Kryeministri Rama i adresohet Kuvendit në seancën e thirrur “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot për ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, një organizëm i ri ndërkombëtar i fokusuar në promovimin dhe forcimin e paqes globale.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një akt vullneti të mirë dhe një përgjegjësi të natyrshme të Shqipërisë për të kontribuar për paqen, sa herë që i jepet mundësia. Ai nënvizoi se shumica qeverisëse, për tre mandate radhazi, e ka vendosur Shqipërinë në rolin e një zëdhënëseje dhe punëtoreje të paqes në rajon dhe më gjerë, edhe në momente kur ky qëndrim është keqinterpretuar apo sulmuar politikisht.

“Ne, shumica kuvendore e Shqipërisë për tre mandate të plota me radhe e kemi bënë zëdhënësin dhe punëtorin e paqes në këtë rajon të trazuar edhe kur kjo është dukur dhe madje është komentuar deri edhe si tradhti. Një etiketë që në fakt është një provë vendimtare e paqe dashjes për shumëkënd që ka punuar për paqen në historinë e kësaj bote.” – u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Rama solli në vëmendje angazhimin dhe përfaqësimin e Shqipërisë në nivelet më të larta ndërkombëtare, përfshirë kryesimin e OSBE-së dhe anëtarësimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke theksuar transformimin e imazhit të vendit nga një realitet i stigmatizuar ndërkombëtarisht, në një vend të vlerësuar dhe të respektuar.

Ai u ndal edhe te ndryshimi rrënjësor i Shqipërisë në dekadën e fundit, duke përmendur rritjen e ndjeshme të turizmit, zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e reputacionit ndërkombëtar të shqiptarëve. Sipas Kryeministrit, ftesa personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë si vend themelues në Bordin e Paqes përbën një nder të veçantë dhe një dëshmi të vlerësimit ndërkombëtar për rolin e vendit tonë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se pjesëmarrja në Bordin e Paqes nuk lidhet me madhësinë apo fuqinë e Shqipërisë, por me vlerat, përkushtimin dhe reputacionin e saj si një vend që zgjedh të jetë në tryezën e dialogut.

Duke iu referuar debatit politik në Kuvend, Kryeministri vlerësoi ratifikimin e marrëveshjes si një moment me rëndësi për shtetin shqiptar dhe si një mundësi për të forcuar më tej rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Ai theksoi se angazhimi për paqen mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme shqiptare.

Në mbyllje, Kryeministri Rama informoi Kuvendin se në ditët në vijim do t’i drejtohet Knesset-it, Parlamentit të Izraelit, me një fjalim zyrtar, duke e cilësuar këtë si një tjetër nder të veçantë për Shqipërinë dhe një dëshmi të respektit ndërkombëtar ndaj vendit dhe institucioneve të tij.

Ratifikimi i marrëveshjes për Kartën e Bordit të Paqes u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të profilit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe vazhdimit të kontributit të saj aktiv për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.