Kumbaro nga Elbasani: Program pilot që afron nxënësit me natyrën përmes aktiviteteve praktike

Një program i ri pilot që synon të afrojë nxënësit me natyrën përmes aktiviteteve praktike dhe njohjes me bimët do të nisë në pesë shkolla të Elbasanit. Iniciativa është ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Bashkinë e Elbasanit dhe qendrën kërkimore “Amel”, me synimin për të ndërtuar një model edukimi që ndërthur mësimin teorik me përvojat reale në mjedis.

Gjatë një vizite në laboratorin “Amel”, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, theksoi se programi është pjesë e nismës “Toka në shkollë”, që synon të rikthejë lidhjen e fëmijëve me natyrën dhe mjedisin përmes projekteve konkrete. “Nga shkollat e Elbasanit nisim një projekt pilot, i cili nëse do të ketë sukses, do të përhapet dhe në shkollat e tjera. Në 5 shkollat e këtij projekti pilot, parashikojmë të ndërtojmë serra të vogla me bimë nën koordinimin dhe këshillat tuaja, fëmijët të kujdesen për bimët, të njihen me vlerat, të ndërtojnë herbariume që atyre t’ua bëjmë atraktiv këtë proces,” u shpreh Kumbaro.

Qendra “Amel” do të mbikëqyrë zbatimin e projektit, duke udhëzuar nxënësit dhe mësuesit në procesin e kultivimit dhe përkujdesjes për bimët medicinale. Themeluesit e qendrës, Arben dhe Lindita Vrushi, vlerësuan rëndësinë e përfshirjes së brezit të ri në aktivitete që lidhin dijen me praktikën, duke theksuar se kjo formë edukimi ndihmon në përgatitjen e një fuqie punëtore më të kualifikuar në të ardhmen.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri të ditur se bashkia do të mbështesë projektin me krijimin e infrastrukturës për serrat dhe laboratorët shkencorë. “Në gjithë shkollat tona duam të rikthejmë laboratorët e kimisë dhe të biologjisë dhe ky është hapi i parë dhe një model se si fëmijët e të rinjtë tanë të jenë sa më afër natyrës dhe të kuptojnë çelësin e saj,” u shpreh Llatja.