Laboratori i Inxhinierisë Kimike në Fakultetin Shkencave të Natyrës, në
Tiranë, është infrastruktura më re elitare e kërkimit shkencor, e para e këtij lloji
në vendin tonë, e cila çeli dyert sot për studentët shqiptarë dhe jo vetëm.
Laboratori, u financua nga programi kombëtar i infrastrukturës së
kërkimit shkencor, ne kuadrin e “Paktit për Universitetin” dhe do të shërbejë
si qendër ekselence e shkencave inxhinierike për universitetet e
vendit dhe ato të rajonit.
Kështu në kuadrin e bashkëpunimit rajonal të Vendeve të Ballkanit
Perëndimor ne fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor, kjo infrastrukture e
kërkimit shkencor mund të shërbejë si një laborator rajonal, ku kërkues
shkencore, studentë e pedagoge nga vendet e rajonit do të punojnë së
bashku dhe do të shkëmbejnë eksperiencat, njohuritë dhe praktikat në këtë
fushë.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Laboratorin e Ri së bashku me Ministren e
Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila theksoi se falë këtij investimi është
ngritur një laborator unik në Shqipëri, madje edhe në rajon. “Në
këtë fakultet me buxhet të qeverisë shqiptare është financuar një laborator i
kërkimit shkencor për inxhinierinë kimike me vlerë 380 mijë euro. Është
laborator unik në Shqipëri, madje dhe në rajon. Përpara këtij investimi,
laboratori i vjetër ishte investim i viteve 70-të. Kjo qendër mund të shërbejë
si një qendër ekselence për gjithë rajonin. Në kuadër të ndërkombëtarizimit ky
laborator mund t’ju shërbejë shumë. Nuk
duhet të harrojmë se sapo kemi miratuar tre programe doktorature për Fakultetin
e Shkencave të Natyrës dhe ky laborator është kyç për punën e doktorantëve. Avantazhi
këtu është që punojnë në këtë laborator 25-30 studentë njëherësh ndërkohë që më
parë punonin 4-5.” – u shpreh Ministrja Kushi.
Me ngritjen e këtij laboratori është
mundësuar infrastruktura e nevojshme didaktike e kërkimit shkencor, ku 25
studentë mund të punojnë njekohësisht për formimin profesional të tyre në degët
e kimisë industriale, ushqimore, bioteknologjike dhe inxhinierisë së proceseve
kimike. “Laboratori është i pajisur me të gjitha aparaturat moderne, sot të
sofistikuara, të kompjuterizuara të gjitha; punohet me supervizim te
programeve, të marrjes së të dhënave ne kohë reale. Pajisjet janë imitacione të
impianteve industriale, punojnë realisht në kushte industriale. Secili nga
studentet mund të punojë me të gjitha pajisjet këtu dhe mundet të gjenerojë
sisteme te automatizuara të grafikeve, te përpunimit të parametrave që
kontrollojnë proceset e prodhimit.” – shpjegoi një nga profesorët e fakultetit.
Rektori i Universitetit të Tiranës zoti
Artan Hoxha u shpreh se në këtë fakultet japin kontributin e tyre edhe profesorë nga vendet e Europës Perëndimore “Sot aktualisht ne
kemi rreth 15 profesorë nga institucione të tjera të arsimit të lartë nga
vendet e Evropës Perëndimore, në kuadrin e marrëveshjeve bilaterale që i
kemi me ta dhe që sot japin mësim në universitetin e Tiranës në shumë programe. Fakulteti i Shkencave të Natyrës është një fakultet lider në
kërkimin shkencor.”
Duke vlerësuar punën e bërë në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se
laboratori duhet të vihet në funksion të gjenerimit të të ardhurave për
universitetin për t’i shërbyer institucioneve të tjera.
“Ky laborator duhet të vihet edhe në
shërbim të gjenerimit të të ardhurave për fakultetin për t’i shërbyer
institucioneve të tjera, domethënë dhe ne, gjeja që ne kemi parashikuar të
paktën për universitetet dhe na takon nga ana jonë ta bëjmë, është në gamën e
shërbimeve që ofroni, duhet të bëni një manual për shërbimet që Fakulteti
i Shkencave i jep sektorit publik apo sektorit privat.” – u shpreh
kryeministri.
Perveç vlerës didaktike, laboratori ka
edhe vlera praktike në ofrimin e shërbimeve. Ky laborator do të
mundësojë certifikimin e testeve që do t’i shërbejnë industrisë së rëndë, asaj
petrokimike, të energjive të rinovueshme, industrisë ushqimore etj.