Ministrja Kumbaro në Kuvend: Dhuna në shkolla sfidë globale, Shqipëria me plan kombëtar për parandalim dhe masa të reja sigurie
Në seancën plenare të sotme u zhvillua interpelanca me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, e kërkuar mbi fenomenin e dhunës në shkolla, ku ajo theksoi se dhuna mes të miturve nuk është një problem i izoluar apo specifik për Shqipërinë, por një sfidë globale e lidhur ngushtë me realitetin e ri digjital. Ministrja prezantoi gjithashtu planin e masave institucionale për garantimin e sigurisë në shkolla, mbështetjen psikologjike dhe këshillimin e karrierës për mbi 355 mijë nxënës të sistemit parauniversitar, duke nënvizuar se trajtimi i kësaj sfide kërkon përfshirjen e të gjithë aktorëve të shoqërisë, nga familja te institucionet.
Kumbaro deklaroi se bullizmi sot shfaqet gjithnjë e më shumë në forma psikologjike, verbale dhe kibernetike, ndërsa kufiri mes shkollës dhe rrjeteve sociale pothuajse nuk ekziston. Sipas saj, adoleshentët në Shqipëri kalojnë mesatarisht 4-5 orë në ditë në hapësirën digjitale, çka e bën më kompleks menaxhimin e konflikteve që shpesh nisin në klasë dhe vijojnë online, ose anasjelltas.
Në këtë kontekst, Ministria e Arsimit ka miratuar prej një viti Planin Kombëtar të Veprimit për Fuqizimin e Mekanizmave të Parandalimit të çdo Forme Dhune dhe Bullizmi për Sigurinë në Institucionet Arsimore Parauniversitare. Sipas ministres, qasja synon parandalim sistemik dhe bashkëpunim mes institucioneve, prindërve dhe komunitetit.
Aktualisht, në sistemin parauniversitar janë 355.510 nxënës dhe mbi 30.000 mësues në 1498 shkolla. Në funksion të sigurisë dhe mbështetjes psiko-sociale janë 1183 psikologë dhe punonjës socialë, 329 oficerë sigurie, si dhe 686 koordinatorë cilësie dhe karriere. Tre javë më parë janë shpallur edhe 62 vende të reja për oficerë sigurie.
Ministrja bëri të ditur se në fillim të këtij viti shkollor është ndaluar përdorimi i telefonave celularë në ambientet mësimore, një masë që sipas saj ka rritur përqendrimin gjatë orëve të mësimit dhe është mirëpritur nga prindërit dhe mësuesit. Paralelisht, përmes “Paketës së Sigurisë” në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme është shtuar prezenca e Policisë së Shtetit në perimetrin e shkollave, ndërsa brenda vitit pritet të nisë edhe projekti “Qyteti Inteligjent”, që parashikon pajisjen e shkollave më të mëdha me kamera sigurie.
Në fushën e sigurisë digjitale, ministria po bashkëpunon me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike për linja të dedikuara raportimi 24/7 dhe me Autoritetin e Mediave Audiovizive për monitorimin e përmbajtjeve me fokus mbrojtjen e fëmijëve.
Kumbaro theksoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së prindërve përmes platformës SMIP dhe Fletorës së Komunikimit Online, si dhe forcimin e shërbimit psiko-social dhe trajnimeve për mësuesit, përfshirë zbatimin e Kodit të ri të Etikës.
Një tjetër element i parandalimit, sipas saj, janë aktivitetet jashtëshkollore. Programi “Art, Zeje dhe Sport”, Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe dhe organizimi për herë të parë i Festivalit Kombëtar të Shkencës synojnë të angazhojnë nxënësit në sport, art dhe inovacion, duke reduktuar rrezikun e përfshirjes në sjellje problematike.
Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja nënvizoi se siguria në shkolla nuk mund të mbështetet vetëm te masat ndëshkuese, por kërkon bashkëpunim të qëndrueshëm mes familjes, shkollës dhe komunitetit, duke theksuar se një shkollë e sigurt është ajo ku fëmijët ndihen të dëgjuar, të mbështetur dhe të mbrojtur.