Në kuadrin e çeljes së negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ekipin e negociatorëve shqiptarë, të cilët do të punojnë nën drejtimin e Ministres së Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatores Majlinda Dhuka.
Pasi prezantoi rolin e saj në këtë proces tejet të rëndësishëm për Shqipërinë, Kryeministri Rama kërkoi nga negociatorët angazhimin maksimal në kryerjen e misionit të tyre. “Unë dua që në Bruskel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht positive. Dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, të flitet për kapacitetet dhe të flitet për cilësinë e punës të skuadrës shqiptare.” – iu drejtua Kryeministri grupit të negociatorëve.
Në takim merrte pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, si dhe Ministrja e Shtetit, njëkohësisht Kryenegociatore Majlinda Dhuka.
* * *
Faleminderit shumë për prezencën! Sot dua të them disa fjalë lidhur me fillimin e procesit të negociatave, gjë për të cilën kemi edhe një Ministre të re të Shtetit, e cila do të ndjekë çdo ditë pa pushim këtë proces, për llogari të qeverisë dhe si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e imja, e Kryeministrit, duke garantuar maksimumin e angazhimit dhe duke garantuar edhe maksimumin e koordinimit të të gjithëve ju, në një proces që është jashtëzakonisht sfidues posaçërisht për thellësinë e adresimit të të gjitha problematikave të çdo sektori dhe për thellësinë e koordinimit mes gjithë sektorëve.
Është shumë e rëndësishme që angazhimi për procesin të jetë prioriteti absolut i secilit dhe secilës prej jush dhe patjetër edhe i të gjithë atyre që janë nën varësinë tuaj ose që kalojnë tani nën varësinë e Kryeministrisë, duke udhëhequr në të përditshmen e tyre si staf i ministres së Shtetit për negociatat dhe që është njëkohësisht edhe Kryenegociatorja e Republikës së Shqipërisë.
Ky është një ndryshim që e kemi darkodësuar paraprakisht me Ministren për Europën dhe Punët e Jashtme dhe me Ministren e Shtetit, që do të thotë që e gjithë drejtoria dhe të pesë sektorët që janë pjesë e saj në Ministrinë e Jashtme, tani është koha të kalojë në varësi të drejtpërdrejtë këtu në Kryeministri dhe të administrohet në të përditshmen e vet nga Ministrja e Shtetit.
Ministrja e Shtetit ka kompentencat e të gjithë procesit që lidhet me përthithjen e normativës evropiane në të drejtën kombëtare, patjetër ka dhe detyrimin e informimit të vazhdueshëm dhe të qëdrueshëm të parlamentit, por këtu, duke garantuar të gjithë procesin horizontal në komunikim të vazhdueshëm me çdo ministri dhe këtu vjen fokusi tek roli i secilit dhe secilës prej jush.
Dua që të jemi shumë të qartë që ju e dini shumë mirë, jam i bindur, por nuk është e tepërt ta përsërisim se në këtë proces intensiteti i punës suaj dhe intensiteti i ndërveprimit me Komisionin Europian, rritet eksponencialisht, pra nuk jemi më në kushtet e një ndërveprimi me intensitetin e deritanishëm.
Mjafton të kemi parasysh që vizitat tuaja në Bruksel dhe të përfaqësuesve të Komisionit këtu, janë të përjavshme, nuk janë të përdisamuajshme por janë të përjavshme.
Dhe është themelore që secila dhe secili prej jush të garantojë me punën, me seriozitetin, me cilësinë e materialeve, me cilësinë e komunikimit dhe të ndërveprimit që Shqipëria të shikohet me respekt në çdo hap.
Atë respekt që kemi fituar në aspektin politik, duhet ta fitojmë tani në aspektin teknik.
Unë dua që në Bruskel skuadra shqiptare të krijojë një përshtypje absolutisht pozitive dhe dua që në Bruksel të flitet për seriozitetin, të flitet për këmbënguljen, të flitet për kapacitetet dhe të flitet për cilësinë e punës të skuadrës shqiptare.
Pjesën më të madhe tuajën, kam pasur mundësinë t’i njoh, kam pasur mundësinë t’i vlerësoj për cilësitë dhe kam pasur mundësinë ta shikoj edhe në një progres të caktuar, pasi kam parasysh këtu, disa nga zëvendësministrat kanë qenë pjesë e kësaj rruge qysh në krye të herës.
Puna juaj ka folur vetë për aq sa ka qenë, por tani volumi i punës është i tillë që sfida është komplet e re. Dhe jo vetëm kaq, por është shumë e rëndësishme që të theksoj këtu se vendosja e kryenegociatores së re, faktikisht nënvizon ndryshimin e natyrës se marrëdhënieve mes nesh dhe Bashkimit Europian përmes Kryenegociatorit si urë. Ambasadori Mazi bëri një punë shumë të lavdërueshme diplomatike, duke qenë një krah shumë i rëndësishëm në këtë proces, për mua, për Ministren deri në momentin kur u vendos që negociatat të hapen formalisht.
Ju e dini shumë mirë se jeni pjesë e kësaj pune që ne nuk kemi pritur hapjen e negociatave për të bërë shumë nga punët që të tjerë i kanë bërë pasi janë hapur negociatat dhe faktikisht kemi një pozicion të avantazhuar për shkak se e kemi bërë një pjesë të madhe të punës që përkon edhe me pjesën e fillimit zyrtar të negociatave, por natyra shumë teknike tani e procesit kërkon pikërisht një profil shumë teknik.
Më bëri pështypje dikush që kur doli emri i kryenegociatores, thoshte: “E kërkova në Google dhe nuk e gjeta”. Kjo është pikërisht arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë që nuk i gjen në Google, po pa të cilët administrata jonë nuk do funksiononte dot.
Janë pjesë e palcës së shtetit shqiptar. Njerëz që mund të jenë në zyra qysh prej fillim viteve ’90 edhe i kanë shërbyer shtetit me përulësi, me modestinë intelektuale të dikujt që është gjithmonë në hije, por sikur largëqoftë të mos kishin qenë ata njerëz dhe gjithçka të kishte mbetur në dorën e atyre që hyjnë e dalin shpeshherë si në mallin e babait, këtu ne do ishim në një situatë si ajo pas tërmetit. Fatmirësisht janë njerëzit si Kryenegociatorja që kanë bërë pjesën e tyre të punës. Kjo është e gjitha.
Duke u nisur nga disa eksperienca positive të disa vendeve që kanë kaluar nga kjo rrugë, mendoj që është e udhës që ne t’i japim jetë një Këshilli Ndërministror për çështjet europiane, që do duhet të garantojë një vazhdimësi në diskutimin e brendshëm, lidhur me qoftë qëndrimet, qoftë dhe ecurinë e procesit të negociatave sepse, thashë, ky është një proces kaq intensiv, kaq sfidues dhe kërkon një thellësi kaq të madhe të ndërveprimit dhe koordinimit, saqë praktikisht nëse ne nuk bëjmë nje ekstra sforco që të gjithë do ta kemi të pamundur që të japim rezultatet e dëshiruara dhe ky këshill do të na ndihmojë. Do të jetë një Këshill që do të jetë në përgjithesi Këshilli juaj, në sensin që do të mblidhet në mënyrë periodike me kërkesë të Ministres së Shtetit sa herë që është e nevojshme që të behet një bilanc apo të adresohen problematika të caktuara, apo të nënvizohen dobësi të caktuara, të cilat kërkojnë një adresim të natyrës politike dhe po ashtu do të mblidhet në raste të caktuara me kërkese të Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme apo me kërkesë timen për ndonjë çështje të veçantë të natyrës edhe politike që kërkon një konsultim edhe me ju, sipas sektorëve të caktuar, por si të thuash është një forum i brendshëm për të pasur sensin e ecurisë së gjërave, sepse është shumë e rëndësishme që të mos punoni vetëm si ishuj të izoluar nga njeri-tjetri. Natyrisht që nuk i takon dhe mbase as nuk i intereson në të përditshmen e punës së vet Adeas të di se cfarë bën Reida, ose Reida se çfarë bën Adea, por është shumë e nevojshme që secili prej jush ta ketë vizionin e së tërës dhe ta shohë hartën e shtrirjes së kësaj armate të vogël në territorin e legjislacionit europian dhe ecurinë apo problematikat në këtë shtrirje. Është shume e rëndësishme.
Dhe është shume e rëndësishme që të krijohet dhe sensi i skuadrës. Ne jemi një skuadër që ka një horizont përpara, ka një qëllim të madh të përbashkët dhe ka objektiva të përveçëm, por të gjitha objektivat e përveçëm mblidhen bashkë në një qëllim të përbashkët dhe na çojnë në rezultate sipas asaj që ne jemi në gjendje të japim.
E kemi ne në dorë pjesën tonë, ne nuk kemi në dore pjesën tjetër, por pjesën tonë e kemi ne në dorë dhe nga ne varet shumë sa shpejt ecim.