Në një takim të posaçëm për analizimin e masave dhe forcimin e kapaciteteve për përballimin e emergjencave civile, Kryeministri Edi Rama vuri theksin mbi domosdoshmërinë e veprimit të koordinuar institucional, forcimin e mbrojtjes kundër zjarreve dhe përfshirjen e shërbimeve civile dhe komuniteteve në këtë proces.
Takimi mblodhi në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, shërbimeve zjarrfikëse dhe autoriteteve vendore, me pjesëmarrjen e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, Ministres së Brendshme, Albana Koçiu, dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
“Angazhimi ynë moral dhe ligjor për të gjithë qytetarët që kanë humbur banesa apo bagëti, do të mbahet pikë për pikë. Ata do të dëmshpërblehen deri në qindarkën e fundit, me kalimin e aktit normativ nga qeveria,” deklaroi Kryeministri Rama në fjalën e tij.
Ai njoftoi gjithashtu se qeveria do të miratojë një ligj të ri për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore, duke theksuar se Shqipëria ka qenë ndër të paktat vende në Europë pa një skemë të tillë mbrojtjeje për banesat dhe bizneset.
Një nga shtyllat kryesore të diskutimit ishte rritja e vëmendjes ndaj shërbimit zjarrfikës.
“Zjarrfikësit do të përfshihen në formulën e rritjes së pagave të Forcave të Armatosura. Kemi një borxh ndaj tyre që nuk mund ta lëmë të thellohet,” tha Rama.
Ai theksoi se përballja me zjarret nuk është më një sfidë sezonale, por një sfidë strukturore për shkak të ndryshimeve klimatike dhe zjarrvënieve të qëllimshme, për të cilat paralajmëroi masa të reja në Kodin Penal.
Kryeministri njoftoi rritje të flotës së dronëve me kamera termike për monitorimin e pyjeve, investime në dronë për mbjellje në zonat e dëmtuara nga zjarret dhe shtim të kapaciteteve të flotës ajrore me avionë zjarrfikës. “Po krijojmë një rrjet kombëtar të qendrave të integruara të kontrollit me sisteme të hershme alarmi për ndërhyrje të shpejtë në terren. Duhet të jemi gati që sot, jo nesër,” theksoi ai.