Kumbaro raporton për sistemin arsimor, prioritet siguria e nxënësve dhe mësuesve

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, paraqiti situatën në sistemin arsimor parauniversitar gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, duke theksuar se prioritet absolut mbetet siguria e nxënësve dhe mësuesve, veçanërisht në kushtet e motit të përkeqësuar.

Sipas ministres, edhe në rastet kur mësimi është pezulluar, nuk janë konstatuar dëmtime në objektet arsimore, ndërsa ndërprerjet janë kryer për arsye sigurie, kryesisht për shkak të vështirësive në transport dhe akses. Ministria e Arsimit ka qenë në komunikim të pandërprerë me të gjitha 1510 shkollat e sistemit parauniversitar, me raportime të përditësuara çdo orë.

Në raportimin e fundit, mësimi ka vijuar normalisht në qarkun e Tiranës, si dhe në Dibër, Lezhë dhe Shkodër. Në qarkun e Durrësit janë shënuar ndërprerje në 12 shkolla, ndërsa situata paraqitet më problematike në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier, ku mësimi është pezulluar në 10 shkolla. Në qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat, mësimi është ndërprerë në 32 shkolla për shkak të ngricave.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se raportimi vijon çdo një orë, në funksion të garantimit të sigurisë dhe normalitetit në sistemin arsimor.