Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro po merr pjesë në Ministeralin për Klimën që po mbahet në Kopenhagen me ftesë të ministrin danez për Bashkëpunimin për Zhvillimin dhe Politikën Globale për Klimën, Dan Jørgensen.
Ky takim me 40 ministra dhe negociatorë për çështjet e klimës është organizuar për të diskutuar mbi zbatimin e rezultateve nga Samiti i Klimës COP28 dhe pritshmëritë paraprake nga COP29 i cili do të mbahet në muajin nëntor në Baku të Azerbajxhanit.
Ministrja Kumbaro u shpreh se Shqipëria, si pjesë e kësaj sfide globale, mban një flamur të gjelbër në drejtim të hapave të vegjël por kuptimplotë në modelet e ruajtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
“U mblodhën bashkë ministra nga të gjitha vendet e botës për të diskutuar për një sfidë të përbashkët që nuk ka kufi, ndryshimet klimatike, si një angazhim ku secili ka diçka për të bërë, ka një kontribut për të sjellë, që nga Shqipëria e vogël që e ka çuar sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5%, që kemi mbrojtur lumin e fundit të egër në Europë duke e bërë Park Kombëtar, të dashurën tonë Vjosën, por edhe duke punuar fort në këtë vit siç është Viti i Pyjeve. Janë hapa të vegjël në planetin e madh, por që e vendosin Shqipërinë me një flamur të gjelbër në këtë sfidë të përbashkët të madhe globale”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ky edicion i tretë i Ministerialit të Klimës në Kopenhagen ul në një tryezë negociatorët kryesorë për klimën për herë të parë që nga COP28 i dhjetorit të kaluar në Dubai.
Takimi kryesohet nga presidenti i caktuar i COP28, Dr. Sulltan Al-Jaber, së bashku me presidentin e caktuar të COP29, Mukhtar Babayev dhe ministrin danez për Bashkëpunimin për Zhvillimin dhe Politikën Globale të Klimës, Dan Jørgensen.
“Nga kjo mbledhje deri në mbledhjen e ardhshme në Baku në nëntor të këtij viti kemi ende shumë detyra dhe angazhime që kemi marrë përsipër”, përfundoi ministrja Kumbaro duke shtuar se së shpejti do të bëhen publike rezultatet e punës për Vitin e Pyjeve.