Kuvendi miratoi në seancë plenare projektligjin për ndryshimin e marrëveshjes Istisna’a mes Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim për ndërtimin e segmentit Qukës – Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë. Përmes këtij projektligji sigurohet financimi shtesë në shumën 56.8 milionë dollarë për ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, pjesë e Korridorit 8, që lidh zonën e Transportit Pan-Europian Adriatiko-Jonian me atë të Detit të Zi, duke filluar nga Porti i Durrësit, vazhdon në Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në portet bullgare të Burgasit dhe Varnas.
Në fjalën e saj për prezantimin e projektligjit, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se gjatë viteve të fundit qeveria shqiptare i ka kushtuar një vëmendje të veçantë ndërtimit të veprave infrastrukturore, ashtu sikurse edhe në projektbuxhetin e vitit 2023.
“Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit tërësisht të ri rrugor me gjatësi 43.3 km do të shkurtohet me rreth një orë koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë. Do t’i jepet një frymëmarrje e shtuar cilësisë së turizmit,q ë do të ketë ndikim në ekonomitë lokale dhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo arterie e re rrugore krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinjë ballkanikë, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lidhjen e këtij korridori me portet shqiptare. Vlerësohet që nga zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, duke ndikuar në përmirësimin ekonomik të zonës dhe në reduktimin e vështirësive në transport”, tha Ibrahimaj.
Sipas Ministres, marrëveshja përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare, ku në procesin e integrimit evropian një parakusht është dhe integrimi rajonal dhe të dy këto procese nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e infrastrukturës së denjë, lehtësimin e komunikimit dhe tregtisë mes vendeve.
Gjithashtu, Ministrja theksoi se qeveria shqiptare ka objektiv uljen e nivelit të borxhit dhe çdo huamarrje të re harmonizohet me gjithë elementët e tjerë për të mundësuar një rënie të nivelit të borxhit kundrejt PBB vit pas viti.
Në periudhë afatmesme, vijoi Ministrja Ibrahimaj, parashikohet që investimet publike të jenë më tepër se dyfish i huamarrjes së re që planifikohet të sigurohet çdo vit, duke mundësuar kështu që jo vetëm borxhi të merret me kushte të favorshme dhe me norma të favorshme interesi, por që çdo investim i ri do të përkthehet në përfitim të ekonomisë dhe në rritje të saj.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar qytetarë,
Jam para jush për të sjellë për diskutim dhe miratim projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për ndryshimin e marrëveshjes Istisna’a dhe të marrëveshjes për ndryshimin e marrëveshjes së agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim për ndërtimin e segmentit Qukës – Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë – Korçë, ratifikuar me ligjin nr. 128/2013”.
Ky projektligj ka si qëllim sigurimin e financimit shtesë në shumën 56.8 milionë dollarë.
Ky projekt ka një rëndësi të veçantë sepse është pjesë e Korridorit 8, që lidh zonën e Transportit Pan-Europian Adriatiko-Jonian me atë të Detit të Zi, duke filluar nga Porti i Durrësit, vazhdon në Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në portet bullgare të Burgasit dhe Varnas.
Më lejoni që përpara se sa të parashtroj detajet e këtij projekti dhe marrëveshjes së huasë të nënvizojë disa prioritete kyçe që ne si qeveri kemi dhe synojmë të zbatojmë në të ardhmen.
Në vitet e fundit, përfshirë vitin 2023 dhe projektbuxhetin e këtij viti, ne i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë projekteve për ndërtimit të veprave infrastrukturore.
Ne besojmë se pasja e një ndërlidhjeje të plotë rrugore me parametra bashkëkohorë është kusht i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillimin e ekonomive lokale në zonat ku realizohen, por edhe për sigurimin e qarkullimit më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe arritjen e tregjeve më të mëdha për të qenë sa më konkurrues.
Edhe pse në një vit plot sfida ekonomike, nuk e kemi larguar aspak vëmendjen nga zhvillim i mëtejshëm i shumë projekteve infrastrukturore, të cilat ndihmojnë në ruajtjen e vendeve të punës, përmirësojnë rrjetin rrugor dhe e bëjnë Shqipërinë një vend lehtësisht të aksesueshëm nga Veriu në Jug dhe nga Lindja në Perëndim, dhe kjo i shërben kryesisht zhvillimit të turzimit.
Gjatë viteve të fundit, turizmi tregoi se ishte një nga injektuesit më të mirë të ekonomisë shqiptare, që ne na ndihmoi të rikuperoheshim në vitin 2021 dhe në vitin 2022 ka vijuar në po të njëjtat ritme. Kjo falë investimeve që kemi bërë, falë rrugëve që kemi ndërtuar dhe që do të vijojmë të ndërtojmë, ashtu sikur kemi bërë gjatë gjithë këtyre viteve, sepse filozofia jonë nuk është të lëmë rrugët rrugëve, por të sjellim progres, të bashkojmë njerëzit dhe të afrojmë ekonomitë.
Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit tërësisht të ri rrugor me gjatësi 43.3 km do të shkurtohet me rreth një orë, koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë dhe do të aksesohet një zonë tjetër e pazbuluar deri tani për turizmin, zona e Mokrës me tërë potencialin e vet bujqësor, agroturistik, të turizmit malor dhe kulturor, dhe do t’i jepet një frymëmarrje e shtuar cilësisë së turizmit,që do të ketë ndikim në ekonomitë lokale dhe në krijimin e vendeve të reja të punës.
Nga ana tjetër kjo arterie e re rrugore krijon një mundësi të re komunikimi me shtetet fqinjë ballkanikë, si Greqia dhe Maqedonia e Veriut, si dhe lidhjen e këtij korridori me portet shqiptare.
Të nderuar deputetë,
Marrëveshja që synohet të ratifikohet nuk do të shkaktojë ndryshime të termave financiare të marrëveshjes bazë, por synon vetëm shtimin e financimit të akorduar nga Banka Islamike për Zhvillim me 56.8 mln USD. Shuma totale e akorduar nga Banka Islamike për Zhvillim për këtë projekt shkon nga 125 mln USD në 181.8 mln USD.
Punimet e parashikuara nën financimin ekzistues prej 125 milion USD janë realizuar 100% dhe fizikisht ato konsistojnë në 70% të gjithë punimeve të nevojshme për realizimin e plotë të projektit të financuar nga IsDB.
Nën financimin e ri, parashikohet që punimet të përfundojnë brenda Dhjetorit të vitit 2024, ndërkohë që seksione të veçanta të cilat janë nën trafikun lokal do të jenë të shfrytëzueshme edhe më parë.
Vlerësohet që nga zbatimi i plotë i kësaj marrëveshje të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë, duke ndikuar në përmirësimin ekonomik të zonës dhe në reduktimin e vështirësive në transport.
Ndaj më lejoni të shpreh vlerësimin maksimal për mbështetjen e Mbretërinë e Arabisë Saudite, veçanërisht Fondit Saudit të Zhvillimit, pasi ndër vite ky bashkëpunim është forcuar më shumë, përmes rritjes së mëtejshme ekonomike dhe financiare midis dy vendeve.
Nga ana tjetër kjo marrëveshje përkon edhe me zhvillimin e sektorëve dhe objektivave strategjikë të qeverisë shqiptare.
Tashmë ne kemi filluar procesin e integrimit evropian, parakusht për të cilin është integrimi rajonal dhe të dy këto procese nuk mund të kenë sukses pa zhvillimin e një infrastrukture të denjë dhe të lehtë të komunikimit midis vendeve, e cila do të lehtësojë tregtinë dhe do të lehtësojë marrëdhëniet e ndërsjella, duke krijuar kushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe duke krijuar baza për të përfituar sa më shumë nga integrimi.
Qeveria shqiptare, gjithashtu ka në vëmendjen e saj dhe në planet e saj konkrete, siç e kemi biseduar shpeshherë në këtë Kuvend, uljen e nivelit të borxhit, ku çdo plan për huamarrje të re harmonizohet me gjithë elementët e tjerë për të mundësuar një rënie të nivelit të borxhit kundrejt PBB vit pas viti, deri sa të arrijmë ato nivele të parashikuara në rregullat tona fiskalë. Me kreditë që na mundësohen nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare synojmë realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore, ku pjesë e rëndësishme janë projektet në transportin rrugor, në atë hekurudhor, në infrastrukturë ujore, zhvillim urban dhe rural, energji, si dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo çfarë planifikohet në periudhë afatmesme në vitet e ardhshme do të mundësojë investime publike që përllogariten të jenë më tepër se dyfish i huamarrjes së re që planifikohet të sigurohet çdo vit, duke mundësuar kështu që jo vetëm borxhi të merret me kushte të favorshme dhe me norma të favorshme interesi, por që çdo investim i ri do të përkthehet në përfitim të ekonomisë dhe në rritje të saj.
Ndaj, për të gjitha arsyet që përmenda, në përfundim të fjalës sime dëshiroj t’ju ftoj të miratojmë këtë projektligj.
Faleminderit.