Kryeministri Rama në “Berlin Global Dialogue”

Kryeministri Rama ishte pjesë e “Berlin Global Dialogue”, një nga forumet më prestigjioze që bashkon liderë nga politika, biznesi dhe akademia, me qëllim nxitjen dhe promovimin e dialogut mbi sfidat dhe të ardhmen e ekonomisë globale.

Sot, Kryeministri ishte i ftuar në tryezën e dialogut përballë moderatorit të njohur Ali Asllan, ku diskutoi mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, sfidat gjeopolitike dhe vizionin për transformimin digjital të qeverisjes.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria po ecën me ritme rekord në procesin e integrimit europian: “Gjatë 11 muajve të fundit, ne kemi çelur pesë nga gjashtë grup kapituj dhe presim me padurim që të çelim grup kapitullin e fundit me shpresë deri nga fundi i vitit, që praktikisht do të shënojë një rekord sa i takon shpejtësisë në proces. Kjo na inkurajon shumë”. – u shpreh ai.

Duke folur për zhvillimet në Europë dhe ndikimet globale, Kryeministri Rama ritheksoi besimin se ardhmja e Ballkanit Perëndimor mbetet BE.

“Në historinë e hartave, Bashkimi Europian është i vetmi realitet gjeografik e gjeopolitik që ka dy kufij. BE-ja ka dy kufi, një të jashtëm dhe një të brendshëm dhe brenda perimetrit të kufirit të brendshëm jemi ne. Kështu që, në një farë mënyre jemi “kërthiza” e Bashkimit Europian. Hezitimi për t’u bashkuar me këtë pjesë është absolutisht një ide jo e mirë. Unë besoj fort, që për të gjitha ato arsye të mira është BE-ja që ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, si pjesë e realitetit të vet, po aq sa kemi nevojë ne për BE-në, sigurisht.” – tha Kryeministri.

E ftuar në bashkëbisedim ishte edhe Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella, e cila iu përgjigj për herë të parë pyetjeve live, duke paraqitur vizionin për përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbim të qytetarëve dhe modernizimit të administratës publike.
Kryeministri Rama e prezantoi atë si ministren e parë në botë të inteligjencës artificiale, një nismë që vendos Shqipërinë në pararojë të inovacionit qeverisës, duke e kthyer teknologjinë në një mjet për rritjen e eficiencës, përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të qytetarëve te administrata.

“Berlin Global Dialogue” është një platformë ndërkombëtare e ideuar për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes qeverive, sektorit privat dhe institucioneve akademike, në funksion të politikave të qëndrueshme dhe inovative për ekonominë globale.