Lamallari dhe Ibrahimaj nisin konsultimet për Kodin e ri Penal me fokus te ekonomia dhe sipërmarrja

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, zhvilluan një tryezë konsultimi me përfaqësues të shoqatave të biznesit për draftin e Kodit të ri Penal, i cili synon të forcojë kuadrin ligjor edhe në fushën e ekonomisë dhe sipërmarrjes.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, tha se synimi është hartimi i një Kodi Penal afatgjatë dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, që adreson zhvillimet e reja në ekonomi dhe krimin ekonomik. Ai theksoi se procesi do të jetë gjithëpërfshirës, nëpërmjet pjesëmarrjes së të gjitha grupeve të interesit në përgatitjen e draftit përfundimtar.

Lamallari vuri në dukje se kriminaliteti ekonomik është sofistikuar vitet e fundit, përfshirë evazionin fiskal, kontrabandën, abuzimet në tregun financiar, përdorimin e kriptomonedhave dhe pastrimin e parave. Ai shtoi se dalja e Shqipërisë nga lista gri e “Moneyval” krijon një standard të ri që duhet të konsolidohet më tej për të dëshmuar përgatitjen e vendit ndaj proceseve integruese.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u ndal te dispozitat që prekin drejtpërdrejt mjedisin e biznesit, duke përfshirë tatimet, doganat, konkurrencën, abuzimin me pozicionin e monopolit, marrëdhëniet e punës, procedurat e falimentit dhe parandalimin e pastrimit të parave. Ajo theksoi se synimi është rritja e qartësisë ligjore, reduktimi i hapësirave për interpretim dhe përafrimi me direktivat e BE-së.

Konsultimet publike për Kodin e ri Penal do të vijojnë në javët dhe muajt e ardhshëm me përfshirjen e sektorëve dhe aktorëve të tjerë. Objektivi është miratimi i një Kodi Penal modern, të harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe të përshtatur me realitetin ekonomik dhe shoqëror të vendit, përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.