Kryeministri Edi Rama në takimin me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit

Mirëmëngjes!

Në radhë të parë mirënjohje edhe respekt për ju dhe për të gjithë ata që nën drejtimin tuaj, po përballen me dinjitet, me forcë, me kurajë, me një valë dhune, e cila nuk ka të bëjë aspak me asnjë nga arsyet që janë legjitime të qytetarëve në një vend të lirë dhe demokratik, për të patur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria.

Kam ardhur prapë sot me këtë me vete (gurin) sepse vërtetë duhet ta mbash në dorë, ta peshosh; duhet të llogarisësh sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve nën uniformë dhe se çfarë mund të bëjë mbi këdo.

Me këtë (gurin) nuk negociohet dhe me këdo që vë përpara këtë, nuk negociohet, sepse në momentin kur shteti negocion me këtë, ka rënë. Dhe në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film, më shumë se një herë dhe ka parë se si pasojat e këtij, janë plagë që duan vite të tëra për t’u shëruar.

Natyrisht, që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston  paqësisht edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse dhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në SHBA, të cilën presidenti i SHBA e ka shpallur organizatë terroriste, ANTIFA. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i SHBA. Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot 7 fjalë bashkë, mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente, po patjetër. Janë nxënës dhe nxënese, po patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision; shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka, bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.

Ata që janë këtu pak më në moshe, i kanë ende kutjimet e asaj kohe, nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe fillonte nga e para. Kështu po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaja një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e policisë, që djemtë dhe vajzat, që burrat dhe gratë dhe mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve po jeni dhe nën sulmin e ekraneve.

Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë, kjo paralajmërohet se do të ndodhë  kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e protestuesve; nuk ka dalë të brohorasë flakët mbi institucionet; nuk ka dalë të himnizojë dhunën, hurin,drurin, gurin e një mase kapuçionësh të zinj të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë; pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qënie të verbëra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë e as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë (gurin). Adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida dhe me saçme që godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin dhe pastaj iu turren dyaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.

Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikologë, e cila ka nevojë për t’u trajtuar nga shoqëria, si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohim ne ekranin e telefonit, sesi disa të tjerë e disa të tjera që jetojnë me  online-in dhe bëjnë nga dhjetëra, mijëra euro pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë e të vishen e të jëtojnë në luks. Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga ANTIFA e nga shërbime të huaja e nga armiq të Shqipërisë, dashakëqinj të Shqipërisë.

Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në BE, që i do studentët shqiptarë të barabartë  me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris të jetë studenti i një universiteti europian, me pasaportë europiane.

Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që “babai” ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin, del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet “kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve” që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian. Nuk është rastësi. S’ka se si të jetë rastësi sepse ne e dime shumë mirë, që ditën e parë që u shfaqën flamingot, ashtu siç shumë qytetarë i solli dallga e pakënaqësisë, ishte pas saj dhe dallga e influencës ruse në të gjithë sistemin e rrjeteve sociale. Me mijëra e mijëra, dhjetëra mijëra profile false të krijuara enkas si shqiptarë që kërkonin të mbronin natyrën, u vunë në lëvizje ashtu sikundër u vunë në lëvizje me mijëra e mijëra të tjera nga Republika terroriste e Iranit për të mbrojtur natyrën në Shqipëri.

Si mund të jenë këto rastësira? Këto nuk janë rastësira, nuk ka rastësi këtu. Këtu Shqipëria është bërë pjesë e shënjestrave të një sulmi të mirë koordinuar nga një forcë e verbër, e cila tanimë siç ju thashë nga presidenti i Shtetit të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste. Ndërkohë që e përsëris ata që janë atje në shesh patjetër që janë vajzat, janë djemtë e këtij vendi. Ne i kemi pasur mirë parasysh kur Policia e Shtetit ka qenë në maksimumin e vetëpërmbajtjes së vetë. Çfarë tjetër përveçse vetëpërmbajtjes së policisë mund të bënte që të të hidhej flaka dhe të ndizeshin flakët në një sërë institucionesh, ministri, të digjej Ministria e Arsimit. E dini ju pse shkojnë te Ministria e Arsimit, jo se janë studentë që kërkojnë më shumë, po se duan të fusin në kokën e gjithsekujt që kjo është një revoltë për arsimin. Kjo nuk është një revoltë për arsimin, se revoltat për arsimin janë ato të 2018-s, kur ishin 20 e kusur mijë studentë dhe nxënës edhe e mbani mend shumë mirë. E bllokuan Tiranë me ditë dhe me javë. I bllokuan universitetet, i bllokuan katedrat, e bllokuan mësimin, por ishin paqësor dhe kishin kërkesa për universitetin.

U desh durim, u desh qetësi, u desh kohë për të arritur, për t’u vendosur në një dialog. Dialogu u bë, u bë pakti për universitetin. Shumëçka u bë mirë. Mund të ketë gjëra që nuk janë bërë ende. Pakti për universitetin është një libër i hapur. Bujrum të vijnë të gjithë të ulemi, ta shikojmë. Po çfarë studentësh janë këta? Si mund të jenë studentë ata që admirojnë gurin? Si mund të jenë studentë ata që rrinë mbrapa atyre që hedhin gurë dhe i duartokasin kur digjet polici? Si mund të jenë studentë ata që duartrokasin djegien e bizneseve të vogla, e familjeve që e shtrojnë tavolinën e bukës me punën që bëjnë ato kioska? Si mund student ata që duartrokasin djegien e zyrave të bankave. Ata që duan trokasin shkuljen e automateve, si mund të jenë studentë? Ata që kujtojnë se brenda automatit do gjejnë një pasuri dhe në sportet e bankave do gjejnë depozitat e shqiptarëve. Ata nuk janë studentë! S’ka si të jenë studentë edhe pse mund të jenë të regjistruar në shkollë.

Kam parë, po i kam parë dhe unë vajza dhe djem të bukur, të bukur. Ata s’janë huliganë si ata të gurit, të hurit dhe të zjarrit, por janë të ekstremizuar, janë të verbuar nga ideja se hajde ta kthejmë njëherë përmbys se pastaj do bëhet më mirë. Si do bëhet më mirë? Si mund të bëhet më mirë duke kthyer përmbys? Çfarë do kthehet përmbys? Vullneti i popullit do kthehet përmbys?

Ndërkohë që e gjitha kjo e bën qëndresën tuaj jo vetëm më të rëndësishme, por dhe më dinjitoze përball gjithë këtij presioni nuk është presioni e përsëris, nuk është presioni i rrugës. As i vetmi dhe as ai më i keqi. Më i keqi është presioni i atyre të ashtuquajturve intelektualë, i atyre të ashtuquajturve analistë, opinionistë që çdo mbrëmje bëjnë bilancin e dhunës dhe që inatet, mllefet, zilitë, pa aftësitë, dështim zemërimin e tyre e ushqejnë, e ngushëllojnë me sa policë sakatohen, me sa institucione digjen, me sa njësi tregtare shkatërrohen dhe fërkojnë duart sepse i erdhi fundi Edi Ramës dhe qeverisë, sepse më në fund u realizua ajo që është tentuar me vite e vite e vite, me gjithëfarë lloj formash, me gjithëfarë lloj protestash, me gjithëfarë lloj manifestimesh, me gjithëfarë lloj molotovësh. Dhe tani u gjetën mashat, u gjetën veglat, u gjetën qorrat që mund të bëjnë atë që ata të cilët mbrëmë ju dhanë strehim politik duke bërë të njëjtën gjë që kanë bërë edhe kur ishin në kohëra të tjera, refuzimin për ta lënë policinë bëj punë e vet, por se kishin deri në fund kurajon që të bënin këtë që po ndodh sot. U gjetën të miturit u gjetën 13 vjeçarët, 14 vjeçarët që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top duke ëndërruar që një polici larg qoftë t’i shpëtojë dora edhe t’i marri jetën një të mituri që pastaj justifikohet e keqja edhe më e madhe, duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 janari për të bërë shenjën e barazisë midis meje dhe nesh që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndryshuar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.

Prandaj dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flame, prandaj forca me të cilën ju po i rezistoni kësaj lodhjeje, prandaj kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës tuaj i bën nder shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellet dhe të gjitha familjet e zakonshme të këtij vendi që duan të jetojnë me punë që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë përpara televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj kronikanësh, lloj-lloj analistësh që tregojnë se policia po gjuan me gurë protestuesit. Jua kanë borxh të gjithë shqiptarët sot e mbi të gjitha unë dua shumë sinqerisht vëllazërisht të shpreh edhe keqardhjen solidaritetin me familjet tuaj, me prindërit, me bashkëshortet, me fëmijët tuaj, me bashkëshortët, për ato që janë vajza.  Pashë dje një vajzë nën uniformë e cila ruante shtetin në bulevard dhe kishte përball një tjetër vajzë te veshur e të mbathur nga kokat e këmbët si e dalë nga Instagrami edhe me kufje në vesh që i kthehej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës.

Si mund të jemi ne, si mund të jetë shoqëria shqiptare sot e gatshme ta justifikojë e jo më ta tolerojë këtë flamë vulgariteti? E dinë mirë drejtuesit këtu se çfarë lexojnë në ato rrjetet e tyre të brendshme, se çfarë gjuhe; ‘’hajde sot, do të djegim gjithë pemët e Tiranës’’, ‘’hajde sot, do shkatërrojmë gjithë makinat e Tiranës’’, ‘’hajde sot…’’

Ça janë këta? Si mund të jenë këta zëri i të ardhmes? Si mund të jenë këta thirrja e diçkaje të re? Këta do ta ulin koston e jetesës? E dimë të gjithë shumë mirë dhe besojeni që e di po aq sa ç’e dini ju edhe pse ju e keni në të përditshmen tuaj, më shumë se sa ç’e kam unë peshën e kostos së jetesës, por do ulet kostoja e jetesës duke djegur e duke shkatërruar? Do vijnë paga më të mira duke thyer banka e duke djegur makina? Do ketë strehim më të përballueshëm duke sulmuar bizneset e duke demonizuar ata që ndërtojnë? Kullat, kullat, kullat..

Hajde të shkojmë, thonin, të shkatërrojmë e të djegim kokën e Edi Ramës atje, se e kanë bërë dhe kokën time atë godinën atje. Po e dinë? Nuk e dinë se sa taksa paguajnë për ta ndërtuar atë godinë.. e dinë? Jo, nuk e dinë që me taksat e asaj godine dhe me përqindjen që nga ajo godinë del për strehim, ndërtohen 5 shkolla të reja. 5 shkolla të reja ndërtohen! Është 3 milionë e gjysmë euro taksa dhe 3% shkon për strehim që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social. Si dalin taksat? Nga dalin? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë; shkolla, rrugë, trotuare, semaforë, pemë që mbillen e të gjitha me radhë? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta? Kopshtet, çerdhe me se financohen? Le të shikojnë kontributin në ato taksa të ndërtesave, të ndërtimeve, të pallateve, të godinave të reja edhe të kullave. Le ta shikojnë kontributin dhe le ta heqim atë kontribut dhe le të na tregojnë se nga i gjejmë këto para pastaj, për t’i bërë këto gjëra. Me çfarë i zëvendësojmë? Me këtë i zëvendësojmë? Apo i zëvëndesojmë me syrin e atij kolegut atje? Edhe respekte që je sot prapë në krye të detyrës.

Syrin që mund ta kishte humbur nga verbëria e këtij, ndaj familjet tuaja meritojnë solidaritet, meritojnë respekt dhe fatmirësisht ministri e ka thënë më parë, nuk është diçka që po e themi sot si rezultat i kësaj që po ndodh sepse jemi ulur përpara disa javësh, tani që po përgatisim buxhetin e ri dhe ua ka thënë dhe e ka thënë edhe publikisht, që ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj sepse hiri i të vërtetës e do të thuhet se në krye të herës, kur policinë e gjetëm të tradhëtuar dhe të braktisur, me disa këtu që shtynin makinat se ju mbaronte karburanti në rrugë, bëmë një rrritje të konsiderueshme atëherë për t’i thënë policisë që ju jeni themeli i shtetit, por në vite,e vërteta është që nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj dhe për këtë arsye po bisedonim përpara disa javësh, kështu që me buxhetin e ri nga 1 janari,paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme, por nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe mbi të gjitha për dinjitetin me të cilin ju po i dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane ‘’masakrojnë’’ Policinë e Shtetit, nëpër ekrane fajësojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane kërkojnë që Policia e Shtetit të dorëzohet, ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front, sepse keni jo vetëm stresin, por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment dhe gjëra ekstra. Dhe vendosëm kështu, për të mos bërë asnjë diferencë, nuk e vendosëm sipas pagës, por e vendosëm kështu. E njëjta shumë për të gjithë sepse në këtë moment jeni të gjithë një, dhe një për të gjithë.

Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet, por nuk diskutohet që kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë, dashakëqinjtë e Shqipërisë; për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë forcat që nuk e duan Shqipërinë me kokën lart në këtë rajon ku kemi qenë për shekuj me radhë të poshtëruar; nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka; nuk e duan Shqipërinë që të ketë 12 e 13 e 15 e 20 milionë turistë. E duan Shqipërinë që të mos vijë askush këtu siç ndodhte më përpara kur numëroheshim për turistë edhe ne, kur hynim e dilnim.

Dhe jo vetëm që kjo nuk do të ndodhë, por kush i është vënë në dispozicion këtij plani qorrazi, do të paguajë. I them të gjitha familjeve të atyre të miturve, do të paguani, në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t’i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve nga 15 e 14 vjeç e nga 13 vjeç, e nga 16 vjeç që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa, atëherë fatura financiare për të gjitha ato dëme, do t’ju përndjekë deri në fund.

U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë policinë e shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti, nëse duan të vazhdojnë universitetin pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdoqoftë që është në anën e shtetit.

Asnjë kokërr leku nuk do marrin ata nga taksat e shqiptarëve për asgjë. Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do zëvendësojmë pemët.

Nuk do paguajmë nga taksat e shqiptarëve për këta djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për ‘’Antifën’’ edhe për gjithëfarë lloj delirantësh, edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, Neës 24-ën, pronari i të cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona e miliona, miliona euro dhe të cilin, Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet apo për ‘’lavatriçen’’ e parave të zeza ‘’Syrin’’, dy burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit. Si do i dorëzohet shteti? Si do i dorëzohet qeveria? Si do i dorëzohet parlamenti, si do i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë më saktë, ndjesë për futjen gjithëve në një thes se s’janë të gjithë në një thes, po shumica e tyre marrin paratë në dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason dhe pastaj  ju qajnë hallin punonjësve në fason, ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për… dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë. Ju rrofshin Chanel-et, ju rrofshin palltot e xhaketat e kashmirit kur grabisin pensionistët.

Dhe në fund fare unë e di shumë mire që, edhe ju, ashtu sikundër të gjithë të tjerët e dëgjoni edhe e mendoni patjetër, e mendoj dhe unë që duhet një zgjidhje. Duhet një zgjidhje. Sigurisht duhet një zgjidhje sepse të gjitha këto që thashë janë pjesë e zgjidhjes, por nuk janë vetë zgjidhja, sepse në fund të ditës përsëris edhe ata që gjuajnë me gurë, edhe ata që do paguajnë, do paguajnë deri në fund, edhe ata që gjykata i lëshon në mënyrën më të papërgjegjshme, duke thënë s’ka prova dhe i kërkojnë policisë që kur lufton atje me një kriminel që po i nxjerr sytë policit t’i bëjë dhe fotografi, i kërkon policisë imazhe kur kamerat janë ndërkohë vandalizuar. Megjithatë edhe ai kriminel është prapë i yni, i familjes tonë të madhe dhe përpjekja për ta hequr edhe atë nga rruga e dhunës është një përpjekje që do adresim dhe kjo kërkon edhe anën tjetër të medaljes. Forca e policisë është njëra anë dhe nuk duhet të vihet në diskutim. Ata që i qajnë hallin atyre që gjenden për një moment nën kundërveprimin e policisë dhe që demonizojnë policinë e shtetit, le të shikojnë se si veprojnë kolegët tuaj në Francë. Çdokush që është në një manifestim të dhunshëm është objekt i policisë së shtetit. Nuk ka aty jo, “unë isha me duar në xhepa. Jo unë isha me duar në sy duke parë atë se si po vret polici”, ti je aty sepse ti je me të. Se në qoftë se ti nuk je me të, ti nuk rri aty. Ti del në anën tjetër dhe manifeston paqësisht. Dhe për këtë arsye, ti je po aq shënjestër e policit sa dhe ai tjetri. Pra, kjo është njëra anë. Por, ana tjetër patjetër është fjala. Jo kjo,(guri) fjala, dialogu.

Tani mua më thonë këta të Kashmirit, këta që grabisin pensionet çdo muaj kur marrin pagën e tyre në të zezë për të bërë analiza për mirëqenien, “që ndenjen katër muaj atje nuk i dëgjoi asnjeri”. Nëse ka një njeri që i ka dëgjuar ata jam unë sepse kanë qenë poshtë dritares time edhe janë dhe ata ndër ju që ju ka rënë rasti që të rrinë aty. I kam pasur poshtë penxherës. Unë punoja lart, ata bërtisnin poshtë o në burg, o në litar, burg, burg, burg, litar, litar, litar dhe këndonin nga ato bejtet e ANTIFA, por sinqerisht katër muaj nuk kam dëgjuar asnjë kërkesë racionale për diçka që lidhet me arsim, që lidhet me shëndetësi, që lidhet me strehim,  asnjë. Dhe mbi të gjitha nuk e kam dëgjuar derën të trokasë. Aty ka qenë dera, aty keni qenë dhe ju. Dhe patjetër nëse do vinin disa prej tyre do thoshin do shkojmë te Kryeministri, do merrnit në telefon do thonit janë ca të rinj që po ngjiten lartë e të vijnë atje të ulen e të thonë “o zotëri duhet të ikësh. Duhet të ikësh sepse do vijmë ne, ka mbaruar kjo punë, jemi ne. Jemi rinia, jemi e ardhmja. Jemi ne, të ikësh ti sepse 1,2,3,4,5 për për ballë”. Jo vetëm që nuk kanë ardhur ndonjëherë të trokasin, por dhe kur kam komunikuar me ta, se unë kam komunikuar me ta, nuk ju kam bërë publike sepse nuk kam komunikuar me ta për t’i përdorur. Ore hajdeni lart të flasim. “S’ka me ty dialog”. “Largohu, ti duhet të ikësh”. “Ka mbaruar ora jote”

Ka mbaruar ora ime. Ka mbaruar ora e popullit shqiptar që vendos me votë se kush drejton. Ka mbaruar ora e demokracisë. Ka ardhur ora e gurit që ti do hapësh rrugë se unë të djeg, të shkatërroj, të rrënoj dhe këtyre prindërve, se janë dhe prindër këta që i bëjnë hymnin gurit dua t’ju them po mirë, ndodh në shtëpinë tuaj që fëmija të marri peng shtëpinë edhe të thotë do ta djegë po s’më dhe sot rrogën e të gjithë vitit se do ta marr unë për Tiktok. Ndodh kjo? Çfarë i bën ti atij fëmijës? Çfarë i thua? Të keqen babi aman vetëm mos e shkatërro shtëpinë se unë do të hap rrugë ty. Merr çfarë të duash. Pra patjetër që i kam dëgjuar dhe patjetër që i kemi dëgjuar ata që dolën në manifestimin masiv paqësor të fillim qershorit dhe rezultati i asaj kanë qenë shumë akte që kemi ndërmarrë. Rezultati i asaj është dhe puna e përditshme që po bëjmë dhe që së shpejti do të jetë në dispozicion të të gjithëve ku në platformën e-Albania dhe përmes Pasqyre Albania-s ti do ta ndjekësh hallin tënd me sy. Nëse sot, ti i çon një ankesë një institucioni, ti do shohësh se ku është ankesa, kur e ka afatin dhe ndërkohë atë do shikojnë edhe ata që duhet të përgjigje, por do ta shikojnë edhe eprorët e tyre për t’i thënë pse si ktheve përgjigje ti qytetarit, dhe ti do ta kesh atë aty për të dalë e për të thënë shikoje këtu shteti s’më ka kthyer përgjigjen.

Ashtu sikundër përpara një muaji, ne e shpallëm projektin e ri, programi strehimit të përballueshëm dhe strehimit social edhe për studentët dhe është projektligji në sistemin qeveritar për të marrë firmat e ministrive e për kaluar në parlament. Strehimi social dhe i përballueshëm ku janë një sërë programesh të reja dhe ku qeveria do marrë përsipër të mbështesë një pjesë të qerasë, të mbështesë me kredi me interes zero etj.

Strehimi i përballueshëm, por ne e kemi tanimë në sistem dhe ka përfitues këtu dhe ka përfitues në forcat e armatosura ka përfitues mes mësuesve dhe mes bluzave të bardha të kredive të buta për shërbëtorët e shtetit. Po këto të gjitha nuk nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza, ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve. Evazion fiskal me miliona milion miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tamet të përditshëm e të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokanisur kokën gjithë dynjasë për t’i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.

 

Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe i thonë bjeri xhamave të shkollës siç ndodhi në Lezhë. Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë në shtet më. Më si mundet një mësues t’i thotë nxënësit të thyej xhamin e shkollës? Çfarë është kjo? Lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore.

Kështu që, dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend me këdo përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna, përveç atyre që gjuajnë me gurë policinë. Përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic, kushdo tjetër është i mirëseardhur ose tek kushtdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje. Por zgjidhjen politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të të njomit me të thatin, me demek në emër të qetësisë, ne emër të dashurisë, në emër të paqes nuk ka dhe nuk ka, jo se s’dua unë, nuk është këtu pushteti im personal.

Nuk ka lidhje fare. Zero. Unë nuk e kam personal pushtetin. Për mua zyra e kryeministrit nuk është vend pune. Është mision që ma kanë ngarkuar 800 e ca mijë e kusur shqiptarë në bazë të një kontrate që mbaron 2029-ën për të bërë një, dy, tre, katër, pesë dhe deri tani unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate. Dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje dhe ne ndërkohë, A-ja dhe Zh-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen te tëra të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut të Ismail Qemalit atje në Bruksel,në oborrin e shtëpisë europiane, aty ku do shpëtojë Shqipëria njëherë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912 dhe që e kap për fyti sa herë Shqipëria tenton të ngrihet, sa herë ngre kokën; sa herë Shqipëria del pak mbi sipërfaqe. Ndërkohë që, sot kemi dalë shumë mbi sipërfaqe. Në atë bulevard, në atë shesh ku dje policia u dhunua nën duartrokitjet e ekraneve të korruptuara, u mblodh gjithë Europa dhe do mblidhet NATO vitin tjetër.

Kush e do këtë përveç nesh dhe përveç miqve tanë? Kush e do këtë? Kush e do Shqipërinë që të mbledhë këtu gjithë NATO-n dhe të bëhet qendra e botës edhe një ditë tjetër? E duan dashakëqinjtë e këtij vendi, e duan armiqtë e Europës, e duan armiqtë e demokracisë? Në asnjë mënyrë jo.

Por Shqipëria dhe shqiptarët, miqtë e mi, kanë pasur gjithmonë vegla qorre të gatshme për t’i shërbyer qorrazi çdo lloj force dhe çdo lloj interesi antikombëtar edhe pa e ditur fare se çfarë bëjnë, qysh nga 1912.

Gjithmonë janë gjendur këtu brenda nesh ata të cilët i kanë shërbyer të tjerëve pa kuptuar fare se çfarë bëjnë. Nuk ka nevojë të jesh agjent sot i paguar që merr para.. që ‘’dil atje.. bëj’’. Nuk ka nevojë fare, hiç, se ka zell të madh, ka urrejtje, ka mllef, ka revan, ka ka zili dhe të gjitha këto mjaftojnë që ti t’i vihesh në shërbim qorrazi edhe armikut tend, vetëm e vetëm që ta shohësh vëllain tënd përtokë, pa llogaritur fare se shtëpinë mund ta rrënosh nga e para. Se Shqipëria është e mirë vetëm kur është e jotja.

U zgjata, por e kisha të nevojshme ta ndaja këtë me ju dhe vetëm me ju. Nuk mund ta bëja këtë nga ekrani po doja ta bëja duke ju parë sy më sy e duke ju thënë respekt.

Sot mund t’ju duket nga ato ekrane të korruptuara që jeni të dyshuar, po të jeni të bindur që nesër kur kjo flamë të jetë përhapur, gjithë Shqipëria do ju respektojë.

Shumë qytetarë sot janë të terrorizuar dhe duan…dhe frika i çon të thonë ‘’aman, aman, aman’’, tamam si një familje e ndershme kur i futen brenda ca banditë edhe i thonë ‘’aman, aman, merr çfarë të duash vetëm mos më prek, mos më prek mua, mos më prek fëmijën, aman, merri, merri, merri, meri të gjitha’’.

Po ne nuk mund të themi ‘’merrini, merrini, merreni qeverinë, merrini institucionet, merrini të gjitha vetëm aman, aman, aman’’, sepse pastaj vjen akoma më keq gjëja dhe nesër, pasnesër nuk ka më qeveri këtu se sa herë t’i ngrihet TikTok-u 300 vetave, të vijnë me gurë të thonë ‘’ik tani, boll. Boll tani se do shkojmë te dyqani Vodafon’’ dhe te ai dyqani parë atje e kishin marrë vetëm iPhone 18-ën, e dini ju apo jo? Nuk i kishin përfillur këto celularet e gjeneratave të tjera.

Kështu që, forca, kurajo. Asnjë lloj presioni nuk duhet të ndjeni, nuk duhet ‘’të hani’’.

Unë jam me ju!

Unë jam me ju deri në fund. Jo sot, por dhe nesër. Jo tani, por derisa të jem në këtë detyrë, unë kam qenë jam dhe do jem me ju dhe sot më shumë se dje dhe nesër më shumë se sot.

Shumë faleminderit!