Kryeministri Edi Rama mblodhi në një bashkëbisedim ditën e sotme kryetarët e bashkive dhe ministrat Arbjan Mazniku, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Albana Koçiu, Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Pirro Vëngu, Ministër i Mbrojtjes, në ambientet e Kryeministrisë, për të diskutuar për bashkëpunimet në interes të komunitetit, platformat e dialogut si dhe emergjencat civile dhe ndihmat sociale.
***
Fjala e Kryeministrit Edi Rama: Shumë faleminderit!
Po përpiqem të bëj një sintezë të arsyeve të këtij takimi dhe faleminderit që keni ardhur që të gjithë. Falënderoj në mënyrë të posaçme kryetarët e bashkive që nuk janë të Partisë sonë Socialiste, po janë bashkë me ne, në “partinë e punës”.
Janë katër pika me një rëndësi shumë të veçantë dhe unë dua ta filloj nga emergjencat sepse tanimë është fakt i kohës ku jetojmë që të gjithë vendet duhet të përballen në periudhën e verës me zjarre, në periudhën e vjeshtës, dimrit, pranverës me përmbytje dhe natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë të gjithë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnje ku humbën jetën shumë njerëz dhe ku dëmet dhe sipërfaqja e plagës së hapur atje, janë marramendëse. Ka një shpjegim shumë të thjeshtë përtej të gjitha analizave popullore dhe tendencioze nga ana tjetër që i bëhen përmbytjeve që ka ndryshuar komplet formacioni i reshjeve.
Përpara disa kohësh u bë spektakolare përmbytja në Dubai ku faktikisht në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me 4 muaj rresht shi në Londër dhe në këto situata është; nuk ka infrastrukturë sado ekselente të jetë që të mund të absorbojë goditjen e parë, por ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor, qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet dhe duke e marrë tek përmbytjet është e domosdoshme që të ketë një fokus të veçantë. Të ketë një fokus shumë të veçantë te organizimi I strukturës, te trajnimi i strukturës, tek aftësimi dhe tek stërvitja e gjithë strukturës që duhet të jetë aty gati për të dalë në terren në momentin e parë të reagimit, se kur është faza e goditjes nuk ka çfarë bën askush, por ama në momentin e parë të reagimit e gjithë struktura duhet të vihet në funksion dhe patjetër është e domosdoshme pjesë e këtij procesi dialogu inovativ që u prezantua, të jetë edhe mënyra se si duhet të rrisim koordinimin dhe efikasitetin e ndërveprimit me strukturat e qeverisë qendrore.
Në sferën e emergjencave civile Italia është një nga vendet e ekselencës, e keni parë vetë se çfarë lloj situatash kanë kaluar me përmbytjet edhe shumë qytete të Italisë, por arsyeja pse e sjell këtu Italinë, është gjithë rrjeti i personave të gatshëm në momentin e emergjencës që nuk janë thjesht persona të punësuar në institucione, por janë edhe persona rezervistë për atë punë në të gjithë territorin dhe kjo kërkon një vëmendje shumë të posaçme.
Duke ardhur tek zjarret, ka pasur përgjithësisht një rezistencë pozitive, por ka pasur shfaqje dobësish që janë për t’u parë me sy kritik. E para, të gjitha prefekturat bëjnë një deklarim forcash dhe ju e dini shumë mirë këtë, forcash në dispozicion dhe ajo që ndodh, po marr dy prefektura, po marr prefekturën e Shkodrës dhe prefekturën e Korçës. Prefektura e Korçës ka deklaruar 1491 forca dhe ka aktivizuar kur emergjenca është shfaqur vetëm 342 forca dhe ka kërkuar mbështetje nga Forcat e Armatosura pa arritur të aktivizojë gati 70 e kusur % të forcave që ka deklaruar si aktive.
Prefektura e Shkodrës e cila ka pasur po ashtu disa emergjenca potencialisht shumë të rrezikshme, është prefektura me angazhimin më të lartë të kapaciteteve vendore dhe ka përdorur më shumë kapacitete se ato të deklaruarat dhe mbështetjen nga FA e ka kërkuar vetëm në pak raste specifike dhe ajo që pastaj është shumë domethënëse, është që rezultati në prefekturën e Korçës ku FA janë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe aktivizimi i forcave të brendshme të deklaruara aty në atë komunitet, ka qenë i dobët, pavarësisht shpenzimit të madh të energjive dhe të nevojës ose përgjigjes për të futur Forcat e Armatosura, rezultatet kanë qenë më të dobëta sesa në Shkodër, që do të thotë që kjo është e mundur në radhë të parë, nuk është një shkencë dhe nuk kërkon shkencëtarë, kërkon vetëm një strukturim dhe një koordinim dhe një trajnim dhe aftësim të vazhdueshëm për këtë punë. Duhen bërë stërvitje për këtë punë. Nuk mundet dot ne të mbajmë Shqipërinë pa zjarre se është e pamundur, por ama nga ana tjetër, ne duhet të luftojmë për çdo metër katror, për çdo rrënjë peme, për çdo rrënjë ulli që mund të shpëtohet dhe çfarë nuk është e shpëtueshme, nuk është e shpëtueshme, por ama çfarë është e shpëtueshme dhe nuk shpëton për shkak të dobësive të punës dhe të koordinimit është praktikisht një dështim që ne nuk kemi si ta justifikojmë dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar ministrit të Mbrojtjes që të ndërtohet një plan pune, tani që jemi në fazë qetësie dhe të lutemi që të mos kemi goditje si ajo e Vlorës, për të konverguar të gjithë energjitë e nevojshme mes emergjencave kombëtare dhe emergjencave lokale, flas për strukturat dhe për të filluar me një kalendarizim të trajnimeve të aftësimit dhe për të krijuar dhe një sistem komunikimi që të jetë një sistem komunikimi në kohën e inovacionit ku ne po bëjmë kaq shumë me inovacionin, efikas që të gjithë të dinë kush bën çfarë dhe jo alarm, ngri telefonin, thirr njërin, ngri telefonin thirr tjetrin dhe po ashtu për trajnimin e të gjithë atyre që janë nëpër ato linjat e hapura që janë për qytetarët kur kërkojnë ndihmë.
Më ka dërguar një qytetare nga Vlora një komunikim me linjën e hapur; ai komunikim do të ishte korrekt nëqoftëse do të ishte një situatë ku qytetarja kërkonte një shpjegim për një burokraci në ditën për diell, “po, po, jo, jo”, ndërkohë që linjat e hapura të komunikimit në ato momente janë edhe linja solidariteti këshillimi, qetësimi, përkujdesje për t’i qëndruar afër personit që po të merr që është deri në gjunjë me ujë brenda shtëpisë. Pra edhe në këtë aspekt duhet bërë punë dhe po ta lidh tani këtë me faktin që ne kemi bërë një ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj shërbimeve sociale në bashki dhe kemi vendosur në dispozicion fonde nga qeveria dhe ka bashki këtu që nuk kanë marrë një kokërr leku dhe nuk kanë ngritur akoma shërbimet që mund të kishin ngritur me paratë që janë në dispozicion, se nuk kanë bërë një projekt dhe nuk kanë çarë kokën, kjo pastaj është nw kufijtë e skandalozes.
33 mijë persona sot shërbehen falë këtij transformimi dhe këtij programi dhe këtij projekti dhe shuma që përmendi ministri i Mbrojtjes, 1 miliardë e kusur lekë të reja; shuma që përmendi ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies për projektet sociale janë para që janë në dispozicion si rezultat i rritjes të mundësive tona për të mbështetur procesin e ndryshimit, por është e paimagjinueshme që të mos absorbohen kur nevojat në të gjitha bashkitë tuaja janë shumë më të mëdha se ato që ne mund të mbulojmë ende me këto shuma. Kjo është e paimagjinueshme! Po me ça merreni ju se nuk e kuptoj? Nuk arrij dot ta kuptoj!
Po shikoja këtu përpara se të vija disa të dhëna dhe është e pakuptueshme që disbursimi i fondeve të fondit social, ku fondi social qendror ka një kontribut të rëndësishëm në dispozicion të çdo bashkie, është qesharak në disa bashki që teorikisht nuk mundet dot të jenë prapa të tjerëve sepse kanë situata, sidomos në zonat periferike dhe rurale, shumë më të agravuara sesa bashki që janë më qendrore. Pse? Pse? Për gratë me fëmijë, të vetmuara, për fëmijët autikë, për individë të rrezikuar në aspektin social, të kemi fondet dhe të mos i vëmë në dispozicion? Po pse?
Ndërkohë, shikon bashki si Kamza që e realizojnë 100% buxhetin, 100% dhe nëqoftëse unë tani do të bëj gabimin që t’i lë fjalën Rakipit, Rakipi do të thotë “Dua më shumë” sepse mund të shpenzojë më shumë. Kamza, një bashki që ishte modeli i anti-shërbimit social dhe ça të doni ju dhe që sot e merr fondin, e vë në dispozicion të komunitetit 100%.
E njëjta gjë, Vora. Bashkia e Vorës në fondin e mbrojtjes civile ka bërë gjithë punën e duhur dhe ka 100% realizim të buxhetit. Pse duhet që të kemi bashki të tjera të cilat kanë 3% të buxhetit dhe nuk po ia përmend emrin këtu, kam respekt për drejtuesen e bashkisë, nuk është Durrësi sepse Durrësin nuk duhet të ma prekni, por 3%?
Ndërkohë që bashkia e Shkodrës 95%. Tani, pse bashkia e Shkodrës është 95% ndërkohë që unë besoj se në bashkinë e Vaut të Dejës ka më shumë probleme, ka më shumë nevojë, besoj dhe bashkia e Vaut të Dejës është 55%?
Janë kontradikta në shifra të cilat flasin vetëm për një gjë; aty ku ka vëmendje, aty ku ka përqendrim, ku ka kujdes dhe ku ka organizim këto fonde nuk mjaftojnë. Aty ku nuk janë këto, këto fonde teprojnë dhe në fund digjen. Si mund të djegim ne një kokërr leku të vetme që duhet tua japim personave në nevojë?
Tema tjetër që është shumë e rëndësishme janë legalizimet. Tani, kemi bërë gjithë ato shkëmbime. Kur bëmë takimin historik të Shkodrës, se meqë Shkodrën e mori Partia Socialiste, mblodhëm gjithë “Partinë e Punës” këtu dhe ishte historik se erdhën dhe demokratët punëtorë. Një nga pikat kryesore ishte, “na jepni akses tek legalizimet” apo jo? Dhe tani kemi shtruar të gjithë rrugën për aksesin tek legalizimet në mënyrë që njerëzit të kenë bashkinë në krah dhe procesi të bëhet shumë më i lehtë, shumë më pak i penguar nga ngarkesa detyrimisht e madhe e Kadastrës etj.
Tani, çfarë presim ne që ta përshpejtojmë këtë proces? Nuk dua të bëj këtu prapë një pasqyrë shifrash sepse dhe këtu është e njëjta gjë dhe nuk dua këtu prapë të përmend emra sepse një nga kryetarët më të zëshëm të bashkive që thoshte “Duhet ta marrë bashkia pjesën e përgjegjësisë” ka një nga nivelet më të ulëta të rezultatit.
Ndërkohë, bashkia më e suksesshme, pa diskutim fare, me tërmetin, bashkia e Shijakut është bashkia absolutisht model për gjithë procesin e legalizimit. Tani, unë nuk mund të them arrini Shijakun sepse nuk e arrini dot. Në këtë pikë nuk e arrini dot. Rakip, ti bën shumë gjëra, por ti Shijakun nuk e arrin dot. Nuk e di pse, nuk e kuptoj çfarë ndodh në bashkinë e Shijakut që ka një shpejtësi dhe një paraqitje të të gjithë procesit dhe të gjithë dokumentit të kujtdo personi. Unë besoj se është kontakti i drejtpërdrejtë, i shpejtë me çdolloj banori, në çdolloj cepi të Shijakut. Unë kështu besoj, por nuk po them të arrini bashkinë e Shijakut, por për t’ju afruar deri në pikën që të paktën të luftoni për vendin e dytë, mund ta bëni këtë gjë, apo jo Xhangoll?
Shijaku nuk ka as liqen, detin e ka larg. Mbase këto janë arsyet që ngaqë nuk ka liqen, nuk ka det, nuk shpërqendrohet shumë dhe fokusohet aty sepse ju keni dhe ato hapësirat turistike, por përtej shakasë, që në këtë rast është më shumë sesa gjysma e së vërtetës, realisht tek legalizimet duhet shumë fokus, nuk ka justifikim. Këto janë temat për të cilat dëshiroja të isha i pranishëm dhe në mbyllje, është një plagë.
Kjo tani nuk është temë, është plagë që ka të bëjë me nivelin shumë të ulët të ndërveprimit dhe të përgjigjes ndaj qytetarëve dhe këtu në këtë pikë është shumë e përgjithshme kjo, nuk mund të them që ka ndonjë fenomen këtu, në platformën e Bashkëqeverisjes.
Platforma e Bashkëqeverisjes është krijuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që pa pasur nevojë të shkojnë lart e poshtë e të kërkojnë, direkt ta çojnë në majë ankesën dhe pastaj nga maja, gjithë rrjeti i koordinatorëve të Bashkëqeverisjes futet në sisteme dhe gjen përgjigjen e duhur për qytetarin dhe nga përgjigja bëhet dhe analiza pse nuk është dhënë përgjigja. Nëse arsyeja që përgjigja nuk është dhënë është e qëllimshme, merren masa e nëse jo, shikohet çfarë do të rregullohet në aspektin e procedurës. Tani, pse nuk ka asnjë bashki që platformën e Bashkëqeverisjes ta ketë ekselente dhe që çdo qytetari që drejtohet tek platforma e Bashkëqeverisjes t’i japë përgjigje? Çfarë kushton kjo?
Ndërkohë që është në njëfarë mënyrë bota përmbys sepse qeveria qendrore, Ministritë i japin përgjigje në kohë reale të gjithë qytetarëve që ankohen ndërkohë që shtëpia e përbashkët e qytetit është bashkia, apo jo? Se në fushatë e kam dëgjuar nga shumë prej jush “Më jepni çelësat e shtëpisë suaj dhe dera e shtëpisë do jetë e hapur për ju 24 orë. Unë do jem zëri juaj dhe ju madje nuk do të keni nevojë të flisni fare sepse unë do t’ju kuptoj në sy se çfarë nevoje keni”. Mirëpo, ata flasin, çojnë ankesa, vijnë tek platforma e madhe, transferohen menjëherë tek bashkitë dhe është sikur hedh shishe në det, nga ato që hidhnin letrat e amanetet e fundit kur mbyteshin anijet dhe ta gjejë kush ta gjejë.
Ju lutem shumë, këtë gjë duhet ta shikoni me vëmendje sepse nuk ka kosto, e para por ka një përfitim shumë të madh moral, një përfitim shumë të madh moral sepse me përkujdesjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë vihet në lëvizje ajo pjesë e administratës që nuk ka lëvizur, shërbehet qytetari dhe mbahet në atë qytetar, ka votuar apo nuk ka votuar kjo nuk ka rëndësi, betimi që. “unë jam zëri yt, kjo është shtëpia jote 24 orë, ti nuk je këtu, por jam unë këtu për ty” dhe ndërkohë korrigjohen gjërat aty pse nuk shkoi përgjigja. Është puna rutinë që duhet të ketë çdo bashki, nuk është ekstra. Emergjencat në këto kushte për të rritur kapacitetet dhe për të rritur efikasitetet janë diçka që do kërkojë trajnim, stërvitje etj, një sistem të ri dhe këtë jemi duke e bërë.
Aplikimi për projektin e fondit social kërkon dhe ai pjesën e vet, po kjo? Po kjo të kërkon tjetri një copë letër dhe s’gjen dot arsyen pse letra nuk i vjen. Kjo është e pafalshme. Këto ishin ato që doja të theksoja, nuk hedhim poshtë absolutisht punën dhe këtë nuk e them tani për zbukurime, por realisht punën e të gjithëve ju në shumë aspekte, pa përjashtim. Nuk besoj se mbështetja jonë ka ardhur në rënie, por ka ardhur vetëm në rritje. E di që të gjithë kanë nevojë për më shumë mbështetje, por ju lutem të paktën atë mbështetje që e kemi në dispozicion ta shfrytëzojmë maksimalisht.
Çfarë mund të bëjmë më tepër, do përpiqemi ta bëjmë duke rritur mundësitë, por jo të mos shfrytëzojmë mundësitë që kemi që t’ju shërbejmë njerëzve më mirë, që nga gjërat më bazike deri tek gjerat që në dukje mund të jenë të komplikuara, por që gjejnë zgjidhje. Dhe tek platforma që u prezantua jeni të lutur që të jeni aktiv sepse na jep mundësi të kemi komunikim të vazhdueshëm dhe na jep mundësi të kuptojmë dhe të mësojmë më shumë për shumëçka. Qoftë për të kuptuar se ku një gjë funksionon më mirë dhe si mund të transferohet kjo eksperiencë tek dikush tjetër. Rasti i Gjirokastrës dhe Libohovës është një rast për tu dëgjuar me kujdes sepse ka kudo në realitetet e territorit të Shqipërisë mundësi që shtëpitë për të moshuarit të projektohen dhe të shfrytëzohen bashkërisht. Ka pika midis dy bashkive ose pika që janë afër tre bashkive dhe kjo mund të bëhet. Ashtu sikundër edhe në aspektin e emergjencave, edhe në aspektin e të gjitha proceseve të tjera, ndërveprimet janë të domosdoshme dhe mund të intensifikohen. Këto ishin fjalët e mia. Në qoftëse dikush, me siguri ka dikush diçka për të thënë, bujrum jeni të lutur ta thoni. Se tani keni ardhur nga të katërta anët, në qoftëse ka gjëra që nuk kanë lidhje me këto tema, por janë të rëndësishme për ju, bujrum përsëri.
***
– Përshëndetje të nderuar kolegë. Unë dëgjova me vëmendje të gjitha shqetësimet. Në takimin e parë që kemi bërë në Shkodër, unë dua të falënderoj me një falënderim bio se VKM që është bërë për të ndihmuar zona rurale që i kemi me vështirësi, për të shtuar një dhomë apo për të bërë një ndërtim të ri ka thjeshtuar totalisht procedurën. Për një muaj kam arritur të kem 20 kërkesa dhe këto janë edhe nga emigracioni të cilët janë të interesuar të vijnë dhe të ndërtojnë pronat e tyre dhe ky është falënderim i përzemërt. Dhe për pagat pse jo, të cilat u realizuan. Isha skeptik se ndoshta nuk ka buxhetin dhe s’është e mundur, por mendoj që dhe kjo ka qenë falë këtij takimi. Kurse sa i përket emergjencave, unë si bashki sivjet nuk kam pasur raste shumë, por rastet unë nuk mendoj që eliminohen nga infrastruktura. Nga mjetet. Vullnetarët dhe sistemi i parë i ndalimit ose i parandalimit është shumë i rëndësishëm dhe falë këtij sistemi që kemi ndërtuar në bashkinë e Fushë Arrëzit sivjet nuk kemi pasur asnjë vatër që ka agravuar mbi 1 hektarë. Faleminderit!
Kryeministri Edi Rama: Të falënderoj! E para, unë besoj që nuk është e tepërt pavarësisht se na dëgjon gjithë dynjaja t’ju them që ju lutem shumë ajo që kemi bërë për pjesën e atyre lejeve të lehta po i quajmë, që nuk janë krijime volumesh të reja, që nuk janë infrastruktura banimi të mëdha, por që janë nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë sidomos në zona rurale dhe që duan të shtojnë një dhomë apo të rregullojnë çatinë etj, është shumë pozitive, por ndihma juaj për të identifikuar dhe për të neutralizuar çdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet nëpër avlli qytetarëve, familjeve që jetojnë në fshat është shumë e çmuar sepse fatkeqësisht ky fenomen ka ardhur duke u zvogëluar por është problem. Akoma është problem që iu shkojnë për një avlli dhe ju rrinë tek koka dhe kuptohet pse. “Jo e ke lejen, jo se ke lejen!”
Janë në mënyrë të përsëritur, të informuar, të lutur punonjësit e Policisë përmes gjithë drejtuesve në gjithë këto vite që të mos e shikojnë luftën me ndërtimet pa leje tek riparimet e vogla dhe tek shtesat brenda pronës për nevoja jo biznesi, mirëpo dilte gjithmonë “jo po si ta interpretojmë ligjin”. Tani që e kemi bërë dhe që ka dhënë rezultate dhe duhet të japë shumë më tepër rezultate është shumë e rëndësishme që çdolloj sinjali që ju merrni për këtë ta ndani me ne. Ta ndani me ministrin, ta ndani me ministrin e Brendshëm sepse ne duam ta ndalojmë totalisht këtë fenomen.
E dyta, ne pagat kishim vendosur që t’i rrisnim pak më vonë për bashkitë, por duke qenë se kërkesa erdhi, nuk po bëj shaka fare, por kërkesa erdhi nga “partia e punës” ku jemi të gjithë bashkë, atëherë është dhe merita juaj kjo dhe nuk po e zgjas të them që kur ne e japim fjalën e mbajmë se pastaj hyjmë në territore të tjera, që na ndahet “partia e punës” në dysh dhe këtë nuk e duam. Boll kemi parti të ndara në dysh në tresh, në katërsh, këtë “partinë e punës” e duam njësh, socialistë, demokratë, këtu jemi për punë.
Ajo që the për sistemin është absolutisht A-ja prandaj unë e përmenda sistemin italian. Për arsye të punës gjëra që as kam pasur nga t’i di dhe as kam pasur pse t’i di, i kam mësuar dhe në kohën kur ne na ra fatkeqësia e tërmetit e kam studiuar nga shumë afër sistemin italian. Është në radhë të parë njeriu dhe është në radhë të parë rrjeti i funksionarëve dhe i vullnetarëve. 100%. Dhe unë e besoj 100% që në bashkinë e Pukës mund të kishit pasur më shumë zjarre, se zjarre kanë rënë, por kanë pasur shtrirje, mund të kishin pasur shtrirje më të gjerë nëse nuk do kishit sistem. Dhe prandaj po i rikthehem për t’ju thënë, ju lutem shumë kuptoni një gjë. Ne nuk evitojmë dot të paevitueshmen kur vjen puna te zjarret është e pamundur, nuk e bën dot asnjëri, nuk e bën askush. Përpara pak ditësh çuam forca në Greqi, ato forca që ne kemi për të ndihmuar në një situatë katastrofike, e pa evitueshmja nuk evitohet, por ama është po kaq e vërtetetë që jo e gjithë njolla e hirit që krijon një zjarr është e paevitueshme. Perimetri mund të zvogëlohet pikërisht sepse është sistemi dhe vatra të caktuara mund të mos kthehen në vatra problematike pikërisht sepse është sistemi i sinjalizimit, i vendosjes mirë në lëvizjes etj etj, kjo është.
E fundit që kam meqë folëm tani për Pukën dhe meqë jemi këtu, kemi folur edhe për një temë tjetër dhe shumë shpejt besoj gjatë këtij muaji ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur paketa e maleve. Është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për ti kthyer në sipërmarrje biznesi turistik, kur them jashtë ata që janë në emigracion apo ata që janë në Tiranë edhe kanë një pasuri atje. Është një paketë unë besoj pozitive, sepse kemi punuar gjatë që të mos jetë një gjë si të thuash pak, por është goxha domethënëse dhe patjetër që është një paketë që duhet ta përdorni ju në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar më shumë dhe për t’i dhënë më shumë si të thuash shtysë atyre që e kanë me dy mendje. Në Theth me Benetin kemi takuar një djalë që me biznesin në Theth ndihmon me lekë motrën dhe vëllain që punojnë në Itali, ai bën biznes në Theth. Ata punojnë në Itali, nuk iu del dhe thoshte, “iu them po hajdeni në Theth, hajdeni këtu sepse kemi mundësi të zgjerohemi, unë kam nevojë.” “Na vjen zor se do dukemi si dështak”! Është konkret personi, është konkrete familja dhe ka të tjerë që nuk iu vjen zor që do duken si dështak, por nuk i besojnë gjërat, mund të thonë jo po bëhet, jo po s’bëhet dhe prandaj është e rëndësishme që paketën e maleve ta përdorin si instrument kryetarët e bashkive sepse e kanë kontaktin më direkt dhe kanë mundësi që të kenë një komunikim që është më nxitës. Kështu që këto janë të rejat nga fronti im, bashkëpunimi jonë do të jetë më i fortë dhe më suksesshëm pa diskutim. Ka ndonjë merak apo shqetësim tjetër, përveç Tërmetit.
– Përshëndetje! Në lidhje me legalizimet kam diçka. Bashkia e Pustecit është 100% zonë e mbrojtur dhe në këtë proces legalizimesh mungon diçka. Gjithë banesat që ndodhen jashtë vijës së verdhë, por janë ndërtuar në pronat e veta, pa leje. Janë futur për legalizim dhe janë përjashtuar nga ky proces. Kam bërë disa takime qoftë me përfaqësues të ASHK qoftë edhe me ministrin në lidhje me këtë punë dhe duhet patjetër, me çdo rast që ministria të shprehë, pavarësisht se janë ndërtuar në pronat e tyre, të shprehet nëse legalizohet ose nuk legalizohet. Fjala që kam marrë mbrapa, ka qenë që nuk ka bazë ligjore që kjo ndërtesë të legalizohet. Këtu është një ngërç që këto nuk ecin më. Matjet janë bërë nga ASHK, banesë për banesë dhe është një numër shumë i madh. Në qoftë se 40 janë ata që janë brenda vijës së verdhë, 200 banesa janë jashtë vijës së verdhë, në pronën e tyre.
Kryeministri Edi Rama: Mbase drejtorja e ASHK-së mund të thotë ndonjë gjë, por eksperienca dhe nga çfarë bëmë me Thethin, por dhe çfarë po bëjmë me bashkinë e Himarës, së pari duhet bërë një ndarje shumë e qartë midis kujt ka qenë aty prej kohësh dhe kujt ka ardhur dhe ka ndërtuar aty në shkelje të ligjit të zonave të mbrojtura. Është e paimagjinueshme për mua që ata që i kanë pasur aty shtëpitë e katragjyshërve, nuk kanë akoma hipotekën. Në Theth për shembull, tani procesi në pjesën më të madhe është mbyllur, në zonën që ne u zotuam. Tani është dhe zona tjetër që po merremi dhe ku ata janë destinacion turistik europian dhe si mundet të thuash është zonë e mbrojtur. Po pastaj se është zonë e mbrojtur? Aty ka jetuar në breza familja. Zonë e mbrojtur nuk do të thotë që është vetëm për ujqërit dhe kaprojtë. Pjesa tjetër është më problematike. Pse? Jo sepse shtëpitë e ndërtuara rishtas rrezikohen si pronë dhe se do vijë dita ndonjëherë që të hiqen të gjitha, por sepse duhet gjetur mënyra sesi të balancohet midis mundësisë që i jep sigurinë për investimin që ka bërë, por dhe mundësisë që në një brez tjetër, se nuk flasim as për vitin tjetër, as për 5 vite, 10 vite e të tjerë, kur Shqipëria të ketë shumë më tepër fuqi të pastrojë pika të caktuara në zonat e mbrojtura që rrisin kapacitetin e vetë ekonomik pikërisht për shkak se ajo është një zonë e mbrojtur e të tjerë duke iu dhënë mundësi të gjithë këtyre njerëzve që të marrin shtëpinë e të gjitha në një pikë tjetër. Këtu është pak problem. Sepse për fat të keq, përpara se sa ne të bënim frenim të konsiderueshëm jo të plotë, i plotë s’është dot asnjëherë, është ndërtuar shumë dhe keq dhe dëmshëm në shumë zona dhe nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë faktin që ne kemi bërë një zgjerim të territorit të zonave të mbrojtura të Shqipërisë.
Sot Shqipëria ka pothuajse 25% të territorit të vetë zonë të mbrojtur. Jemi mbi mesataren europiane dhe kjo detyrimisht ka futur brenda edhe të tjerë që nuk kanë qenë aty. Për këtë nuk e kemi ende përgjigjen e saktë se si të garantojmë interesin e çdokujt që ka shtëpi aty, por dhe të mos i presim rrugën në të ardhmen shtetit shqiptar kur do jetë më i fuqishëm se sot, do jetë patjetër se këtë do e bëjmë ne, pastaj të tjerët do bëjnë këto të tjerat zona të mbrojtura, anëtare në Bashkimin Europian dhe detyrimet në lidhje me këto historitë e klimës dhe të natyrës e të tjerë vetëm do shtohen. Kjo është pak a shumë përgjigjja që kam unë.
– Së pari faleminderit. Normalisht pjesa më e madhe e atyre që folëm janë pjesë e përditshmërisë tonë të punës, e qeverive, e bashkisë, por unë dua të ngre një shqetësim që është jashtë temë ndoshta dhe duke qenë se qytetarët po ndjekin takimin, kam qindra mesazhe që po më vijnë për pjesën e tërmetit që akoma s’është mbyllur. Unë kam mbi 100 familje që akoma nuk janë konsideruar nga ndërtimi i banesave të tyre për të cilat në fakt e kemi diskutuar edhe bonusin e qerasë që është ndërprerë për ta. Nuk e di si do vejë puna e tyre tani që fillon edhe dimri. Ky është shqetësim që është emergjent.
Kryeministri Edi Rama: Nëse unë nuk jam gabim, bëhet fjalë për të dëmtuar nga…
– Nga tërmeti i 2019.
Kryeministri Edi Rama: Ekzakt! Jam i qartë për këtë, por lidhur me atë, nuk kemi vetëm rastin e Mirditës, kemi edhe dy –tre raste dhe ato raste qartësisht i kemi lënë në përgjegjësinë e bashkive për të krijuar kushte të strehimit social. Pra nuk kanë qenë asnjëherë në një plan të marrë përsipër nga qeveria qendrore siç u bë plani i madh i tërmetit të tmerrshëm. Ky është realiteti. Tani thënë kjo, patjetër që duhet të bëjmë një diskutim sesi mund të ndihmojnë ne pjesërisht bashkinë që të fillojë të ketë një projekt strehimi social, duke qenë aty, duke i ditur saktësisht se kush realisht është i dëmtuar nga tërmeti, kush realisht është në nevojë etj, etj dhe në pamundësi për të gjetur një akomodim të vetin dhe për të gjetur një zgjidhje, do të përpiqemi të gjejmë një mundësi, se nuk dua të them gjëra që pastaj rezultojnë të pamundura kështu që, realiste është që të bëjmë një diskutim si ne mund të ndërtojmë, si mund të bëjmë një projekt të përbashkët dhe çfarë lloj ndihme mund të japim që kjo të bëhet një punë që të zgjidhë problemin e atyre njerëzve.
Bashkia e Fushë Arrzit ka ardhur? Po pse mendoj gjithmonë unë që ti je i Pukës! Si është puna e një individi të spikatur! Ka një bashki të vogël, ti mendon gjithmonë që ai e ka bashkinë të madhe dhe jo ai tjetri që ka në krah që nuk është i spikatur sa ky i pari kështu që ndjesë, por unë gjithmonë mendoj se je i Pukës. Megjithatë meqë doli emri, se me këta të tjerët takohem më shpesh kështu që mos ju lë dhe ju të tjerët pa folur.
– Faleminderit zoti Kryeministër, ju përshëndes dhe juve kolegë të mi. Unë jam kryetari i bashkisë Pukë. Gjithmonë me Hilën fushë-Arrëz, megjithëse Puka është një dhe ne jemi të ndarë në dy bashki, ky gjithmonë mundohet ta bëjë Fushë Arrëzin qendër, megjithëse ka mbetur tek e vjetra.
Kryeministri Edi Rama: Nëse do ta hapë Hila këtë temë me ndonjë tentativë për referendum, unë çfarë lidhjesh kam atje do të them Fushë Arrëzin, por duhet të shpallim Hilën kryetar të përjetshëm pastaj se po iku Hila e erdhi tjetër do duket Fushë Arrëzi si xhep fallco.
– Unë ju falënderoj. Gjithë ky proces që është bërë që në fillim dhe më Ministrin e Shtetit, rezulton në fund që ishte diçka shumë pozitive jo vetëm për pagat por edhe për mënyrën sesi u qas me legalizimet, me ato planet e menaxhimit, me portalin e Bashkëqeverisjes që është vlerë dhe për ne, për banorët dhe problematikat që ne na duhet të zgjidhim me qytetarët.
Unë jam 1 vit e gjysmë në mandatin si kryebashkiak. Unë do dal pak jashtë teme sepse për këtë jemi shumë ok. Jam ndër bashkisë që konkurroj me projekte të domosdoshme sepse është detyra jonë t’i shërbejmë çdo qytetari. Kam 1 vit e gjysmë që nuk gjej asnjë lloj mundësie, zero janë investimet në bashkinë e Pukës. Kuptohet në fushën e bujqësisë, po e lëmë pjesën e rrugëve sepse rrugë duan të gjithë, ndoshta edhe fondet, por bujqësia është ajo që ne na lidh me aksesin që ne duam që Puka të jetë turistike dhe turistike pa një bujqësi të zhvilluar, pa pasur ato kanalet vaditëse që ndihmon fermerët nuk mund të bëhet një turizëm i qëndrueshëm. Ushqimet bio kuptohet që janë në ato zona, por ata duan një mbështetje. Para disa ditësh ne bëmë një panair në Pukë, ishte e organizuar shumë mirë dhe me organizatat dhe ishin dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, jo në rang ministri sepse kishte probleme të tjera, erdhën dy drejtorë, ata morën iniciativa. Aty kërkohet që të jetë një qendër që nuk ekziston, për trajtimin e fermerëve për të mundësuar shitjen e produkteve të tyre bio. Puka është e bukur sepse është investuar kohët e fundit në infrastrukturë me Rilindjen Urbane por qyteti i Pukës ka 11 blloqe pallatesh që janë në shembje e sipër dhe infrastruktura përreth e amortizuar. Po të shihet, unë kam konkurruar për të në Fondin Shqiptar të Zhvillimit por nuk e kam gjetur mbështetjen. Thuhet se Puka e ka marrë pjesën e vet. Unë kërkoj mbështetje. Bëj shaka ndonjëherë me kryetarin e bashkisë Shkodër dhe i them “Ne të kemi kryeplak atje kurse ne jemi pleqtë”. Kështu që, ne mbështetjen e duam dhe Pukën duam ta vizitojmë dhe ta bëjmë turistike jo për Rrok Dodën si kryetar bashkie por për gjithë shqitparët. Të falënderoj.
Kryeministri Edi Rama: Më dole vetë në shteg, nuk të nxora unë. Personalisht ty, po flasim me ti se në “Partinë e Punës” nuk flasim me Ju, Hilës, kryetarit të bashkisë së Mirditës, ju kam thënë “Bëhuni ju promotorë të iniciativave të përbashkëta me fermerët, bëni projektin e qendrës së grumbullimit të produkteve që keni atje, krijoni një kompani, bashkia me fermerët me një kapital sa ta keni ju të mundur dhe më sillni projektin dhe ne do t’ju mbështesim me Fondin e Garancisë Sovrane për bujqësinë që juve të ndërtoni qendrën. E para!
Mbledhja historike e Shkodrës sa kohë u bë? 7 muaj. Unë nuk e kam një projekt për ta mbështetur Pukën se ta kam kërkuar. E dyta, ju kam thënë, kjo vlen për të gjithë dhe është e habitshme që nuk ka projekte të tilla akoma. Ju kam thënë “çdolloj pozicioni ushtarak që keni nëpër territor, se keni atje reparte, dhe që nuk është pjesë, nuk është një vend ku ka raketa siç kemi në Tepelenë për shembull, avionë ushtarakë siç kemi në Përmet ose të tjera materiale të rënda, merrini, bëni projektin dhe krijoni agroturizëm ku bashkia të jetë pjesë me partnerë lokalë atje ose me shumë nga ata investitorë potenciale që zona juaj i ka këtu në Tiranë edhe janë të listuar si oligarkë e ku di unë se si i quajnë, por dhe nga ata që janë jashtë. Nuk kam shenjë që ka ardhur një projekt i tillë.
E fundit, problemi që ke ti me fasadat, e ke me Hilën nuk e ke me mua. Se Fushë Arrëzi thotë: “Puka ka marrë shumë. Tani është koha të marrim ne”. Megjithatë lajmi që po të jap është që një projekt, për të vazhduar atë projektin, nuk e di sesa i madh por një projekt që është tek Fondi i Zhvillimit është në listë, në listën aktuale. Kështu që, kur të konfirmohet plotësisht se e kam parë vetë, do ta marrësh lajmin dhe do fillojë puna atje. Më dole vetë në shteg, faleminderit që më dole, tani rëndësi ka që u vrave i gëzuar.
Shumë faleminderit të gjithëve!