Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në vijim të diskutimeve mbi projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri” - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama në seancën parlamentare në vijim të diskutimeve mbi projektrezolutën “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”

Për të vazhduar me diskutimin e ndërprerë nga vizita e këndshme e fëmijëve, duke falënderuar dhe ndihmën që na dha Kryetarja e Kuvendit për të ndërprerë seancën, në mënyrë që fëmijët të shijonin sallën e parlamentit dhe të mos ndiqnin një debat që është larg të qenit një debat ku mund të përshihen jo ata, por edhe fëmijë më të rritur, lidhur me një monstrualitet absolut si raporti mbi trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzor në Kosovë.

Jemi përpara faktit se qysh prej vitit 2012 kur Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me votën dhe të PD në atë kohë, që ta theksojmë këtë se është e rëndësishme, dhe me votën kundra të PS dhe të deputetit Shpëtim Idrizi ka miratuar këtë raport monstruoz dhe sot fakti është që asnjë nga misionet dhe asnjë nga hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtare nuk kanë gjetur asnjë fakt, asnjë provë që të vërtetojë asnjë nga akuzat apo pretendimet e ngritura nga zotëria në fjalë. Dhe këtu është momenti për ta thënë shumë qartë që kjo nismë të cilën ne do ta çojmë deri në Strasburg nuk ka asnjë synim për të interferuar  me procesin e drejtësisë që zhvillohet në Hagë, proces i cili sot zhvillohet sepse në gusht të vitit 2015 pikërisht Hashim Thaci në krye si gjithmonë bashkë me gjithë të tjerët në anën e akuzuar aso kohe në parlament miratuan krijimin e dhomave të specializuara për ndjekjen penale mbi ato pretendime dhe ato ishin objekt hetimi me kohë e me vakt dhe vazhduan të jenë objekt hetimi, por fatkeqësisht për Kosovë, fatkeqësisht për ushtrinë çlirimtare të Kosovës, fatkeqësisht për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët që kanë atdhe, që kanë fe, që kanë din dhe iman dhe për turpin e këtyre që e votuan këtë raport atje në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, balta mbuloi dynjanë ndërkohë që asnjë provë nuk u gjet. As zyra e prokurorisë së specializuar që u krijua për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht për ato krime të supozuara në raportin e Dick Martit në asnjë prej hetimeve, në asnjë prej hetimeve dhe në asnjë prej akt akuzave që u ngritën ndaj udhëheqësve të UÇK nuk përmend asnjë rast, zero, që lidhet me trafikun e organeve njerëzore, dhe flasim, jo për akuza të një raporti dosido, por për akuzat e raportit që i dha jetë dhomave të specializuara, pra ato u ngritën. Ne dhe për hir të së  vërtetës, se kanë çfarë kanë, se në këtë rast e vërteta është që i është hapur rrugë nga qeveria shqiptarë dhe më e para dhe më pas të gjitha llojeve të hetimeve, kontrolleve, skrutinimeve, shtëpia e verdhë, zero! Zero. Asgjë. Trafik organesh njerëzore në një shtëpi që ishte në fund të botës pa rrugë fare, ndërkohë që dihet shumë mirë se çfarë kushtesh duhet të jenë për të kryer veprimtari mjekësore të këtij niveli. Zero.

Shqipëria sot ka detyrën të veprojë, pse sot dhe jo dje? Sepse sot kemi akt akuzën, sot lexojmë e zeza mbi të bardhë se për çfarë akuzohet Hashim Thaçi dhe udhëheqësit e tjerë që janë atje të kyçur, në një proces që nuk është çështja jonë, pavarësisht se unë nuk mund të mos e them që është unikale në historinë e botës që një president në detyrë të merret peng pa akuzë, të mbyllet brenda pa akuzë, të rri një vit pa akuzë, kjo është unikale. Imagjinoni, ti marrin presidentin një vendi tjetër dhe t’ia mbyllin pa akuzë. Megjithatë këtë unë s’mund të mos e them, por kjo është çështja e rezolutës dhe nuk është çështja jonë. Çështja jonë është të vëmë në vend nderin e këtij kombi, e kombit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, kudo ku janë shqiptarët se nuk mundet ne kurrë ta pranojmë se ky komb i jep jetë një lëvizje çlirimtare që na qenka një njësi terroriste kriminelësh që  merret me trafik organesh. Njësi terroriste UÇK-në e ka quajtur një i vdekur që është këtu dhe vjen vërdallë dhe kujton se është i gjallë, së bashku me këtë parti këtu dhe e dëgjuat atë që ka qenë kryetar 8 vjet ai tjetri, se kështu është kjo “Bëmë baba të të ngjaj”, asnjë fjalë për Dick Martin, asnjë fjalë për Hashim Thaçin, asnjë fjalë për UÇK-në, vetëm për Sllobodanin dhe për mua, ja këta janë këta!

Këta janë këta, këta sduan të dinë jo për Kosove dhe për Shqipëri, por këta s’duan të dinë për asgjë tjetër përveç për karrige që ngulen mu në mishin e këtij vendi dhe që sjellin të mira materiale, asgjë tjetër. Dhe sot pyetja është pse kur iu dha mundësia për të ndihmuar drejtësinë, drejtësinë që të gjente të vërtetën në Kosovë në një proces gjyqësor që ishte konkret, një proces i quajtur Medicus  dhe ku kishte pretendime trafikimi, Dick Marty as nuk u paraqit fare madje tha kam imunitet. Por unë nuk  e kam fare me atë zotërinë se as nuk e njoh dhe as nuk kam dëshirë ta njoh, por unë e kam me faktin që ky proces e ka zanafillën në Kremlin, ky është fakti. Dëgjoni se çfarë thonë përsëri nga kanalet e propagandës së Kremlinit për Donbasin dhe çfarë akuzash ngrenë sot për batalionet e rezistencës së ukrainase, trafik organesh njerëzore dhe këtu nuk po bëjmë një spekulim, teori konspiracioni. Taulanti në prezantim e tha shumë qartë, është një person me mbiemër dhe me mbiemër, anëtar i këshillit të Europës që e ka avancuar këtë tezë dhe pastaj ka dalë një zviceran që i ka dhënë tezes një fytyrë neutraliteti dhe sot Shqipëria ka të drejtë të flasë me zë të lartë sepse sot Shqipëria, pavarësisht faktit që raportin nuk duhet ta kishte votuar, nuk duhet ta kishte votuar asnjë shqiptar atje po ishin të dërguarit e të vdekurit që kujton se është i gjallë dhe e votoi, Shqipëria nuk i pengoi për asnjë sekondë të gjitha hetimet, nuk pengoi për asnjë sekondë asnjë lloj grupi specialisti, hetuesi të ardhur nga kudo qoftë për të krijuar kushtet që “hajde shiheni, se e futën edhe Shqipërinë në këtë proces dhe është zero”.

Tani Shqipëria çdo bëjë këtu? Do rrijë të merret me këta? Që edhe këtu duan të fusin prapë kunjat e tyre, duan të fusin sherrin midis Shqipërisë dhe aleatëve? Në emër të patriotizmit të tyre absurd, që vetëm patriotizëm nuk është. Jo. Shqipëria do të merret me reputacionin e cenuar të popullit shqiptar të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë dhe do ta bëjë këtë me dinjitet deri në fund me aq sa ka mundësi. Zëri i Shqipërisë do të dëgjohet në Strasburg për këtë çështje dhe Dick Marty sot nuk më anëtar i Asamblesë.

Ne s’e kemi fare me Dick Martyn tani, ne e kemi me reputacionin dhe dinjitetin e një asambleje të Këshillit të Evropës që është çuar dhe e ka votuar. Dakord?

E kanë votuar se kanë menduar se duhet hetuar dhe duhet të votohet, por ndërkohë ky proces hetimesh nuk ka sjellë asnjë drejtësi mbi viktimat e presupozuara por ka bërë viktima, figurat kryesore të UÇK-së sepse i tillë ka qenë edhe qëllimi fillestar i atij rusit që nuk fliste nw emrin e vet dhe e ka bërë viktimë, jo disa persona, ka bërë viktimë botërore UÇK-në, një nga momentet më të rëndësishme të krenarisë kombëtare të shqiptarëve, një nga shëmbëlltyrat e krenarisë, për çfarë janë krenarë këta? Këta për çfarë janë krenarë? Nga ju buron krenaria këtyre?

Apo që i kanë vënë Shqipërisë vulën e “non gratës” në lule të ballit mbasi e kanë qeverisur nuk e di sa vite. Për çfarë ? Shkojnë e vijnë këtu. Ku e kanë krenarinë? Për çfarë? Këta flasin për luftën se ju duket sikur marrin pjesë në luftë kur flasin për luftën me fjalë .

Krenarinë këtyre, neve të gjithëve kur flasim për Kosovën ne na e jep një gjë, lufta, që nga Ibrahim Rugova deri tek Hashim Thaçi, kurse këta e duan Hashim Thaçin të varur për këmbësh për shkak të politikës së tyre dhe të perversitetit patriotik.

Një gjë që nuk e bën asnjë komb, nuk e bën asnjë popull, nuk e bën asnjë forcë, organizatë, shoqëri, shoqatë që për hir të hesapeve të brendshme të shkojë të kërkojë të theren  vëllezërit rrugëve të botës . po e bën një gogol që vjen  vërdallë këtu bashkë me hijet që i shkojnë nga prapa.

Dhe sigurisht që nëse raporti do të mbetej thjesht personal do ishte një roman, një roman horror për një luftë po ai s’është raport personal, Dick Marty s’është më, është një emër s’ka rëndësi.

Është raport I miratuar nga Këshilli i Evropës ku ne jemi anëtar. Dhe unë jam shumë krenar që mund të bëjmë kaq. Në krahasim me pafundësinë e gjësë që ka bërë Hashim Thaçi dhe që kanë bërë udhëheqësit e UÇK-së.

Dhe që Shqipëria të flasë në emër të të gjithë atyre që janë poshtëruar , ne emër të Adem Jasharit që këta e përmendin sa herë duan të bëjnë propagandë këtu dhe të thonë “ ne jemi kosovarët e vërtetë këtu në parlament, ju jeni serbë”. Po Adem Jashari nuk ka nevojë për lëvdatat e këtyre dhe as tonat. Adem Jashari ka nevojë të mbrohet nga ky raport sepse është bërë pis gjaku i Adem Jasharit dhe familjes së tij duke i përfshirë edhe ata në një lëvizje që qenka marrë me trafik organesh njerëzore e deri tek heroi dhe dëshmori I fundit i UÇK-së dhe deri tek të gjitha nënat dhe motrat që qajnë djemtë e tyre të vrarë në luftë dhe deri patjetër tek Hashim Thaçi.

Tani që ju do ta votoni rezolutën kjo as nuk diskutohet, s’keni asnjë rrugë tjetër.

Që ju nuk keni kuptuar asgjë nga gjithë ato vite që keni qenë në pushtet, kjo nuk diskutohet.

Që ju vazhdoni të mos kuptoni asgjë dhe kjo nuk diskutohet por një gjë është e sigurtë, që historia të del përpara, del përpara.

Historia pikërisht kur ti mendon se e ke lënë pas, e gjen përpara. Siç gjen sot përpara ky parlament bishtin e shtrembër që vajti në asamble , Partinw Demokratike dhe me urdhër nga ‘’Baca i madh’’, hapi rrugë për gjithë këtë poshtërim. Jo se do ta ndalonte, mbase por se nuk duhej të përfshihej, siç bëmë ne, Partia Socialiste e Shqipërisë. Dhe një gjë historia e ka thënë shumë qarte dhe po e thotë dhe sot këtu, edhe nga ky debat që u bë e jam I bindur do vazhdojë se këtu sa herë që flitet për Kosovën, ‘’zgjohen gjithë gogolat shqiptarë”.

Historia ka thënë që PS ka një bilanc absolut në raport me interesin ndërkombëtar, nga dita 1, absolut. Ndërkohe që bilanci i asaj që quhej Partia Demokratike dhe sot është një tufë varkash druri, një tufë varkash druri, që vini këtu dhe kujtoni se ju gënjen mendja e përballeni me një anije, një tufë varkash me lopata jeni.

Oqeanin e harruat disa dhe tani do harroni edhe Gjibraltarin, disa. Dhe shumë shpejt do harroni edhe Adriatikun dhe mbani mend fjalët e mia se mua më dalin fjalët dhe vazhdoni thoni shqiptarëve “ që ne nuk pyesim se dinjiteti dhe sovraniteti..” Cilin dinjitet dhe sovranitet mbroni ju? Në emër të cilit dinjitet dhe sovranitet flisni ju, kur ju e keni thikën në gojë sa herë që ju duhet t’ia ngulni Kosovës.

Ça dinjiteti keni ju? Sa herë ju duhet t’ia ngulni Kosovës dhe me thikën tuaj e keni përcjellë presidentin në detyrë të Kosovës për në Hagë. Ju.

Historia tregon që ju e furnizuat Sllobodan Millosheviçin, ju, nuk e ka furnizuar Partia Socialiste.

A ka ikur ajo? Ajo nuk ikën kurrë sepse historia nuk ikën kurrë, të del përpara.

E pe si të del përpara historia? Mblidhet e mblidhet dhe del dhe thotë se je i padëshirueshëm, non grata. Mbaroi historia jote, ik tani. Se vjen historia përpara, mblidhen gjërat. Çoji naftë Millos atje, çohu këtej dhe bëje Hashim Thaçin dhe UÇK terrorist marksist-leninist terrorist dhe kush i bën? Ne emër të kujt? Dil këtej nga ana tjetër dhe bëj çorapin çorap, futu andej dhe kthehej Shqipërinë në pronë private edhe vjen historia përpara dhe thotë “ prit mor vëlla, se ti je i fortë shumë , o bajraktar po historia është më e fortë se ty” dhe ja si vjen.

Dhe vijmë tek Dick Marty vijmë tek raporti për trafik të qënieve njerëzore dhe  del historia përpara.

Si nisi kjo punë? Na e paska nisur nga Kremlini. Po si vazhdoi kjo punë? Na e paskan votuar këta.

Si ecën kjo punë? Ja si ecën sot prapë.

Asnjë fjalë për Dik Marty, asnjë fjalë për trafikun e qenieve njerëzore, asnjë fjalë për Hashim Thaçin.

“Krenarë për luftën”. Si krenarë? Çfarë krenarie keni ju për luftën kur ju nuk keni kurajë të respektoni komandantin e UÇK-së? Çfarë jeni ju?

Jo atje, por në rrethin e nëntë të ferrit të jetë Hashim Thaçi, ju të gjithë dhe bashkë me ne të gjithë duhet të ngriheni në këmbë sa herë t’i përmendet emri.

Çfarë jeni ju, për çfarë jeni krenarë ju?

Për bacën Adem? Bacën Adem hajde mbrojeni këtu duke i dalë për zot Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe duke shkuar në Këshillin e Europës duke i thënë “Shqiptarët nuk bëjnë lëvizje çlirimtare për të bërë trafik organesh”!

Ju jeni të  gatshëm të shkoni në Këshill të Europës dhe të thoni “Shqiptarët janë mafie. Shqipëria është mafie” dhe vetëm ju do na shpëtoni.

Në ndërkohë që ju përpiqeni të na shpëtoni, çfarë ndodh?

“Non-Grata”, të padëshirueshëm, dhe të padëshirueshëm për kë?

Për Sllobodanin? Jo, Sbllobodanit i keni dhënë naftë ju, Sllobodani edhe sot rrotullohet në varr nga kënaqësia që ju ka juve akoma këtu, në formë gogoli, por ama ju ka.

Për çfarë? Për çfarë tjetër? Kujt? Nga kush?

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së shpejti vjen gjëja, tek Gadishulli i madh Britanik dhe pastaj prapë do vijë këtu.

Çfarë do bëni ju? Ju do rrini këtu të luftoni për sovranitetin?! Sovranitetin e kujt? Për ta përdorur flamurin e Shqipërisë si leckë, si gjethe fiku që të mbuloni mëkatet dhe të mbuloni organin kryesor të mëkatit që e keni në trupin tuaj?

Ja kjo është historia.

E që të mos vazhdoj me këtë çështjen e organeve, faleminderit shumë!

 

Previous Replikë e Kryeministrit Edi Rama ne seancën e sotme parlamentare/ Projektrezoluta “Mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”

Leave Your Comment