Në një ceremoni të posaçme të mbajtur sot në Kryeministri, në sallën e Hartave, Kryeministri Edi Rama nderoi Komandantin e Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral, Tod Daniel Wolters, me medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike”, me mirënjohjen e thellë për vizionin, kontributin dhe bashkëpunimin me forcat e Armatosura Shqiptare, si dhe për mbështetjen e rolit të Shqipërisë në ruajtjen e paqes e sigurisë rajonale.
“Jam i privilegjuar që t’u jap këtë që është Ylli i Heroit tonë Kombëtar dhe që ka brenda Shqiponjën tonë si shprehje e mirënjohejs së përjetshme të këtij vendi ndaj jush dhe ndaj gjithçkaje që ju përfaqësoni”, – u shpreh Kryeministri Rama teksa i dorëzoi Gjeneralit Wolters, Medaljen e Mirënjohjes.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Do ta nis duke shkelur protokollin e do flas në anglisht, për të nderuar mikun tonë të nderit, por po ashtu edhe për të shmangur përkthimin e keq, që ndonjëherë krijon probleme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në këtë vend.
Jemi mbledhur këtu me kënaqësi të madhe për të nderuar një njeri i cili, pa asnjë dyshim, nuk mund të kuptohet e të përfshihet plotësisht nga fjalimshkruesit e mi dhe për të cilin e kam të vështirë të shpreh gjithë mirënjohjen dhe respektin me të gjitha fjalët e merituara.
Nga ana tjetër, nuk është hera e parë, që në këtë ndërtesë dhe këtë vendtakim, ne mblidhemi për të nderuar dikë dhe ku ofrojmë shprehjen më të thellë të mirënjohjes, duke u dhënë medaljen, por është hera e parë kjo, që personi që nderojmë është Gjeneral dhe mendoj që për mua nuk është vetëm hera e pare, por ndoshta dhe e fundit që kam privilegjin që të dekoroj një Gjeneral, gjë e cila është absolutisht e jashtëzakonshme.
Gjenerali Wolters u tregua shumë i sjellshëm duke më thënë që ka marrë çdo yll dhe çdo medalje që shteti amerikan mund t’i jepte, kështu që, shtimi i një tjetër embleme në unifromën e tij është një privilegj i jashtëzakonshëm.
Sigurisht, ky është momenti për të kremtuar miqësinë më të çmuar dhe aleancën më të çmuar që ky vend ka pasur fatin të ketë dhe është i privilegjuar të ndërtojë, që është miqësia dhe aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndonjëherë, miqtë tanë europianë ndjejnë një lloj kureshtjeje, për ta thënë si një lloj eufemizmi, se si ndodh që Shqipëria, shqiptarët janë kaq pro-amerikanë!
Jam i sigurt që nëse disa prej tyre nuk janë familjarizuar me historinë tonë, mund t’u dukemi budallenj, për ta thënë butë, por jo. Ne jemi gjithçka, por jo budallenj. Ne jemi këtu, në këtë pjesë historie të lidhur kaq fort me këtë aleat dhe mik falë edhe një marrëdhëneje diplomatike, por që u ndeshën me gjysmë shekulli heshtje nga pala amerikane dhe gjysmë shekulli zhurme të stërmadhe nga ana jonë pasi duke qenë krejtësisht e izoluar, për shkak të faktit që Shqipëria ishte tejet e izoluar dhe u shndërrua në Korenë e Veriut të Europës asokohe.
Pra, ne e nisëm aty ku e lamë, në vitin 1991 dhe tashmë është vendosur një gur themeli i ri, ku ne mund të kremtojmë raportin më të fortë e më të frytshëm midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Nuk është gjithmonë e lehtë, mund ta them, ndonjëherë është shumë kërkuese, ndonjëherë duket më sfiduese nga ç’mund të përballojmë, por në fund të fundit është absolutisht shumë përmirësues për ne.
Nuk guxoj asnjëherë të pyes asnjë prej ambasadorëve amerikanë se çfarë mësojnë nga Shqipëria, por mund t’ju them se ne mësojmë shumë nga këta partnerë tejet të fuqishëm dhe aleatë. Ndoshta Forcat e Armatosura janë shprehja më e mirë e rrugëtimit tonë për të mësuar, shoqëruar nga miqtë e aleatët amerikanë brenda NATO-s dhe në nivel dypalësh.
Nëse sot, Forcat tona të Armatosura kanë shkuar në një nivel ku edhe ata më optimistët nuk do kishin guxuar ta përfytyronin 10, 20 e aq më pak 30 vjet më parë, kjo ka ndodhur pa asnjë dyshim, kryesisht dhe pikë së pari falë miqve dhe aleatëve tanë amerikanë.
Nga ana tjetër, nëse kemi qenë në gjendje të kuptojmë, ngadalë, por me vendosmëri, se kemi potencial për të shfaqur në aleancë, së bashku me gjithë nxitjen dhe shtysën e saj për të luftuar për ate çka është e drejtë, kjo është sërisht, së pari dhe mbi të gjitha, rrjedhojë e inkurajimit dhe fuqisë së mirëkuptimit dhe solidaritetit që kemi mundur të perceptojmë nga miqtë dhe aleatët tanë amerikanë.
Sigurisht, në këtë raport shumë ka të bëjë me njerëzit, shumë lidhet me personalitetet, shumë lidhet me ata, të cilët janë shprehja njerëzore e kësaj marrëdhënieje, ambasadorë, gjeneralë, të dërguar, punonjës të cilët në kuadrin e punës së tyre duhet të mishërojnë parimet dhe ambiciet e kësaj marrëdhënieje.
Më lejoni të them që mes tyre, gjenerali Wolters, veçanërisht, ka një vend të posaçëm. Nuk po e them këtë për ta thënë për shkak të rrethanave apo sepse rasti e do që të them disa fjalë. Po ashtu, më lejoni t’ju them që ishim ne që e donim këtë gjë, nuk na u kërkua ta bëjmë këtë gjë. Ndonjëherë na kërkohet sigurisht e ndonjëherë duam ne diçka dhe donim që të shprehnim përgëzimet tona posaçërisht gjeneralit Wolters, si një prej personave më të shquar që ka përfaqësuar në më të mirën e vet këtë marrëdhënie e do t’ju them përse. Sepse gjenerali Wolters, veçanërisht, jo vetëm ka qenë mbështetës, por po ashtu ka qenë i prirur të tregojë me vepra e jo me fjalë që e ka përzemër këtë marrëdhënie dhe fjala “përzemër” është diçka që e vlerësoj shumë, sidomos në marrëdhëniet ndërkombëtare të këtij vendi që në fund të fundit, kanë të bëjnë me njerëzit.
Forcat e Armatosura shqiptare kurrë nuk do të harrojnë se ishte, pikë së pari, gjenerali Wolters që qysh prej ditës së parë mbështeti transformimin e bazës ajrore të Kuçovës në një bazë taktike të NATO-s e gjithashtu për të avokatuar qysh prej ditës së parë e për të përkrahur e mbështetur Shqipërinë si një prej vendeve pritëse të serisë së stërvitjes Defender Europe. Edhe më shumë se kaq, ishte gjenerali Wolters i cili përkrahu dhe mbështeti qysh prej ditës së parë që Shqipëria të kishte selinë e Forcave të Përparuara të Operacioneve Speciale në Shqipëri të komandës së SHBA në Europë.
Së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, fakti që kam patur mundësi të takohem me gjeneralin, të flas me të, ta dëgjoj atë më ka bërë të ndihem shumë i inkurajuar nga fjalët e tij kur më tha “Mund të jeni vend i vogël dhe keni ushtri të vogël, por mund të gjeni vendin tuaj, duke krijuar vlerë të shtuar për të gjithë aleancën”.
Kjo është ajo çka më frymëzoi për t’i ndarë këto fjalë me ministrin, me shefin e shtabit dhe njerëz të tjerë dhe na bëri të ulemi e të mendojmë më thellë se si të arrijmë deri aty. Kemi disa ide të mira dhe çka është më me rëndësi, kemi disa miq të mirë dhe jemi shumë besimplotë sot që mund të gjejmë vërtetë vendin tonë për të qenë vlerë e shtuar për këtë aleancë.
E lashë për këtë moment për t’i thënë Gjeneralit që nesër do kemi mundësi t’i tregojmë disa prej ideve dhe në këto kohë mjaft specifike, mjaft të rrezikshme, besoj se ai përsëri do të konsiderojë, ndoshta nuk është ide e keqe, për të pasur një bazë detare të fjalës së fundit të NATO-s në Shqipëri. Na takon ne që t’i paraqesim projektin atij dhe t’i tregojmë atë për çka kemi punuar dhe ndoshta pastaj ai, sërisht, qysh prej fillimi, do jetë avokati dhe mbështetësi i kësaj ideje.
Fjala që më kanë përgatitur është përplot me Rusi, Ukrainë e gjithçka mund të çoni nëpër mend, por besoj se nuk do fjalë për t’u thënë që jemi radhitur në anën e duhur të historisë dhe jemi, siç kemi qenë qysh në krye të herës, prej fillimit të pozicionuar fort krah Aleancës, për të qenë kudo e kurdo është nevoja në momentin e duhur, vendin e duhur për të luftuar çdo forcë që kërcënon jetesën tonë, që kërcënon botës së cilës i besojmë, që kërcënon të ardhmen e brezave që vijnë.
Më lini ta them deri në fund general, ndonjëherë jemi në një pozitë më të mirë sesa juaja se nëse ka ndonjë faj që vihet, i duhet SHBA-së ta mbajë, megjithatë ne jemi gati që të marrim pjesë në faj, por askush s’na i vë fajin.
Është nder i madh për mua t’i paraqës gjeneralit Wolters në emër të qytetarëve shqiptarë, ne emër të të gjitha Forcave të Armatosura shqiptare, në emër të qeverisë shqiptare dhe në emrin tim, Yllin e madh të mirënjohjes për arritje publike.
Pra ju lutem, nëse do të çoheshit është ndoshta hera e parë që e ke dëgjuar këtë për aq kohë sa je Gjeneral sepse zakonisht janë të tjerët që rrinë “gatitu” ndaj urdhërave tuaja. Ejani afër meje.
Jam i privilegjuar t’ju jap këtë që është ylli i Heroit tonë Kombëtar e që ka brenda shqiponjën tonë si shprehje e mirënjohjes së përjetëshme të këtij vendi ndaj jush dhe sigurisht ndaj gjithçkaje që ju pëfaqësoni.
Fjala ime e fundit fare është për familjen tuaj dhe gjithkënd prej të dashurve tuaj. Zoti ju bekoftë! Paçi jetë të gjatë, së paku aq të gjatë sa marrëdhënia Shqiptaro-amerikane. Kështu që duhet të rrish për një kohë të gjatë këtu Gjeneral për të gjithë ata që të kanë përzemër e gjithë ata që ke përzemër.
Ky është ylli më i madh që i duhet të përballojë kjo xhaketë. Kjo është kur kalon doganën shqiptare. Është me certefikatë që të gjitha këto gjëra të çmuara ju përkasin ju.
* * *
Komandantin e Komandës Operacionale të NATO-s, Gjeneral Tod Daniel Wolters: Kurrë në jetën time të shkurtër në planetin tokë, nuk kam qenë kaq i mallëngjyer.
Kryeministër, kjo është një mbledhje për mua, mbledhja e një jete e kjo nënkupton kaq shumë për mua e dua ta ndaj këtë me pjesën tjetër të grupit, megjithatë dua ta nis duke folur për kombin tuaj sesi rritet ditë pas dite për të pasqyruar vlerat tuaja.
Shqipëria është vëllai i madh në rajonin tonë të NATO-s. Vendet e tjera në rajon ngrihen çdo mëngjes dhe ajo çka bëjnë është të shohin vendin tuaj dhe të dinë se ku do të drejtohen dhe të dinë se çfarë do të bëjnë dhe kjo përgjegjësi është përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe ajo çfarë kam parë qysh prej 2016-s e deri tani, kam parë rritjen dhe rritja nën udhëheqjen tuaj është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme dhe është në fakt reflektimi i njerëzve që drejtoni, por gjithashtu dhe elementit njerëzor që ju e cekët.
Më duhet të ndaj një histori me Kryeministrin. Më ka dhënë një prej dhuratave më të menduara që unë do ta kremtoj gjithë jetën. Disa prej jush kanë ardhur në Belgjikë dhe kanë parë në zyrën time një pikturë që ngërthen kaq shumë të marrëdhënies së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo vjen me një histori të mrekullueshme me kryeministrin, me sprova të cilat përballen kombet dhe sa e rëndësishme është për të vazhduar dhe për të ecur në rrugën e duhur.
Pra ne do të kemi edhe 100 vjet të tjera edhe më entuziaste sesa 100 vjetët e para të kësaj marrëdhënie shqiptaro-amerikane.
Do të doja që të shpenzoj pak sekonda për të folur për disa prej elementeve që e bëjnë kaq të çmuar mbajtjen e kësaj uniforme, duke qenë se kemi shumë pjesëtarë të forcave ushtarake këtu.
Për shumicën prej nesh, në karrierat tona ne kërkojmë një gjë: Frymëzim, dhe zakonisht frymëzohemi nga qënie njerëzore unike që kanë një mënyrë për ta përmbushur misionin e tyre, duke i trajtuar të gjithë me respekt dhe dinjitet dhe ju Kryeministër në këto 61 vite të shkurtra të jetës sime jeni mishërimi më i madh i kësaj udhëheqje.
Ka shumë karakteristika unike tuaja dhe këtë e them si një kompliment i jashtëzakonshëm.
Ju mund të hyni në një sallë drejtuesish të lartë të NATO-s, presidentësh dhe kryeministrash nga 30 vende të NATO-s dhe brenda sekondës secili prej këtyre udhëheqsve kombëtarë kupton se ka një qënie njerëzore shumë shumë të veçantë dhe unike që mishëron frymëzimin dhe trajton të gjitha qëniet njerëzore të tjera me dinjitet dhe respekt. Në jetën time, zoti kryeministër, ju jeni ai person.
Unë e vlerësoj shumë këtë frymëzim dhe kur ke një udhëheqës kombëtar që bën atë çfarë ju po bëni për këtë komb që është i frymëzuar që të ndryshojë përsëri, të përshtatë dhe në fakt duke trajtuar njerëzit me dinjitet, respekt është frymëzuese ajo çfarë merr dhe të shohësh Shqipërinë të rritet, të shohësh lidershipin e dëshmuar në një periudhë kaq të shkurtër kohe, për mua nga 2016 deri në 2022 është e jashtëzakonshme dhe për shumë prej jush këtu në këtë sallë, ju jeni angazhuar me të gjitha mundësitë me djersë, por ajo kryesore ishte Defender 2021 dhe tregoi forcën dhe muskujt e këtij vendi dhe për shumë prej nesh ka qenë privilegj i veçantë që të ndanim kohë me ju ballë për ballë dhe ju na keni dhuruar shumë kohë dhe kryeministër, kjo për ne ka qenë shumë frymëzuese.
Dua t’ju falenderoj shumë si njeriu njeriut që keni futur një element që ne e dimë që mban peshën kryesore kur bëhet fjalë për të arritur suksesin, çështjen njerëzore.
Kemi anijet më të mira, kemi avionët më të mirë, kemi pajisjet më të mira, kemi software më të mira. Kemi planifikuesit më të mirë, planet më të mira, por pa udhëheqjen e jashtëzakonshme njerëzore do të dështonim dhe kryeministër me ju në krye ky dështim është i pamundur.
Ju falenderoj shumë për këtë mundësi!
Ju falenderoj shumë që më frymëzuat mua si qënie njerëzore dhe që frymëzuat kaq shumë të tjerë dhe pres me padurim që ju edhe unë të bëhemi së paku 100 vjet që të vazhdojmë ta kremtojmë këtë marrëdhënie!
Faleminderit shumë! Ka qenë nder për mua! Faleminderit zotëri!