Kryeministri Edi Rama pret Kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama pret Kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në një ceremoni zyrtare, Kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë në zyrën e tij, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Më pas, Kryeministri Rama dhe homologu i tij Xavier Bettel mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit! Është një kënaqësi e veçantë të mirëpres sot, së bashku me kolegët, kryeministrin e Luksemburgut dhe një mik të çmuar, Xavier Bettel. Një mik i çmuar, jo sepse fjalët e bukura duhen thënë pasi i kërkon politesa e rastit, por sepse Luksemburgu dhe kryeministri personalisht kanë qenë ndër mbështetësit më të zëshëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave për anëtarësim.

Unë e falënderova përsëri dhe dua ta falenderoj dhe publikisht për faktin që në të gjitha rastet, në të gjitha instancat, kryeministri ka qenë avokat i yni edhe kur ne nuk kemi qenë të pranishëm.

Ndërkohë, dua ta falenderoj që mbajti fjalën, me një vonesë relative dhe objektive, për te vizituar Shqipërinë dhe më vjen jashtëzakonisht mirë që kjo vizitë përkon me një vit të veçantë në historinë e marrëdhënieve tona me Luksemburgun, 100 vjet nga njohja që Luksemburgu i bëri shtetit shqiptar në vitin 1922 dhe pas konferencës do konsumojmë pak minuta për të parë disa nga dokumentet shumë interesante që dëshironim t’i tregonim Kryeministrit nga ana jonë.

Sot kemi diskutuar sigurisht për atë që vjen më tutje, pasi më në fund e kemi hequr nga agjenda e diskutimeve hapjen e negociatave, tanimë ne jemi në procesin e negociatave.

Kemi folur sigurisht për konfliktin dhe ndajmë absolutisht të njëjtin qëndrim lidhur me agresionin rus dhe domosdoshmërinë për ta mbështetur deri në fund Ukrainën në luftën e saj të drejtë për çlirim.

Kemi folur për vijimësinë e procesit të përafrimit politik mes Bashkimit Europian dhe vendeve që negociojnë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe natyrisht, kemi diskutuar dhe për marrëdhëniet bilaterale.

Luksemburgu është një vend shumë i vogël në përmasa, por me një peshë shumë të madhe, njësoj si floriri që është i vogël, por që e ka peshën shumë të madhe.

Ne dëshirojmë që të kemi këtu më shumë interes dhe aktivitet nga kompanitë luksemburgeze. Për këtë arsye, në vizitën e kthimit në Luksemburg, kryeministri ka propozuar të organizojmë dhe një takim me Dhomën e Tregtisë së Luksemburgut. Kompanitë luksemburgeze kanë filluar të interesohen për rajonin, ka disa prej tyre që janë vendosur në ndërkohë në vende fqinje dhe është shumë e rëndësishme që ne t’i ftojmë duke u përpjekur që të kapërcejmë, përmes demonstrimit të fakteve reale edhe atë barrierën e perceptimit që i pengon rëndomë të tjerët që të vijnë në Shqipëri kur nuk kanë qenë asnjëherë, për herë të parë.

Nuk dua të zgjatem më tutje, por dua të shtoj edhe një fakt tjetër që në Luksemburg ka një komunitet shqiptar shumë të respektuar dhe kryeministri flet me admirim për shqiptarët që jetojnë në vendin e tij.

Ashtu sikundër, dua të mbyll këtë fjalë me një falenderim për kryeministrin edhe për interesimin e tij të posaçëm për rajonin. Është shumë e rëndësishme të kuptohet që siç e thashë dhe në hyrje, Luksemburgu në tryezën e Bashkimit Europian është një zë i rëndësishëm dhe interesimi për rajonin, përpjekja për të nxitur bashkëpunimin rajonal, përpjekja për të nxitur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për të nxitur përmirësimin e klimës në Bosnje, përpjekja për të nxitur një proces politik sa më stabël në Malin e Zi, janë pjesë e agjendës së interesit të Luksemburgut dhe kryeministrit Xavier Bettel.

Unë dua ta falenderoj edhe njëherë kryeministrin për vizitën, për gjithçka ka bërë, pa u kursyer për hir të vërtetës, në mbështetje të Shqipërisë dhe për rolin e tij të veçantë në procesin e bindjes së të  gjithë aktorëve të tjerë të Bashkimit Europian për të dhënë më në fund, miratimin për çeljen e negociatave për anëtarësim, gjë që e konsideroj realisht arritje të përbashkët me të gjithë ata në Bashkimin Europian, që na ndihmuan që përveçse të kryejmë detyrat e shtëpisë, të kapërcejnë barrierën e problematikave brenda vetë Bashkimit Europian.

Shumë faleminderit Xavier dhe fjala është me shumë kënaqësi për ju!

 

Kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel: I dashur kryeministër, i dashur Edi! Së pari, shumë faleminderit për pritjen për udhëtimin tim të parë në Shqipëri. Nuk isha larg sepse më kujtohet kur isha student para shumë vitesh në universitetin e Selanikut dhe shëtisja, ishte rreth viteve ’97-’98, pra isha shumë afër rajonit, situatës që ishte e vështirë, e tendosur dhe e paqëndrueshme në atë kohë dhe aty e jetova këtë zonë.

 

Sigurisht, mund t’i mësojmë gjërat nga librat, nga tekset, por ta jetosh një situatë kur shkoja nga Selaniku në Shkup gjatë fundjavës dhe ishin kufijtë e mbyllur dhe më duhej të dezinfektoja makinën për të shkuar nga një vend në tjetrin dhe të shihja këtë arritje të Shengenit dhe të shëtisja lirisht dhe të shihja këto vende që kishin filluar të jetonin më lirisht nga ajo çka kishin jetuar më përpara. Rruga që keni bërë nga ajo kohë për t’u inkurajuar, është e jashtëzakonshme, por ka akoma potencial për marrëdhëniet tona.

 

Ti sapo e the, ne kemi ndërmarrje, firma nga Luxemburgu që po investojnë në rajon dhe është e rëndësishme që kur ato të bëjnë zgjedhjet, Shqipëria të bëjë pjesë në këto zgjedhje. Pikërisht arsyeja e kësaj ftese.

U vonova pak për të ardhur e për t’u takuar në Tiranë, por shpresoj që ti të vish sa më shpejt në Luxemburg dhe të shohësh se si mund t’i bindim palët e ndryshme për të ardhur këtu.

 

Është gjithashtu niveli ekonomik, por edhe niveli kulturor. Sot, Luxemburgu merr pjesë në festivalin e filmit frankofon, në një festival filmi që po ndodh këtu midis frankofonisë dhe kinemasë. Ka itinerare kulturore që mund të punojmë bashkë dhe është gjithashtu shumë e rëndësishme të shohim se çfarë mund të bëjmë në nivelin e studentëve. Të rinjtë janë vendimmarrësit e të nesërmes, janë ata që do ta jetojnë të nesërmen, se si mund të ketë shkëmbime mes universiteteve, qoftë në universitetet shqiptarë apo në universitetet e Duchy të Luxemburgut.

 

Gjithashtu është edhe turizmi. Sikur e thashë dhe më përpara, të jetosh një eksperiencë është ajo që është më e rëndësishme. E tha dhe kryeministri, kemi hapur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe dua të them që për mua ka shumë gjëra që më motivuan për të mos thënë që do jem avokati i Shqipërisë dhe Maqedonisë i Veriut, por thjesht të them që nuk mund të mbahen vende peng për arsye të politikave kombëtare, kjo është gjëja e parë. Nuk mund të vendosim për të ardhmen e një vendi për arsye kombëtare. Bashkimi Europian nuk është vetëm interes politik kombëtar për një bashkim që ka këto prioritete.

 

Nuk duhet të harrojmë që në ’57 kur ishte Traktati i Romës ishte menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku Franca dhe Gjermania ishin armiq dhe që nga ajo kohë arritëm të kemi paqe në territorin europian. Pra, nuk është një projekt ekonomik, nuk është një projekt politik, por është një projekt paqeje. Për mua, ky është Bashkimi Europian, pra kur jemi rreth një tavoline, në atë kohë përgjigja ishte arma kurse sot janë takimet, shkëmbimet, respekti.

 

Gjëja e dytë, nëse e njihni kryeministrin dhe ju e njihni mirë, Edi është dikush që i thotë gjërat dhe nuk mund thjesht të ngushëllojmë dhe të themi “Po do ta shohim” kur na kërkojnë diçka. Është si të bësh një vrap dhe ta vendosësh kufirin e mbërritjes ta shtysh gjithnjë e më shumë, të thuash “Është dhe 100 metra më larg, është dhe 100 metra më larg”.

 

Nuk mund ta trajtojmë një vend në këtë mënyrë. Kur detyrat janë bërë, duhet ta njohësh dhe të thuash “Po, do të bëjmë përpara”.

Disa vende ishin më të ngadaltë në njohjen e gjithë këtyre punimeve, gjithë këtyre detyrave, por për mua është e rëndësishme që për arsye të dukshme, arritëm të gjenim një marrëveshje dhe të bënim përpara. Nuk është thjesht që nesër do të bëhet gjithçka. Kjo e gjitha është një rrugë, është fillimi i rrugës.

 

Me kryeministrin Rama folëm sesi mund të bëjmë që Shqipëria të marrë pjesë në mënyrën më aktive duke thënë “Ju hytë në sallën e parë të pritjes dhe keni sallën tjetër të pritjes”, por në këtë para familje, pra jo thjesht sallë pritjeje, por në këtë para familje të gjejmë format se si mund të marrë pjesë.

 

Për këtë arsye, idetë e Charles Michel dhe presidentit Macron janë shumë të rëndësishme për të parë sesi mund të kemi në Bashkimin Europian, nuk dua një Bashkim Europian ku kemi të gjithë avantazhe dhe jo detyrime, por të kemi diçka ku mund të bëjmë përpara në interesat e përbashkëta. Edi e tha dhe vetë.

 

Përsa i përket pandemisë, është shumë e rëndësishme, është në interesin e të gjithëve që vendet që janë fqinj të gjejnë zgjidhje të përbashkëta, blerja e gazit, problemi i energjisë, nafta, të gjejmë zgjidhje të përbashkëta.

 

Sanksionet ndaj Rusisë, jam shumë i kënaqur që arritëm të kemi qëndrime të përbashkëta. Pra, janë të gjitha këto pika ku mund të shohim se si mund të bëjmë përpara në mënyrë konstruktive duke i treguar shqiptarëve që meqenëse iu thamë që “Salla e parë e pritjes u krye, tani jeni në sallën e dytë”. Jo, duhet të vazhdojmë në gjëra të ndryshme.

 

Zona e Ballkanit ka qenë një fuçi baruti për kontinentin tonë dhe duhet ta shmangim dhe duhet të bëjmë gjithçka që ta shmangim. Qoftë “Open Balkan”, kur ne flasim me njëri-tjetrin, e di që Kosova dhe Serbia po diskutojnë sot. Është e rëndësishme të bëjmë përpara. Nuk mund t’ia lejojmë vetes konflikte shtesë, nuk mund t’ia lejojmë vetes presione shtesë.

Gjithashtu, folëm për situatën mes Ukrainës dhe Rusisë dhe dua ta them që ne vetë bëjmë pjesë në ato vende që ka pasur një fqinj më të madh dhe ka thënë që “Në të ardhmen, nuk do jetë më e njëjta situatë”. Dhunimi i territorit, sovraniteti nuk mund të vihet në pikëpyetje e në diskutim. Nuk duhet të jetë diçka ku nga sot nesër do themi “Punë e madhe, Ukraina nuk jemi ne” sepse kjo lidhet me demokracinë, me vlerat tonë. Duhet të gjejmë zgjidhje. Sa kohë do t’i lejojmë vetes një zgjedhje pa zgjidhje.

Jam i kënaqur që me kryeministrin Rama bëjmë pjesë ndër ata që mbështesin ukrainasit për t’iu dhënë shpresë sepse sot shpresa është zvogëluar dhe është e rëndësishme. Ka 6 muaj që ka filluar, këtë javë festuan festën kombëtare kështu që po mendoj tani për miqtë e mi ukrainas.

 

Kur bëhet fjalë për dialogun, bëj pjesë ndër udhëheqësit e rrallë  që kam kontakte me të dy palët. Diskutoj me Putinin, diskutoj me Zelenskyn, por pas Buchas nuk mund ta bëja më këtë. Shkova në Ukrainë, pashë Buchan dhe Bucha ishte një kasaphanë. Njerëzit ishin vrarë me një plumb në kokë, ishte një kasaphanë e vërtetë. Njerëzit ishin bërë kapicë dhe ajo që më neveriti më shumë ishte fakti që u dekoruan ushtarakët që i bënë këto krime, këto mizori.

Për mua nuk ishte më e mundur që të diskutoja më normalisht, por mbështes kolegët që përpiqen të gjejnë zgjidhje për këtë problem.

 

Faleminderit i dashur Edi për ftesën, faleminderit për punën dhe të falënderoj ty në emër të gjithë shqiptarëve sepse shqiptarët e mbështesin këtë projekt europian, këtë projekt paqeje dhe të di që solidariteti është diçka që ekziston, që është baza për këtë Bashkim Europian, për këtë projekt paqeje ku disa janë më të mëdhenj se të tjerët për nga shtati, për nga përmasa, por për nga miqësia dhe nga bujaria, jemi të gjithë të barabartë.

Për mua, kjo është forca e Bashkimit Europian, që vetëm avancon më shpejt, por bashkë shkojmë më larg.

 

Faleminderit shumë!

 

* * *

– Për ju z. Kryeministër Bettel. Ju keni qenë shumë aktiv gjatë konfliktit në Ukrainë. Kjo luftë që ka mbërritur tashmë në kufijtë e Bashkimit Europian, mendoni se duhet të përshpejtojë rrugëtimin e vendeve kandidate si Shqipëria, por dhe vende të tjera që aspirojnë BE, vende të tjera të Ballkanit Perëndimor? Kjo në fakt duhet të ndodhë për arsye, jo vetëm gjeopolitike, por edhe për arsye strategjike. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë ?

Për ju Kryeministër Rama, keni shpresa se ky përshpejtim për rrugëtimin e vendeve si i yni, si Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, do të ndodhë së afërmi? Faleminderit!

 

Xavier Bettel, Kryeministër i Luksemburgut: Unë do t’ju zhgënjej sepse ndoshta nuk është përgjigja që doni të dëgjoni, por kemi rregulla, kemi kriteret e Kopenhagenit, kritere që janë vendosur dhe kriteret do të qëndrojnë, nuk mund t’i lëmë pezull këto kritere. Pra ajo që mund të bëjmë është të shikojmë sesi mund të punojmë më ngushtësisht, si mund të mbështesim, si mund të ndihmojmë, por nuk mund të themi që për shkak të situatës gjeopolitike të kapërcejmë kriteret që ekzistojnë.

Kriteret e Kopenhagenit ekzistojnë, hapja e kapitujve ekziston dhe gjithashtu nuk dua të krijohet përshtypja  që Shqipëria tashmë e ka marrë këtë status për shkak të luftës në Ukrainë. Do të thotë të zvogëlosh, të minimizosh përpjekjet që ka bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ka pasur kritere. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur këto kritere që bënë të mundur sot hapjen  e negociatave dhe jo për shkak të luftës në Ukrainë që është justifikim për një anëtarësim bis apo për një anëtarësim surrogat ndaj përpjekjeve që këto vende kanë bërë. Kemi kritere, kriteret janë respektuar, por nuk mund të ndryshojmë rregullat duke i vënë në ‘suspanse” këto rregulla. Gjithë puna e bërë nga qeveria Rama, nuk do të ishte e drejtë të thuash sot se u pranuan për shkak të luftës, në fakt u pranuan sepse bënë atë që duhej bërë.

Kryeministri Edi Rama: Për këtë teme unë i qëndroj asaj që kam thënë edhe para se të hapeshin negociatat, kur ne i kishim bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe rrinim prisnim dhe merrnim refuzim pas refuzimi. Kam thënë që ne e meritojmë çeljen e negociatave, por sepse nuk po kërkojmë të bëhemi anëtar të BE-së, por të hapim negociatat. Jemi gati për të hapur negociatat, por nuk jemi gati për të qenë anëtar të Bashkimit Europian. Që do të thotë që procesi i negociatave është një proces që ne duhet ta bëjmë për veten tonë, jo për Luksemburgun apo për Francën apo për Gjermaninë. Për vete tonë sepse është një proces që do të na ndihmojë jashtëzakonisht dhe do të na ndihmojë historikisht që përmes përmbushjes se atyre kritereve që tha Xavier, ne faktikisht të ndërtojmë shtetin evropian këtu në vendin tonë dhe pastaj të jemi pjesë e familjes evropiane si një shtet anëtar.

Procesi i negociatave është një proces fantastik i transferimit të dijes institucionale të BE që ndihmon vendet që negociojnë të ngrenë të gjithë arkitekturën institucionale të nevojshme për qytetarët e tyre, kështu që ne nuk kemi arsye të kërkojmë përshpejtime artificiale për shkak të luftës në Ukrainë. Madje unë edhe ne Kiev, ju e dëgjuat, e thashë që uroj që ukrainasit statusin e kandidatit të mos e marrin si një futje ne BE sepse do zhgënjehen, do të kërkojë kohë të gjatë edhe për Ukrainën pavarësisht se lufta  është në Ukrainë, kështu që nuk i shoh të lidhura këto të dyja, por unë mendoj që për shkak të kësaj situate, ne bashkërisht duhet të përshpejtojmë procesin e përafrimit politik mes vendeve që negociojnë ose jo anëtare dhe vendeve anëtare në aspektin e asaj që presidenti Macron e quan një komunitet i ri politik apo asaj që presidenti i KE-së Charles Michel, e quan thellim të procesit të europianizimit të të gjithëve së bashku.

Kështu që në këtë aspekt ne kemi idetë tona, të gjithë kanë idetë e tyre, ne po punojmë edhe me qeverinë holandeze për të patur një propozim të përbashkët sesi mund të bëhet ky thellim dhe ky është një proces që mund ta përshpejtojmë, por procesi i anëtarësimit nuk ka si përshpejtohet përveçse duke përmbushur detyrat dhe këtu nuk kemi ça i kërkojmë as kryeministrit të Luksemburgut, as Presidentit të KE-se, as presidentit të Francës, as kancelarit të Gjermanisë sepse kjo është detyra jone. Në duhet të bëjmë detyrat tona dhe do i bëjmë për veten tonë jo për Evropën. Momentin qe ne i bëjmë detyrat, atëherë do themi siç thamë më përpara “ ne jemi gati’’, tani ne nuk jemi gati.

 

– Pyetja e parë për kryeministrin Bettel. Nuk e di nëse jeni informuar për disa ngjarje të ditëve të fundit në Shqipëri kur disa të rinj rusë që supozohen të jenë spiunë rusë në fakt, kanë shfaqur interes për zona ushtarake në Shqipëri. Sa shqetësuese është për ju interesi i rusëve për një vend anëtar të NATO? Një përgjigje për këtë, zoti kryeministër do ta doja dhe nga ju, nëse do të kishit mundësi. Sa shqetësuese është kjo për qeverinë shqiptare?

Më shumë do doja një përgjigje për një tjetër pyetje që lidhet me zhvillimet politike në Shqipëri. Muaj më parë ju keni shprehur shqetësime se SPAK dukej sikur kishte një vëmendje te shtuar vetëm ne oborrin e  Partisë Socialiste por ditët e fundit është bërë publik fakti që ka nisur një hetim për ish presidentin Meta ose zotin Metaj. A keni një koment ju zoti Rama për këtë dhe në fakt për reagimin që ai pati për nisjen e një hetimi, duke ju akuzuar ju personalisht se është gatuar pikërisht në aneksin e kuzhinës se kryeministri ky hetim.

 

Xavier Bettel, Kryeministër i Luksemburgut: Për sa i përket pyetjes së parë, nëqoftëse i kam lexuar mirë informacionet, ka pasur një vend ku kishte armë, spiunë rus dhe një spiun ukrainas dhe ka ndërhyrë drejtësia. Pra, ka nxjerrë një mandat drejtësia, kështu që unë si ish avokat nuk mund të komentoj njerëz që janë tashmë në paraburgim dhe që janë nën përgjegjësinë e drejtësisë. I takon drejtësisë të vendosë nëqoftëse këto veprime janë të dënueshme ose jo, por të gjithë duhet të dimë, që sot mund të bëhet fjalë për një destabilizim në nivelin material por mund të behet fjalë për një destabilizim në nivelin e informimit, të informacionit dhe ka një vullnet për të kapur vëmendjen e të gjithëve dhe për të destabilizuar disa kolegë. Për shembull disa kolegë europianë qortojnë ndërhyrjen e Rusisë në shumë aktualitete që ndodhin në vendet e tyre, kritikojnë ndërhyrjen e Rusisë, pra na takon neve të tregojmë çfarë është e vërtetë, çfarë është e rreme.

Së shpejti do të ketë zgjedhje në Itali, kështu që duhet të bëjmë shumë kujdes sepse ajo që ka ndodhur këtu është diçka, por që kur bëhet fjalë për sulm të informimit dhe ju në zanatin tuaj, është shumë e rëndësishme që të mbështesim shtypin.

Unë jam gjithashtu i ngarkuar për shtypin. Një shtyp i lirë, është shumë e rëndësishme në demokraci sepse shumica e qytetarëve tanë, unë vetë duhet të justifikohem në lidhje me informacionet që njerëzit lexojnë ne facebook. Ata thonë “e lexova, është në facebook”. Ju duhet ta bëni punën tuaj sa më mirë të jetë e mundur. Të denonconi gjithashtu lajmet e rreme dhe është e rëndësishme të investohet në një gazetari të re dhe të pavarur edhe pse na kritikoni, ju bëni punën tuaj dhe ne duhet të jetojmë me këtë.

 

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen e parë sepse nuk kam pasur mundësi të shprehem lidhur me këtë edhe pse ministri i Mbrojtjes së bashku me ministrin e Brendshëm kanë bërë të gjitha shpjegimet e nevojshme, por meqë ma jepni këtë mundësi, më lejoni t’ju them që mjegulla e ngritur mbi të ashtuquajturat objekte të rëndësisë së veçantë ishte për të qarë dhe për të qeshur. Ato nuk janë objekte të rëndësisë së veçantë. Ato nuk janë as fabrika që prodhojnë armë. Ato janë karakatina të deklasifikuara si objekte me rëndësi të veçantë në vitin 2012. Faktikisht kanë statusin e SHPK-ve, që janë absolutisht të falimentuara dhe që janë deri në pikën ku për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë dritat, iu priten dritat dhe kanë disa roje aty që janë për të mbrojtur atë perimetër nga zaptimet etj, etj.

Tani të thuash që “po bëjnë spiunazh”, duke fotografuar ato mbetje arkeologjike të komunizmit është shumë qesharake, ndërkohë që ajo që duhet t’ju shqetësonte dhe që na shqetëson ne, është: këta persona, çfarë qëllimesh të vërteta kanë në vendin tonë?

Tani më falni, por një mision spiunazhi që shfaqet më një veturë sportive e cila duket sikur thërret “aman, hajdeni me shihni dhe më kapni se jam e veçantë”, është pak si qesharake. Kështu që i takon hetimit të nxjerrë më shumë. Shqetësimi ynë: është ku është qëllimi i vërtete? Përveç krijimit të kësaj mjegulle që ne fund të ditës i shërbeu nxitjes së një sëkëlldie, s’po them panik, se nuk besoj se ka patur panik se pashë që në fakt njerëzit e zakonshëm duke përdorur rrjete sociale bënë shumë humor me këtë lloj kronikash dhe këto lloj reportazhesh fantazmagorike, këto lloj thirrjesh të urrejtësve profesionistë për rrëzimin e ngrehinës së sigurisë kombëtare.

Ndërkohë që duhet të shohim nga hetimi dhe nga gjykimi se ku është qëllimi i vërtetë. Nuk ka lidhje kjo me objekte, a jeni në vete apo jo?

Në kohën kur behet luftë yjesh dhe kur flitet për sofistikime ekstreme për predha e raketa supersonike që nisen nga një anë e botës dhe arrin në tjetrën, të flasësh për cënim të sigurisë kombëtare se u shfaqën disa personazhe të dyshimtë, po, e vërtetë, me aparat për të fotografuar mbetjet arkeologjike të industrisë ushtarake të komunizmit, është qesharake.

Thelbi është ky. Këta persona të cilët për fat të mirë u ndaluan nga rojet që bënë detyrën e tyre, janë persona të dyshuar për spiunazh, kjo është shumë e qartë, por çfarë fshihet pas kësaj shfaqje që mori mendjen e gjithë dynjasë dhe me ndihmën tuaj, flas të reportazheve të reporterëve që shkonin atje kërcenin mbi një kanal, nxirrnin një guvë që s’kishte asgjë, flisnin për C4 e për mbetje nukleare, e për ku di unë se çfarë. Kjo është pyetja! Çfarë në fakt, fshihet pas gjithë këtij spektakli që sigurisht u dha me ndihmën e gjithë ‘kronikanëve’ dhe jo me pagesë madje. Nëse është një mision spiunazhi, nuk pati nevojë të paguante asnjë sepse u vunë të gjithë në shërbim të atij misioni për të krijuar këtë zhurmë të madhe. Ajo që është e rëndësishme është të gjejmë arsyen e vërtetë dhe për këtë po punojnë grupet hetimore.

Për pyetjen e dytë. Unë nuk flas kurrë në prezencë të miqve që na nderojnë nga jashtë dhe në prezencë të përkthyesve për çështje të politikës së brendshme. Asnjëherë! Ky është parimi im. Mendoj që politika e brendshme nuk është një fushë që na takon ne si mikpritës të përfshijmë miq, që jemi këtu për t’i nderuar dhe nuk flitet në gjuhë të huaj për probleme të politikës së brendshme, për kundërshtarë politikë, për akuza e stërakuza politike.

Kështu që më vjen keq, por për pyetjen e dytë nuk do t’ju jap asnjë përgjigje.

Faleminderit shumë!

Previous Komunikim i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Leave Your Comment