Në nderim të sakrificës së “Dëshmorit të Atdheut” Anri Kashiku, 18 vjeçarit, që humbi jetën në plazhin e Durrësit për të shpëtuar jetën e dy të rinjve, njëri prej të cilëve vëllai i tij, – u mbajt sot një ceremoni e posaçme në mjediset e Kryeministrisë, ku familjarëve iu dorëzuan nga Kryeministri Rama shenjat e posaçme të kujtimit dhe mirënjohjes së kombit, simboli i “Familjes së Dëshmorit të Atdheut”.
“Është një detyrim i yni që të nderojmë çdo shqiptar, në radhë të parë këta lloj shqiptarësh, njerëz të zakonshëm, të panjohur, me familje krejt të zakonshme. Kjo na bën të kujtojmë edhe njëherë që heronjtë, dëshmorët nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por janë njerëz shumë të zakonshëm, të cilët në një moment të caktuar, bëjnë dicka të jashtëzakonshme dhe vendosin veten në një piedestal në altarin e atdheut.” – u shpreh kryeministri Rama teksa i dorëzoi simbolin e mirënjohjes babait të Anri Kashikut.
Në ceremoni u nderua edhe akti heroik i rojes bregdetare Igli Shahinaj, i cili ndihmoi në shpëtimin e jetëve të dy të rinjve. Kryeministri Rama i dorëzoi vrojtuesit të guximshëm, Medaljen e Mirënjohjes dhe Medaljen për vlerësimin professional me motivacionin “Për profesionalizmin e treguar për përballimin e situatës dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për të shpëtuar jetë, duke mos patur parasysh rreziqet që i kanoseshin, me gatishmërinë e plotë për t’i dhënë ndihmën e parë në kushte profesionale të vështira dikujt në nevojë.
* * *
Shumë faleminderit në radhë të parë familjarëve të djalit që humbi jetën dhe hyri në zemrat e gjithë familjeve shqiptare me sakrificën e tij për shpëtimin e dy jetëve të tjera dhe faleminderit edhe grupit të vrojtuesve që janë këtu bashkë me ne, por edhe gjithë të ftuarit e tjerë për këtë ceremoni nderimi të Anri Kashikut, ashtu sikundër i kërkova familjes, babait që në momentin më të përshtatshëm për ta, të mund të na krijonin këtë mundësi sepse bëhet fjalë për nderimin e një Dëshmori të Atdheut, për një akt heroik dhe për një shembull jashtëzakonisht frymëzues, por njëkohësisht edhe shumë prekës për të cilin na takon ta shprehim respektin më të thellë.
Herën e kaluar nuk ishte vetëm familja, të afërmit, miqtë, shokët, fqinjët, komuniteti i zones, por ishte gjithë Shqipëria që u prek në zemër dhe që me mendje qëndroi për një moment tek ky i ri, që sikundër më tregoi babait, kishte pasion futbollin, donte të bëhej një futbollist i mirë dhe i njohur dhe që nuk ia doli dot sepse rrethanat, fati e vendosën në sprovën e një fushe ku luhet një ndeshje mes jetës dhe vdekjes.
Ai u bë hero i të vëllait, por edhe i të gjithë shqiptarëve dhe përfitmi i këtij statusi, natyrisht, që nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarë, nuk e shuan dhimbjen e tyre, por mbase lehtëson, sadopak, një plagë që fatkeqësisht, do qëndrojë aty, në zemrën e babait, në zemrën e familjarëve, në zemrën e vëllait dhe të afërmve.
Nga ana tjetër, është një detyrim i yni që të nderojmë çdo shqiptar, në radhë të parë këta lloj shqiptarësh, njerëz të zakonshëm, të panjohur, me familje krejt të zakonshme. Babai i Anrit është një burrë punëtor në emigracion. Më tregoi që priste të takoheshin, i kishte dhënë fjalën se do takoheshin së shpejti dhe jeta e solli që të mos e takonte dot djalin, por të kthehej në Shqipëri për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit.
Qeveria është zotuar që t’i mbrojë fëmijët e të rënëve kudo në Shqipëri dhe ky zotim u finalizua me miratimin e statusit të veçantë “Fëmijët nën Përkujdesje të Republikës”, por në këtë rast, Anri vetë ishte një fëmijë dhe ashtu si të tjerë heronj të këtyre ditëve, edhe ai u bë një simbol i një vetëmohimi ekstrem për të përmbushur një mision që disa, si mjekët që humbën jetën duke luftuar me vdekjen në trupin e të tjerëve gjatë pandemisë, ua sjell rruga e profesionit e disa të tjerëve ua sjell thjesht një moment i gabuar që askush nuk e ka në dorë, por që në atë moment të gabuar bëjnë heroikisht, gjënë e duhur.
Nëse Anri nuk do ishte sakrifikuar, jetët e humbura do ishin dy.
Kjo na bën të kujtojmë edhe njëherë që heronjtë, dëshmorët nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por janë njerëz shumë të zakonshëm, të cilët në një moment të caktuar, bëjnë diçka të jashtëzakonshme dhe vendosin veten në një piedestal në altarin e atdheut.
Me emocion dhe me mirënjohje për mundin e madh për të ardhur deri këtu bashkë me familjarët e tjerë, unë do doja t’i dorëzoja babait të Anrit këtë dekoratë, që shkon bashkë me certifikatën që ju solla paraprakisht në ditën e rëndë. Ngushëllime, diçkaje të pangushëllueshme!
Bashkë me nderimin e dëshmorit, dëshiroj të bëj edhe një nderim tjetër, për më tepër në një kohë si kjo që është një kohë mallkimi për të vërtetën, kur pa pritur asnjë sekondë për të verifikuar lajmin, çdo lajm gjen rrugën për të shkuar tek publiku dhe shumë lajme janë të rreme, çoroditëse, deri edhe poshtëruese për dinjitetin njerëzor.
Në momentin e parë kur tragjedia u bë e ditur, doli lajmi që tragjedia ishte rezultat i mungesës së vrojtuesit, i mungesës së pikës së vrojtimit, i mungesës së vëmendjes së shtetit, i mungesës së kujdesit të qeverisë dhe menjëherë, një tragjedi kaq e madhe dhe një heroizëm kaq i admirueshëm, ia la vendin batërdisë së zakonshme të baltës dhe helmit të ditës
Natyrisht që ne e kemi të pamundur, e kemi absolutisht të pamundur që të reagojmë dhe të sqarojmë çdo gjë që del dhe që merr dhenë sepse nëse do të bëjmë këtë, do duhet të lëmë çdo punë, pasi sasia e të pavërtetave që dalin rrugëve çdo sekondë, më synimin për të helmuar dhe për të shqetësuar, deri në mundësisht panik opinion publik, është e tillë që nuk përballohet. Kështu në vend se të merreshim me këtë, u morëm me nderimin e të ndjerit dhe sot dëshiroj që një vrojtuesi i cili ishte aty dhe i cili bëri pjesën e tij, i cili bëri dhe ai detyrën e tij duke shpëtuar dikë tjetër aty sikundër është e dëshmuar nga të gjithë raportet përkatëse, Igli Shahinaj t’i japim këtu medaljen e artë për vlerësimin profesional, për arsye të rrethanës në të cilën u gjend dhe për arsye të skenës që përjetoi , jo sepse Igli Shahinaj është i vetmi vrojtues që ka shpëtuar një jetë, vrojtuesit e bëjnë këtë më shumë sesa një herë përgjatë një sezoni plazhi. Kjo është puna që kanë zgjedhur të bëjnë, janë djem të përkushtuar, vullnetarë të apasionuar, notarë sigurisht të spikatur dhe në këtë rast dua t’i shpreh mirënjohjen dhe falenderimin të gjithëve, grupit që janë këtu dhe atyre që s’janë këtu, por që janë shumë në të gjithë vijën e plazhit të Shqipërisë dhe që janë çdo vit e më të organizuar e çdo vit me efikasë në veprimet e tyre.
Nga ana tjetër këto janë ngjarje të cilat për fat të keq jo gjithmonë mund të shmangen. Ideja që edhe kur godet fati i keq, edhe kur godasin rrethanat e gabuara, edhe kur ndodhin heroizma të kësaj natyre, përsëri gjendet rruga për të hedhur baltë. Nuk na pengon dot që të vazhdojmë punën dhe të vlerësojmë aq sa mundemi njerëzit e punës, të cilët nuk bëjnë lajm kur shpëtojnë jetë. Siç nuk bëjnë lajm punonjësit e Policisë kur shmangin ngjarjet e rënda, si nuk bëjnë lajm të gjithë ata që duke bërë detyrën e tyre garantojnë vijueshmërinë e jetës së vendit dhe nuk lejojnë të ndodhin gjëra të cilat meqë s’ndodhin s’janë as lajm, normal. Ama sot është dita që duke vlerësuar Iglin të tregojmë për të gjithë shqiptarët se puna e vrojtuesve nuk është puna e një turisti që qëndron në pikën e vrojtimit apo poshtë pikës së vrojtimit dhe ngrohen në diel. Puna e vrojtuesit është një punë e cila në një moment përgjatë mbase gjithë kohës së shërbimit, mund të kërkojë një sakrificë ekstreme.
Duke e ftuar Iglin të vijë të marrë medaljen e artë Për vlerësimin profesional me motivacionin “për profesionalizmin e treguar në përballimin e situatës dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm për të shpëtuar jetë, duke mos marrë parasysh rreziqet që i kanoseshin dhe gatishmërinë e plotë për t’i dhënë ndihmën e parë në kushte profesionale të vështira dikujt në nevojë’’, u shpreh dhe të gjithëve ju, kolegëve tuaj, mirënjohjen e kësaj qeverie për gjithçka bëni.
Zoti qoftë gjithmonë me ju në çdo moment dhe qofshi gjithmonë të gatshëm dhe gjithmonë të suksesshëm në misionin tuaj që në momente të caktuara, është mision që vë në rrezik edhe jetën tuaj.
Kjo ishte ceremonia e vlerësimit të Anrit si dëshmori më i ri i Atdheut dhe e shprehjes së mirënjohjes për të gjithë vrojtuesit gjatë vijës bregdetare të Shqipërisë.
Faleminderit të gjithëve!