Seanca parlamentare – Ministri Çuçi rendit arsyet përse nuk duhet ndarje e re territoriale: Reforma që bëmë funksionoi, sot bashkitë mbledhin më shumë të ardhura, kryejnë më shumë investime
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi duke folur në Kuvend për raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale”, ka rrëzuar pretendimet e opozitës, e cila kërkonte një ndarje të re. Në cilësinë e ministrit që përgjigjet për pushtetin vendor, por edhe si hartues i reformës në vitin 2014, ai ka bërë një paraqitje të plotë të efekteve pozitive që ka sjell ndarje e re territoriale me 61 bashki.
“Shpenzimet nga transfertat në pushtetit vendor janë rritur nga 34 mln lekë në 2015 në 57 mld në 2021, pra 67% më shumë. Si është administrata? Administrata është 35% më pak punonjës të aparatit. Kemi pasur 14401 punonjës dhe sot në 61 bashki 9585 punonjës. Pra, kemi 4816 burokratë të aparateve më pak se sa kemi pasur në 2014”, tha Çuçi.
Lidhur me shërbimet, ministri tha se është normale të jenë shtuar pasi nga qeveria qendrore janë transferuar funksione në pushtetin lokal dhe kjo sipas tij do të shtohet me rritje të numrit të punonjësve.
“Si rezultat i bashkimit, si rezultat i aplikimit të ekonomisë së shkallës në shërbimet që ofrojnë bashkitë, sot i bëjnë duke ngritur ndërmarrjet e tyre. Dhe kjo padisktuim do të rrisë numrin e punonjësve. Sot për shembull Tirana ka ngritur një ndërmarrje të posacme për pastrimin. Deri më dje këto para i shkonin një kompanie që kryente pastrimin. Duhet ta shohim situatën ashtu siç është komplet të shkëputur nga misioni politik”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Lidhur me të ardhurat që mbledhin sot bashkitë e vendit nga tarifat dhe taksat vendore, Çuçi tha se ato janë rritur dy herë nga 11.7 mld lekë në 2015 në 26.6 mld lenë në 2021. Po kështu sipas tij janë rritur edhe investimet që janë realizuar nga njësitë e qeverisjes vendore.
“Në fakt propozimi i bërë në raportin e sjellë nga zonja Çupi është shumë i cekët për të pretenduar për të shkuar drejt një ndarrje të re territoriale. Ky komision ishte ndoshta i nevojshëm, për të parë edhe ecurinë e reformës sot pas 7 vitesh”, deklaroi Ministri i Brendshëm.