Kryeministri Rama me kryetarët e bashkive mbi turizmin, mjedisin dhe qeverisjen vendore

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot në Durrës një takim pune me kryetarët e bashkive të vendit, ku u diskutuan sfidat kryesore të vitit 2026 për qeverisjen vendore, përgatitjet për sezonin turistik, menaxhimi i emergjencave civile, si dhe nevoja për një angazhim të përbashkët kundër ndotjes nga mbetjet plastike.

Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se viti ka nisur me situata të vështira atmosferike, të lidhura drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike, të cilat po e bëjnë përballjen me emergjencat gjithnjë e më komplekse. Ai vuri në dukje se, përtej faktorëve natyrorë, ndikimi i drejtpërdrejtë i njeriut, veçanërisht përmes ndotjes nga mbetjet plastike, ka agravuar ndjeshëm situatat e përmbytjeve dhe bllokimit të infrastrukturës së kullimit.

Kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë e një ofensive të përbashkët politike, institucionale dhe shoqërore kundër mbetjeve plastike, duke paralajmëruar masa të koordinuara mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor. Në këtë kuadër, ai bëri të ditur ngritjen e një task-force të përbashkët e cila do të hartojë një plan veprimi në tre faza: afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, që përfshin sensibilizimin e komuniteteve, forcimin e kontrollit dhe ndërhyrjet konkrete në terren.

“Kur gjendemi përpara kësaj situate agresioni të plastikës, të mbetjeve plastike, që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut mbi këtë situatë, duhet të vetëdijësohemi dhe duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë të përbashkët në nivelin qendror dhe në nivelin vendor dhe për të angazhuar sa të mundemi komunitetet, nga një anë, që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe, nga ana tjetër, që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe kaq të dëmshëm. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsyeja pse i kam kërkuar Ministrit të Pushtetit Vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor, e përbërë nga disa përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju, për të konceptuar një plan me tre faza, afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë, që nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione.” – u shpreh Kryeministri.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të infrastrukturës mbrojtëse, përfshirë kanalet e kullimit, argjinaturat dhe hidrovoret.

Kryeministri Rama ndali vëmendjen edhe te Paketa e Maleve, duke kërkuar përshpejtimin e zbatimit të saj në të gjitha bashkitë dhe vendosjen e objektivave konkrete për tërheqjen e investimeve, veçanërisht nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Ai theksoi se kjo paketë përfaqëson një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e zonave malore dhe rurale, si dhe për rikthimin e kapitalit dhe njerëzve në territor.

Në vijim, u diskutua për përmirësimin e planifikimit urban dhe projektimit, përmes krijimit të një agjencie të re që do të asistojë bashkitë në hartimin e projekteve zhvillimore dhe atyre me karakter social, si shkolla, kopshte, çerdhe dhe qendra shëndetësore.

Një tjetër fokus i rëndësishëm i takimit ishte arsimi profesional, ku Kryeministri kërkoi angazhim më të madh të bashkive për ngritjen e kapaciteteve cilësore, laboratorëve modernë dhe kushteve dinjitoze për nxënësit, në funksion të lidhjes së formimit profesional me nevojat e ekonomisë vendore dhe zhvillimin e teknologjisë.

Në përfundim, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e përgatitjes së planeve konkrete për sezonin turistik nga çdo bashki, duke nënvizuar se turizmi prek të gjithë territorin e vendit dhe kërkon koordinim, përgjegjësi dhe standarde të larta shërbimi për qytetarët dhe vizitorët.

Takimi shënoi nisjen e një cikli bashkëpunimi intensiv mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor për adresimin e prioriteteve kryesore të vitit dhe forcimin e qeverisjes vendore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.