Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Danimarkë, një platformë të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim mes vendeve të kontinentit. Në mbërritje, ai u prit nga Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, pas së cilës dha një prononcim për mediat mbi angazhimet e Shqipërisë në fushën e sigurisë, energjisë dhe integrimit europian.

Gjatë prononcimit, Kryeministri Rama theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes në samit, duke nënvizuar synimin për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe evropian. Ai iu përgjigj gjithashtu pyetjeve mbi ministren e re të inteligjencës artificiale, duke theksuar se ky sektor është në zhvillim e sipër dhe tashmë ka dhënë rezultate të prekshme.

“Ministrja e Inteligjencës Artificiale është një risi e rëndësishme që po funksionon shkëlqyeshëm. Asistenti virtual ka ndërvepruar me afro një milionë persona dhe ka lëshuar 36 mijë dokumente me vulën digjitale, të cilat nuk janë kundërshtuar,” u shpreh Kryeministri Rama. Ai shtoi se procesi vazhdon me përparim në harmonizimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Europian dhe përmirësimin e sistemit të tenderëve publikë.

Në lidhje me sigurinë kibernetike, Kryeministri Rama konfirmoi se Shqipëria ka përjetuar sulme kibernetike, por falë masave të marra ka sot një nga mbrojtjet më të forta në Europë. Ai vuri në dukje sfidat e vazhdueshme, duke përmendur sulmet kibernetike të Iranit, dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Europë.

Duke folur për sfidat e sigurisë në Europë dhe Ballkanin Perëndimor, Kryeministri Rama theksoi nevojën e një plani të përbashkët paqeje nga ana e Bashkimit Europian, duke theksuar se mungesa e një strategjie të tillë e bën kontinentin më të cenueshëm. “Europa duhet të ketë planin e vet të paqes për t’u bërë më e sigurtë dhe më e mbrojtur,” u shpreh ai.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Kryeministri Rama përmendi marrëveshjen e arritur midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit për paqe, si dhe vlerësoi përparimin e procesit të paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke i dhënë meritë nismës së SHBA-së në këtë drejtim.

Në përfundim të prononcimit, Kryeministri Rama theksoi besimin e tij se Shqipëria do të jetë shpejt një vlerë e shtuar për Bashkimin Europian dhe se komuniteti politik europian është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit dhe përforcimit të Evropës së ardhshme.