Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.ll4, datë 22.10.2015, “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”.
Projektligji u prezantua para deputetëve nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila në fjalën e saj vlerësoi rëndësinë e rolit të auditimit të brendshëm sa i përket Reformave për Menaxhimin e Financave Publike.
Ministrja theksoi faktin se ndryshimet ligjore janë ndërmarrë në kuadër të përmbushjes së detyrimeve sa i përket procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përmbushjes së standardeve ndërkombëtare të auditimit të brendshëm.
Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj renditi disa prej synimeve të ndryshimeve ligjore, si:
Garantimi i efektivitetit të auditimit të brendshëm me një qasje të bazuar në risk në të gjithë njësitë e sektorit publik;
– Garantimi i zbatimit të plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit, të pranuara në kryerjen e veprimtarisë audituese;
– Qartësimi dhe harmonizimi i kuadrit ligjor dhe metodologjik për auditimin e brendshëm, në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare të profesionit;
– Krijimi, mbajtja dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të audituesve të brendshëm, nëpërmjet një sistemi të qëndrueshëm të certifikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm profesional të stafit audites;
– Garantimi i mirëadministrimit të financave publike nëpërmjet forcimit të rolit të auditimit të brendshëm.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar znj. Kryetare,
Të nderuar Deputetë,
Reformat qeveritare drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian janë tashmë një realitet, duke shënuar një progres të rëndësishëm në rrugën pa kthim të anëtarësimit. Ne jemi të ndërgjegjshëm që kjo kërkon angazhim pa kushte në përmbushjen e shumë detyrave për të ruajtur një përgjegjshmëri të lartë në qeverisje.
Kuadri i përgjithshëm i Acquiss communaitare, në Kapitullin 32 lidhet me miratimin e kornizave dhe standardeve të njohura ndërkombëtarisht, si dhe me praktikën e mirë të BE-së, për kontrollin e brendshëm financiar publik (PIFC), bazuar në parimin e llogaridhënies së decentralizuar menaxheriale.
Funksioni i auditimit të brendshëm në vitet e fundit ka evoluar për të marrë një pamje më gjithëpërfshirëse të implikimeve ekonomike dhe sociale të programeve të qeverisë dhe për këtë arsye ka pasur një interes të shtuar nga aktorët kombëtarë e ndërkombëtarë.
Adutimi i brendshëm synon të rrisë performancën e njësisë publike dhe përmirësimin e efektivitetit të proceseve të menaxhimit të rrezikut, kontrollit dhe qeverisjes së organizatës.
Ky këndvështrim i gjerë i rolit të Auditimit të Brendshëm, sigurisht që e vendosë atë në fokus si një element të rëndësishëm të Reformave për Menaxhimin e Financave Publike.
Gjatë vitit 2020-2021, SIGMA/OECD realizoi një analizë të mangësive të kuadrit ligjor dhe metodologjik të auditimit të brendshëm në Shqipëri, ku përfundimet treguan se megjithëse kuadri ligjor konsiderohet të jetë përgjithësisht në përputhje me kërkesat e standardeve ndërkombëtare të auditimit të brendshëm, ende ekzistonin disa pjesë të këtij kuadri, kryesisht në Ligjin për auditimin e brendshëm në sektorin publik, të cilat nuk gjenin zbatim të plotë në praktikën e veprimtarisë audituese të njësive publike.
Ndër problematikat kryesore të vërejtura përfshihej krijimi i njësive të auditimit të brendshëm jo sipas kritereve të përcaktuara në kuadrin ligjor dhe se shërbimi i auditimit të brendshëm nuk mbulonte të gjitha njësitë e sektorit publik.
Në mënyrë të përmbledhur, pritshmëritë e propozimeve janë:
– Garantimi i efektivitetit të auditimit të brendshëm me një qasje të bazuar në risk në të gjithë njësitë e sektorit publik;
– Garantimi i zbatimit të plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit, të pranuara në kryerjen e veprimtarisë audituese;
– Qartësimi dhe harmonizimi i kuadrit ligjor dhe metodologjik për auditimin e brendshëm, në përputhje me zhvillimet ndërkombëtare të profesionit;
– Krijimi, mbajtja dhe zhvillimi i kapaciteteve profesionale të audituesve të brendshëm, nëpërmjet një sistemi të qëndrueshëm të certifikimit dhe trajnimit të vazhdueshëm profesional të stafit audites;
– Garantimi i mirëadministrimit të financave publike nëpërmjet forcimit të rolit të auditimit të brendshëm.
Përsa më sipër, Ju ftoj ta miratoni këtë projektligj.
Faleminderit.