Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ky projektligj synon të forcojë miradministrimin e financave të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të ulë stokun e detyrimeve të prapambetura.
Së pari, projektligji parashikon që llogaritja e vështirësisë së gjendjes financiare të bashkive të mos bëhet më mbi bazë të planifikimit të të ardhurave, por mbi bazë të realizimit faktik të tyre.
Së dyti, përmes projektligjit propozohet një mekanizëm i ri i cili do të orientojë njësitë e vetëqverisjes vendore në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në një kohë sa më të shkurtër.
“Duke evidentuar rritjen e fondeve të trashëguara nga vit në vit, ne propozojmë që jo më pak se 30 për qind e atyre fondeve që trashëgohen dhe nuk janë të obliguara të përdoren për të paguar detyrimet e prapambetura, ose nëse nuk ka për të paguar, për nënhuatë që njësitë lokale i kanë qeverisjes qëndrore”, tha Ibrahimaj.
Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore mbetet një prioritet, pasi në thelb të tij garantohet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe i shërbimeve që u ofrohen atyre.
Ministrja Ibrahimaj theksoi faktin se reforma administrative territoriale ka rezultuar efektive mirëqeverisjen lokale dhe modernizimin e menaxhimit të financave publike vendore.
Duke iu referuar shifrave, Ministrja tha se nga viti 2015 deri në vitin 2022 të ardhurat e pushtetit vendor janë rritur me 2.5 herë; shpenzimet, ku bëjnë pjesë dhe investimet, janë rritur me rreth 72 %; dhe në total, sot ato përbëjnë 3 % të PBB-së, nga 2.4 % e PBB që përbënin përpara reformës.
Treguesit fiskalë të pushtetit vendor kanë rezultuar pozitivë edhe gjatë vitit 2022, ku pushteti vendor ka siguruar të ardhura të veta rreth 30.9 miliardë lekë në total, 5% më shumë se një vit më parë, ndërsa përfitimi në formën e transfertave ishte rreth 29.8 miliard lekë ose rreth 1.7% më shumë se një vit më parë.
Sa i përket detyrimeve të prapambetura, në vitin 2016, kur bashkitë gjendeshin në situatë financiare të vështirë, stoku i detyrimeve të prapambetura që ato kishin ishte 12.9 miliardë lekë, ndërkohë që falë masave të ndërmarra në vite, reformës së decentralizimit, por edhe ndërhyrjeve ligjore me qëllim disiplinimin e financave publike të bashkive, ai ka shkuar në 5.4 miliardë lekë në fund të vitit 2022.
Ulja e detyrimeve të prapambetura me rreth 60 %, tha Ibrahimaj, tregon për një përgjegjshmëri në menaxhimin e të ardhurave dhe mos akulimimin e detyrimeve të reja të prapambetura për pjesën më të madhe të bashkive.
Pas prezantimit të projektligjit nga Ministrja dhe diskutimeve të deputetëve, ai u miratua nga Kuvendi.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Jam sot para jush për të paraqitur një projektligj të rëndësishëm, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.68/2017 “Për financat e vetëqeverisjes vendore”. Në një kohë kur sapo kanë përfunduar zgjedhjet e 14 majti dhe ne arritëm të fitojmë pjesën më të madhe të bashkive, ne vijojmë të paraqesim projektligje që synojnë miradministrimin e financave vendore.
Decentralizimi dhe fuqizimi i qeverisjes vendore mbetet një prioritet i yni pasi në thelb të tij garantohet përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe i shërbimeve që u ofrohen atyre.
Ecuria e treguesve fiskalë të pushtetit vendor gjatë vitit 2022 ka rezultuar pozitive si në mbledhjen e të ardhurave ashtu edhe në realizimit të shpenzimeve të financuara nga këto të ardhura. Pushteti vendor ka siguruar të ardhura të veta rreth 30.9 miliardë lekë në total, shifër kjo 5% më e lartë se një vit më parë. Ndërsa, sa i përket përfitimit në formën e transfertave në vitin 2022 ishte rreth 29.8 miliard lekë ose rreth 1.7% më shumë se një vit më parë.
Më konkretisht, duke iu referuar periudhës së para reformës së decentralizimit, nga viti 2015 e deri në vitin 2022, por edhe ato të ardhura të planifikuara për vitin 2023, të ardhurat janë rritur me rreth 2.5 herë ndërkohë që shpenzimet, ku bëjnë pjesë dhe investimet, janë rritur me rreth 72 %. Në total, nga 2.4 % e Produktit të Brendshëm Bruto që përbënin të ardhurat përpara reformës, sot ato përbëjnë 3 % të PBB-së.
Sot edhe struktura e shpenzimeve të bashkive ka shënuar një ndryshim cilësor, duke ju dhënë më shumë peshë shpenzimeve për shërbime dhe investime publike sesa atyre për shpenzime operative, kryesisht për paga të administratës.
Nëse 10 vite më parë rreth 40% e bashkive shpenzonin më shumë se 90 % e të ardhurave të tyre për pagat sot kjo shifër në mestarë është 34 %.
Sot ne kemi arritur të rrisim disiplinën financiare. Bashkitë sot arrijnë të sigurojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të buxhetit nga burimet e tyre. Kështu, Bashkia Tiranë siguron rreth 70% të buxhetit nga të ardhurat e veta, ndërkohë që bashkitë e qendrës sigurojnë rreth 50-60% të buxhetit, ndërsa bashkitë e vogla sigurojnë 30% të buxhetit.
Në vitin 2016, kur bashkitë gjendeshin në situatë financiare të vështirë, stoku i detyrimeve të prapambetura që ato kishin në atë kohë ishte 12.9 miliardë lekë, ndërkohë që me gjithë masat e ndërmarra në vite, si pasojë e reformës së decentralizimit, por edhe si pasojë e ndërhyrjeve të shpeshta ligjore që ne kemi bërë me qëllim disiplinimin e financave publike të bashkive, stoku i detyrimeve të prapambetura ka shkuar në 5.4 miliardë lekë në fund të vitit 2022. Pra, detyrimet e prapambetura janë ulur rreth 60 përqind që tregon për një përgjegjshmëri në menaxhimin e të ardhurave dhe mos akulimimin e detyrimeve të reja të prapambetura për pjesën më të madhe të bashkive.
Këtu dua të theksoj se stoku i vitit 2016 prej 12.9 miliardë lekësh ishte një stok i akumuluar nga detyrimet e prapambetura të ish komunave, pra nuk ishte një stok i akumuluar nga bashkitë dhe bashkitë kishin detyrim të zeronin një detyrim që nuk vinte nga keqmenaxhimi i tyre, por nga keqmenaxhimi i strukturës administrative të mëparshme, pra të para reformës territoriale.
Objektivi ynë primar është që të arrijmë mirëqeverisjen vendore. Natyrisht që në këtë përpjekje, bashkëpunimi mes qeverisjes qëndrore dhe qeverisjes vendore është kyç.
Për këtë qëllim, për herë të parë në ligjin e buxhetit të vitit 2018 ne vendosëm një klauzolë, e cila i jepte të drejtë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet fiskal, që të ndërhynte kur shikonte disbalancime, pa cënuar autonominë dhe autonomia lokale të mos cënonte ecurinë dhe unitetin ekonomik të vendit. Pra balancimi midis shpenzimeve korrente dhe shpenzimeve kapitale, pra me investimet, me ato shpenzime që shkojnë në shërbim të qytetarëve.
Për këtë, ne kemi marrë në konsideratë dhe kemi ndjekur me rigorozitet parimet e Kartës Europiane të Autonomisë, të cilat na kanë ndihmuar të forcojmë rolin financiar të pushtetit vendor.
Me anë të reformës administrativo-territoriale ne kemi synuar mirëqeverisjen. Reformimi dhe modernizimi i menaxhimit të financave publike vendore mori një dimension të ri zhvillimi pas miratimit dhe fillimit të zbatimit të reformës.
Shifrat janë të qarta:
- të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore janë dy herë më të larta.
- investimet vendore nga të ardhurat e pushtetit vendor janë 3 herë më të larta.
- rritja e efiçiencës ka sjellë më shumë cilësi në ofrimin e shërbimeve ndaj publikut
- është ulur pabarazia midis njësive të vetëqeverisjes vendore.
- burimet financiare në dispozicion, kryesisht nëpërmjet transfertave, janë rritur.
Pjesë e kësaj reforme ishte dhe ligji “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, i cili u miratua në vitin 2017, i cili synonte disiplinimin financiar të bashkive. Një gjë e tillë është reflektuar edhe tek transparenca dhe llogaridhënia, që kanë sjellë rritje të përgjegjshmërisë së njësive vendore në ushtrimit të funksioneve mbi bazën e karakteristikave të secilës prej tyre. Pra, ne sot flasim për një standard sipas nevojave dhe profileve të njësive vendore.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë masa të rëndësishme për mbështetjen e reformave decentralizuese, duke kontribuar direkt në autonominë financiare të qeverisjes vendore, nëpërmjet konsolidimit të kuadrit ligjor të menaxhimit financiar në nivel vendor. Sikundër theksova më lart, ligji për financat e vetëqeverisjes vendore, i miratuar në prill të vitit 2017, ka rritur ndjeshëm autonominë fiskale të njësive të vetëqeverisjes vendore. Megjithatë, unë do të dëshiroja ta vija theksin në disa drejtime, si vijon:
- Detyrimet e prapambetura janë një ndër risqet potenciale fiskale dhe rritja e nivelit të tyre mund të shoqërohet me probleme likuiditeti për njësitë vendore, ndaj ne synojmë që përmes këtij projektligji të nxisim shlyerjen e këtyre detyrimeve. Dua të theksoj se ka disa bashki që kanë performuar shumë mirë dhe kanë pasur në fund të vitit 2022 një stok detyrimesh të prapambetura më të vogël se 5 %, si bashkia e Tiranës, Korçës, Elbasanit, etj.
- Gjatë këtyre viteve, nga disa njësi të vetëqeverisjes vendore janë evidentuar parashikime tejet optimiste për rritjen e të ardhurave, gjë e cila potencialisht sjell pasoja në simulimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura. Duke planifikuar më shumë të ardhura, sigurisht planifikohen më shumë shpenzime dhe investime, dhe rritet potenciali i detyrimeve të prapambetura kur të ardhurat nuk realizohen.
Nëpërmjet aktit që ne kemi sjellë për miratim, ne propozojmë që llogaritja e vështirësisë së gjendjes financiare të bashkive të mos bëhet më mbi bazë të planifikimit të të ardhurave, por të të bëhet në bazë të realizimit faktik të tyre.
Në këtë këndvështrim, ne kemi analizuar me kujdes faktorët dhe aktorët që kanë ndikuar në realizimin ose mosrealizimin e treguesve kryesorë financiarë dhe buxhetorë në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi për herë të parë në vitin 2021, raportin mbi gjendjen financiare të bashkive, i cili do të jetë një raport me bazë vjetore me qëllimin për të analizuar sa më mirë situatën e bashkive dhe për të evidentuar problematikat që ato kanë në lidhje me mirë menaxhimin financiar.
Në këtë frymë, në vijim të publikimit të raportit, MFE, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, çdo vit bashkëharton një plan veprimi për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Edhe pse kemi vënë re përmirësime në këtë drejtim dhe shifrat tregojnë qartësisht përmirësimin e eficencës dhe mirëmenaxhimit, ne mendojmë që ka ende hapësirë për përmirësim.
Përveç këtij mekanizimi, pra një plani të detajuar ku bashkëveprojmë me njësitë vendore në mënyrë që detyrimet e prapambetura të ulen, ne kemi menduar krijimin e një mekanizmi i cili do të orientojë njësitë e vetëqeverisjes vendore drejt shlyerjes së këtyre detyrimeve në një kohë akoma më të shkurtër.
Duke evidentuar rritjen e fondeve të trashëguara nga vit në vit, ne propozojmë që jo më pak se 30 përqind e atyre fondeve që trashëgohen dhe nuk janë të obliguara të përdoren për të paguar detyrimet e prapambetura, ose nëse nuk ka për të paguar, për nënhuatë që njësitë lokale i kanë qeverisjes qëndrore.
Ky përcaktim “jo më pak se 30 përqind e tyre” vendos një nivel dysheme të përdorimit për këtë qëllim, por nuk e kufizon atë. Pra, bashkitë janë të lira të përdorin më shumë se 30 % të fondeve që trashëgojnë dhe nuk janë të obliguara.
Për këto arsye që ju parashtrova më sipër, ne morëm iniciativën ligjore që stoku i borxhit të matet me buxhetin faktik të vitit dhe jo planin, në mënyrë që mos lejojmë akumulime të shpenzimeve të parashikuara dhe papaguara gjatë vitit, e gjithashtu të vëmë një limit për trashëgimin e fondeve, me qëllim disiplinimin e përdorimit të fondeve publike dhe nxitjen e bashkive që fondet që janë të planifikuara për atë vit të disbursohen brenda atij viti.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar që financat e pushtetit vendor, si pjesë e objektivave të konsolidimit të financave publike, t’i zhvillojë dhe modernizojë duke shfrytëzuar eksperiencat dhe praktikat më të mira të vendeve të tjera. Sigurisht, jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shumë punë për të bërë në drejtim të rritjes së autonomisë financiare dhe fiskale të pushtetit vendor, dhe projektligji që sot ju paraqesim shkon në këtë drejtim dhe të rritjes së eficencës së përdorimit të fondeve publike.
Ndaj ju ftoj ta miratoni.
Faleminderit.