Malaj: Mbështetje e shtuar sociale dhe financim për sektorët prioritarë në buxhetin 2025

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se qeveria ka miratuar Aktin Normativ të fundvitit, i cili parashikon disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025, me fokus mbështetjen sociale, forcimin e skemave të pensioneve dhe financimin e sektorëve prioritarë.

Një nga shtyllat kryesore të këtij Akti Normativ është mbështetja financiare për shtresat në nevojë, veçanërisht për familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre. Në këtë kuadër, parashikohet një bonus fundviti në masën 15 mijë lekë, nga i cili përfitojnë rreth 148,500 qytetarë, me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.

Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet me administrimin e fondeve të pashpenzuara nga ministritë dhe institucionet buxhetore. Sipas Aktit Normativ, këto fonde do të transferohen në Fondin e Posaçëm të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë. Vlerësimet paraprake të Ministrisë së Financave tregojnë se shuma minimale që pritet të kalojë në këtë fond është rreth 150 milionë euro, të cilat do të përdoren për mbështetjen e reformës së pensioneve.

Akti normativ parashikon gjithashtu mbështetje të shtuar për sektorin e bujqësisë, ku fermerët do të përfitojnë rreth 2 miliardë lekë shtesë përmes Skemave Mbështetëse. Në total, fondi i alokuar për vitin 2025 për këto skema arrin në 6.4 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që ishte në vitin 2024.

Në sektorin e shëndetësisë, parashikohet një mbështetje shtesë prej 18 milionë eurosh për furnizimin me barna në spitalet publike.

Pushteti vendor do të përfitojë rreth 1.2 miliardë lekë shtesë, fonde që do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Sipas vlerësimeve, kjo shumë përfaqëson rreth 40% të totalit të detyrimeve të akumuluara nga bashkitë.

Ndryshimet buxhetore synojnë orientimin e fondeve publike drejt nevojave më prioritare, forcimin e stabilitetit ekonomik dhe mbështetjen e mirëqenies sociale në vitin 2025.