Plazhet e Kavajës dhe Durrësit do të pastrohen me nje operator shtesë, deri më 1 shtator, me qëllim sigurimin e pastërtisë në bregdet. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro vëzhgoi nga afër situatën në bashkitë e Kavajës dhe Durrësit, të cilat përveç firmave të kontraktura nga këto të fundit, për të përballuar fluksin, po asistohen edhe nga një operator shtesë që menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit.
“Shtimi i fluksit të popullsisë gjatë këtyre muajve e bën të pamundur që bashkia t’ia dalë e vetme në pastrimin e mbetjeve dhe kjo është arsyeja pse ne vendosëm që për të parën herë të përdorim këtë instrument së bashku me AKB-në për vijën e plazhit”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se gjatë periudhës 1 korrik-1 shtator kur është edhe kulmi i sezonit turistik veror, sfida më e madhe është pastrimi në plazhe, sidomos në stacionet publike dhe zonat e ndërmjetme mes stacioneve të menaxhuara nga biznesi privat.
Përveç koordinimit mes operatorëve të bashkisë dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, është bërë edhe një punë orientuese me subjektet e quajtur ‘ndotësit e mëdhenj’ se si do t’i depozitojnë mbetjet në orare të caktuara.
“Kemi filluar një punë sensibilizuese me bizneset e hotelerisë, duke u dhënë mundësinë që të shkojmë t’ua marrim ne mbetjet me ndërmarrjen tonë apo atë të kontraktuar nga AKB në orare të caktuara”, shpjegoi kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Në këtë situatë, sipas ministres Kumbaro, problemi më i madh mbetet sensibilizimi, sepse edhe në rastet kur koshat nuk janë të tejmbushur, qytetarët dhe bizneset preferojnë t’i hedhin mbeturinat jashtë koshave apo nëpër cepat e ndërtesave.
“Kjo është gati një luftë me vesin, sepse ne mund të shtojmë koshat dhe makinat, por nëse njerëzit, bizneset i hedhin jashtë, shtojmë mundin, shtojmë kostot”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Dy bashki të tjera që mbështeten nga operatori shtesë i pastrimit në vijën bregdetare janë Saranda dhe Himara.