Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit 2022, Ibrahimaj: Ndihmuam 1 milionë shqiptarë me paketën prej 8 miliardë lekësh - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kuvendi miraton rishikimin e buxhetit 2022, Ibrahimaj: Ndihmuam 1 milionë shqiptarë me paketën prej 8 miliardë lekësh

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancë plenare Aktin Normativ të rishikimit të fundit të buxhetit të vitit 2022.

Në fjalën e saj para deputetëve, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, theksoi faktin se rishikimi i buxhetit në ditët e fundit të vitit që sapo kaloi i erdhi në ndihmë rreth 1 milionë qytetarëve shqiptarë, duke ofruar një paketë ndihme prej 8 miliardë lekësh për të lehtësuar familjet shqiptare nga efektet e rritjes së çmimeve.

“Objektivi kryesor i këtij Akti është të reduktojmë në maksimumin e mundshëm efektet e inflacionit mbi konsumin bazë, duke mbështetur ata që janë më në nevojë, pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe punonjësit e administratës”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, Ministrja theksoi faktin se Akti Normativ vjen në mbështetje të të githë nismave që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe shkon në mbështetje të përballimit të krizës së inflacionit.

Akti Normativ NR.19 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2021 “Për buxhetin e vitit 2022, i ndryshuar”

Rishikimi i fundit i buxhetit për vitin 2022, të cilin Qeveria e miratoi në datën 29 Dhjetor pati në fokus akordimin e të ashtuquajturës “Pakoja e Madhe”, e cila konsistonte në mbështetjen financiare të menjëhershme për:

  • 695 mijë pensionistë me një kosto totale në buxhet prej 5.6 miliardë lekësh;
  • 135 mijë individë të grupeve në nevojë me një kosto totale në buxhet prej 1.1 miliardë lekësh;
  • si dhe për rreth 107 mijë punonjës të administratës shtetërore me një kosto totale në buxhet prej 1.1 miliardë lekësh, ku më konkretisht janë mbështetur me shpërblime në masën 10 mijë dhe 20 mijë lekë sipas nivelit të pagës së përcaktuar, kategoritë e mëposhtme:
  • 15,603           Policë
  • 36,738           Arsimtarë
  • 7,731             Ushtarakë
  • 19,678           Punonjës të Shëndetësisë
  • 26,598           Punonjës të administratës
  • 1,181             Zjarrfikës

Qysh në krye të herës, me nisjen e kësaj krize, qeveria u angazhua se nuk do të linte askënd pa mbështetje, ndaj edhe përmes këtij Akti Normativ vendosi shpërblime që variojnë nga 8,000 lekë deri në 20,000 mijë lekë sipas kategorive të veçanta të përfituesve. Duke mos lënë jashtë vëmendjes askënd, mbështetja totale për popullatën gjatë vitit 2022 ka qenë afro 51 miliardë lekë.

Në terma konkretë, ky Akt siguroi:

  • Akordimin e një financimi total prej rreth 7.8 miliardë lekë në zërin ‘Fondi Rezervë’, në mbështetje të politikave sociale për disa kategori më vulnerabël. Fond i akorduar për përballimin e efekteve negative si pasojë e inflacionit të luftës, të cilat janë ndjerë jo pak tek qytetarët përgjatë vitit të vështirë 2022.
  • Reflektimin në kahun e të ardhurave të një rritje në masën rreth 1.5mld lekë, si rezultat i performancës së kënaqshme të derdhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore.
  • Ruajtjen e pandryshuar të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

 

Ne kemi tre mjete specifike në dispozicion për të luftuar dhe reduktuar inflacionin dhe po i përdorim të gjitha. Politika monetare e pavarur, përgjegjësia fiskale dhe politika aktive në krahun e ofertës, (pra politika aktive për të fuqëzuar ofertën dhe për të zbutur goditjen në ofertë).

Së pari, mjeti ynë kryesor është një politikë monetare e fortë dhe e pavarur dhe për vite inflacioni ka qenë i stabilizuar. Edhe tani, politika monetare ka hyrë drejt një cikli normalizimi duke patur një normë bazë të interesit në nivelin 2.75%. Ky aksion i politikës sonë monetare ishte i ngjashëm me atë të të gjithë bankave të tjera qendrore, anembanë globit. Ai u motivua nga goditja e fortë dhe e paprecedentë e çmimeve në tregun e huaj. Normalizimi i deritanishëm i qëndrimit të politikës monetare ka kontribuar në zbutjen e presioneve inflacioniste. Dhe unë e di që Guvernatori dhe ekipi i tij do të ndërmarrin veprime vendimtare për të rikthyer inflacionin në objektiv dhe për të siguruar që pritjet e inflacionit të mbeten të ankoruara fort.

Së dyti, ne kemi nevojë për një politikë fiskale të përgjegjshme. Kjo do të thotë ofrimi i mbështetjes fiskale aty ku kërkohet, duke qenë të kujdesshëm dhe me mënyrën e huamarrjes së qeverisë, në mënyrë që të mos e përkeqësojmë situatën në mënyrë të panevojshme, duke siguruar që inflacioni, interesi dhe normat e kredisë të mos rriten më tej sesa do të rriteshin në kushte normale.

Shtimi i tepërt i stimulit fiskal në një ekonomi me kufizime të ofertës, rrezikon të mos jetë produktive dhe të rrisë presionet inflacioniste. Ndaj kemi vijuar drejt konsolidimit, duke dhënë mbështetje fiskale të targetuar për grupet më vulnerabël. Me fjalë të tjera, mbështetja fiskale duhet të jetë në kohë, e synuar dhe e përkohshme.

Në kohën e duhur, sepse ne duhet t’u qëndrojmë pranë qytetarëve në kohra të vështira si këto që po kalojmë. E synuar, sepse stimuli i pakufizuar do ta përkeqësojë situatën. Dhe e përkohshme, sepse nëse nuk i përmbushim rregullat tona fiskalë dhe destabilizojmë financat publike, në një afat më të gjatë, ne krijojmë rreziqe edhe më të mëdha mbi inflacionin, normat e interesit dhe normën e trendit të rritjes ekonomike.

Dhe së treti, ne po ndërmarrim politika aktive, të cilat do të rrisin kapacitetin tonë prodhues, do të lehtësojnë presionet inflacioniste dhe do të rrisin potencialin tonë afatgjatë të rritjes. Kemi subvencionuar në masë të madhe energjinë, si për konsumatorët, edhe për bizneset e vogla, duke siguruar që mbështetja të jetë sa më e madhe dhe të zbusim sa më shumë pasojat e krizës energjetike dhe inflacioniste. Në të njëjtën kohë, kemi vijuar të jemi aktivë edhe me politika adekuate në tregun e punës për të zbutur goditjen e ofertës edhe në këtë treg, duke synuar rritjen e pjesëmarrjes së popullatës në forcat e punës, dhe veçanërisht grave, që ndikojnë në rritjen e punësimit dhe atë të produktivitetit.

Sa më sipër tregon se, ne nuk e konsiderojmë inflacionin si diçka abstrakte që vetëm mund ta perceptojmë, por si një zhvillim konkret, në përballje me të cilin ne kemi dëshmuar se i kemi kapacitetet për ta luftuar dhe reduktuar na maksimumin e mundshëm. Unë e deklaroj këtë në emër të të gjithë ekipit tim dhe ekspertizës së vyer që struktura e Ministrisë së Financave ka krijuar ndër vite.

Në këndvështrimin makroekonomik, ekonomia jonë është përshtatur dhe ka performuar relativisht mirë përgjatë vitit 2022, gjatë të cilit ekonomia shqiptare shfaqi shenja inkurajuese, duke treguar një stabilizim të aktivitetit ekonomik.

Produkti i Brendshëm Bruto për 9-mujorin e vitit 2022 ka shënuar rritje prej 4.2 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky rikuperim mbështetet në një gamë të gjerë faktorësh dhe është i pranishëm në thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimi i ekonomive partnere si dhe politikat mbështetëse fiskale e monetare kanë sjellë rritje të konsumit të familjeve, të investimeve publike e private, si dhe të eksporteve.

Nga këto zhvillime kanë përfituar si sektori prodhues, edhe ai i shërbimeve, duke ofruar rimëkëmbje për biznesin dhe punësimin dhe duke krijuar premisa të mira për perspektivën afat-mesme.

Inflacioni ka reflektuar goditjen e fundit të ofertës së jashtme, duke u kthyer në një nga çështjet kryesore makroekonomike për ekonominë tonë, sikundër ka ndodhur dhe në shumë vende të tjera të botës. Inflacioni në muajin dhjetor arriti në nivelin 7.4 përqind, ndjeshëm më i ulët se sa në vendet e rajonit, apo se sa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.

Konsolidimi fiskal vijon të jetë objektivi themelor i politikës fiskale, në funksion të drejtpërdrejtë të sigurimit të stabilitetit makroekonomik të vendit, si një premisë thelbësore për sigurimin e një rritje ekonomike të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse.

Defiçiti buxhetor për vitin 2023 planifikohet të jetë në nivelin 2.6 përqind të PBB-së, nga rreth 3.2 përqind i pritshëm për vitin 2022. Tendenca konsoliduese e politikave fiskale të ndjekura nga qeveria shqiptare duket ndjeshëm në treguesin e borxhit publik, i cili ka ardhur në reduktim. Ne presim që deri në fund të vitit 2022, niveli i borxhit të llogaritet në nivelin 68.8 përqind dhe të vijojë të reduktohet në periudhat në vijim, në përputhje edhe me rregullat fiskalë në Ligjin Organik të Buxhetit.

Në të njëjtën kohë, krahas konsolidimit fiskal, ne do synojmë që të ruajmë një raport të shëndetshëm të shpenzimeve buxhetore korrente dhe kapitale, ku shpenzimet kapitale (pra, investimet publike) do synohet të jenë rreth 5 përqind e PBB-së, në çdo vit buxhetor.

Ndërkohë që përpunimi dhe finalizimi i të dhënave të fundit të vitit 2022 është ende në proces, referuar të dhënave të 9-mujorit, vlen të përmendim që borxhi publik është në nivelin prej 1.3 miliardë Lekë apo 67.7 përqind e PBB-së.

Ky rishikim i fundit i ligjit të buxhetit 2022 siguron ruajtjen e parametrave kryesore makroekonomikëdeficitit dhe borxhit publik. Ndryshimet kryesore janë në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, të cilat në terma NETO rriten me +1.5 miliardë lekë respektivisht.

Konkretisht, Akti Normativ që sjellim para jush reflekton rritjen e të ardhurave tatimore me rreth 1.5 miliardë lekë, të cilat arrijnë nivelin 583.3 miliardë lekë, afro 46.5 miliardë lekë më shumë nga buxheti fillestar i planifikuar, si rezultat i performancës pozitive të të të hyrave në buxhetin e shtetit dhe vlerësimeve në lidhje me të ardhurat e pritshme për mbylljen e vitit 2022. Ndërkohë, nga dy mbështetjet e siguruara gjatë muajit dhjetor, të ardhurat u rritën 6.5 miliardë lekë.

Përsa i përket të ardhurave nga tatimet dhe doganat, vlen të theksohet se, për 11-mujorin 2022, rezulton të kemi një tejkalim të të ardhurave tatimore dhe doganore, veçanërisht në zërat “kontribute të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”, ku tejkalimi është në masën 8.8 miliardë lekë më shumë se plani 11-mujor 2022, dhe 10.7 miliardë lekë ose 11 përqind më shumë krahasuar me 11-mujorin e vitit 2021.

Në kahun e shpenzimeve, ndryshimet thelbësore konsistojnë në rritjen në terma NETO me +1.5 miliardë lekë të shpenzimeve të përgjithshme, të cilat arrijnë nivelin 667.2 miliardë lekë. Kjo vlerë është përftuar përmes shkurtimeve në zërat që kanë shënuar mosrealizim në nivel 11-mujor, të cilat mundësuan akomodimin e një fondi prej rreth 7.8 miliardë lekë, me qëllim mbështetjen financiare të menjëhershme për disa shtresa të shoqërisë dhe konkretisht:

  • Ndihmë e menjëhershme në masën 8.000 lekë për çdo pensionist, me një efekt total prej rreth 5.6 miliardë lekë;
  • Ndihmë e menjëhershme në masën 8.000 lekë, për çdo përfitues të skemave të Ndihmës Ekonomike dhe Aftësisë së Kufizuar, me një efekt total prej rreth 1.1 miliardë lekë;
  • Ndihmë e menjëhershme në masë të diferencuar për të gjithë punonjësit buxhetorë, përfshirë mjekë/infermierë/arsimtarë/policë/zjarrfikës etj., me efekt total prej rreth 1.1 miliardë lekë.

Ndryshimet e propozuara nuk prekin deficitin buxhetor. Ai mbetet i pandryshuar falë ecurisë pozitive të të ardhurave buxhetore për 11- mujorin dhe pritshmërisë gjithashtu pozitive për realizimin e tyre në nivel vjetor përmbyllës për vitin 2022. Kjo ka garantuar mbulimin e plotë të të gjitha nevojave për financim në kahun e shpenzimeve të akomoduara përmes këtij akti normativ, dhe njëkohësisht sigurimin e qëndrueshmërisë së parametrave kyç makro-fiskalë të vitit 2022.

Përmes këtij Akti Normativ ndihmohen familjet e mbi 1 milionë shqiptarëve me lehtësim të kostos së jetesës. Shuma prej rreth 8 miliardë lekësh në ndihmë të tyre nuk e ka rritur më tej barrën tonë të borxhit, dhe as nuk e prek deficitin buxhetor. Njëkohësisht, ne e dimë mirë se kaq nuk mjafton dhe do të kishim dashur të bënim edhe më shumë, qoftë edhe për ato grupe dhe shtresa të tjera, për të cilat kanë ngritur zërin dhe kanë shprehur kriticizmin e tyre jo vetëm deputetë të opozitës, por me të drejtë edhe disa nga deputetët tanë të shumicës.

Ashtu si në çdo politikë që ndiqet, edhe për këtë Akt Normativ, pritshmëritë janë më të mëdha. Ndërsa është e pamundur për çdo qeveri që të zgjidhë çdo problem, ne mund dhe do ta lehtësojmë barrën ndërsa ndihmojmë të gjithë vendin të kalojë më të keqen e kësaj krize. Ne po përmbushim përgjegjësinë tonë për t’u ofruar sa më shumë ndihmë atyre me të ardhurat më të ulëta.

Previous “Supershkollat e Shqipërisë”, nis cikli i dytë i shkëmbimit të nxënësve dhe mësuesve për 17 shkolla me vende të Ballkanit Perëndimor