Kumbaro: Modernizim i arsimit në të gjitha nivelet me investime infrastrukturore, kurrikula të reja dhe ndërkombëtarizim të sistemit arsimor

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, paraqiti prioritetet e vitit 2026, duke theksuar zgjerimin e kompetencave të ministrisë, që tashmë mbulon arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Sipas saj, brenda këtij viti do të përfundojnë 42 kantiere shkollash të reja ose rikonstruksione, të nisura kryesisht gjatë vitit 2025. Investimet vijojnë një seri ndërhyrjesh të realizuara në periudhën 2024-2025 për rreth 70 objekte arsimore, të financuara përmes fondeve të brendshme dhe projekteve të Bashkimit Evropian. Shkollat e reja do të pajisen me laboratorë dhe biblioteka sipas standardeve bashkëkohore të mësimdhënies.

Në kuadër të modernizimit teknologjik, janë vënë në funksion 317 laboratorë inteligjentë në arsimin parauniversitar, me objektivin që deri në vitin 2027 numri i tyre të arrijë në 1000. Financimi sigurohet përmes një kredie të Bankës Botërore dhe një granti nga Banka Evropiane Qendrore.

Ministrja njoftoi gjithashtu nisjen e rishikimit të plotë të kurrikulave, pas gati një dekade nga zbatimi i reformës së viteve 2014-2015. Procesi ka filluar me klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta dhe do të shtrihet gradualisht deri në vitin 2029. Ndryshime të veçanta janë ndërmarrë në lëndë si Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe qytetaria.

Një nga projektet kryesore është hapja e Liceut të ri Francez në Korçë, i parashikuar të nisë funksionimin në vitin 2027, në bazë të marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Francës. Institucioni do të ofrojë dy diploma, shqiptare dhe francize, të homologuara nga autoritetet përkatëse, me staf pedagogjik të përbashkët shqiptar dhe francez. Programi mësimor dhe projektligji përkatës pritet të paraqiten për miratim. Paralelisht ka nisur trajnimi i mësuesve të frëngjishtes në shkollat 9-vjeçare për përgatitjen e brezit të parë të nxënësve.

Në të njëjtën linjë, është përgatitur edhe projekti për ndërtimin e një kampusi të ri në godinën historike të ish-Liceut Francez, me financim të siguruar dhe në proces për leje ndërtimi nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Nxënësit do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku prej dy vitesh funksionojnë programe Bachelor dhe Master në bashkëpunim me Université de Technologie de Compiègne.

Në planin institucional, Kumbaro bëri të ditur nisjen e transformimit të Qendrës së Botimeve të Diasporës në një Agjenci Kombëtare të Gjuhës Shqipe, me fokus standardizimin dhe certifikimin e shqipes si gjuhë e dytë për tregun ndërkombëtar dhe dhe integrimin evropian.

Po ashtu, ka nisur rishikimi i ligjit për arsimin e lartë, me synim ndërkombëtarizimin e universiteteve dhe përafrimin e tyre me kërkesat e tregut të punës për vitet 2029-2030. Një tjetër reformë përfshin krijimin e Agjencisë Kombëtare Arsimore, përmes transformimit të Qendrës së Shërbimeve Arsimore sipas modelit britanik të testimeve, duke ofruar shërbime të dixhitalizuara dhe transparente.

Procesi i digjitalizimit të sistemit arsimor vijon në të gjitha nivelet. Regjistrat në arsimin parauniversitar janë tashmë elektronikë, ndërsa këtë vit sistemi dixhital ka nisur të zbatohet edhe në arsimin e lartë.