Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në Tiranë, Presidentin e 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton, i cili viziton për herë të parë Shqipërinë.
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Klinton dhe delegacioni që e shoqëron u nderua me një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve, të cilët mirëpritën me entuziazëm zotin Klinton, një mik i mirë dhe dashamirës ndër vite i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kryeministri Rama nderoi Presidentin e 42-të të SHBA-ve me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”.
***
Kryeministri Edi Rama: Fort i nderuari dhe shumë i dashuri Presidenti Klinton,
Të dashur miq dhe të nderuar të ftuar,
Nuk ka qenë kurrë më e vështirë për mua sesa të përgatitem të flas dhe pastaj edhe të flas tani këtu, duke e ditur se pas meje do ta marrë fjalën një njeri të cilit qysh përpara sesa të hyja në jetën e përditshme politike, ia kam parë, dëgjuar, lexuar fjalimet për shijen e jashtëzakonshme të udhëtimit drejt një bote më të mirë. Në krahët e pasionit të tij prej Uliksi, në kërkimin e një Itake paqeje, prosperiteti e dashurie mes njerëzve ku rruga është vetë qëllimi i të gjitha përpjekjeve.
E më pas, jo vetëm ia kam riparë, ri dëgjuar, rilexuar ato që ka thënë, por edhe studiuar se si i ka thënë për të mësuar jo vetëm prej përmbajtjes, por edhe prej artit të tij të pashembullt të komunikimit duke i analizuar ritmin, nënvizuar hapjet, kulminacionet, mbylljet, ndjekur intonacionin dhe përdorimin e duarve e mbi të gjitha duke i admiruar atë që as nuk mësohet dot, as nuk tregohet dot, empatinë magjepsëse qe e bën Presidentin Klinton një ndër oratorët më të mahnitshëm që ka njohur historia.
Me vetëdijen se qasja ime ndaj kësaj fjale këtu është si ajo e një artisti të sotëm i cili përpiqet të rievokojë afreskun e një mjeshtri të madh të rilindjes, duke e ditur se në artin e madhit ishte Zoti ndërsa në atë të të sotmit, më e shumta besimi, më lejoni t’ia nis si çdo nxënës duke evokuar bazat, që nga adresimi i Presidentit Klinton në inaugurimin e tij të parë si President në janarin e vitit 1993: “There is nothing wrong with America that can not be cured by what is right with America’’.
Do të ishte blasfemi ta citoja të përkthyer në shqip kwtu përpara autorit, ku ai predikon fuqinë e drejtësisë tek fjala e lamtumirës në janarin e vitit 2001: “keep building bridges, not walls and remember, our best days are still ahead”, ku na këshillon këmbënguljen deri në fund. Nga fjala përpara memorialit të shpërthimit terrorist në Oklahoma City: “ We are here to riafirm the simple but profound truth that the strongest force on earth is love. We must teach our children to resolve their conflicts with words, not weapons. We must teach them that before they lash out, they musty look inward”. Ku na tregon se rruga e pajtimit është e vetmja përtej dhembjes së shkatërrimit.
Tek fjala në memorialin e presidentit Franklin Delano Roosevelt: “F.D.R. lifts himself and others from the depths of their despair, because he refused to be a prisoner of fear”, ku na ushqen kurajën përballë çdo pengese.
Nga eulogjia në funeralin e kryeministrit të vrarë të Izaelit Yitzhak Rabin, “let us teach our children that the God of life is paint by violence and murder, and that the God of love rejoices in peace and reconciliation”, ku ngre lart tolerancën mbi çdo tundim hakmarrjeje.
Tek mbështetja për kandidatin e tij kundërshtar për shoqes së tij të armëve, në primaret e vitit 2008: “I want all of you who supported me, to support Barack Obama”, ku na mëson zotnillëkun dhe solidaritetin në frontin e përbashkët të ideve dhe kështu vazhdimisht përmes qindra fjalimesh, njëri më i bukur se tjetri, por pa diskutim dhe falë faktit se ai thoshte atë që bënte dhe bënte atë që thoshte, Presidenti Klinton ia rrëmbeu zemrën Amerikës dhe frymëzoi Europën dhe botën mbarë me forcën unikale të fjalës së tij.
Ai pararendi sivëllain e tij politik Toni Blair dhe hapi shtegun e rrugës së tretë në politikën europiane duke dhënë një kontribut historik jo vetëm për Amerikën, por për krejt shpirtin reformist të Europës të dalë nga pasperdja e hekurt, ku shembja e perandorisë sovjetike nxori në pah dhe ndryshkun ideologjik të së majtës europiane të cilës laburizmi i ri i Toni Blairit, e më tej qendra e re e Gerhard Schröder, i hapën rrugën e mbyllur në shumë vite duke i dhënë seriozitetin e alternativës qeverisëse dhe fuqinë për të shembur monopolin e konservatorëve europianë.
Një kritikë e përhapur e bazuar në një keqkuptim të madh mbi të majtën në pushtet të atyre viteve, është se ajo ishte shumë e adaptueeshme ndaj politikave liberale, por e vërteta është se ato ishin vitet e një revolucioni ripërtëritës brenda të majtës europiane e cila ia doli të rikthehej në qendër të skenës politike me një fuqi rrezatuese si një e majtë kritike, por konstruktive; me autoritet, por jo autoriatare; vizionare por jo fluturake.
Ajo luajti një rol themelor në lëvizjen e ‘’Europës Përpara’’ përtej hendeqeve ideologjike në një botë besim-humbur tek ideologjia dhe rrezatoi aq shumë anë e mbanë, përfshirë dhe mbi vetë të djathtën në Europë por edhe mbi ne këtu në Shqipërinë e vogël sepse ishte një rrugë e tretë gjenuine, jo një zgjatje e përsëritur e të parës dhe e të dytës, po një e mesme vërtetësish dialektike për atë botë të traumatizuar nga lufta e ftohtë.
Rruga e tretë, metoda Klinton, e vendos fokusin tek përgjegjësia qytetare dhe recetat funksionale më shumë se sa tek vijat ndarëse në shoqëri dhe tek partizanllëku politik.
Edhe për të majtën shqiptare, të dalë nga një bunker ideologjik ku ajo ishte mishërimi i më të keqes së komunizmit lindor, rruga e tretë ishte si uji në shkretëtirë dhe sedra nuk më lë të mos ua them, Zoti President, se sot e gjithë ditën Shqipëria është një nga të paktat vende rreth e rrotull, ku një parti e rrugës së tretë, vazhdon të qeverisë prej vitesh përmes reformash të paguxuara prej të tjerëve më parë dhe përmes fitoresh spektakolare.
E vërteta si drita e diellit është se pa atë revolucion politik, brenda së majtës europiane, ku e majta ideologjike në perëndim të Europës shihte tek Slobodan Miloseviçi, një viktimë potenciale të imperializmit amerikan dhe jo një xhelat të pashpirtë të popullit të dhunuar të Kosovës, Presidenti Klinton nuk do t’i kishte gjetur dot kurrë aleatët për shkrimin e historisë së çlirimit të Ballkanit Perëndimor nga diktatori i fundit. Jo vetëm kryeministrin Blair dhe kancelarin Schroeder por edhe kryeministrin e majtë të Italisë Massimo D’Alema dhe atë socialist të Francës Lionel Jospin, të cilët bashkë me kryeministrin konservator të Spanjës José María Aznar, ishin pesëshja kyçe që ia mundësoi mikut tonë të sotëm të nderit, vendim-marrjen historike të NATO-s për realizmin e njërit prej sukseseve më domethënëse të politikës së jashtme amerikane, çlirimin e Kosovës dhe çeljen e një epoke të re për këtë lagje të njohur botërisht si fuçia e barutit në zemër të Europës me emrin Ballkan.
Në shqiptarët kemi patur privilegjin ta përjetojmë drejtpërdrejtë në lëkurën e kombit tonë forcën rrëqethëse të fjalës së Presidentit Klinton në mbrëmjen e 24 marsit të vitit 1999, kur ai iu drejtua Amerikës dhe mbarë botës për të lajmëruar: “Today I authorize the armed forces of United States to begin a series of air strikes against Serbian forces, responsible for the brutality in Kosovo”.
Ai fjalim përveçse një tjetër perlë e thesarit të oratorisë klintoniane është për historinë e Kosovës, por edhe të vetë rajonit tonë një gur përcaktues i rrugës së të ardhmes, siç është për Amerikën fjalimi i presidentit Abraham Lincoln në një 1863 në Gettysburg, “për një qeveri të njerëzve, me njerëzit dhe për njerëzit”. Apo siç është për Britaninë e madhe fjalimi i kryeministrit Churchill në 4 qershor të vitit 1940 ‘Ne do të luftojmë”.
“Across the Atlantic, we and our allies will do what is necessary. The Kosovo conflict is a defining moment for NATO. The credibility of this alliance is at stake. We either stop the violence, or watch the vaulters descend to feast on the corps of yet another small country”. Adresimet e tij të drejtpërdrejta për të dy popujt e përfshirë pa dëshirën e tyre në një konflikt mizor të shkaktuar prej logjikes perverse të një regjimi diktatorial kanë lënë pa frymë atë natë çdo shqiptar dhe çdo serb.
“I want to speak directly to the people of Kosovo. This war was not of your making, it was waged by others who sought to divide and conquer you. Your cause is right your cause is just and your cause will prevail. I want to speak directly to the people of Serbia. This is not your war. Your soldiers and civilians are not the targets. Make no mistake. We do not hate you. We fight only when we must and when we fight, we fight to prevail. We will not waver, we will not tire, we will not falter and we will not fail. Peace and freedom will prevail”.
Filozofët kanë debatuar rreth forcës të përcaktuar të klimës së një vendi mbi karakterin e njerëzve. Duke qenë shqiptar unë kam dëshirë të besoj se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për emrat e vendeve, fundja ne jemi vendi i shqiponjave dhe na vjen shumë mirë që kjo të jetë e vërtetë. Vendlindja e presidentit Klinton quhet Hope, shpresë dhe mbase nuk është krejt rastësi që shpresën, shtëpinë e tij, ai ua ridha shqiponjave të përzënë nga shtëpia në Kosovë.
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara na mësoi me shembullin e oratorisë së tij dhe me forcën e shembullit të tij se të kesh shpresë do të thotë të besosh, se ka vetëm regjime dhe qeveri të këqija, nuk ka kurrë popuj të këqij. Askush nuk e di sesi të kishte qenë e sotmja e rajonit tonë pa zotërinë që do të flas pas pak, por mund të thuhet pa frikë se koha që ka rrjedhur nga ai vendim historik dhe deri më sot mund të kishte qenë shumë më e zymtë sesa edhe mund të guxojmë ta marrim me mend. Jo vetëm për Kosovën dhe për pasojë për të gjithë shqiptarët, por dhe për Serbinë dhe për pasojë për të gjithë serbët, dy kombet më të mëdhenj të Ballkanit popujt e të cilëve janë të shtirë në më shumë sesa brenda shtetit tyre amë dhe janë të dënuar të jetojnë përjetësisht së bashku duke zgjedhur që ose ta kthejnë Ballkanin në hapësirën e një jete të re të triumfit, të paqes mes veti ose ta lënë peng mes mureve të vjetra të frikës dhe të jetuarit me kurriz ndaj njeri tjetrit, por mund të thuhet besoj pa frikë se gjysmë milionë refugjatët kosovarë të cilët nën furinë e makinerisë gjakatare të Beogradit erdhën për të kërkuar shpëtim në Shqipëri, mund të mos ishin kthyer dot më në shtëpi. Vetë kasapi i Beogradit mbase mund ta kishte ngrysur jetën në pushtet dhe jo prapa hekurave dhe e shkuara për të ardhur deri këtu ku jemi mund të kishte grabitur kushedi sesa kohë akoma të ardhmes së popujve të Ballkanit.
Pa diskutim kontributi i drejtpërdrejtë personal i presidentit Klinton për shqiponjën tonë binjake matanë bjeshkëve është i të tilla përmasave saqë eklipson natyrshëm kontributin e administratës Klinton për Shqipërinë, i cili në vetvete ishte mjaftueshëm i çmuar në atë kohë kur vendi ynë dilte nga një izolim i paparë askund në lindjen komuniste si një Kore Veriore në mes të Europës, ku liria erdhi bashkë me një kaos dhe një çoroditje te pashoqe.
Në mbështetje të Shqipërisë presidenti Klinton firmosi krijimin e Fondit Shqiptaro-amerikan dhe qeveria e tij e mbështeti Shqipërinë jo thjeshtë përmes programeve të ndryshme të ndihmës, por në radhë të parë duke çelur epokën e re të partneritetit strategjik me SHBA i cili u formalizua me marrëveshjen historike të partneritetit pak kohë më parë. Ai gjithashtu dërgoi në vendin tonë ambasadorët e tij, pasionantin William Ryerson, shumë të respektuarën Marisa Lino, të kujtuarin gjithnjë me dashamirësi Joseph Limprecht, të cilët na shoqëruan me përkushtim në të përpjetën plot gropa të tranzicionit nga ferri në demokraci, por përsëri e përsëri ashtu siç ishte për Amerikën, Europën dhe mbarë botën e progresistëve të këtij planeti presidenti Klinton ishte pikë referimi dhe frymëzimi për ne shqiptarët, që ta ushqejmë pa pushim shpresën dhe ta bëjmë atë shtëpinë tonë.
I dashur zoti President, ne në Shqipëri nuk merremi vesh lehtë me njeri tjetrin. Së fundi, as ju në Amerikë por unë po flas për ne, e kemi të vështirë të bëhemi bashkë nëse një armik i përbashkët nuk na detyron. Madje është e sigurt se ne mund të mos biem dakord edhe për këtë që sapo unë thashë, por unë nuk besoj se ndonjë vend tjetër i botës përfshirë në Arkansas ju do të gjeni dot një konsensus më të madh sesa në Shqipëri, dje, sot dhe gjithmonë.
Unë e them këtë jo vetëm me bindje subjektive, por edhe me një provë objektive, se Arkansasi u kthye dhe mbeti një shtet i kuq që kur ju dolët nga Shtëpia e Bardhë ndërkohë që Shqipëria jam i lumtur tua u them, i është sot e gjithë ditën besnike frymës se metodës Klinton.
Natyrisht zoti president, Shqipëria është vendi më pro amerikan që mund të gjendet sot, përfshirë edhe krahasuar me Teksasin, por ju jeni presidenti më shqiptar që ne mund të gjenim ndonjëherë në Amerikë dhe me respektin më të madh për të gjithë presidentët e vendit tuaj të bekuar, vendi juaj ne zemrën e kombit tonë është aty ku qëndron miku më i madh i nderit.
Tani, përpara sesa unë të tërhiqem si çiraku që i hap rrugën mjeshtrit, dua t’ia kaloj mikrofonin disa prej këtyre djemve që shihni të ulur nëpër shkallë, të cilët nuk janë këtu për të zbukuruar sfondin e kësaj ceremonie mikpritjeje, por janë ftuar këtu personalisht për një arsye që sapo ata t’iu prezantohen, ju do ta merrni vesh!
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton: Faleminderit!
Jam pa fjalë, mendoj që po të kisha një gjykim shumë të shëndoshë nuk do të thoja asgjë. Jam vërtetë pa fjalë!
Kryeministër, ministra, zyrtarë të tjerë të qeverisë,
Të nderuar të ftuar të të gjithë popullit shqiptar që kanë qenë pjesë e kësaj dite të shkëlqyer, dua t’ju falenderoj për një moment që dua ta ruaj si një thesar për gjithë jetën time.
Ka më shumë se 10 vjet qëkurse bashkëshortja ime erdhi këtu si Sekretare e Shtetit dhe gjithmonë e pyesja si po ndihesh, si po shkon sepse gjithmonë doja që të vija dhe ndiej se edhe pse jam një qytetar privat, pa asnjë pushtet publik mund të flas për këtë çështje në emër të popullit amerikan.
Lidhur me këtë, për partitë tona politike, dallimet tona filozofike ndonjëherë edhe kundërshtitë tona fetare, pavarësisht, ne jemi të angazhuar për lirinë, forcën, integritetin dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Jam shumë mirënjohës për atë çfarë kryeministri tha lidhur me Kosovën. Ai e di e shumë prej jush e dinë që unë dhe Hilari jetojmë në New York, 30 milje nga qyteti i New York-ut. Që është vendi me përqendrimin më të madh të shqiptareve në Amerikë. Nuk bëj të ecë rrugës pa i parë. Ishte në fakt shumë për të qeshur kur erdha këtu, sepse një javë përpara se të largohesha po ecja dhe kalova përbri tre restoranteve të shkëlqyera shqiptare dhe njerëzit dolën jashtë dhe filluan të më tregonin për agjendën këtu, e dinin më shumë ata se çfarë do të bëja unë këtu, sesa e dija unë vetë. Pra një javë përpara sesa të largohesha!
Dua po kështu t’i them faleminderit kryeministrit për fjalët e tij lidhur me politikën time e qasjen e rrugës së tretë të cilën Toni dhe unë u përpoqëm ta ndiqnim. Për mua së paku është më shumë rrënjosur tek ai i cili është qëllimi i politikës. Jam shumë i nderuar që edhe dhëndri im është këtu me mua sot, bashkëshorti i vajzës sime. Dhe gjëja e fundit që ndodhi përpara se të vinte këtu ishte që Chelsea na nxori tre fëmijët dhe tre nipërit e mi në telefon dhe mund ti shihnim. Dhe në fakt më kujtohej se cili është qëllimi i gjithë kësaj.
Kur dëgjoj kaq shumë nga këto gjëra që thuhen sot në Amerikë e në mbarë botën, që kanë synim vetëm të na përçajnë, vetëm të na bëjnë të kemi frikë nga njëri-tjetri, vetëm për të justifikuar një trajtim i cili është i pa drejtë. Kur e pashë të ndodhte në Kosovë e në Bosnje gjithë ato vite më parë kur isha President, e pashë të ndodhë si djalë i ri në vendlindjen time për fëmijët që iu mohonin të drejtën që të shkonin në shkollë me mua për shkak të racës së tyre. Sa herë e kam parë këtë gjë në jetën time shumë të gjatë. Kurrë nuk ka pasur lidhje me të vërtetën në zemër të vetë, por është bërë për të fituar pushtet, dominim dhe kontroll pa asnjë llogaridhënie nga ata njerëz të cilët shtyjnë kufijtë dhe mendojnë se disa njerëz janë krijuar të epërm nga Zoti.
Për të gjithë ju në Shqipëri sot, për ata prej jush që shërbejnë në qeveri dhe ata të cilëve iu shërbehet, për rininë e jashtëzakonshme dhe praninë e grave në këtë qeveri, për të rinjtë mbresëlënës që folën, disa prej të cilëve mbajnë emrin tim e disa të tjerë emrin e familjarëve të mi, ju kërkoj të mos shkurajoheni përballë asaj çfarë po ndodh sepse këto probleme i kanë rrënjët tek një impuls që është më i vjetër se shtetet kombe. Është më e lashtë se edhe besimet tona fetare. Ka pasur gjithmonë një frikë se në momentin që do të shkojmë përtej llojit tonë, diçka e keqe mund të ndodhë. E themi këtë duke e mbajtur larg tjetrin dhe sërish, pa shihini këta fëmijë. Gëzimi më i madh në jetë ndodh kur ne hapemi ndaj mundësisë që çdo person i vetëm mund të marrë.
Edhe një herë, e kam vështirë edhe të them diçka për atë që është bërë e thënë sot përveçse mësimet thelbësore të jetës time në politikë nuk janë ato që mësova në universitet apo edhe ne valën e zgjedhjeve e në sallonet e diskutimeve të qeverisë. I kam mësuar kur isha vetëm një djalë i vogël që rritesha duke parë njerëzit të jetonin jetën e tyre dhe jam ndjerë përherë se fjala dhe nderi kishin një vlerë konstante për gjithkënd.
Në këtë moment mendoj se është e rëndësishme që ne të pranojmë fortë dhe qartë se dallimet tona kanë rëndësi sepse askush nuk ka të drejtë gjatë tërë kohës. Dhe duhet të ndihemi të lirë t’i shprehim ato dhe duhet të jemi në gjendje të dëgjojmë njeri tjetrin, por duhet të mos harrojmë se e vetmja mënyrë me të cilën vërtetë mund të kenë vlerë dallimet tona dhe e vetmja mënyrë me të cilën do të lejojmë të gjithë që të kenë zërin e tyre, është nëqoftëse themi fort e qartë se të qenit njerëz e humanizmi ynë i përbashkët vlen më shumë.
Kam parë këto më shumë se 30 vitet e fundit të Shqipërisë i mrekulluar. Jam mrekulluar sepse kur isha i ri në universitet dhe studioja luftën e ftohtë, studioja botën komuniste dhe shihja Shqipërinë në hartë dhe paraqitej në çdo orë mësimi si një mister i pamatë, e mbyllur ndaj botës. “Mos hyni’’ dhe më kujtohet kjo kur isha 18 vjeç dhe i thoja vetes; “a do të shkoj ndonjëherë aty? Pyes veten se si duhet të jetë aty?” dhe kurrë nuk ma merrte mendja se do të vija si president, isha thjesht një njeri që vija nga një rrugë e gjatë në fakt, doja të vija e të shihja historinë e këtij vendi dhe duhej të mendoja që ishte i mbyllur nga bota.
Mendoj që më keni dhënë një dhuratë mjaft të madhe thjesht duke ju thënë ‘’përshëndetje’’, thjesht duke më lënë t’ju shoh sepse kam jetuar rreth njerëzve që janë përpjekur të ngrenë mure mes vete dhe të tjerëve gjatë gjithë jetës dhe tani kjo kënga që këndohet mbarë botës për rëndësinë e ndasive mund ta dëgjoj, ta ndjej dhe ta shoh dhe mund ta ndjej e ta shoh edhe kur s’është më. E në fakt kjo është më e shkuar në Shqipëri sesa në çdo vend ku unë kam qenë dhe duhet të jeni shumë krenarë që e keni bërë këtë dhe jeni shpërblyer për këtë dhe do të shpërbleheni, ndërkohë ne do të diskutojmë për gjërat.
Ka një mosmarrëveshje që po ndodh tani në Kosovë që do doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato 4 qyteza në të mirë të serbëve për t’u dhënë 4 kryebashkiakë më tepër, kështu që mendoj se tani kanë bërë një gabim duke mos votuar. Mendoj se është e lehtë për shqiptarët, tashmë në shumicë, që të përpiqen të përfitojnë nga momenti për të paraqitur argumentin e tyre, por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është që duhet ta ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe politike mund të avancohet duke patur tension? Ka njerëz që jetojnë aty. Kanë nevojë që të kenë një qeverisje të denjë dhe qytetarët kanë nevojë t’u thuhet “ju duhet të votoni’’ gjithmonë.
Unë sapo erdha nga Mbretëria e Bashkuar. Hilari dhe unë ishim atje dy muaj më parë, duke kremtuar 25-vjetorin e marrëveshjes së të Premtes së Zezë dhe ata kanë një problem të madh me të cilin ju nuk duhet të përballeni tani, që është, kur nisën në Irlandën e Veriut kishte më shumë protestantë irlandezë që donin të mbeteshin pjesëtarë të Mbretërisë së Bashkuar, por ishin të gatshëm t’i jepnin më shumë zë katolikëve irlandezë të cilët preferonin të bashkoheshin me qeverinë e Irlandës, ndaj të gjitha gjërat e tjera të cilat kishin përzemërt, gjetën një mënyrë për të krijuar një forum në mënyrë që njerëzit të ndiheshin se kishin të drejtën e qytetarisë, nuk i ndalën mosmarrëveshjet, por gjetën një mënyrë për të ndarë të ardhmen dhe nëqoftëse mendoni për këto 4 qyteza, shumë larg nga çdo laborator modern, shkencor, ku modelohet sjellja përçarëse që po e nxit botën sot kryesisht sepse shumë vende drejtohen nga njerëz që preferojnë dominancën në vend të bashkëpunimit dhe në vend të konvertimit, e në vend të ndarjes së një të ardhmeje. Unë shpresoj që Shqipëria në mënyra të mëdha e të vogla do të jetë në gjendje që së pari t’i tregojë botës se si duket një e ardhme gjithëpërfshirëse.
Do të dëshiroja që e gjithë bota të shihte një video të shkurtër të të gjithë këtyre fëmijëve. Është diçka që e merr për të mirëqenë, duket normale për ju, por ka shumë, shumë vende në botë tashmë, ku kjo do të ishte shumë e çuditshme.
Nuk dua që të nënvlerësoni kurrë fuqinë e shembullit tuaj. Ashtu siç dikur një student shkolle, pyesja veten se çfarë ishte ky mur që nuk më linte të mësoja qoftë edhe një gjë për Shqipërinë, mu desh të pyesja 10 njerëz se si të shqiptoja emrin e njeriut që drejtonte vendin. Ishte një mister i madh. Tani çdo njeri i cili përjeton vendin tuaj, ndihet pak më i madh, ndihet pak më inteligjent, ndihet pak më i gatshëm për të qëndruar.
Ne e dimë që ju keni akoma probleme ekonomike, e dimë që ju luftoni me njëri-tjetrin dhe argumentoni gjatë me njëri-tjetrin. Jemi absolutisht të vetëdijshëm se ka sfida për të cilat të tjerë duhet të bashkohen me ju në mënyrë që ju t’i përballoni. Me fjalë të tjera jeni njerëz, nuk mund të jeni të përsosur por mund të jeni në anën e duhur të historisë dhe në anën e duhur të njerëzimit.
Kështu pra për mua, kjo nuk është thjesht një ditë kur kryeministri dhe populli i dhanë një njeriu i cili nuk është më i ri dhe nuk ka më pushtet politik, një lëvdatë për atë çka shumë kohë më parë bëri në mënyrë të drejtë për ju. Kjo është dita kur ri konfirmohet koncepti se njerëzit që bëhen bashkë përtej ndasive të tyre, marrin vendime më të mira dhe njerëzit të cilët ngulen e rrinë vetëm me një grup. Grupet marrin vendime më të mira edhe se gjenitë vetëm dhe kjo është diçka që mund të vërtetohet kështu që për mua ajo që kam më shumë për zemër tashmë është që nipërit e mi të kenë një të ardhme më të shkëlqyer, që gjërat të bëhen bashkë në vend që të përçahen, dhe ju ma keni bërë të qartë se jeni dakord me këtë.
Unë i dëgjova ata fëmijë dhe më lanë pa fjalë. Mos harroni, nuk është përherë e lehtë; mos harroni, do të bëni gabime; mos harroni, dikush do të thotë diçka për ju që është e rreme, që është e pavërtetë e që nuk duhet ta thotë. Duhet të gjeni mënyrën se si t’i përgjigjeni asaj.
Miku im Nelson Mandela që ka një dekadë që ka vdekur, ishte një gjeni për mënyrën se si përballonte sulmet kundër tij dhe u mbajt në burg për një kohë shumë të gjatë, por nuk kishte rendësi, çfarëdo dikush bënte, çfarëdo dikush thoshte ai mendonte për mënyrën sesi të ngrihej mbi të.
Më kujtohet që dikur në një aeroport dhe kjo vlen shumë për atë me të cilën përballemi sot, në momentin që aparteidi u shemb dhe Mandela u nxor nga burgu dhe personat me ngjyrë të cilët nuk kishin votuar për 300 vjet nuk i humbisnin dot zgjedhjet. Të gjithë po shihnim Mandelën dhe ai ishte në aeroport dhe pa këtë vajzë të vogël, të bukur dhe me sy bojë qielli dhe shkon i thotë “A e di se kush jam unë?” Ajo i thotë: “Po, ti je zoti Mandela”. Ishte 6 vjeçare, – “dhe ti je presidenti im”. Ai tha, “po, jam për pak kohë, por nëqoftëse studion shumë dhe nëqoftëse mëson shumë e nëqoftëse vendi ynë shkon në drejtimin e duhur një ditë ti mund të jesh presidente e Afrikës së Jugut gjithashtu”. Dhe ishte një kohë ku ishte tundimi për të thënë “shih si na kanë trajtuar dhe tani kemi pushtetin, kemi fuqinë”. Ndërkohë Mandela i thotë një 5 vjeçareje e cila as nuk ka votuar për të sepse ishte kaq e vogël dhe ai ishte thuajse 80 vjeç në atë kohë, që ajo mund të bëhet presidente.
Kjo është ajo çfarë përfaqësoni ju për mua, kjo është ajo çfarë ndjeva sot kur pashë këta fëmijë sot. Kjo ishte ajo çfarë ndjeva. Dua t’ju kërkoj që të vazhdoni kështu. Na duhen modele e ndonjëherë është e lehtë që vendet të cilat kanë popullsitë më të vogla dhe për rrjedhojë mund t’i shohin njerëzit si njerëz dhe jo si personazhe vizatimorë dy dimensionalë të udhëheqin rrugën për ne.
Qysh prej kohës kur kam lënë Shtëpinë e Bardhë më kanë ndodhur dy gjëra mjaft emocionale. Një, kur isha në një restorant në New York me 12 njerëz në një sallë private ku po diskutonim gjëra të rëndësishme themelore dhe një kamerier erdhi që të merrte porosinë. Pa se kush ishte aty, uli tabakanë që kishte ujin dhe u ul në gjunjë dhe më pa dhe më tha “falë teje familja ime është gjallë”. Dhe njerëzit e tjerë me të cilët isha nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte. Kështu që iu shpjegova që ishte shqiptar nga Kosova. “Po si e di”, më thanë, – “po sepse thuajse kudo në New York i gjen”, por çështja është, ai u çua, foli pak për njerëzit aty për jetën familjare, për atë çfarë kishte kaluar. Vazhdoni kështu, mos i hidhni njerëzit poshtë kur ju zhgënjejnë. Rezistojini tundimit që njerëzit t’i trajtoni siç ju trajtojnë. Ju keni ndërtuar këtu diçka vërtetë të lavdishme. Bëni që gjithkush që vjen në Shqipëri të shkojë në vendin e tyre me dëshirën që vendi i tyre të jetë më shumë si i juaji. Dikur ju ishit një derë e zymtë e mbyllur, ndërkohë që tashmë jeni një derë e hapur.
Faleminderit që morët drejtueset e gratë e OJQ-ve dhe i larguat nga shqetësimet e tmerrshme në Afganistan. Nuk e keni idenë sesa e rëndësishme ishte kjo.
Faleminderit për gjithçka keni bërë për të vërtetuar që ajo çfarë kemi të përbashkët është shumë më e rëndësishme sesa ndasitë tona dhe se duhet të ndërtojmë një botë ku duhet të bëhemi bashkë. Gjithë pjesa tjetër është muzikë në sfond.
Më lini t’ju them që kur vjen në moshën time pyet veten se pse shpenzojnë njerëzit kaq energji që të shkatërrojnë të tjerët për aq pak gjë. Ndodh shumë shpejtë, jeta ikën, mbaron dhe gjithçka vlen është nëse i ke lënë gjërat më mirë sesa i ke gjetur. Nëse fëmijët kanë një të ardhme më të ndritur, nëse jeni bashkuar në vend që të ndaheni e në këto kohëra ku jemi përballur me sfidën ekzistenciale që paraqet ndryshimi i klimës për jetën tonë, për mënyrën tonë të jetesës, kur ju thua “po” këtyre gjerave, gjithë gjërat e tjera nuk kanë vlerë.
Sot pra më dhatë një dhuratë të madhe, më të madhe madje edhe sesa nderi. Më latë të shoh çfarë bëhet për të ardhmen në një vend ku e shkuara mund ta kishte vrarë. Vazhdoni kështu! Zoti ju bekoftë!
Kryeministri Edi Rama: Në Ballkan ne flasim gjatë. Nuk ka mbaruar akoma. Ne kemi një surprizë tjetër që është më e këndshmja nga ato që ke parë deri më tani. Shihe këtë djalë të vogël. Ai është Klintoni më i vogël. Arsyeja është babai dhe nëna që po përpiqeshin të bënin një fëmijë prej 23 vjetësh dhe ai vendosi që duhet të kishte një djalë me emrin Klinton dhe nuk bëhej tjetërsoj dhe ja ku është.
Tani kemi diçka të vogël për ta përfunduar me Hillary dhe Bill Klinton.
Zoti president, ju, njeriu nga Hope keni qenë me ne gjatë gjithë kohës përmes fjalëve dhe veprave tuaja, por sot jeni mes nesh për të na kujtuar mësimet nga një histori e fortë e largët për të rikonfirmuar angazhimin e Amerikës ndaj paqes sonë dhe edhe njëherë të na thërrasësh në shpresë.
Nuk ka fjalë që mund të shprehin mjaftueshëm përulësinë e thellë që ndjej tashmë duke ju kërkuar me përulje të pranoni Yllin e Mirënjohjes për arritje publike, medaljen e Yllit të Mirënjohjes që është në fakt çmimi më i lartë që i jepet nga zyra e Kryeministrit dikujt i cili e meriton këtë mirënjohje të jashtëzakonshme nga vendi ynë.
Shpresoj që vërtetë të ndjeheni në një shoqëri të çmuar dhe të shquar duke qenë se ky nder i madh i është dhënë Angela Merkel, Presidentit të BE-së, Donald Tusk, Kardinal Parolinit të Selisë së Shenjtë dhe kampiones sonë të parë europiane të atletikës, Luiza Gega.