shqiptare dhe një urë komunikimi me të gjithë donatorët për të gjitha proceset e akordimit të fondeve të huaja të cilat nuk kalojnë fare nga kjo zyrë, por kalojnë tek të gjitha entitetet e tjera që i disponojnë dhe pastaj kryejnë procedurat e tyre që të jemi shumë të qartë për këtë. Zhurma e bërë për ‘’zhvatje’’ fondesh të BE-së, është një gënjeshtër, sepse zyra nuk menaxhon fonde të BE-së. Nuk merr fonde, nuk i kalojnë fonde as nga BE-ja dhe nga asnjë institucion tjetër që financon, ose nga asnjë palë tjetër në bazë të marrëdhënieve dhe të marrëveshjeve bilaterale me shtetet e tjera. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. Për sa i përket çështjes në fjalë, çështja në fjalë është një çështje që s’ka fare lidhje me punën e qeverisë dhe timen, ka lidhje me punën e organeve të drejtësisë. Është puna e tyre si gjithmonë, e kam thënë, e përsëris, ju përsërisni pyetje që për mua janë pyetje që nuk duhet fare t’i adresohen qeverisë. Unë ju përsëris përgjigjen që është e njëjta. Është punë e drejtësisë. Të vazhdojë drejtësia. Fakti që dikush merret në hetim, nuk është provë faji, ka një dyshim. Hetohet, fakti që akuzohet nuk është provë faji, është akuzë. Shkon në gjykatë. Gjykata ka një shkallë, ka dy shkallë, janë procese të drejtësisë. Çdo koment për këto, është i tepërt sipas meje.

E dyta, përsa i përket Ballkanit të Hapur, sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur Ballkanin e Hapur se nuk më rezulton që unë të kem bërë ndonjë mbyllje, madje unë e kam shpjeguar që Ballkani i Hapur nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë. Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake. Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vetë në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë, kjo nuk ka asnjë diskutim dhe patjetër që nëse për shembull, panairi i verërave në Beograd është një nga produktet e asaj nisme, ai u zhvillua para pak javësh dhe morën pjesë prodhues nga Shqipëria dhe nga gjithë Europa dhe madje disa prodhues shqiptarë morën medalje ari në panair. Ajo nismë vazhdon, që të jemi shumë të qartë dhe Shqipëria as nuk e ka mbyllur se nuk e mbyll dot një palë, po e përsëris prap dhe as nuk ka thënë ndonjëherë të paktën, jo me gojën time apo me gojën tonë, me gojën tuaj po, mund ta ketë thënë se tani po e marr vesh. Është, po, sigurisht që është sepse shqipja është e thjeshtë, por kur nuk dëgjon dhe vetëm flet, atëherë dhe nuk i kupton gjërat e thjeshta. Më fal se gjithmonë se nuk duhet të jetë rastësi që në çdo konferencë shtypi, i vetmi problem që krijohet, krijohet nga ti dhe krijohet për të njëjtën arsye. Unë të dëgjoj me shumë vëmendje, bëre të gjitha pyetjet që deshe. Tani, nuk e cakton ti se si përgjigjem unë dhe as kohën e përgjigjes time. Do durosh deri kur të mbarojë përgjigja ime dhe nuk  do ndërhysh kur unë jam duke folur, të lutem shumë, sepse kjo është mungesë etike, është mosmirësjellje.  Unë jap përgjigjen që dëshiroj, siç ju bëni pyetjen që dëshironi, apo jo?

Dhe përsa i përket pastaj citimeve të gabuara, këtu pastaj unë mund të kërkoja një certifikatë si viktima numër 1 e citimeve të gabuara, por nuk e kërkoj këtë gjë fare.

Ndërsa për sa i përket temës së shumë dëshiruar dhe të shumë përsëritur të inceneratorëve, unë nuk kam asnjë përgjigje, fare, zero se nuk merrem më me këtë pasi unë nuk jam as drejtor i komunales, as llogaritari i sasive të plehrave, nuk jam as personi fare që duhet të kënaq nevojën e disave për të vazhduar të mbajnë kokën brenda në plehra. Unë i kam thënë çfarë kam pasur për të thënë dhe i them prapë, njëmijë herë t’i kthehesha atij procesi, njëmijë herë do të bëja atë që kam bërë dhe njëmijë herë do ta përsëris që falë atyre proceseve, sot kemi 3 qytete që ishin, i pari në prag kolapsi që ishte Tirana, i dyti nën renë e kancerit siç ishte Elbasani dhe i treti në prag kolapsi siç ishte Fieri, që janë qytete të pastër dhe të sigurt. Jo vetëm Tirana, por edhe Durrësi sot edhe të tjera bashki rreth e rrotull përfitojnë nga ky proces. Kjo është ajo që unë kam dashur dhe kjo është ajo që ka ndodhur. Pastaj, është e njëjta gjë si në çdo gjë tjetër. Nëse ka brenda këtyre proceseve individë të cilët janë munduar apo kanë përfituar nga këto procese, me ta merret drejtësia, pikë. Është shumë e thjeshtë.

 

– Në fakt, tashmë, është zyrtare se SPAK ka çelur një hetim për çështjen McGonigal në Shqipëri. A ju shqetëson kjo, zoti kryeministër, duke qenë se emri i ish zyrtarit të lartë të FBI lidhet edhe me emrin tuaj. A e konsideroni më mik, duke qenë se keni deklaruar, a e konsideroni më mik? Pyetja e dytë lidhet me një deklaratë tuajën që keni bërë përpara disa viteve në një studio televizive ku keni deklaruar, pra i keni bërë një pyetje retorike panelistëve “A keni parë ju një hajdut mbi dy metra apo një të korruptuar mbi 2 metra”. A jeni i zhgënjyer ju nga Ilir Beqaj duke qenë se është mbi 2 metra teksa sot po përballet me drejtësinë dhe a bie miti që edhe ata që janë mbi 2 metra mund të jenë të korruptuar apo hajdutë? Ndërkohë, pyetja e tretë, në qoftë se më lejoni, lidhet me një çështje sociale që mendoj se është shumë e rëndësishme. Në fakt, zoti kryeministër, në Shqipëri numërohen mbi 26 mijë fëmijë jetimë të cilët me status jetimi trajtohen vetëm 1000, të cilët marrin një ndihmë ekonomike mujore rreth 100 mijë lekë ndërkohë që fëmijët e tjerë të cilët janë me një prind, të cilët nuk marrin statusin e fëmijës jetim, pra mungon ose nëna ose babai, por njërin prind e kanë në jetë, trajtohen me pensione 11 mijë lekë të vjetra, 15 mijë lekë të vjetra, 20 mijë lekë të vjetra, në bazë të kontributeve shoqërore. Pyetja ime është, zoti kryeministër, në këto raste, një nënë me një fëmijë të mitur si mundet ta kalojë muajin, kostot e jetesës për atë fëmijë për rreth 15, 25 mijë lekë apo dhe 30 mijë lekë në muaj?

Kryeministri Edi Rama: Komplimente për atë pyetjen me 2 metra se ishte e gjetur. vetëm ka një problem. Se kush është hajdut nuk e përcakton as ti, as unë. Se kush është hajdut nuk e përcakton as ti as unë, e përcakton vendimi i formës së prerë i një gjykate, dakord? Dhe nuk dua të hyj fare në komente të rastit, por për aq sa jam unë i informuar, deri tani akuza është shpërdorim detyre, jo korrupsion.

Edhe njëherë, se është fjalë e madhe fjala hajdut, shumë fjalë e madhe dhe liria e fjalës që përdoret për të damkosur dike si hajdut është abuzim. Këtë nuk e thua dot as ti as unë. Natyrisht çdonjëri e thotë, se këtu janë thënë gjëra edhe më të rënda por thjesht duke të komplimentuar për humorin e pyetjes, po të them pa humor që ka një problem ajo pyetja. Kështu që, përpara sesa të bëjmë gjyqin popullor të individëve, është e padiskutueshme që ju e keni të drejtën, por edhe detyrën të ngrini dyshime, të ngrini supozime, të bëni investigime, por atë fjalën e madhe nuk ia vini dot njeriu, do t’ia vërë gjykata, se përndryshe ngatërrohet shumë biseda dhe mbi të gjitha përcillet një mesazh shumë negativ tek të gjithë dhe çedukohet publiku, sipas meje. Kështu që, deri tani mbetet për tu parë, por fjalën do ta marrësh mbrapsht për arsyen e thjeshtë se nuk ke provën. Kur të kesh provën, patjetër edhe unë do ta rishikoj shprehjen, nuk diskutohet.

Fakti që dikush është nën hetim nuk do të thotë asnjë gjë. Do të thotë që është në hetim, shumë mirë, dhe shumë mirë që hetohet, por nuk do të thotë që cilido, për arsye të mos arsyes, të lidhur me politikën, të lidhur me pronarin e televizionit, të lidhur me grupin që përfaqëson, të lidhur me partinë që përfaqëson, të lidhur me ku e di unë se çfarë të turret me vrap tek një njeri në hetim e ta bëjë kriminel. Kjo nuk shkon. Hetimet do ta tregojnë.

Sa i përket çështjes McGonigal, nuk e di se për çfarë arsye në botë duhet të jem unë i shqetësuar kur unë e kam bërë shumë të qartë me detaje gjithçka dhe nga ana tjetër, kur ajo çështje është hetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është shumë e qartë që nuk ka asnjë lidhje me asgjë nga ato që thuhen këtu.Megjithatë, SPAK-u ka hetim, le ta hetojë, nuk ka asnjë problem, nuk ka absolutisht asnjë problem.

Sa i përket pyetjes së tretë, ju duhet të verifikoni pak shifrat, dhe pastaj flasim prapë herën tjetër.

– Zoti kryeministër, nëse ju citoj saktë, ju thatë se nuk ka drejtësi pa u zbardhur 21 janari. Cili do jetë qëndrimi juaj dhe i mazhorancës për Lulzim Bashën që në atë kohë mbante postin e ministrit të Brendshëm. Një pyetje tjetër referuar performancës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ju por edhe grupi i punës në Ministrinë e Jashtme dhe në përfaqësinë tonë në Shtetet e Bashkuara shënoi, le të themi, arritjen më të lartë të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare por duket sikur kanë mbetur pezull marrëdhëniet në Ballkan përfshirë këtu marrëdhënien tuaj të mbetur pezull me presidentin Vuçiç. Cili do jetë qëndrimi i Shqipërisë në 2024 në raport me vendet e rajonit?

Kryeministri Edi Rama: Sa i përket 21 janarit, e përsëris, pa u gjykuar 21 janari dhe pa u dënuar fajtorët e vërtetë për 21 janarin, drejtësia në Shqipëri do jetë një drejtësi e gjymtuar moralisht dhe pa gjithë fuqinë që duhet të ketë një sistem i drejtë drejtësie Pastaj, në nënpyetjen lidhur me Lulzim Bashën,nuk e kuptova sinqerisht. Ka qenë ministër i Brendshëm, është pa diskutim pjesë e zinxhirit komandues, por unë nuk bëj as prokurorin, as gjykatësin. Unë thjesht them atë që kam thënë ditën e parë prej tanimë, mos gabohem 12 vjetësh, që 21 janari është krim shtetëror dhe vendimi i Gjykatës së Strasburgut është  aq i qartë dhe në vendimin e Gjykatës së Strasburgut janë vendosur e zeza mbi të bardhë nga dora e gjykatësve me reputacionin më të lartë në BE, fiks gjërat, të cilat me fjalë të tjera apo me fjalë të ndryshme, ne i kemi thënë dhe përsëritur apo thënë dhe stër, stërpërsëritur. Aty ka një zinxhir krimesh. Nuk është vetëm vrasja, por janë një sërë krimesh që kanë ndodhur dhe janë qartësisht të përcaktuara në vendimin e Gjykatës së  Strasburgut.

Kështu që, nëse drejtësia e re nuk merr përsipër 21 janarin, të tjerat do jenë si kafetë e Nexhmie Hoxhës.

Përsa i përket marrëdhënies me presidentin e Serbisë, marrëdhënia me presidentin e Serbisë është marrëdhënie për të cilën kam folur disa herë dhe është një marrëdhënie që nuk ka asgjë tjetër përveç interesit të Shqipërisë dhe interesit të rajonit.

Natyrisht që është një marrëdhënie që nuk më pengon mua dhe nuk na pengon ne asnjëherë që t’i themi të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë, kështu që qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë dhe nuk ka pasur asnjëherë luhatje, qoftë kur ka qenë rasti për të thënë me zë të lartë se Serbia nuk duhej sanksionuar si rezultat i mos-sanksionimit të Rusisë, pasi kjo do të sillte pasoja të rrezikshme për rajonin, ashtu edhe kur Serbia bëri një akt flagrant kundër të gjitha vlerave europiane dhe kundër gjithë vlerave të bashkëjetesës me shpalljen e zisë për kriminelët e Banjskës, si edhe për vetë aktin e terrorit në Banjskë kështu që kemi qenë shumë të qartë edhe për këtë.

 

Kemi kërkuar haptazi që Serbia duhet sanksionuar dhe Kosovës i duhen hequr masat shtrënguese sepse tanimë Kosova e ka bërë hapin që duhet ta kishte bërë me kohë, por e ka bërë.

 

Edhe nuk ka asnjë sens që Kosovës t’i mbahen masat shtrënguese dhe Serbia të mos ketë asnjë pasojë shtrënguese pas aktit terrorist në Banjskë kështu që keto janë qëndrime që nuk ndryshojnë, ashtu sikundër këto nuk duhet të thonë që ne ndërpresim komunikimin, ndërpresim bashkëpunimin, ndërpresim lidhjet, marrëdhëniet sepse në këtë botë duhet folur me të gjithë. Me të gjithë ata që ke mundësi të flasësh dhe të japin mundësinë të flasësh, natyrisht.

 

-Zoti Kryeministër, 2023 e mbyllët pa një opozitë të fortë përballë, ndërkohë Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, Lulzim Basha nuk dihet se ku është. A do kërkonit një faktor të ri opozitar në 2024, a e shihni një të tillë në horizont apo jeni mjaftueshëm të kënaqur me këtë situatë? Faleminderit.

 

Kryeministri Edi Rama: Tani që t’ju them që do merrja përsipër të bëja opozitën e vetes sime dhe të qeverisë, do isha shumë më i zoti se të gjithë këta, mund t’ua them. Pa diskutim. Por që t’ju them që këtë gjë mund ta bëj, s’ua them dot sepse s’mund ta bëj. U mbyll viti me një opozitë të dobët, më vjen keq, por nuk hyn në detyrat tona dhe nuk është pjesë e misionit tim që të ndërtoj një opozitë të fortë. Është pa sens kjo. Më vjen shumë keq, por këtë e kam thënë prej kohësh, jo sepse jam profet apo sepse shoh filxhan, por sepse duhet të jesh shumë i verbër dhe shumë i leshtë nga mendja, që të mos e shikoje prej kohësh se kjo do vinte. Lulzim Basha s’dihet se ku është, unë mund t’ju them se ku është, jo gjeografikisht, por mund t’ju them se në këtë orë është duke fjetur, e sigurtë.

 

Por edhe po të zgjohet, besoj se nuk mund të presim ndonjë gjë të re. Të tjerët janë ata që janë kështu që unë nuk mërzitem.

 

– Nisur nga hetimet e SPAK për vitin 2023, keni marrë mësim ju dhe Partia Socialiste le të themi sa i përket përzjedhjes së bashkëpunëtorëve dhe një pyetje të dytë duke qenë se ka lidhje me të parën; në 10 vite qeverisje me ulje-ngritjet e saj sigurisht, me disa ish-ministra, deputetë në burg; në këtë fundvit si e vlerëson Edi Rama qeverisjen e tij dhe atë vetë si kryeministër?

 

Kryeministri Edi Rama: Po ku lidhen këto të dyja apo duhen bërë pajtetër këto lidhje? Nuk kam argumenta realisht, i kam ezauruar të gjitha argumentat dhe vetëm të përsëris veten sepse është habi e madhe që përsëritet  kjo pyetje. Unë nuk e di se nga buron kjo pyetje. A ka marrrë  mësim PS? Nga çfarë? Nga zgjedhja? PS është 80 mijë njerëz. PS ka qindra e qindra njerëz që janë në detyra. Tani nuk e kuptoj as çfarë keni pritur ju nga kjo reformë drejtësie dhe as çfarë prisni nesër nga mënyra se si duhet të funksionojë një forcë politike në qeveri. Nëse prisni të shikoni një ditë një forcë politike në qeveri ku nuk do të ketë kurrë, asnjë person që të përfshihet  në gjëra që nuk duhet të përfshihet, atëherë më falni, por keni një problem me njohjen e natyrës njerëzore sepse nuk ka ndodhur askund që të ndodhë këtu.

 

Kështu që, nga ana tjetër, kijeni mirë parasysh, ua thashë pak më parë atë shprehjen që të gjithë e dinë, “njeriu kur ulet në një karrige është në një sprovë’’ dhe është sprovë e madhe karrigia. Për shumë gjëra dhe këto nuk janë gjëra që ti mund t’i parashikosh, as nuk  je supozuar që t’i parashikosh. Njerëzit zgjidhen për të bërë disa detyra dhe kaq. Dhe kur dikush kërkon të përfitojë pas shpinës së të tjerëve, kjo ndodh dhe për këtë ka organe të tjera.

 

Pse ka prokurori në të gjitha vendet e botës, dhe në vendet më të zhvilluara dhe në vendet më demokratike, pse ka prokurori? Pikërisht sepse këto gjëra ndodhin kudo dhe për këtë arsye shteti ka të gjithë instrumentet edhe për ata që shkelin ligjet, qofshin njerëz të zakonshëm, qofshin njerëz me pushtet. Unë nuk e kuptoj ku është halli juaj, ndërkohë që, unë personalisht e shoh me optimizëm këtë gjë. Ju mendoni ose pyesni sikur këtu ka një problem për të cilin duhet të mbaj përgjegjësi unë apo duhet të mbajë përgjegjësi Partia Socialiste. Jo, ne mbajmë përgjegjësi pikërisht për këtë që po ndodh. Sepse ne kemi sjellë këtë gjë në kushtet që kjo të ndodhë.

 

Ku ka bërë vaki në Shqipëri përpara kjo?

 

Pse nuk ju shqetësonte ju përpara kjo? Ose ju shqetësonte por e quanit: kështu është, s’kemi çfarë bëjmë, s’kemi çfarë pyesim”. Kur ka bërë përpara vaki kjo?

 

Ku ka bërë vaki? Vihet një person nën akuzë dhe ikën menjëherë nga detyra. Ndërkohë që, në këtë vend, në këtë zyrë ka qenë dikush që mbante në arrest shtëpie një drejtor të madh. Drejtorin e të ardhurave të Republikës së Shqipërisë, e kupton? Dhe kjo nuk ka ndodhur para 100 vjetësh, ka ndodhur para disa vitesh këtu, në këtë vend. Tani unë nuk e kuptoj se bëhet pak si qesharake biseda. A ka nxjerr mësime PS? Çfarë mësimesh të nxjerrë? Të bëjmë një sallë ku të hyjnë njerëzit dhe të vendosim një skaner dhe të shohim se cc’kanë në mend të bëjnë në të ardhmen?

 

-Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë do t’ju kthej tek ekonomia. Përmendet përsëri pagat 900 euro. Propozuat dhe shifrat dhe treguat që i keni resurset për ta bërë këtë rritje pagash 900 euro. Por a keni një matje për të kuptuar nëse dhe sektori privat do të jetë në gjendje ose do të jetë i gatshëm të rrisë pagat paralelisht me sektorin publik. Ka aktorë shumë të rëndësishëm që e ngre këtë pyetje sicc eshte Banka e Shqipërisë. A do të ishte e shëndetshme një rritje pagash vetëm nga sektori publik dhe jo i rritur nga sektori privat?  

 

Kryeministri Edi Rama: Atëherë mbase është më e shëndetshme që mos t’i rrisim pagat. Së pari një herë dhe më falni që po ua u them këtë gjë sot, por ju të gjithë merrni paga më shumë seç deklaroni. Ju që jeni këtu, që ta fillojmë një herë.

 

-Unë jo!

 

Kryeministri Edi Rama: Në rregull! E lëmë kështu meqë është fund i vitit! E lëmë kështu, që ju të gjithë merrni pagat e deklaruara. Kjo është një ngjarje që ky do ishte lajmi i vërtetë sot. Por sidoqoftë, nëse ju merrni të gjithë pagat që janë të deklaruara, atëherë ju jeni përjashtimi që përforcon rregullin. Sepse megjithëse ka pasur një formalizim të ndjeshëm të pagave, prapë ka akoma një formalitet të rëndësishëm në paga dhe këtë besoj ju që jeni i këtij sektori e pranoni apo jo? Të paktën këtu mos më thuaj jo. Atëherë unë ju them që në sektorin e turizmit, sot në Shqipëri realisht nuk është më problem si për sipërmarrësit, sa paguajnë? Paguajnë sa të duash. Problemi është të kenë njerëzit e duhur për të bërë punën për të cilën kërkojnë dhe pagë nën 900 euro në bregdetin shqiptar nuk ka, ua u them unë, pagë reale po flas, nuk ka! Nuk ka! Kamarier, nuk ka. Të tjerat janë më lartë. Po ashtu në ndërtim. Pagat janë më të larta seç i deklarojnë. Që do të thotë që sipërmarrësit, kompanitë kanë kuptuar dhe po e kuptojnë gjithmonë e më shumë që shfrytëzimi i krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka mbaruar. Ajo kohë ka mbaruar! Nuk e merr dot më avantazhin në këtë fazë të re të ekonomisë, duke pasur krahë të lirë pune. Dhe shembulli më i thjeshtë është ai i fasoneve. Kompanitë fason, të cilat funksionojnë prej shumë vitesh, tani po përballen me një fazë tranzicioni që vajza të reja, të cilat tani janë për të dalë në pension lënë makinat qepëse. Imagjinoni ju një vajzë të re në moshën e atyre që sot po dalin në pension kur ishin vajza të reja të ulen në makinë qepëse? Në fason? Për atë pagë? Kurrë! Dhe me shumë të drejtë. Që do të thotë që nuk më avantazh konkurrues me krahë të lirë pune. Avantazhi konkurrues bëhet me cilësi. Bëhet me kapacitete të tjera dhe e gjithë kjo lidhet prapë tek pagat. Jo vetëm që sektori privat është gati, por sektori privat po e bën këtë gjë. Shqetësimi është që një pjesë e kësaj gjëje bëhet në mënyrë informale. Ky është shqetësimi.

Megjithatë, nga ana tjetër, rritja e pagave në sektorin publik na ka treguar në mënyrë të përsëritur që e nxit sektorin privat, ndërsa rritja historike që ne kemi bërë në këtë hark dy vjeçar, patjetër që do ta shtyjë shumë fort, siç po bën, sektorin privat. Mjafton të shikoni pagat e larta, shikoni sa janë rritur pagat e larta në sektorin privat në këtë periudhë pas rritjes së pagave të larta në sektorin shtetëror, pra mbas rritjes së pagave që nuk ishin mjaftueshmërisht të larta për hir të së vërtetës. Kështu që, unë jam shumë optimist për këtë. Jam shumë shumë optimist për këtë.

 

Që Shqipëria ka hyrë në një fazë të re nuk diskutohet më dhe këtë e konfirmojnë të gjitha të dhënat nga të katërta anët,  edhe të ekonomisë dhe të sigurisë, të gjitha. Që Shqipëria në këtë fazë të re di të ketë një rritje shumë të madhe të investimeve nuk diskutohet. Ne kemi sot kërkesa që nuk i kemi pasur, flas si kategori deri përpara disa vitesh për investime në turizëm nga investitorë shumë të mëdhenj. S’kemi pasur kurrë përpara. Investime të turizmit në Shqipëri janë investime të brendshme deri më sot. Tani kemi shumë nga investitorë të huaj, po flas për turizmin dhe po kështu dhe në drejtime të tjera.

 

Kështu që, nuk diskutohet që Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe që në vitet që vijnë pagat dhe ekonomia në tërësi do të rriten shumë ndjeshëm.

 

Unë jam shumë optimist për këtë dhe jo sepse dua unë të jetë kështu, por sepse gjithçka shkon në këtë drejtim. Mjafton të shikoni lekun sot. Leku sot është një shëmbëlltyrë e një kthese historike. Shikoni inflacionin që është kthyer përsëri në normat e zakonshme. Të gjitha këto janë burim i madh inkurajimi dhe shprese nuk diskutohet.

–  Zoti kryeministër një pjesë e institucioneve shtetërorë, përfshirë edhe Kuvendin e Shqipërisë janë paralizuar për shkak të disa sulmeve kibernetike ku duket se autorët janë të njëjtë që kanë qenë edhe për përpara. Në këto kushte keni komunikuar me AKSHI-n apo dhe Kuvendin e Shqipërisë dhe cili është dëmi i shkaktuar nga hakerat iranian në dokumentet parlamentarë dhe çfarë është bërë për sa i përket infrastrukturës kritike të institucioneve qeveritare. Flasim këtu duke qenë se sulmet janë të përsëritura dhe më herët keni deklaruar se keni komunikuar edhe me partnerët ndërkombëtarë për të luftuar sulmet kibernetike. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë për çfarë duhet të komunikoja me AKSHI-n? Sepse e keni bërë AKSHI-n si një fjalë që e përdorni sa herë që ndodh diçka që lidhet me teknologjinë. AKSHI nuk ka asnjë lidhje, por asnjë infrastrukturë që hostohet siç thuhet në atë gjuhë, pra që është në zonën që mbulon AKSHI, nuk është prekur. Asnjë! Sulmi i bërë mbi infrastrukturën që mbulon AKSHI është kthyer mbrapsht. Parlamenti i Shqipërisë ka një hostim të vetin. Jashtë sferës që mbulon AKSHI, ashtu si kundër janë edhe një sërë institucionesh dhe faktikisht dje qeveria ka vendosur, pardje kur ishte mbledhja, ka vendosur që të çojë në Kuvend ligjin. Javën e ardhshme, domethënë pas viti të ri do ta kalojmë, sepse e diskutuam. Kishim disa pika për tu axhustuar dhe do të çojmë ligjin për sigurinë kibernetike dhe të gjitha institucionet, përfshirë dhe gjykatat që janë komplet jashtë çdo lloj orbite do të futen një më një nën një ombrellë, që quhet SOKU kombëtar. Dhe SOKU kombëtar është garancia kryesore për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike dhe është një infrastrukturë cila po ngrihet dhe është e gatshme të hostojë të gjithë nën mbrojtjen e agjencisë sonë të re që e kemi krijuar për mbrojtjen kibernetike. Kështu që janë shumë hapa të tjerë që duhen hedhur sepse ne trashëguam në krye të herës një  bathore digjitale. Pra një territor ndërtimesh ku secili kishte bërë atë të veten dhe këto ndërtime nuk komunikonin me njëra tjetër, pa kanalizimeve, pa linja të përbashkëta, pra gjithë infrastruktura që do t’i bashkohet mungonte. Tani jemi shumë më të avancuar edhe na duhet që të konsolidojmë të gjithë infrastrukturën dhe patjetër që edhe sektori privat të marri masa të cilat janë masa që do të imponohet nga ligji që do të kalojmë për sigurinë kibernetike, kështu që ligji do të kalojë në qeveri në mbledhjen e parë të qeverisë, pastaj do t’i shkojë parlamentit dhe do të jetë për diskutim, dhe do të miratohet nga parlamenti dhe do të detyrojë të gjitha kompanitë dhe të gjitha institucionet që t’i nënshtrohen disa rregullave dhe të financojnë për mbrojtjen kibernetike, siç bën gjithë bota.

Sulmi ka qenë shumë i egër sipas raporti që unë kam marrë, por përsëri pjesa më e madhe e dëmit është evituar, ndërkohë që në rastin e Kuvendit, Kuvendi ka qenë tërësisht në një territor më vete dhe ka patur vulnerabilitet të lartë, por nga ana tjetër duhet të mësohemi me këtë, sepse të gjitha vendet sulmohen. Sulmet kibernetike janë në modë sot dhe ndodhin hatara. Kështu që ne tani të mos qahemi.

Ju falenderoj në mënyrë të posaçme për gjithë punën e përbashkët se në një farë mënyre është punë e përbashkët. Ju falenderoj edhe për durimin, edhe për besnikërinë e informimit të publikut, të paktën me ndonjë përjashtim se kemi dhe hudhrën këtu që nuk na lë që të na marrin më sysh, po të tjerët të gjithë jemi në rregull, nuk kemi asnjë ankesë, por dhe hudhrën e duam shumë. Në vitin tjetër, uroj shumë që të keni gjithçka që dëshironi.

Ju uroj nga zemra që familjet tuaja të jenë sa më mirë dhe që çdo gjë që juve ju do zemra, të ndodhë dhe siç tha Elia, çdo ëndërr që shihni me sy hapur, të jeni të sigurt që dhe mund ta realizoni, mjafton që të insistoni deri në fund.

Shumë, shumë, shumë faleminderit! Gëzuar! Dhe përpara se të largoheni ju kam lënë diçka për ta marrë me vete, për familjet jo për ju. Shpresoj shumë që vitin e ardhshëm të ndiheni më mirë se kurrë ndonjë herë tjetër dhe të ndiheni të privilegjuar që jeni ndër shqiptarët që e merrni të plotë rrogën që deklaroni.

Faleminderit shumë!

 

 

Previous Hapen dyert e para të shtëpive falë programit të kredive të garantuara nga shteti për punonjësit e Policisë, mjekët dhe ushtarakët