Në vijim të takimeve gjatë panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur” ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro u prit në selinë e Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO), nga Sekretari i Përgjithshëm, Zurab Pololikashvili dhe drejtuesit e kësaj organizate.
Ministrja Kumbaro falenderoi UNWTO për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë që ka mbledhja e Komisionit për Evropën të Organizatës Botëorore të Turizmit më 7-9 prill në Tiranë, me pjesëmarrjen e rreth 40 ministrave të turizmit nga e gjithë Evropa.
“Dua të falenderoj UNWTO dhe sekretarin e Përgjithshëm për gjithë mbështetjen e treguar ndaj Shqipërisë në angazhimin e saj në zhvillimin e turizmit global, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë në organizimin e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të UNWTO, një angazhim me shumë përgjegjësi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, por edhe ngjë ngjarje shumë e rëndësishme për Tiranën”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili vlerësoi Shqipërinë për rritjen e shpejtë në turizëm dhe modelin e saj me fokus mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, Pololikashvili përgëzoi Shqipërinë për shifrën e 10,1 milionë turistëve të thuaj gjatë vitit 2023 si vendi me rikuperimin më të shpejtë, në krye të klasifikimit të UNWTO për Evropën.
“Roli kryç i Shqipërisë në pritjen e Komisionit të 70-të Rajonal të Evropës, si vendi mikpritës zyrtar i ITB Berlin në 2025 dhe mikpritja e 10 milionë vizitorëve të huaj theksojnë angazhimin e saj për avancimin e turizmit global”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit.
Më tej, ministrja Kumbaro dhe Pololikashvili diskutuan detaje të agjendës së mbledhjes së Komisionit të 70-të Rajonal të Evropës në datat 7-9 prill në Tiranë duke nënvizuar bashkëpunimin e ngushtë për organizmin e një niveli të lartë, ku një pjesë e ministrave të turizmit tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Panairi ndërkombëtar i turizmit Fitur mbahet nga 24 deri më 28 janar dhe sot, në ditën e dytë të tij, Ministrja Kumbaro do të zhvillojë takime me Ministrin e Turizmit dhe Tregtisë në Andorra, Jordi Torres Falco si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bashkimit Europian dhe Bashkëpunimit të Spanjës, Jose Manuel Albares. Gjithashtu, ministrja Kumbaro do të diskutojë çështje të turizmit dhe mjedisit në takimet me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Mjedisit Hugo Moran Fernandez si dhe me Sekretaren e Shtetit për Turizmin, Rosana Morillo.