Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në mbledhjen vjetore të Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, që mbahet për herë të parë në Shqipëri.
Kryeministri Rama e vlerësoi mbledhjen si një shkëmbim të frytshëm, teksa u shpreh se “kjo ndodh në kohë jo fort të lehta, në një situatë, ku të gjitha vendet në Europë iu duhet të përballen me sfida të veçanta, por kjo është një arsye më shumë pse ndiejmë rëndësinë e kësaj mbledhjeje dhe pse besojmë që ky shkëmbim do të jetë mjaft i frytshëm dhe me shpresë do të na japë gjëra për të menduar për mënyrën sesi të përballojmë sfidat dhe t’i qasemi të ardhmes së afërt, duke qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet e në të njëjtën kohë duke gjetur mënyra krijuese për t’ia dalë.
* * *
Faleminderit që erdhët! Dua të flas shumë shkurt, jo sepse më duhet të largohem që të marr avionin, por sepse jam i sigurt që jeni në duart më të mira që kemi, qoftë me guvernatorin, ashtu edhe me ministrin e financave e mund të shtjelloni më tej gjithçka është e rëndësishme për ju me ta.
Nuk ka aspak dyshim që është kënaqësi të mbajmë këtë takim vjetor të njësisë së Bankës Botërore dhe FMN që ndodh për herë të parë në Shqipëri.
Siç jeni mjaft të vetëdijshëm, kjo ndodh në kohë jo fort të lehta, në një situatë, ku të gjitha vendet në Europë iu duhet të përballen me sfida të veçanta, por kjo është një arsye më shumë pse ndiejmë rëndësinë e kësaj mbledhjeje dhe pse besojmë që ky shkëmbim do të jetë mjaft i frytshëm dhe me shpresë do të na japë gjëra për të menduar për mënyrën sesi të përballojmë sfidat dhe t’i qasemi të ardhmes së afërt, duke qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet e në të njëjtën kohë duke gjetur mënyra krijuese për t’ia dalë.
Kam këtu një fjalë të shkruar përplot me sukseset e Shqipërisë në reforma për stabilitetin makroekonomik, për prirjen mjaft të mirë të uljes së borxhit dhe gjithashtu edhe për rezistencën që ekonomia jonë po shfaq edhe pse konteksti nuk është kaq i lehtë.
Nga ana tjetër, nuk dua të marr shumë nga koha juaj duke ju treguar sesa të suksesshëm jemi në turizëm, ku posaçërisht po shohim një rritje shumë të fortë.
Qysh prej momentit të parë pas pandemisë ku shifrat kanë qenë vetëm në rritje, Shqipëria në aeroportin e saj shënon një prirje pozitive që e rendit atë në vendin e parë në Europë për nga shkalla e rimëkëmbjes pas pandemisë. Në të njëjtën kohë, jemi renditur të tretët në botë nga Organizata Botërore e Turizmit sa i takon rritjes së turizmit.
Sa i takon turizmit vitin e kaluar pas Katarit dhe Arabisë Saudite, pra të jesh i treti pa Kupën e Botës e pa Mekën e pa qindra miliarda investime është një arritje mjaft e madhe dhe një nxitje për të ecur përpara. Kemi marrë shifrat e janarit dhe numërojmë thuajse gjysmë milioni turistë.
Aeroporti ynë ka pasur një performancë edhe më të mirë që ia ka kaluar aeroportit kryesor në rajon, atë të Beogradit. E nëse janarit ishte kaq pozitiv, mund vetëm ta imagjinojmë se si do të jetë sezoni i ardhshëm krahasuar me sezonin e kaluar, me rreth 1 milion italian që erdhën në bregdetin shqiptar.
Po kështu, ndihemi të inkurajuar nga shifrat e punësimit dhe të papunësisë edhe pse sfida e madhe mbetet rritja e mëtejshme e pagave në mënyrë që të mundemi të frenojmë konkurrencën gjithmonë e më të ashpër që po bëhet përherë e më e fortë në vendet e zhvilluara që janë në kërkim të krahut të punës. I gjithë sistemi financiar i vendit tonë do të jetë natyrisht një çështje e diskutimeve tuaja të mëtejshme, unë nuk dua të hyj në hollësi, por ai tregon mjaft elasticitet dhe në të njëjtën kohë mjaft rezistencë e vazhdimësi. Kur e nisëm këtë rrugëtim problemi më i madh me të cilin na u desh të përballemi ishin kreditë nën standarde, të cilat shënonin afro 25%. Sot përqindja e kredive nën standarde është e papërfillshme ndërkohë që shohim një rritje domethënëse të huadhënies edhe pse nuk jemi aspak të lumtur me këtë dhe duam të shohim më shumë, por sidoqoftë baza është mjaft inkurajuese.
Ju mund të jeni të njohur me reformën mjaft të thellë që kemi ndërmarrë në sektorin energjetik, që ka qenë problemi ynë më sfidues për dekada me radhë, tashmë ia kemi dalë mbanë të kemi një situatë të qëndrueshme e të mos rrisim çmimet e energjisë edhe pse si çdokush tjetër jemi tejet të sfiduar nga kriza globale e energjisë dhe sidomos kriza europiane e çmimeve të energjisë.
Synimi ynë ndërkohë është ta shndërrojmë vendin tonë në një ekspertues neto të energjisë brenda 2030, ndaj po investojmë shumë në energjinë diellore, të erës edhe duke qenë një vend i cili funksionon me 100% energji të përtëritshme sa i takon prodhimit të energjisë elektrike. Duam që t’i mbajmë gjërat kështu siç janë e të mos biem pre e zgjidhjeve të lehta e të vazhdojmë të zgjerojmë dhe të diversifikojmë portofolin e sektorit energjetik me të gjitha llojet e energjive të ripërtëritshme.
Dua ta mbyll me diçka që mendoj vërtetë se është një nga arsyet e suksesit tonë që është bashkëpunimi shumë i ngushtë që kemi me Bankën Botërore dhe veçanërisht dialogu mjaft konstruktiv e produktiv që kemi falë misionit të Bankës Botërore në Shqipëri.
Deri sa u bëra kryeministër, nuk ma kishte marrë kurrë mendja që do të nxirrja edhe një fjalë të vetme të mirë për Bankën Botërore, por gjërat u shpalosën mjaft mirë dhe patëm shansin dhe privilegjin që të punonim në vijimësi me drejtorë të rajonit e po kështu edhe të misionit këtu, të cilët nuk kanë qenë aspak të ngurtë e nuk na kanë dhënë leksione si disa prej atyre që kam njohur përpara se sa të bëhesha kryeministër. Ishte lajm i shkëlqyer të zbuloje që Banka Botërore kishte një zemër dhe është mjaft frymëzuese që në një farë mënyrë shohim që jo vetëm Banka Botërore ka zemër, por ka një zemër që herë-herë mund të jetë e madhe.
Ne do të donim të ishte edhe më e madhe, por sidoqoftë edhe një herë ju falënderoj shumë. Nuk doja t’ju tregoja se çfarë nuk shkon mirë sepse jam i sigurtë, ju mund ta bëni këtë shumë më mirë se unë në shkëmbimin tuaj me guvernatorin dhe me ministrin. Dua t’ju them që jam veçanërisht i kënaqur që njerëzit nga guvernatori dhe përfaqësues të bankave shumë të rëndësishme janë këtu të pranishëm dhe uroj fort që marrëdhënia me bankën tonë të bëhet edhe më e fortë dhe që guvernatori të marrë inkurajim nga ju për të qenë më i guximshëm dhe për të qenë më krijues në modernizimin e mëtejshëm të sistemit tonë financiar.
Faleminderit shumë dhe shpresoj që nuk ishte shumë e mërzitshme, ashtu siç janë zakonisht fjalimet e kryeministrave sidomos herët në mëngjes.
Ju falënderoj dhe më duhet t’ju kërkoj ndjesë që më duhet të nxitoj pasi më duhet të jem në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe siç e dini, të gjithë po nxitojnë për të shkuar atje. Kështu që nuk mendoj që unë do të bëj ndonjë dallim të madh aty, por më mirë të jesh i pranishëm sesa të mungosh.