Kuvendi miraton Buxhetin 2023 dhe Paketën Fiskale, Ibrahimaj: Mbështesim shtresat në nevojë dhe nuk rrisim çmimin e energjisë elektrike - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kuvendi miraton Buxhetin 2023 dhe Paketën Fiskale, Ibrahimaj: Mbështesim shtresat në nevojë dhe nuk rrisim çmimin e energjisë elektrike

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në tërësi në seancë plenare me 77 vota pro buxhetin e shtetit për vitin 2023 dhe Paketën Fiskale.

Në prezantimin e saj, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se buxheti i vitit 2023 nuk është i zakonshëm, pasi ai vjen në një kohë krize, me fokus përballimin e efekteve të luftës në Ukrainë dhe krizën e çmimeve. “Ky buxhet ka parashikuar të akomodojë ato nevoja të domosdoshme, aq sa mundëson ekonomia jonë në zhvillim, nën presionin e një cunami inflacionist që ka përfshirë ekonominë botërore”, tha Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se përgjatë vitit 2023 janë planifikuar të shpenzohen rreth 50 miliardë lekë për mbështetjen sociale, për t’u ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë dhe të siguruar zbutjen e efekteve të krizës.

Përmes buxhetit 2023 do të vijohet mbrojtja e qytetarëve dhe bizneseve për çmimet e energjisë elektrike,; do të rritet paga minimale në  36 mijë lekë; do të vazhdojë rritja e pagave për punonjësit e arsimit, të shëndetësisë, zjarrfikësit dhe ushtarakët; do të mbështeten familjet duke rritur nivelin e pagave të patatueshme, deri në 50 mijë lekë.

Sa i përket Paketës Fiskale 2023, Ministrja theksoi faktin se qëllimi i saj është mbështetja e rritjes së të ardhurave përmes miradministrimit dhe përafrimit të legjislacionit tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, si dhe mundësimi i një trajtimi sa më të drejtë dhe efikas mes tatimpaguesve.

Po ashtu, Ministrja Ibrahimaj përsëriti faktin se 95% të biznesi i vogël nuk do të ketë asnjë ndryshim taksash dhe deri në vitin 2029 biznesi i vogël do të vijojë të paguajë zero taksa.

“Ne jemi këtu për të vazhduar mbështetjen për biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i prekur taksat, por duke vazhduar t’i paguajmë pjesën më të madhe të faturës së energjisë elektrike, në mënyrë që të mbajmë sa më shumë të jetë e mundur nën kontroll efektet e luftës dhe të inflacionit. Ne kemi marrë masa për të ruajtur parametrat fiskalë, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit të vogël dhe për të lehtësuar barrën e krizës për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për familjet shqiptare, të cilat kanë sakrifikuar dhe po vazhdojnë të sakrifikojnë. Sa më sipër, duke qenë se mbetet një sipërmarrje e guximshme, por jo e njëanshme, ajo ka funksionuar”, u shpreh Ibrahimaj.

Në buxhetin e vitit 2023, është parashikuar që Produkti i Brendshëm Bruto të rritet me 2.6%, nga 3.7% që është parashikimi për këtë vit.

Duke përfunduar fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se energjia dhe kujdesi për shtresat në nevojë janë shtyllat e politikave sociale për vitin e ardhshëm, si dhe shtylla të politikave ekonomike, të kushtëzuara nga një faturë financiare për të mbështetur objektivat kryesorë të buxhetit 2023.

Fjala e plotë e Ministres Ibrahimaj:

E nderuar Zonja kryetare,

të nderuar deputetë,

Pas 14 orësh diskutimesh dhe debatesh, më në fund rriti momenti për të prezantuar edhe njëherë buxhetin.

Hartimi dhe miratimi i buxhetit të shtetit shënon një ndër momentet më të rëndësishme për Ministrinë që drejtoj dhe për qeverinë. Edhe këtë herë, ky buxhet vjen në një kohë të pazakontë, në përgjigje të sfidave të pazakonta.

Unë dua të riktheja vëmendjen tuaj se  nesër, në datën 26 nëntor, bëhen plot tre vite që kur tërmeti me magnitudë 6.4 ballë ra në Shqipëri. Të gjithë e mbajnë mend Kryeministrin, i cili non-stop njoftonte dinamikën e operacioneve të kërkim-shpëtimit, e njëkohësisht ngrinte në këmbë të gjitha strukturat e vendit, por edhe ndjeshmërinë e faktorit ndërkombëtar. Të gjitha këto, vetëm me një qëllim: ofrimin e dorës së mbështetjes së shtetit për njerëzit në ditë e tyre më të vështirë. Padyshim, kjo është përgjegjshmëria e një qeverie dhe puna që do të vijonte më pas do të rijetëzonte lagje qytetesh dhe fshatrash të tërë, një realitet të cilin sot ne e marrim si të mirëqenë, teksa shohim qytetarët të marrin falas çelësin e shtëpive tyre të reja apo të rikonstruktuara.

Pas këtij solidariteti nuk fshihet as ndonjë bingo, as ndonjë e rënë e lapsit, por një mobilizim i tërë njerëzish dhe alokim fondesh, një ngritje dhe funksionalizim strukturash shtetërore, të cilat pa pushim do të punonin dhe raportonin.

Të gjithë gjithashtu e mbajnë mend periudhën e errët të pandemisë, në 11 mars të vitit 2020, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme, kur mënyra jona e jetesës ndryshoi në një mënyrë të pashmangshme. Ne nuk e dinim se virusi Covid 19-të do të na prishte planet! Ne nuk e dinim se do të na plagoste, vriste apo për sa kohë do të zgjaste pushtimi nga “armiku i padukshëm”. Megjithatë, ja ku jemi! Shqiptarët dhe qeveria bënë gjithçka, që ua kërkoi pesha e përgjegjësisë personale dhe shtetërore.

Kështu, për të gjithë ata – për të gjithë ju – doja të thoja sot Faleminderit!

Përvoja gjatë tre viteve të fundit dhe mënyra sesi jemi përgjigjur kolektivisht, demonstron qëndrueshmërinë tonë si komb.

Por, ne sot vazhdojmë të lundrojmë në krizë dhe në pasiguri! Të gjithë e kujtojmë mëngjesin e 24 shkurtit 2022 kur u zgjuam në një botë krejtësisht të transformuar. Kur Putini hapi zjarr ndaj popullit të Ukrainës, ai gjithashtu i ktheu armët e tij edhe kundër një epoke ekuilibri, që demokracitë e botës kishin punuar për ta ndërtuar për më shumë se 76 vjet.

Të dashur qytetarë,

Ashtu siç u ringritëm nga shkundjet e tërmetit; ashtu siç kaluam ditët e gjata dhe të errëta të pandemisë, ne po i përgjigjemi edhe efekteve të padëshiruara të pushtimit të Ukrainës. Ne po e bëjmë këtë së bashku me ju dhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Inflacioni me bazë të gjerë, si ai që po përjetojmë aktualisht, ndikon negativisht në standardet e jetesës dhe kërkon një përgjigje të balancuar me kujdes. Ne sot po përgjigjemi sërishKy është një buxhet jo i zakonshëm! Ne nuk presim që ky buxhet të plotësojë çdo nevojë. Megjithatë, mendojmë se ky buxhet do të ndihmojë të gjithë nevojat e domosdoshme. Në interesin e të gjithëve është që financat tona kombëtare të menaxhohen me kujdes, për t’u ruajtur nga rreziqet aktuale dhe ato të ardhshme. Ne kemi llogaritur edhe qëndrimin e qytetarëve shqiptarë. Ata besojnë tek kjo qeveri, ata besojnë tek Partia Socialiste, sepse ne kemi treguar se, në momente të vështira, dimë të marrim vendimet e duhura. Kjo është arsyeja që, përtej gjithë kësaj situate të vështirë, ekonomia jonë ka arritur t’i përballojë relativisht mirë pasojat e krizës.

Sot, para jush, paraqes buxhetin e vitit 2023, tashmë të votuar në parim:

Siç e parashtrova dhe në seancën e kaluar kur projektligji u miratua në parim, ky buxhet ka parashikuar të akomodojë ato nevoja të domosdoshme, aq sa mundëson ekonomia jonë në zhvillim, nën presionin e një cunami inflacionist që ka përfshirë ekonominë botërore, për të ndikuar edhe mbi ekonomitë e  tjera lokale të rajonit.

Përgjatë vitit 2023 kemi planifikuar të shpenzojmë rreth 50 miliardë lekë për mbështetjen sociale, për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë, për t’u siguruar se po zbusim sa më shumë efektet e krizës. Vëmendja jonë gjatë gjithë këtij viti ka qenë tek sigurimi i energjisë dhe mbajtjen nën kontroll e çmimit duke mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël, tek infrastruktura digjitale, si qasja e së ardhmes për çdo qytetar.

Ne do të vazhdojmë të mbrojmë njerëzit nga goditja e çmimit të energjisë, bizneset e vogla nga goditja e inflacionit dhe nuk është rastësi që Shqipëria ka inflacionin më të ulët prej 8.3% në rajon, pikërisht, sepse ka mbrojtur çmimin e energjisë elektrike për familjet dhe për bizneset.

Ne do të rrisim nëpërmjet këtij buxheti pagën minimale, duke e çuar atë në 36 mijë lekëJanë 100 mijë familje, të cilave i janë shtuar 35 mijë lekë të vjetra çdo muaj, falë rritjes dy herë të pagës minimale këtë vit.

Do të vazhdojë rritja e pagave për punonjësit e arsimit, të shëndetësisë dhe për zjarrfikësit, ndërsa një rritje tjetër është parashikuar për ushtarakët.

Do vazhdojmë të mbështesim familjet, duke e rritur nivelin e pagave që nuk tatohen deri në vlerën 50 mijë lekë, një efekt ky që shtrihet mbi 70 mijë të punësuar, të cilët nuk do të paguajnë më këtë taksë.

Ne do të mbështesim familjet dhe individët që janë në skemën e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, si risi e këtij viti, ne për nënat e papuna me tre dhe më shumë fëmijë, do të mbështesim pagesën e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore, për periudhën e kujdesit ndaj fëmijës deri 5 vjeç.

Përveç indeksimit të pensioneve, ne do të vijojmë me bonusin e fundvitit, të cilin pensionistët do ta marrin në fillim të dhjetorit. Njëkohësisht, në buxhetin e ri kemi sërish bonusin e fundvitit për pensionistët.

Gjatë vitit 2023 do të fillojë zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore, duke siguruar që çdo i ri apo e re do të ketë në dispozicion një ofertë trajnimi, punësimi apo arsimi, brenda 4 muajve nga momenti i identifikimit të atyre që janë të papunë apo janë duke kërkuar punë.

Gjithashtu, bujqësia do të përfitojë volumin më të madh të financimit, përmes skemës së mbështetjes së fermerëve, si dhe do të fillojë zbatimi i skemës së mbështetjes nga financimi i programit IPARD 3.

1000 familjeve të reja do t’u japim mundësinë të kenë një kredi të garantuar plotësisht nga shteti, për të marrë shtëpi. Do të mbështesim me garanci sovrane për blerje shtëpie dhe përfitues do të jenë, në këtë fazë të parë, mjekët, infermierët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë.

Shëndetësia dhe arsimi do të kenë një buxhet më të madh në terma nominale në vitin 2023.

Gjatë këtyre ditëve ne kemi reflektuar edhe shqetësimet, mendimet, propozimet e gjithë deputetëve, përfshirë dhe ata të opozitës, të ngritura gjatë diskutimeve në komisionet e Kuvendit. Mbi këtë bazë, kemi rivlerësuar me kujdes fondet e skemës së sigurimeve shoqërore dhe duke marrë në konsideratë parashikimet për inflacionin, do të shtojmë fondin për indeksimin e pensioneve me 1 miliardë lekë. Gjithashtu, kemi dakordësuar të gjitha propozimet për shtesa dhe rregullime në buxhetet e institucioneve të sistemit të drejtësisë, me synimin për  respektuar dhe përforcuar pavarësinë e tyre për të kryer më mirë funksionet e tyre në jetësimin sa më efikas të reformës në drejtësi. Kemi reflektuar njëkohësisht dhe mbështetjen për procesin e integrimit, por edhe sigurisë kibernetikesi pika prioritare që meritojnë të mbështeten nga ky buxhet.

Ndërkohë, dua të shtoj se kemi një paketë fiskale më pak ndryshime, ku qëllimi ynë është që nga njëra anë të mbështesim rritjen e të ardhurave përmes miradministrimit dhe përafrimit të legjislacionit tatimor me direktivat e Bashkimit Europian, ndërsa nga ana tjetër të mundësojmë një trajtim sa më të drejtë dhe efikas mes tatimpaguesve.

Unë dëshiroj të nënvizoj faktin se 95% të Biznesit të Vogël nuk do të ketë asnjë ndryshim taksash. Pra deri në vitin 2029 Biznesi i Vogël do të vijojë të paguajë zero taksa. Ne jemi këtu për të vazhduar mbështetjen për biznesin e vogël, jo vetëm duke mos i prekur taksat, por duke vazhduar t’i paguajmë pjesën më të madhe të faturës së energjisë elektrike, në mënyrë që të mbajmë sa më shumë të jetë e mundur nën kontroll efektet e luftës dhe të inflacionit.

Ne kemi marrë masa për të ruajtur parametrat fiskalë, për t’i dhënë frymëmarrje biznesit të vogël dhe për të lehtësuar barrën e krizës për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për familjet shqiptare, të cilat kanë sakrifikuar dhe po vazhdojnë të sakrifikojnë. Sa më sipër, duke qenë se mbetet një sipërmarrje e guximshme, por jo e njëanshme, ajo ka funksionuar!

Sot, shkalla jonë e papunësisë është 11.1%, ndërsa numri i të punësuarve është rritur me 4,3 %. Në presim që Produkti i Brendshëm Bruto të rritet  me 2.6% gjatë vitit të ardhshëm, nga 3.7% që është parashikimi për këtë vit.

Në kushtet e krizës, ne nuk mund të parashikojmë me përpikmëri se si do të shkojë ecuria ekonomike, por Ju ftoj të mendoni për këtë: Përballë një “stuhie perfekte”, ku bashkëpunuan tërmeti, pandemia dhe efektet e luftës, ekonomia jonë mbijetoi. Ajo nuk është rikuperuar ende, ashtu siç do të kishim dëshiruar të gjithë, megjithatë perspektiva vazhdon të jetë e qëndrueshme.

Ne jemi absolutisht të vendosur që raporti ynë i borxhit ndaj PBB-së të vazhdojë të bjerë, sikundër deficiti do të vazhdojë të reduktohet. Paketa e hartuar dhe miratuar nga ky kuvend është spiranca jonë fiskale. Ajo është një vijë që ne nuk do ta kalojmë. Bashkë do të sigurojmë që financat tona të mbeten të qëndrueshme, jo me rritje taksash, por me disiplinë fiskale!

Të nderuar qytetarë,

Energjia dhe kujdesi për shtresat në nevojë janë shtyllat e politikave tona sociale. Por, përtej kësaj, ato janë shtylla të politikave ekonomike, të kushtëzuara nga një faturë financiare për të mbështetur objektivat që kemi.

Përfundimisht, ne kemi nevojë për një ekonomi që lejon bizneset të rriten dhe të krijojnë vende pune, ku të gjithë të fitojnë një jetesë të denjë. Kjo është ajo që kemi bërë këto vite! Kjo është ajo që do të vazhdojmë të bëjmë.

Faleminderit!

Previous Kryeministri Edi Rama në seancën e sotme parlamentare për Portin e Ri Turistik të Durrësit, si investimi më i madh i huaj në rajon