Kryeministri Rama: Anëtarësimi në BE, proces historik, transformues për shtetin
Nën drejtimin e Kryeministrit Rama, u zhvillua sot në mjediset e Kryeministrisë një takim i hapur me pjesëmarrjen e ministrave të kabinetit qeveritar, ku u shpalos panorama aktuale e procesit të negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.
Në takim u diskutua edhe kalendari i përbashkët me Komisioni Evropian, i cili kërkon përmbushjen e detyrimeve pa asnjë vonesë. Kryeministri Rama vlerësoi punën e skuadrës së negociatave dhe të institucioneve të përfshira, duke nënvizuar se procesi i integrimit rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit, forcon rendin ligjor dhe garanton standarde më të larta në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
“Ajo që vlen më shumë se të gjitha, besoj unë, në këtë proces, përtej realizimit të një mase apo kalimit të një reforme dhe pastaj miratimit të masës ose të reformës në Bruksel, është që ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitetet institucionale të vendit dhe siç duket edhe nga prezantimit, procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshme me asgjë tjetër sepse shpeshherë tendenca e përgjithshme është që të shikohet anëtarësimi në BE në mënyrë shumë të sipërfaqshme dhe të mos kuptohet që në të vërtetë, ky proces është historik për faktin se transformon shtetin shqiptar dhe për faktin se i jep institucioneve të shtetit, një fuqi edhe një kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë në historinë tonë.” – u shpreh Kryeministri Rama, teksa vuri theksin tek disa prej sfidave më të rëndësishme si avancimi i mëtejshëm në prokurimin publik, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, forcimi i kontrollit financiar, si dhe përmirësimi i standardeve në sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e reformës së inspektimeve dhe rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore dhe kapaciteteve teknologjike në këtë drejtim.
Kryeministri vuri në dukje ndër të tjera se “procesi siguron luftën kundër korrupsionit, jo thjesht si një luftë që zhvillohet në frontin midis institucioneve të drejtësisë dhe fenomenit të korrupsionit, por si një luftë që zhvillohet ndërkohë edhe në frontin e modernizimit të transformimit institucional dhe të realizimit të një kapaciteti të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin, për të parandaluar veprimtari të cilat zhvillohen në hapësira gri ose në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime dhe ndërveprime të shpejta dhe cilësore.”
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se qeveria shqiptare mbetet e vendosur për të përmbushur çdo detyrim brenda afateve të përcaktuara, duke garantuar një proces të besueshëm dhe të qëndrueshëm drejt anëtarësimit, në shërbim të zhvillimit të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve