Kuvend/Miratohen 2 marrëveshje ndërkombëtare me Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për rritjen e sigurisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kuvend/Miratohen 2 marrëveshje ndërkombëtare me Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për rritjen e sigurisë

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare 2 projektligjet “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit” dhe “Për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shkëmbimin e informacionit për qëllime të lidhura me migracionin”.

Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe është e para ndërmjet dy vendeve, e ka si synim luftën kundër krimit dhe dhënien e kontributit për zhvillimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes vendeve. Palët synojnë të shtrijnë bashkëpunimin duke shkëmbyer informacion, përvoja, trajnime për të luftuar veprat penale dhe fenomenet kriminale në fushat të ndryshme si veprimtaritë e grupeve terroriste, financimet e tyre, krimet e rënda kundër personit dhe pronës, korrupsionin, pastrimi i parave, trafiku i paligjshem i armëve, municioneve, krimet ekonomike, falsifikimet, lëvizjet e paligjshme të personave etj. Projektligji u miratua me 101 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Nënshkrimi i memorandumit me Britaninë e Madhe për shkëmbimin e informacionit është një komponent i nevojshëm për ruajtjen e kontrolleve efikase për migracionin, që për pjesëmarrësit përbën interes të rëndësishëm publik dhe ndihmon në forcimin e kufijve tanë përkatës. Projektligji u miratua me 99 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvend – Fjala e Ministrit Bledi Çuçi në seancën plenare për miratimin e dy marrëveshjeve me Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe:

E nderuar kryesuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

Sot do diskutojmë dy marrëveshje që i përkasin fushës së sigurisë.Janë dy marrëveshje me dy shtete që nuk ngjajnë hiç fare me njëri-tjetrin, me tekste që nuk ngjajnë me njëri-tjetrin, por që kanë një gjë të përbashkët, dhe kjo e përbashkët është përpjekja jonë për të pasur partnerë dhe për të adresuar në mënyrë të përbashkët fenomene si krimi i organizuar, terrorizmi, emigracioni i paligjshëm, trafiqet e paligjshme etj. Unë besoj se nuk mund të kemi kurrë rezultate në këto fusha, nëse do jemi të vetëm. Me thënë të drejtën, e shoh me shumë optimizëm këtë përpjekje të qeverisë sonë. Sepse në qoftë se përpara vetëm disa vitesh, niveli i marrëdhënieve me agjencitë ligjzbatuese apo midis vendeve në këto fusha ka qenë shumë i ulët, deri në nivelin e shkëmbimit të informacionit, sot rëndom, ne këto i kemi ngritur në nivele shumë të larta, ku sot ne mund të flasim për hetime të përbashkëta, për operacione policore të përbashkëta dhe shkëmbime të të dhënave me sensitet të lartë midis vendeve partnere.

Pra, jemi në një realitet krejt tjetër dhe sa për t’jua ilustruar, mund t’ju them që vetëm nga janari në qershor të 2022, ne kemi pasur skuadra të përbashkëta hetimore dhe kemi bërë operacione të përbashkëta hetimore me vende si Spanja, Italia, Gjermania, Britania, Kosova etj. Vetëm në këtë periudhë kemi goditur 4 grupe kriminale me 30 të arrestuar dhe dhjetëra të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, edhe një fenomen, siç janë skuadrat e përbashkëta hetimore, besoj se jemi në nivelin më të lartë historik ndonjëherë, madje edhe në rajon, përsa u takon skuadrave të përbashkëta hetimore, që veprojnë kurdoherë me bekimin e Eurojust. Ne, këtë vit e mbyllim me 17 të tilla.

Pra, ju solla disa statistika, për të kuptuar se sa përpara dhe sa lart e kemi çuar bashkëpunimin ndërkombëtar me partnerët tanë në lidhje me luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit, emigracionit të paligjshëm dhe trafiqeve. Por jo vetëm në mënyrë bilaterale, por edhe për sa u takon organeve, sidomos atyre të BE që veprojnë në fushën e sigurisë, prapë jemi shembulli më i mirë në rajon. Mjafton t’ju përmend që jemi i vetmi vend jo anëtar i BE-së, që kemi një marrëveshje si vend jo anëtar i BE me FRONTEX.

Gjithashtu kemi pasur një marrëdhënie “quasi” të barabartë dhe të ulur si të barabartë edhe në Europol. Në këtë kuadër vijnë edhe këto dy marrëveshje që sjellim sot, qoftë ajo me Britaninë e Madhe, që është në një fushë specifike dhe adreson emigracionin e paligjshëm, kryesisht këmbimin e të dhënave me sensitet të lartë për adresuar këtë luftë, qoftë ajo me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Le të sjellim shkurtimisht çfarë përmban secila nga këto dy marrëveshje.

E para, siç thashë, lidhet me bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në fushën e emigracionit të paligjshëm. Është përgjegjësi e jona, ku si vend, në Britani janë mbi 130 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme, me karriera nga më të ndryshmet profesionale që të dekurajojmë skllavërinë moderne si një fenomen i ri që po shfaqet në shumë vende, por kryesisht në Britaninë e Madhe. Dhe dekurajon migracionin e paligjshëm, si një praktikë e rrezikshme që shton kriminalitetin dhe trafikun e qenieve njerëzore. Duke u ndalur te shqetësimi i palës britanike, ne, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, biem dakord që midis dy vendeve të kemi një shkëmbim të drejtpërdrejtë të informacionit që ka lidhje me të dhëna sensitive, edhe personale, brenda kuadrit ligjor të çdo shteti. Kështu do adresojmë që të penalizojmë ata që merren dhe organizojnë trafikun dhe jo viktimat e atyre që organizojnë edhe merren me trafikun.

Gjithashtu në kuadër të kësaj marrëveshjeje, kemi rënë dakord që të shtojmë prezencën tonë në Britaninë e Madhe, përsa i takon prezencës së agjencisë së sigurisë shqiptare në Britaninë e Madhe me një oficer ndërlidhës për të garantuar pikërisht zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ndërsa marrëveshja me Emiratet e Bashkuara sigurisht vjen pas një klime të mirë bashkëpunimi me një vend që pa diskutim është një nga vendet më të zhvilluara në rajon, qoftë në Gjirin Persik, qoftë në Lindjen e Mesme, me një influencë gjeopolitike në këtë rajon, me një zhvillim për t’u admiruar, për sa i takon zhvillimit ekonomik, por, duhet thënë, edhe atraktiv për shumë nga ata që mundohen t’i shpëtojnë ndëshkimit, në vende të ndryshme të botës, përfshi këtu edhe Shqipërisë.

Në këtë kuadër, sjellim këtë marrëveshje me këtë shtet në mënyrë që të adresojmë pikërisht luftën kundër këtyre grupeve kundër krimit të organizuar dhe për të adresuar luftën kundër terrorizmit. Dhe po jua them që nuk është e lehtë të bësh marrëveshje të kësaj natyre me Emiratet e Bashkuara Arabe. Ka shumë vende, edhe europiane, edhe të BE që nuk kanë arritur dot të bëjnë një marrëveshje të tillë. Kjo është arritur, thashë, falë një momenti shumë të mirë bashkëpunimi që kemi ne me Mbretërinë e Emirateve të Bashkuara Arabe. Dhe besoj që do ketë sukses, sidomos për të adresuar krimin apo elementë të krimit të organizuar që veprojnë jo vetëm në Shqipëri por që janë me origjinë shqiptare.

Të nderuar kolegë,

në përfundim të fjalës time dua të them se aktet që do ratifikojmë sot iu mundësojnë autoriteteve të sigurisë të vendeve tona që të kenë më tepër instrumente në dorë për t’iu kundërpërgjigjur shkelësve të ligjit pavarësisht se ndodhen në Shqipëri, në Britaninë e Madhe apo Emiratet e Bashkuara Arabe. Nuk mund të ketë zhvillim social dhe ekonomik në asnjë prej shoqërive tona pa siguri, pa garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve. Faleminderit!

Replika e ministrit Çuçi me deputetin Salianji:

Doja të tërhiqja vëmendjen për dy gjëra që janë non sense, e para ka të bëjë me sekuestrimin e anijes që ju thoni fantazëm, me karburant.

Ju ngrini gishtin ndaj Policisë dhe Qeverisë ditën që policia dhe qeveria e kap, e sekuestron dhe i fut në burg trafikantët! Pra, atë ditë thoni ju që qeveria nuk punon. Pra të paktën thoni “bravo” për operacionin që keni bërë, por ne kemi sinjalizime që kjo ka ndodhur më përpara! Shumë mirë, ok, por thoni të paktën bravo për operacionin që keni bërë. Pse kush e kapi atë? Me partnerët! Pa diskutim. Çfarë thashë unë më përpara? Që nuk mund të luftojmë dot krimet, krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet, nuk luftohen pa partnerët, nuk luftohen. Kështu që nuk mund ta ngresh gishtin kundër policisë dhe qeverisë ditën që ato reagojnë.

Dhe e dyta, unë nuk e di se si mund të pasurohen oligarkët e ndërtimit… Unë nuk hyj fare në marrëdhënien midis prokurorisë dhe ndërtuesit, nuk hyj fare; nuk merrem fare me atë. Por ama, si mund të pasurohet oligarku i ndërtimit kur ti thua që ata të paguajnë 5 % të taksës, ndërsa ne themi që ata do të paguajnë 120 %! Si mund të pasurohet ai? Kur ju i thoni paguaj 5 %, ndërsa ne i themi paguaj 120 %!

Dhe e gjitha kjo bëhet, e para, sepse duhet dekurajuar përfundimisht, kushdo që mendon që është ‘i fortë’ për të ndërtuar pa leje, dhe e dyta pa diskutim për të pasur më shumë fonde në dispozicion të njerëzve në nevojë për banesa sociale, apo për fond banesash sociale, sepse gjëja finale mbetet konfiskimi i atyre pronave. Kështu që të dyja gjërat që thatë në rastin konkret të paktën janë non sense. Faleminderit.

Previous Asistenca financiare e BE, Ministrja Xhaçka: Rregullat e reja, thelbësore për përballimin e sfidave të reja që sjell procesi i negociatave

Leave Your Comment