Ligji i ri për Prefektin, Balla: Forcojmë rolin e tij në nivel vendor. Përmirësojmë sa më shumë shërbimet - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ligji i ri për Prefektin, Balla: Forcojmë rolin e tij në nivel vendor. Përmirësojmë sa më shumë shërbimet

Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjin “Për prefektin e qarkut”:

Mirëdita të nderuar kolegë,

Ligji “Për prefektin” dhe ndryshimet që kemi sjellë te ky ligj, do të kërkoja reflektimin edhe të kolegëve të opozitës, të cilët në Komision nuk e votuan, me shpresën që për çështje të kësaj natyre edhe ndasitë që kemi mes njëri-tjetrit, t’i tejkalojmë, sepse mendoj që çështjet për të cilat Ministria e Brendshme ka ardhur në Kuvend për të kërkuar votën tuaj, kanë të bëjnë me shqetësime, me qasje, me përgjegjësi, të cilat na takojnë të gjithëve.

Duam ta forcojmë rolin e Prefektit në nivel vendor si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor, duke rievidentuar kompetencat në përmbushje të detyrave dhe po ashtu të rrisim efiçencën, të konsolidojmë performancën e institucionit të Prefektit në ofrimin e shërbimeve më cilësore, por duke i shkuar me intensitet qasjes sonë për një qeverisje më pranë qytetarëve në marrëdhënien që institucioni i Prefektit ka edhe si koordinator mes institucioneve të qeverisjes qendrore dhe pushtetit vendor dhe pas le të themi pothuajse shtatë vite e gjysmë, që nga momenti që është bërë ligji në vitin 2016, ka qenë koha e nevojshme dhe pak a shumë ky është qasja që ndiqet në shumë ligje të tjera, pra koha ka qenë e mjaftueshme për të bërë disa prej rregullime dhe në fakt unë i ndoqa me vëmendje dhe diskutimet e kolegëve të opozitës në Komisionin për Çështjet Ligjore ku biem të gjithë dakord ku Prefekti duhet të jetë më aktiv, me kompetenca më të cilësuara dhe besojë që duke, së pari i përcaktuar qartë aktet normative të qeverisjes vendore të cilat bëhen objekt i vlerësimit të vlefshmërisë dhe pati një deputet, koleg të opozitës që tha, ishte i shqetësuar ndoshta dhe në aspektin e sëmundjes profesionale sepse ka qenë dikur Kryetar Bashkie dhe u shqetësua që kemi ardhur këtu të kontrollojmë aktet që bënë Kryetari i Bashkisë.

Aktet që kontrollon Prefektit janë aktet, vendimet e Këshillit Bashkiak dhe unë nëse do isha në opozitë do isha më shumë, përtej kaq, por mos harroni asnjëherë që ka një Kartë të Pavarësisë, do ta quaja unë të vetëqeverisjes të pushtetit vendor dhe ne e respektojmë atë, sepse kur unë kam qenë në opozitë ne kemi luftuar shumë për këtë, por të mos harrojmë asnjëherë se ky është një proces ‘check and balance’ ku institucionet duhet të kontrollojnë.

Po ashtu kemi pasur, kemi hasur një problematikë, që lidhej me krijimin e mekanizmave të përkohshëm, ku Prefekti i Qarkut të shërbejë si drejtues i Task forcave, Koordinator i bashkëveprimit të institucioneve të ndryshme qendrore vendore dhe po ashtu problematikat që lidhen me propozimin për emërim në detyrë të drejtuesve të degëve në territor të institucionit qendror. Unë mendoj që të gjithë duhet ta mbështesim këtë dhe na duhet, edhe Kryeministri Rama e ka thënë shpesh, e këtu në këtë sallë, na duhet që të përmirësojmë sa më shumë shërbimet duke e nisur pikë së pari nga ata që i ofrojnë shërbimet, të cilët duhet të jenë të orientuar nga mirësjellja nga integriteti, nga morali dhe përgatitja e duhur profesionale, po duke i dhënë Prefektit këtë lloj kompetence verifikimi është një hap i mirë, ndoshta ende jo i mjaftueshëm.

Tani të kalojmë pa më shumë në detaje. Besoj që biem të gjithë dakord se Prefekti verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të organeve të qeverisjes vendore dhe për t’u hequr merakun ju, pa penguar zbatimin e tyre, kjo ka qenë, është por në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë e kemi definuar qartësisht, se çfarë është Akti Normativ, cilat janë vendimet, urdhrat, urdhëresat e organeve të vetëqeverisjes vendore për të cilat e nënvizoj, shprehet vullneti i këtyre organeve në ushtrimin e funksionit të tyre publik.

E dyta, unë nuk besoj që nëse shkoni në territor pyesni ata që iu kanë votuar, ju të dilni kundër dhe të thoni ne jemi dakord që pranë institucionit të Prefektit, me propozimin e tij të ngrihen Këshillat Vendor të Sigurisë Publike. Çfarë janë Këshillat Vendor të Sigurisë Publike? Së pari, janë një rekomandim i kahershëm i prezencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në Tiranë dhe jo vetëm për Shqipërinë, për disa prej vendeve nisur nga një model tepër i suksesshëm në një prej vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe nuk shoh ndonjë student holandez këtu, në Holandë, të cilët e kanë përdorur këtë model me shumë sukses. Ata kanë shkuar përtej në këtë Këshill të Sigurisë Publike në nivel vendor, Prefekti i Qarkut është drejtori i DVP, Kryetari i Bashkisë, drejtuesi i Autoritetit të Kontrollit Ushqimor, drejtuesi i Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm atje, jo këtu dhe të gjithë këta së bashku koordinojnë dhe unë nuk e fsheh, që në këto dyqind e njëzetë, tridhjetë ditët e para të aplikimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla ku Prefekti i Qarkut ka marr një rol koordinues dhe vlerësimi im është që është fillimi, por rezultati është mbresëlënës. Gjëja më e rëndësishme sa i përket asaj që komunikimi në çdo shkollë, për rreziqet që vijnë nga përdorimi i lëndëve narkotike, alkoolit, nga fenomeni i bullizmit, dhuna online e të gjitha format e tjera. Ky lloj komunikimi ku unë do të ftoja dhe deputetët ta përdorin si një mundësi për të komunikuar me bordet e prindërve, për të komunikuar me të rinjtë lidhur me këto rreziqe.

Paketa e sigurisë në shkolla në këto 230 ditë nga dita e fillimi të saj, ka pasur 1,100 shpërndarës droge të arrestuar, ku nuk e fsheh një falenderim për prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, të cilat kanë konfirmuar 95 % kërkesat referimet të personave të përfshirë, dhe dua t’ju garantoj që kjo qasje kjo luftë kundër këtij fenomeni do të vazhdojë. Sikurse kemi adresuar me shumë vëmendje ka dhe deputetë kolegë të opozitës dhe të maxhorancës që kanë qenë target i dhunës online.

Sikurse janë të shumtë fëmijët tanë në shumë shkolla, të cilët kanë qenë target i keqpërdorimit të të dhënave të tyre për të hapur faqe të rreme, e përmes tyre intimidimin në forma të tjera. Për këtë qëllim kemi ndërmarrë hapat dhe do të vijmë shumë shpejt në Kuvend që të përqasim atë që ka bërë BE, si një direktivë që është Akti i Sigurisë Digjitale, dhe Akti i Sigurisë së Tregjeve, të cilat ne duhet t’i afrojmë me legjislacionin tonë për t’i garantuar çdo qytetari e qytetareje më shumë siguri.

Rasti i të ndjerës në Durrës, e cila u bë target i një sulmi të tillë, duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm se këto lloj sulmesh mund të çojnë dhe në akte të rënda, siç ishte dhe  humbja e jetës të një motrës tonë në Durrës, e cila u vetëvra sepse nuk e përballoi dot, shtuar këtu dhe atë pjesën tjetër, të cilën do ta mirëprisja me zonjat deputete, të bënim më shumë sa i përket dhunës me bazë gjinore dhe dhunës seksuale.

Ne nuk jemi të ndarë, rastet e fundit në Kosovë, sikurse kanë qenë rastet gjatë vitit të kaluar edhe në Shqipëri, ku bashkëshorti ish-bashkëshorti, ishin në Tiranë ku Policisë së Shtetit, falë dhe bashkëveprimit të qytetarëve, u informua për ta çliruar nga tmerri i dhunës së bashkëshortit nënën, bashkëshorten dhe fëmijët. Prandaj insistoj që në fjalën tonë politike do ta quaja Koalicion Vendor, ku në bazë të ligjit për statusin e deputetit, secili prej nesh këtu ka të drejtë të marrë pjesë dhe në këshillin vendor të sigurisë publike pa dallim. Nuk merr deputeti ftesë, deputeti është i ftuar me ligj të shkojë dhe në mbledhjen e Këshillit të Ministrave nëse doni, kur diskutohet një çështje që ka të bëjë me zonën e tij zgjedhore. Prandaj kolegë ju ftoj që ta mbështesim këtë që kemi bërë me paketën e sigurisë në shkolla ne duam ta bëjmë tani me ligj.

Që të gjitha institucionet, e pranoj kanë qenë disa prej rezultateve shokuese kur AKU ka shkuar pranë një shkolle në një bashki, dhe ka gjetur pjesën më të madhe të produkteve të ushqimit të shpejtë në afat skadence apo duke kaluar skadencën. Është arrestuar pronari, por unë kërkoj mbështetjen tuaj që të bëjmë një ligj, dhe e kam gjetur modelin, kush guxon të bëjë vepra penale të kësaj natyre brenda perimetrit të sigurisë në shkolla, ajo njësi tregtare nuk duhet të hapet më.

Sikurse kërkoj mbështetjen tuaj në Kodin Rrugor, që kush shkel rregullat e Kodit Rrugor brenda perimetrit të sigurisë, ne e kemi 40 km lëvizjen me mjet në qytet. Imagjinoni se çfarë rreziku është për fëmijët e secilit prej nesh dhe të të gjithë shqiptarëve, kur një delikuent lëviz me shpejtësi 60-70 km në orë, nuk po flas më shumë. Ai nuk mund të ndëshkohet njëlloj sikur e shkel një zonë që është brenda vijës së verdhë, por që nuk është një zonë ku është pranë perimetrit të sigurisë në një shkollë. Sikurse një delikuent tjetër që tenton të parakalojë në mënyrë të parregullt mikrobuzin e fëmijëve që shkojnë një shkollë. Ai nuk mund të marrë thjesht një penalitet, një gjobë, ai rrezikon fëmijët.

Shkollat janë për mua objekte të sigurisë së veçantë, perimetri i sigurisë rreth tyre duhet të jetë perimetër i sigurisë së veçantë, si një repart ushtarak po të doni. Prandaj kemi edhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë në Komunitet, por na duhen dhe mirëpresim edhe propozime se si p.sh., kryetari dhe n/kryetari i Komisionit të Sigurisë në Kuvend, të jenë pjesë. Në këto muaj që jam Ministër i Brendshëm jam munduar që me të dy kolegët Naço dhe Xhaferaj ta institucionalizojmë një lloj pranie të përhershme. Ka plot ide të mira që mund të vijnë edha nga opozita për funksionimin. Prandaj dua t’ju informoj se mënyra se si do të kompozohet e funksionojë do të jetë me një akt nënligjor që do të dalë sapo të miratohet ligji. Jeni të mirëpritur që t’i gjejmë. Sepse te pjesa e pjesëmarrjes së deputetit në atë të nivelit vendor, e ka zgjedhur ligji për statusin e deputetit. Deputeti shkon kudo, në mbledhjen e këshillit bashkiak, në mbledhjen e prefektit me drejtuesit e institucioneve. E kemi bërë këtë qysh para 20 vitesh! Rregullat e hollësishme të organizimit e funksionimit të këshillit vendor të sigurisë publike apo të Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Komunitet, të ulemi bashkë. Unë ju garantoj që edhe aktet nënligjorë do vijmë t’i konsultojmë me ju. Komisioni i duhur është ai i Sigurisë Kombëtare.

Kemi edhe një element tjetër lidhur me rolin që ka Prefekti në marrëdhënie me ministrin e Mbrojtjes, me FA dhe me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Nuk po shpikim rrotën, thjesht dhe vetëm po marrim modelet që kemi te ligji për Prefektin në Francë, në Itali dhe Rumani. Kemi gjetur 3 vende, të cilat e kanë këtë koncept të prefektit. Një pjesë e vendeve anglo-saksone nuk e kanë konceptin e prefektit që ne njohim. Është shumë e rëndësishme që prefekti të kthehet në një Koordinator. Ajo historia që merr kryetari i bashkisë direkt AKMC, hajde se na ka rënë një zjarr në fshatin tonë, duhet të jetë diçka më e rregulluar, me një protokoll të veçantë.

Unë do të vij shumë shpejt në Kuvend për të kërkuar mbështetjen tuaj për një ligj të ri, sa i përket mbrojtjes ndaj zjarrit dhe shpëtimit. Brenda në qeveri po kërkoj më shumë mbështetje sa i përket njësive të qeverisjes vendore për gjithë infrastrukturën e mbrojtjes ndaj zjarrit. Vitin e kaluar kemi pasur një situatë tejet të vështirë, edhe pse po të krahasohemi me fqinjët, do të thonim ‘ia hodhëm paq!’

Këtë vit zjarret kanë filluar që në mars, ku, – e nënvizoj – ne duhet të kemi një mesazh, të gjithë së bashku, pa asnjë dallim ndaj keqbërësve që vënë zjarr me dashje, ndaj atyre që frymëzojnë e, më keq akoma, që marrin në mbrojtje e shkohet deri aty sa i jepet natyrë politike arrestimeve që bën policia kundrejt zjarrvënësve. Këtë duhet ta kemi një marrëveshje të pashkruar, që ne duhet t’i ndëshkojmë të gjithë ata që vënë zjarre! Ata që nuk kanë hequr ende dorë, dua t’iu kujtoj se falë propozimit të kolegut Braçe, kemi miratuar ndryshime ligjore kur nuk lejohet dhe nuk duhet të lejohet ajo historia e vjetër që misri del shumë më i mirë po i vure zjarrin tokës së korrur nga gruri; kjo është një histori që nuk ka më vend! Edhe nga kjo na kanë ndodhur vjet zjarre në disa zona, ka qenë një zjarr në Peqin p.sh., pikërisht nga kjo histori. Po mo po, edhe Pishë Poron, se unë kam qenë edhe aty. Edhe për zjarrin e Pishë Poros kemi pasur disa arrestime dhe dyshimet e mia që i kam bërë publike në vendngjarje, është për pronarë tokash, në atë zonë, të cilët i gënjen mendja se duke i vënë zjarrin zonës së mbrojtur do të kenë ndonjë shpresë të marrin leje për ndonjë ‘fotovoltaik’. Në burg, duhet të shkojë kushdo që vendos zjarrin.

Thirrja ime është që kur të vijnë këtu institucionet e drejtësisë KLGJ, KLP, Prokurori i Përgjithshëm, Prokurori i Prokurorisë së Posaçme, vendosni në rekomandimet që bën Kuvendi, një kërkesë që për zjarrvënien të jepet dënim maksimal. Ta kalojmë me konsensus të gjithë bashkë. E largqoftë të gjendemi para situatës që u gjendën komshinjtë tanë grekë vitin e kaluar. Prandaj dua mbështetjen tuaj që t’i japim prefektit këtë e pastaj dua mbështetjen tuaj edhe për ligjin për mbrojtjen kundër zjarrit, të kemi aty propozimet e mbështetjen tuaj, sepse mendoj se ndajmë të njëjtat shqetësime.

Diçka që ka të bëjë me nënprefektin, për mua ka qenë e papranueshme, që nënprefekti zgjidhej anëtar i këshillit bashkiak në bashkinë ku ai është nënprefekt. Unë besoj që për gjërat që ju thashë, që për luftën kundër fenomenit të përdorimit të lëndëve narkotike në shkolla, për fenomenin e dhunës në rrjetet sociale, për qasjen që duhet të kemi së bashkë për komunikimin në shoqërinë tonë, kundër dhunës me bazë gjinore, nuk bëhet kjo me 2 javë konferenca, nëpër hotele të shtrenjta ku mblidhen një pjesë e kolegeve tona, edhe ne gjithashtu, edhe kjo do një qasje 365 ditë, dhe jo në perimetrin nga ‘Hotel Tirana’, te ‘Rogner’ apo ‘Mak Albania’, por kjo do një strategji për të shkuar në territor.

I ftoj kolegët e opozitës të bëhen pjesë e Këshillave Vendore të Sigurisë Publike, sepse falë këtyre këtu, falë kësaj shumice që na kanë besuar shqiptarët, se unë nuk gjej argument, po të isha në krahun tuaj, të mos e votoj këtë ligj sot. Por falë këtyre këtu, falë kësaj shumice që kemi, falë asaj shumicës edhe më të thellë që do marrim në 2025, ne do t’i çojmë këto angazhime përpara.

Previous Asambleja Parlamentare e miraton, Shqipëria del nga faza e monitorimit të KiE pas 29 vitesh