Kryeministri Rama në Durrës: Qeverisja vendore, investimet publike dhe transformimi urban në fokus
Pas takimit me kryetarët e bashkive të vendit, Kryeministri Edi Rama vijoi sot agjendën e tij në Durrës me inspektimin e disa veprave publike të përfunduara dhe atyre në proces, të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës urbane, rritjen e cilësisë së hapësirave publike dhe përgatitjen e qytetit për sezonin turistik.
Kryeministri Rama, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, u ndal fillimisht në kantierin e shëtitores “Taulantia”, ku po vijojnë punimet për një projekt transformues të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, mbi projekt-idenë e studios prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.
Punimet po ecin sipas planifikimit dhe përfshijnë ndërhyrje të rëndësishme infrastrukturore, sistemimin e territorit, rrjetin e ujërave të bardha, ndriçimin, elemente të reja urbane, gjelbërim dhe struktura mbrojtëse prej guri për amortizimin e dallgëve gjatë sezonit të dimrit. Projekti pritet të përfundojë në muajin maj, përpara nisjes së sezonit turistik.
Gjatë inspektimit, u evidentua edhe investimi paralel për rehabilitimin e hyrjes së qytetit të Durrësit, që përfshin ndërtimin e pistës së biçikletave, përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ndriçimin, gjelbërimin dhe ndërhyrje të rëndësishme në sistemin e kanalizimeve, në funksion të përballimit të flukseve të larta të ujërave, veçanërisht pas situatave të fundit të përmbytjeve.
Më pas, Kryeministri Rama inspektoi godinën e re të parkimit publik pranë Stacionit të Trenit, një investim i përfunduar dhe funksional që prej fundit të muajit dhjetor. Objekti ofron 353 vende parkimi për automjete, hapësira për biçikleta dhe ambiente multifunksionale në shërbim të studentëve, të rinjve dhe start-up-eve, si dhe aktiviteteve social-kulturore. Godina është e pajisur me panele fotovoltaike dhe sisteme të automatizuara parkimi, duke funksionuar 24 orë në ditë, dhe përfaqëson një nyje moderne multimodale falë pozicionit të saj strategjik pranë stacionit të trenit, portit dhe projekteve të tjera infrastrukturore në zhvillim.
Në vijim, Kryeministri Rama ndoqi nga afër edhe punimet për transformimin e shëtitores bregdetare të Durrësit, ku ndërhyrjet po zhvillohen paralelisht me zgjerimin e brezit ranor dhe krijimin e hapësirave të reja rekreative dhe të gjelbërta. Zona e projektit shtrihet në një gjatësi rreth 2.1 kilometra dhe synon krijimin e një ambienti multifunksional për aktivitete kulturore, sportive dhe rekreative, si dhe mbjelljen e një brezi të gjelbër mes shëtitores dhe plazhit.
Projekti parashikon zgjerimin e shëtitores, krijimin e këndeve të lojërave, hapësirave sportive dhe shërbimeve publike, duke e kthyer shëtitoren bregdetare të Durrësit në një nga hapësirat publike më cilësore dhe tërheqëse për qytetarët dhe turistët.
Të treja këto ndërhyrje përfaqësojnë një paketë investimesh strategjike për zhvillimin urban të Durrësit, përmirësimin e cilësisë së jetës për komunitetin dhe forcimin e profilit të qytetit si një destinacion turistik modern, funksional dhe i qëndrueshëm.