Lamallari: Rishikim i plotë i kuadrit ligjor penal në bashkëpunim me ndërkombëtarët

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, njoftoi nisjen e një rishikimi të thellë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, si pjesë e reformimit të politikës penale dhe përmbushjes së standardeve evropiane, gjatë mbledhjes së zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Sipas tij, procesi përfshin rishikimin e plotë të kuadrit penal material dhe procedural, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë nga Italia, Franca dhe Holanda, duke marrë në konsideratë edhe komentet e ekspertëve të Këshillit të Evropës. Ndryshimet synojnë përmirësimin dhe qartësimin e dispozitave ekzistuese, si dhe ndërtimin e një qasjeje të re në politikën penale, në funksion të objektivit “Shqipëria 2030” dhe ruajtjes së koherencës mes legjislacionit penal dhe atij procedural.

Lamallari theksoi se paralelisht po punohet edhe për ligjin për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale, i cili përfshin 23 akte ligjore dhe konsiderohet kyç për përmbylljen e kapitujve 23 dhe 24 në procesin e integrimit evropian.

Në fokus janë edhe ligjet që forcojnë garancitë procedurale për qytetarët, përfshirë ndihmën juridike falas të garantuar nga shteti dhe akte të tjera me natyrë administrative që ndikojnë në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ministri rikujtoi se është hartuar edhe një masterplan për ndërtimin dhe rinovimin e godinave të institucioneve të drejtësisë, i cili do të financohet nga buxheti i shtetit dhe po koordinohet me institucionet përkatëse. Në të njëjtën linjë, po rishikohet edhe infrastruktura penitenciare, ku përveç burgut të grave në zonën e “Ali Demit”, po shqyrtohet përfshirja në plan edhe e burgjeve 302 dhe 313, me synim përmirësimin e kushteve.

Një tjetër element i reformës lidhet me zbatimin e masave alternative ndaj paraburgimit, veçanërisht mbikëqyrjen elektronike. Sipas Lamallarit, kjo masë nuk ka qenë funksionale në Shqipëri dhe është kërkuar nga Shërbimi i Provës paraqitja e një projekti të detajuar, përfshirë kostot financiare, me qëllim uljen e përdorimit të arrestit me burg dhe arrestit në shtëpi, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës.

Në përfundim të fjalës së tij, ministri konfirmoi edhe vullnetin e qeverisë për një amnisti penale. Drafti është hartuar brenda një muaji dhe është miratuar më 6 shkurt, ndërsa është depozituar në Kuvend për shqyrtim. Sipas tij, rreth 15 mijë familje pritet të ndikohen pozitivisht nga kjo amnisti, ndërsa u kërkoi deputetëve mbështetje për shqyrtimin sa më të shpejtë në komisionet përkatëse dhe vënien në zbatim të angazhimit të marrë nga qeveria.