Malaj në Poloni: Bashkëpunimi ekonomik dhe Banka e Zhvillimit në fokus të takimeve
Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Poloni, së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ku u takua me homologun e tij polak, Andrzej Domański, për të diskutuar forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, në kuadër edhe të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjatë takimit, ministrat vlerësuan se Shqipëria dhe Polonia ndajnë sfida dhe objektiva të ngjashme në konsolidimin e financave publike, rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Diskutimet u përqendruan te reformat fiskale, mbështetja e investimeve dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik, si dhe te thellimi i bashkëpunimit institucional mes dy ministrive të financave.
Në kuadër të vizitës, Malaj u takua edhe me drejtues të Bank Gospodarstwa Krajowego (BGK), banka shtetërore e zhvillimit në Poloni, për të shkëmbyer përvoja mbi modelet e qeverisjes, instrumentet financiare, praktikat më të mira, si dhe në mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Takimi vjen në një moment kur Shqipëria ka themeluar Bankën Shqiptare të Zhvillimit, si instrument strategjik për të mbështetur sektorët prioritarë të ekonomisë, për të lehtësuar aksesin në financim dhe për të nxitur investimet me impakt afatgjatë. Përvoja e BGK u vlerësua si model referimi për konsolidimin e këtij institucioni dhe forcimin e ekosistemit financiar në vend.
Vizita synon rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe ndërtimin e një partneriteti afatgjatë mes Shqipërisë dhe Polonisë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të dy vendeve.