Nga sot të gjithë fermerët që kanë një nipt apo grupe fermerësh mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e investimeve në bujqësi.
Lajmin e mirë e ka dhënë Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila nëpërmjet një video të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, iu ka bërë ftesë të gjithë fermerëve të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë.
Fjala e ministres Anila Denaj
Kam kënaqësinë të njoftoj sot hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një nismë e qeverisë shqiptare, e cila synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.
Kemi mundësuar një fond prej 1.5 mld lekësh në formën e një granti prej 50% për investimet kryesore në veçanti në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.
Të gjithë fermerët, të cilët kanë një nipt fermeri, shoqëritë tregtare, të cilat janë të angazhuara në këtë sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor janë të lutur, që duke filluar që nga dita e sotme të bëjnë aplikimet e tyre.
Skema do të jetë përgjatë 5 javëve e hapur për të gjithë përfituesit nga veriu në jug nga lindja në perëndim dhe për këtë ne do të nisim një komunikim të drejtëpërdrejt intensiv në 12 qarqet e vendit.
Ndërkohë, pikat agro janë aty për të dhënë të gjitha shpjegimet e duhura për të gjithë pyetjet e fermerëve, të cilët jam e bindur, që janë duke e pritur këtë Skemë Kombëtare, pasi kemi diskutuar dhe punuar së bashku përgjatë gjithë vitit.
Është një Skemë Kombëtare, që vijon skemën e fillimit të vitit, të subvencioneve të drejtëpërdrejta dhe kështu kompleton një cikël të mbështjetjes financiare, që Qeveria Shqiptare ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, i cili jo vetëm angazhon një numër të konisderueshëm punonjësish, por mbi të gjitha është një motorr i zhvillimit të ekonomisë tuaj familjare, ekonomisë së përgjithshme shqiptare dhe na bën krenar sot në 80 tregje elitare.
Jemi këtu për çdo pyetje tuajën dhe le t’a kemi këtë fillim skeme të mbarë, duke nisur nga sot.
Punë të mbarë dhe faleminderit të gjithëve!