Ministri Lamallari: Shqipëria duhet të reduktojë paraburgimin dhe të përafrohet me standardet evropiane
Në Konferencën e Nivelit të Lartë “E drejta për liri dhe siguri personale: Nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, të mbajtur në Tiranë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Këshillit të Evropës, u theksua nevoja për reforma të thella në sistemin e drejtësisë, me fokus uljen e përdorimit të paraburgimit dhe përafrimin me standardet evropiane. Gjatë fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria vijon të ketë një nga nivelet më të larta të paraburgimit në Evropë, duke e cilësuar këtë si një nga sfidat më të ndjeshme për vendin dhe për garantimin e të drejtave themelore të njeriut.
“Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Evropë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë.
Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur,” u shpreh Lamallari.
Ministri theksoi se Shqipëria duhet të shkëputet nga qasja e ashpër penale e së shkuarës dhe të përafrojë Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale me standardet e Bashkimit Evropian, për të garantuar masa më proporcionale dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë dhe koha më e mirë është tani. Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale. Kodi i Procedurës Penale do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut,” deklaroi ai.
Në këtë kuadër, Lamallari vlerësoi bashkëpunimin me Këshillin e Evropës dhe rolin e jurisprudencës së Strasburgut si një udhërrëfyes të rëndësishëm për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Në konferencë morën pjesë gjithashtu Gianluca Esposito, Drejtor i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Evropës, si dhe Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë.
Ndërkohë, magjistratët e pranishëm prezantuan dy raporte me gjetjet dhe rekomandimet e përgatitura për Këshillin e Evropës lidhur me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri.